ATV

Category: Lajme

  • Aksident i rëndë te konviktet, lëndohen gjashtë persona

    Aksident i rëndë te konviktet, lëndohen gjashtë persona

    Një aksident ka ndodhur në afërsi të Fakultetit Teknik, në Prishtinë.

    Dy vetura duket se janë përplasur me njëra-tjetrën dhe dëmet janë të mëdha.

    Nga aksidenti gjashtë persona kanë mbetur të lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia, e cila ka njoftuar se në aksident janë përfshirë dy vetura.

    “Në këtë aksident kanë qenë të përfshira,dy automjete të cilat kanë qenë në lëvizje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Sot rreth orës 09:00 kemi pranuar informatën se në udhëkryqin afër konvikteve në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku.

    Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete të cilat kanë qenë në lëvizje.

    Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

  • Nga paraburgimi në arrest shtëpiak, u ndryshohet masa e sigurisë referentëve të dyshuar për korrupsion

    Nga paraburgimi në arrest shtëpiak, u ndryshohet masa e sigurisë referentëve të dyshuar për korrupsion

    Gjykata e Apelit ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Deli Halili dhe Ismajl Ismaili. Sipas vendimit të siguruar nga ATV-ja, Halili e Ismajli nëse e shkelin vendimin i cili do të zgjasë deri më 29 maj, do të mund të kthehen në paraburgim.

    “Detyrohen të pandehurit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë të drejtë të largohen nga shtëpitë e tyre të banimit, përveç kur kjo është domosdo e nevojshme për përmbushjen e nevojave jetësore ose për kryerjen e ndonjë pune, dhe atë me lejen e Gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet ndër të tjera në vendim.

    Halili bashkëpunëtor profesional, e Ismajli referent në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po hetohen rreth dyshimeve se në nëntë raste nuk i ekzekutuan vendimet për burgim me qëllim të përfitimit material. Halili, e ka pranuar fajësinë gjatë intervistimit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit. Dy zyrtarët e Gjykatës së Prishtinës u arrestuan më 29 janar, dhe rasti i ka kaluar Gjykatës dhe Prokurorisë së Prizrenit.

  • Policia e Kosovës shkatërron një laborator droge në Leposaviq, një i arrestuar e një në kërkim

    Policia e Kosovës shkatërron një laborator droge në Leposaviq, një i arrestuar e një në kërkim

    Një operacion i koordinuar nga Policia e Kosovës ka rezultuar në bastisjen dhe shkatërrimin e një laboratori tjetër të drogës në Leposaviq.

    Në operacionin e mbrëmshëm, u arrestua një person të cilësuar me inicialet M.I., ndërsa një tjetër me inicialet S.S., është ende në kërkim nga autoritetet.

    Njësia e Antidrogës së (DHTN) Mitrovicë Veri, pas marrjes së informacioneve të besueshme nga hetimet në terren, ka realizuar bastisjen e suksesshme në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit në fshatin Miokovicë.

    Në një nga objektet e kontrolluara u gjet një laborator i improvizuar për kultivimin e bimëve të dyshuara të kanabisit.

    Gjetjet përfshijnë 409 bimë me gjatësi ndërmjet 5 dhe 15 cm, një pushkë gjuetie me 43 fishek, dhe pajisje të ndryshme të përdorura në improvizimin e laboratorit, duke përfshirë poca, sisteme ventilimi, termostate dhe nxehëse.

    Një skaj tjetër, policët gjithashtu gjetën një xhaketë të Policisë së Kosovës në pronësinë e të dyshuarit.

    Njësia e Forenzikës ka marrë përsipër fotografimin dhe sekuestrimin e dëshmive nga vendi i ngjarjes.

    Me udhëzim të prokurorit për krime të rënda, është vendosur që të merren mostra nga bimët për testim laboratorik, ndërsa pjesa tjetër është urdhëruar të shkatërrohet.

    I dyshuari M.I. është mbajtur në paraburgim për 48 orë me aktvendim të prokurorit, ndërsa kërkimet për S.S. vazhdojnë.

    Policia e Kosovës dhe njësia e (DHTN) Mitrovicë Veri do të vazhdojnë të hetojnë rastin për të zbuluar më shumë lidhje të mundshme me aktivitete kriminale dhe për të parandaluar përhapjen e substancave të ndaluara.

  • Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    Maqedonia e Veriut sot në raundin e dytë zgjedh presidentin e vendit për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

    Pas raundit të parë të zhvilluar më 24 prill, në garë kanë mbetur dy kandidatë.

    Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale që nga pavarësia e vendit në vitin 1991.

    Me votim të fshehtë në Kuvend u zgjodh vetëm presidenti i parë i shtetit dhe që atëherë kreu i shtetit zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta.

    Në zgjedhjet e vitit 1994 u paraqitën vetëm dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme, pesë vjet më vonë, votuesit zgjodhën midis gjashtë kandidatëve.

    Në zgjedhjet e treta të drejtpërdrejta presidenciale në vitin 2004, morën pjesë katër kandidatë, dhe në vitin 2009, ashtu si tani, ishin shtatë kandidatë rekord për presidencën.

    Zgjedhjet presidenciale të vitit 2014 janë më të ngjashme me ato të sotmet, pasi janë mbajtur njëkohësisht me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Atëherë ishin katër kandidatë, ndërsa në zgjedhjet e fundit presidenciale, zgjedhja ishte mes tre kandidatëve.

    Në katër zgjedhjet e fundit radhazi, presidenti është zgjedhur në raundin e dytë të zgjedhjeve. Mbetet edhe detyrimi që të paktën 40% e votuesve të regjistruar të dalin në zgjedhje, pra të përmbushin censusin.

    Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, kur dalja ishte 42,61% e votuesve të regjistruar.

    Pjesëmarrja më e madhe është regjistruar në zgjedhjet e para presidenciale të drejtpërdrejta pas pavarësisë, në vitin 1994, kur 77.4 për qind e votuesve të regjistruar dolën në votime. /Alsat.mk

  • Kurti mbledh ministrat

    Kurti mbledh ministrat

    Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Kryeministri Kurti, bashkë me ministrat e tij, do të takohet me fillim nga ora 11:00.

    Ndonëse nuk janë bërë të ditura pikat e rendit të ditës, nga Zyra e Kryeministrit kanë ndarë agjendën e Kurtit përgjatë ditës.

  • Anketuesit e ASK-së përballën me sulme fizike dhe ngacmime

    Anketuesit e ASK-së përballën me sulme fizike dhe ngacmime

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Teksa trokisnin në dyert e kosovarëve për regjistrim të popullsisë, anketuesit, ditëve të fundit nuk u pritën mirë. Përveç konflikteve verbale për ndonjë paqartësi të mundshme rreth pyetjeve të formularit, ndaj tyre nuk mungoi as dhuna.

    Për rastin në Pejë, ku një anketues u sulmua fizikisht nga një familje në fshatin Turjakë, por edhe kërcënimet eventuale, tashmë po merret policia.

    “Është duke u marr policia atje, institucion përgjegjës, ka raste…kem sfida por te vogla, ekonomitë familjare mund të kenë ndonjë hall, në Moldavi e kanë ndërpre për shkak t sfida, ka sfida po procesi ka kaluar në duart e policisë pastaj nëse është e nevojshme do të kalojnë edhe në prokurori”, tha Avni Kastrati, u.d. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së.

    Për dhunë jo, por për ngacmime seksuale, 3 gra kanë raportuar në organizatën “Fourth Wave”. Kjo u bë e ditur përmes protestës së aktivistëve para zyrave të ASK-së.

    “Gratë regjistruese janë lajmëruar te ne dhe kanë thënë se gjatë regjistrimit janë përballuar me intimidim dhe ngacmim…”, tha Nerimane Ferizi nga organizata “Fourth Wave”.

    Për këtë, drejtori i ASK-së thotë se nuk ka marrë ende ndonjë raport zyrtar.

    “Askush deri më tash nuk ka raportuar në formë zyrtare për këtë, kështu si thashetheme kemi dëgjuar…”, tha Kastrati.

    Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, mungesa e komunikimit është shkaktar për të gjitha incidentet e mundshme gjatë procesit të regjistrimit mes anketuesve dhe ekonomive familjare.

    “Qytetarët tani kanë një devalvim kulturor ekonomiko-social, sidomos tri vitet e fundit, anketuesit duke mos pasur mundësi që të avancojnë tutje drejt dialogimit me intervistuesin, ka ndikua mu marrë pyetjet provokuese insistuese, edhe rasti I fundit është mungesë dialogimi…mund të kenë pasur pyetje që i kanë keqkuptuar, nuk është shtrirë pyetja si duhet”, tha Shala.

    Ndërkaq, për procesin e regjistrimit, janë angazhuar gjithsej 3400 punonjës, prej tyre 2500, si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës.

  • BE-ja “e shqetësuar” për Vulinin, por e do Serbinë si “partnere të besueshme”

    BE-ja “e shqetësuar” për Vulinin, por e do Serbinë si “partnere të besueshme”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian vijon të tregojë dy anë qëndrimesh në raport me Serbinë, respektivisht Qeverinë e re në Beograd.

    Në njërën anë blloku 27-anëtarësh dëshiron që afrojë shtetin ballkanik drejt perëndimit dhe ta largojë atë nga Rusia.

    “Në kontekstin aktual sfidues gjeopolitik, ne duam të llogarisim në Serbinë si partner i besueshëm evropian për parimet, vlerat dhe sigurinë e përbashkët. Prandaj ne presim të punojmë me Qeverinë e re në përpjekjet për të rritur nivelin e rreshtimit të Serbisë me qëndrimet e përbashkëta të BE-së në politikë të jashtme dhe siguri, përfshirë masat kufizuese të BE-së… Ne presim që Serbia të përmbahet nga intensifikimi i marrëdhënieve të saj më Rusinë. Presim që të gjithë anëtarët e Qeverisë së Serbisë të respektojnë zotimet që Serbia ka ndërmarrë në kuadër të negociatave për anëtarësim”, thuhet në qëndrimin e BE-së.
    Në anën tjetër, BE-ja është e brengosur për përfshirjen e Aleksandar Vulin dhe Nenad Popovic në qeverinë e re të Serbisë.

    “Shohim me shqetësim që disa nga veprimet dhe qëndrimet e z. Vulin viteve të fundit, fatkeqësisht, kanë qenë kundër thirrjeve të BE-së për të respektuar zotimet e lidhura me anëtarësimin dhe që të mos zhvillojë lidhje kundër-produktive me regjimin Rus. Anëtarësimi në BE është zgjedhje.

    Ne presim që Qeveria e Serbisë të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj rrugës evropiane duke u rreshtuar me BE-në në politikë të jashtme dhe siguri, që në kontekstin gjeopolitik aktual është sinjal, më i rëndësishëm se kurrë me parë, i vlerave të përbashkëta dhe orientimit strategjik”, thuhet më tej në qëndrimin e BE-së.

    Reagimi fillestar i Përfaqësuesit të Lartë për Politkë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se “mezi pret të punojë me qeverinë e re serbe”, ishte subjekt i kritikave edhe brenda institucioneve të BE-së.

    Duke rikujtuar se Vulin dhe Popovic mbesin në listën e të sanksionuarave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyera me përfshirjen e tyre në Qeverinë e re të Serbisë.

  • Betim Reçica dhe tre zyrtarë të tjerë lirohen nga akuzat për korrupsion

    Betim Reçica dhe tre zyrtarë të tjerë lirohen nga akuzat për korrupsion

    Përgatiti: Nora Luta

    Betim Reçica të martën është liruar nga akuzat për keqpërdorime në ndërtimin e autostradës së Gjilanit, nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Aktgjykim lirues u shpall edhe për tre zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale pretendon se Reçica ushtroi presion.

    Sipas aktakuzës Reçica si ushtrues i detyrës së drejtorit të prokurimit publik në Ministrinë e Infrastrukturës, ushtroi ndikim mbi tre të pandehurit që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e autoudhës ta kryejnë për 10 ditë.

    Por Gjykata në shpalljen e vendimit tha se nuk ka gjetur prova që dëshmojnë një gjë të tillë.

    Sipas PSRK-së, Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e komisionit që të shkojnë në takim me ish-ministrin Pal Lekaj, e më pas ta shpallin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion”.

    Komisioni Rivlerësues, sipas aktakuzës, kishte rekomanduar kompaninë “Papenburg Adriani”.

    Por kjo sipas verdiktitit të gjykatës nuk është dëshmuar gjatë procesit gjyqësor.

    Ndërkohë ish sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës Betim Reçicës, në shkurt të këtij viti i është konfirmuar edhe aktakuza në një rast tjetër, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në projektin e rrugës Prizren – Prevallë.

  • Çmime të larta të produkteve bujqësore

    Çmime të larta të produkteve bujqësore

    Përgatiti: Sara Shehu

    Prodhimet bujqësore në Kosovë po vazhdojnë të shtrenjtohen.

    Në tre muajt e parë të këtij viti, sipas Agjencisë së Statistikave, këto produkte patën çmim më të lartë për 5.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të 2023-ës.

    Kjo kategori ndahet në prodhime bimore dhe blegtorale. Të parat, që përfshijnë drithërat, perimet e pemët, u shtrenjtuan për 2.8%, ndërsa dallim vërehet më shumë te çmimi i produkteve të kafshëve, për 7.3%.

    Njohësi i ekonomisë , Zekirja Shabani, thotë se këto çmime ndikojnë drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve.

    Një nga tregjet më të frekuentuara është ai i Bresjes në Fushë Kosovë. Qytetarët ankohen se për çmimet e larta.

    Sipas tyre, problem tjetër vazhdon të jetë edhe dallimi i çmimeve të produkteve ushqimore nëpër dyqane. Norma vjetore e inflacionit për muajin mars në Kosovë ishte 2.3%.

  • E dhimbshme: Invalidi i luftës mbeti me vite brenda në shtëpi se nuk e ndërronte dot protezën

    E dhimbshme: Invalidi i luftës mbeti me vite brenda në shtëpi se nuk e ndërronte dot protezën

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbajtja e protezës më gjatë se që ishte parashikuar, nuk e la pa pasoja.

    Qazim Hajdari, ndërrimin e protezës në këmben tij duhet ta bëjë çdo 2 vjet, por kësaj here e mbajti më shumë se 5.

    Derisa nuk kishte fonde të ndara nga Qeveria për këtë kategori, Hajdari nuk arriti që shumën e protezës ta përballonte i vetëm, dhe kështu për disa vjet ai lëvizi me karrocë.

    “2 vjet e 8 muaj kom nejt pa protezë, nuk u kanë hiq lehet, veç kush mujke mem nimu, dikur ma sjellën ni kolic..”, tha Hajdari.

    Mirëpo, Hajdari arriti ta ndërrojë protezën, para 3 jave, pasi që Qeveria së fundmi ekzekutoi mjetet për këtë kategori.

    “Proteza më ka kushtua 5 mijë euro, jam shumë i kënaqur edhe ma i kënaqur që e kom ba në Kosovë te një shqiptar..”, tha Hajdari.

    Ndërkaq, nga 105 invalidët që kanë nevojë për proteza deri më tani 45 e kanë fituar këtë të drejtë.

    “45 invalid e kanë marrë dokumentacionin prej Qendrës Klinike Universitare dhe e kanë dorëzuar në Fondin për Sigurime Shëndetësore, janë marr masat dhe po punohet intensivisht aty ku dëshiron vet invalidi”, tha Fadil Shurdhaj nga shoqata e Invalidëve.

    Ani pse me shumë vonesë, sipas Shurdhaj paratë që Qeveria i ndau janë të mjaftueshme.

    “Është shumë e mjaftueshme pasi protezat kanë dy vite garancion, do të thotë ata që e marrin sivjet edhe dy vite nuk kanë nevojë, meqë institucionet publike shëndetësore nuk i ofrojnë këto shërbime”, tha Shurdhaj.

    Pas shumë kërkesave, në fund të muajit mars Qeveria ndau mbi 2 milionë euro për mbulim të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës, për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publik.

    Kjo shumë do të shfrytëzohet për tri vitet e ardhshme.