ATV

Category: Lajme

  • I dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile që u arrestua sot është nga komuniteti boshnjak

    I dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile që u arrestua sot është nga komuniteti boshnjak

    Prokuroria Speciale, dhe Policia e Kosovës, njoftojnë opinionin publik se, sot, në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, konkretisht në Bërnjak, është ndaluar një person me inicialet J.Š., i dyshuar se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Gjakovës, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

    Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

    ATV mëson se i arrestuari është Jusuf Šujak, i nacionalitetit boshnjak.

  • 13 komuna aplikojnë për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm

    13 komuna aplikojnë për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm

    PËRGATITI: ARTON HAMITI  

    Vetëm 13 komuna kanë aplikuar në thirrjen e Qeverisë për përcaktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm.

    Thirrjes publike që qëndroi hapur një muaj i janë përgjigjur komunat: Podujeva, Kamenica, Peja, Malisheva, Rahoveci, Lipjani, Drenasi, Ferizaj, Gjilani, Obiliqi, Vushtrria, Istogu dhe Komuna e Shtimes.

    Megjithatë, jo në të gjitha mund të fillojë implementimi i projektit.

    “Komunat që i plotësojnë kriteret dhe janë të gatshme do të jenë përfituese të programit, ndërkaq zhvillimi dhe implementimi i programit do të bëhet me faza. Fillimisht startohet me tri komuna dhe më pas vazhdohet me komunat tjera të cilat janë të gatshme dhe gjatë kësaj kohe i kanë plotësuar kushtet e parapara. Duhet pasur parasysh se ka Komuna të cilat janë në procese të hartimit dhe aprovimit të dokumenteve te planifikimit dhe në momentin që ato janë të gatshëm, vazhdohet edhe me ato komuna me Programin e Banimit të Përballueshëm dhe Social”

    Njëra nga komunat që shpreson të jetë fituese e programit qeveritar për banim të përballueshëm është edhe komuna e Lipjanit.

    Fshati Magure është paraparë si vend adekuat për ndërtimin e objektit.

    Derisa Qeveria iu bëri thirrje komunave të aplikojnë për përcaktimin e lokacionit, projektligji për banimin social dhe të përballueshëm nuk është votuar akoma nga ekzekutivi. Madje, ky projektligj ishte në konsultim publik deri para një jave. /atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=7IFsKgmK_To

  • Arrestohet një person i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

    Arrestohet një person i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

    Prokuroria Speciale njoftoi se në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, konkretisht në Bërnjak, është ndaluar një person me inicialet J.Š., i dyshuar se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Gjakovës, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

    Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

  • Policia identifikon 76 lëmoshë kërkues nga Kosova dhe Shqipëria

    Policia identifikon 76 lëmoshë kërkues nga Kosova dhe Shqipëria

    Policia e Kosovës ka identifikuar gjithsej 54 lëmoshëkërkues nga Republika e Kosovës, prej të cilëve 22 të moshës madhore, dhe 32 fëmijë. Janë identifikuar gjithsej 22 lëmoshë kërkues nga Republika e Shqipërisë, prej te cilëve 15 persona te moshës madhe dhe 07 fëmijë”.

    Policia e Kosovës, në vazhdën e aktiviteteve për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore e në veçanti fëmijëve, ka hartuar Planin Operativ “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit Prill 2024”.

    Ky plan operativ është zbatuar në të gjithë territorin e RKS-së, në periudhën kohore 15.04.2024 deri me datë 27.04.2024 nga të gjitha Njësitet Rajonale të DHTQNJ-së dhe akterët tjerë relevant si: Prokuroritë ne rajonet përkatëse, Qendrën për punë sociale, Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj etj.

    “Aktiviteti përmbyllës është zhvilluar më datë 27.04.2021 ku edhe janë realizuar aktivitetet si në vijim: Janë identifikuar gjithsejtë 54 lëmoshë kërkues nga Republika e Kosovës, prej të cilëve 22 të moshës madhore, dhe 32 fëmijë. Janë identifikuar gjithsejtë 22 lëmoshë kërkues nga Republika e Shqipërisë, prej te cilëve 15 persona te moshës madhe dhe 07 fëmijë”.

    Gjatë implementimit të këtij plani janë iniciuar gjithsejtë 18 raste penale, me 16 persona të dyshuar, si dhe një person te dëbuar.

  • Zbulohet pllaka “Shtëpia e Durimit” në Shtëpinë Tradicionale të Familjes Qerkezi

    Zbulohet pllaka “Shtëpia e Durimit” në Shtëpinë Tradicionale të Familjes Qerkezi

    Në Gjakovë sot është zbuluar pllaka “Shtëpia e Durimit” në Shtëpinë Tradicionale të Familjes Qerkezi – Muzeu Historik 1999.

    Të pranishëm në shtëpinë e nënës Ferdonije Qerkezi, ishin nënkryetari i komunës, Flamur Fetahaj, drejtori për Mjedis dhe Urbanizëm Arben Bakalli, drejtoresha për Arsim Eranda Kumnova Baçi, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka Pylla dhe Këshilltari Xhavit Alijaj.

    Në fjalën e tij, Nënkryetari Fetahaj, u shpreh se kjo pllakë simbolizon shembullin më konkret të durimit dhe sakrificës së popullit tonë, Nënën Ferdonije.

    “Kjo nënë dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve, do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë si institucion”,  tha ndër të tjera ai.

    Ky projekt është financuar nga Komuna e Gjakovës.

    Ndryshe, Ferdonije Qerkezi, vazhdon të mbaj shprese që fati i të gjithë të pagjeturve të zbardhët.

    Ajo deri tash ka varrosur dy nga djemtë e sajë, përderisa trupat e dy të tjerëve dhe bashkëshortit nuk janë identifikuar ende.

  • Zelensky u lutet sërish aleatëve të Ukrainës për kundërajrorë dhe furnizim të shpejtë me armë

    Zelensky u lutet sërish aleatëve të Ukrainës për kundërajrorë dhe furnizim të shpejtë me armë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është lutur sërish të shtunën aleatëve të Kievit për kundërajrorë dhe për furnizim të shpejtë me armë, pas sulmit të ri masiv rus ndaj sektorit ukrainas të energjisë.

    Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për sasi një sasi të mjaftueshme të kundërajrorëve dhe të armëve të tjera për mbrojtjen e qyteteve të veta dhe për të triumfuar kundër pushtuesit rus.

    “Terrori duhet të humbë gjithmonë dhe, kushdo që na ndihmon t’i bëjmë ballë terrorit rus, është mbrojtës i vërtetë i jetës”, tha Zelensky të shtunën.

    Kievi tha të shtunën në mëngjes se Rusia ka kryer sulme të mëdha kundër termocentraleve të saj gjatë natës.

    DTEK, kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, tha se katër termocentrale të saj janë goditur.

    “Armiku përsëri i bombardoi fuqishëm objektet energjetike ukrainase”, tha DTEK në një komunikatë. “Pajisjet e kompanisë janë dëmtuar rëndë. Punëtorët e energjisë janë duke punuar tani për eliminimin e pasojave të sulmit”.

    Ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko, tha se sulmet ruse cak e kishin rajonin Dnipropetrovsk në Ukrainën qendrore dhe rajonet perëndimore Lviv dhe Ivano-Frankivsk.

    Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 21 prej 34 raketave ruse gjatë natës, tha komandanti i Forcës Ajrore të Ukrainës të shtunën.

    Të premten, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojë me nxitim Ukrainës raketa të sistemit kundërajror Patriot dhe municione të artilerisë.

    Megjithatë, kundërajrorët Patriotë për shkrepjen e raketave nuk do t’i dërgohen Kievit, tha Austin.

    Duke folur të premten, Austin tha se SHBA-ja është duke e përmbushur zotimin për ndihmën me pakon më të madhe ushtarake për Ukrainën deri më sot, në vlerë rreth 6 miliardë dollarë, dhe se do të veprojë shpejt për ta furnizuar atë.

    Përveç raketave Patriotë, pakoja 6 miliardë dollarë përfshirë më shumë municione për sistemet e avancuara kombëtare raketore ajër-tokë (NASAMS), pajisje shtesë për integrimin e kundërajrorëve perëndimorë, raketave dhe radarëve në armatimin ekzistues të Ukrainës.

    Të premten, Zelensky tha se vetëm këtë vit, avionët luftarakë rusë i përdorën më shumë se 9.000 bomba ajrore kundër Ukrainës.

    Nevojitën së paku shtatë kundërajrorë Patriotë për t’i mbrojtur qytetet ukrainase, shtoi ai./REL/

  • Dita e të Pagjeturve dhe Masakra e Mejës, Haradinaj: Kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi

    Dita e të Pagjeturve dhe Masakra e Mejës, Haradinaj: Kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar Ditën Kombëtare të të Zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë si dhe Masakrën e Mejës.

    Ish-kryeministri u shpreh se kurrë nuk do të ndalet kërkimi për drejtësi të tyre, njofton Klankosova.tv.

    “Sot, Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve, njëkohësisht edhe ditën e masakrës së Mejës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    “Nuk është rastësi, që Dita e të Pagjeturve, shënohet pikërisht në ditën e masakrës së Mejës. Në këtë datë forcat okupatore kryen njërën ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, duke vrarë 377 motra e vëllezër tanë shqiptarë, një pjesë e tyre ende të pagjetur. Shqiptarë të pambrojtur të dy besimeve fetare që kishin vetëm një ëndërr, lirinë e Kosovës”.

    “Kurrë nuk do të harrojmë kujtimin për ta. Kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi.  Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës!”.

  • Tajvani thotë se Kina dërgoi avionë ushtarakë në territorin e saj

    Tajvani thotë se Kina dërgoi avionë ushtarakë në territorin e saj

    Tajvani ka thënë se 12 avionë ushtarakë të Kinës janë futur në territorin e saj duke e kaluar kufirin e ndjeshëm të Ngushticës së Tajvanit të shtunën, vetëm një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e përfundoi një vizitë në Pekin.

    Amerika është mbështetësja më e rëndësishme ndërkombëtare dhe furnizuesja me armë e Tajvanit, pavarësisht se këto dy vende nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

    Blinken tha se gjatë vizitës në Kinë e theksoi “rëndësinë jetike” për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë Ngushticës së Tajvanit.

    Tajvani demokratik është përballur me trysni të madhe ushtarake nga Kina, sepse ajo cilëson këtë ishull si pjesë të territorit të vet. Qeveria e Tajvanit i kundërshton këto pretendime.

    Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se i vërejti mëngjesin e së shtunës 22 avionë ushtarakë kinezë, përfshirë avionë Su-30, prej të cilëve 12 e kaluan vijën kufitare verior dhe qendror të Tajvanit.

    Kjo vijë dikur shërbente si kufi jozyrtar mes këtyre dy vendeve, mbi të cilën nuk kalonte ushtria e asnjërës palë, por tani forcat ajrore kineze dërgojnë avionë luftarakë përtej saj rregullisht.

    Kina thotë se nuk e njeh një vijë të tillë kufitare.

    Forcat e Armatosura të Tajvanit janë të pajisura dhe të trajnuara mirë, por ato të Kinës janë më të forta, posaçërisht marina dhe forcat ajrore, të cilat u përgjigjen pothuajse përditë misioneve kineze.

    Kina e konsideron Tajvanin si çështjen më të rëndësishme në marrëdhëniet e veta me Shtetet e Bashkuara, dhe i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit të mos i shesë më armë Tajvanit./REL/

  • Familjarët e viktimave në Mejë rrëfejnë momentin kur kuptuan për këtë masakër

    Familjarët e viktimave në Mejë rrëfejnë momentin kur kuptuan për këtë masakër

    Xhafer Rama së bashku me bashkëshorten e tij, kishin ardhur nga mërgimi për ta përkujtuar 25-vjetorin e vrasjes së djalit të tij, i cili u masakrua së bashku me mbi 300 të tjerë në fshatin Mejë.

    Atë ditë, Xhaferi thotë për Ekonomia Online e se kishte jetuar në Zvicër dhe se lajmin për këtë masakër e kishte kuptuar disa ditë më vonë.

    “Masakra e Mejës është një ndër masakrat më makabre që ka bërë armiku shekullor serb”.

    “Siç dihet këtu janë masakruar mbi 300 persona, e pasojat e asaj masakre i ndiejmë edhe sot me mërzinë tonë. Ne jemi prej Zvicrës për këtë manifestim. Djali i madh, 22 vjeçar ka qenë. Unë nuk kam qenë këtu, ka qenë vetëm me shoqen se fëmijët tjerë i kam marrë në Zvicër e ky pati qëlluar te dajtë e tij në Dobrosh se edhe atje (Dobrosh) janë të masakruar 11 anëtarë të familjes”.

    “Këtë ditë të rëndë për familjen e kemi pasur të martuar, një vit ka qenë i martuar e ka lënë gruan e martuar të një viti. Nusja na ka lajmëruar në telefon se e kanë ndaluar Njazinë policia serbe”, tha Raze Rama, nëna e dëshmorit 22-vjeçar.

  • Krasniqi kujton Masakrën e Mejës: Ajo flet për viktimën dhe agresorin më fuqishëm dhe më drejtë se cilado gjykatë

    Krasniqi kujton Masakrën e Mejës: Ajo flet për viktimën dhe agresorin më fuqishëm dhe më drejtë se cilado gjykatë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar masakrën e Mejës, ku mbetëm të vrarë 376 persona.

    Trupat e 13 viktimave të kësaj masakre ende nuk janë gjetur.

    Ndërkaq Krasniqi thotë se Meja është e vërteta e Serbisë e e luftës së Kosovës. Tutje ai tha se Meja flet për viktimën dhe agresorin më fuqishëm dhe më drejtë se cilado gjykatë.

    “Gjenocidi i orkestruar i shtetit serb në Kosovë, vjen e shfaqet në mënyrën e tij më barbare në Mejë të Gjakovës, me 27 prill të vitit 1999, duke lënë pas vetes 376 persona të masakruar”, shkroi kreu i PDK-së në Facebook.

    “Pleq, burra e fëmijë – të vrarë në gjakftohtësi dhe me paramendim. Të gjithë civilë e të pafajshëm. 36 djem ishin nën moshën 18 vjeç. Trupat e 13 viktimave ende nuk janë gjetur”.

    “Dhjetëra oficerë të lartë serbë ishin të përfshirë, direkt ose indirekt, apo ishin në dijeni për këtë masakër. Të gjithë ata janë të lirë dhe nuk kanë dhënë asnjëherë llogari për krimet e kryera në Mejë dhe vende tjera të Kosovës”.

    “Meja është e vërteta e Serbisë. Meja është e vërteta e luftës së Kosovës. Meja flet për viktimën dhe agresorin – më fuqishëm dhe më drejtë se cilado gjykatë”.

    “Kosova nuk do të harrojë asnjëherë. Lavdi e përjetshme martirëve të atdheut tonë!”.