ATV

Category: Lajme

  • Një person theret me thikë në Mitrovicë, motivi i rastit dyshohet të jetë një hasmëri e mëhershme

    Një person theret me thikë në Mitrovicë, motivi i rastit dyshohet të jetë një hasmëri e mëhershme

    Një person në Mitrovicë ka raportuar se është sulmuar me thikë nga një person tjetër.

    I dyshuari nuk është hasur.

    Policia njofton se dyshohet që motivi i rastit është një hasmëri e mëhershme.

    “LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Rr. Evlia Qelebia, Mitrovicë 01.06.2024-14:30. Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se është sulmuar me një mjetë të mprehtë –thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në spitalin rajonal ku edhe është duke vazhduar trajtimin. Dyshohet se motivi i rastit është një hasmëri e mëhershme. I dyshuari nuk është hasur dhe as mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra.”

  • Sekuestrohen mbi 33kg ari në rajonin e Gjilanit, arrestohen gjashtë persona

    Sekuestrohen mbi 33kg ari në rajonin e Gjilanit, arrestohen gjashtë persona

    Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë pranuar informata për dyshime për tregti të paligjshme nga disa argjendari.

    Nën këto dyshimet janë kontrolluar shtatë lokacione të ndryshme në rajonin e Gjilanit, ku janë sekuestruar mbi 33 kilogramë ari, mbi 14 mijë euro dhe mbi 9 mijë franga.

    Lidhur me rastin janë arrestuar 6 të dyshuar dhe më pas janë dërguar në mbajtje.

    “TREGTI E NDALUAR- Gjilan, 01.06.2024-15:00. Sektori për Hetimin e Korrupsionit i Policisë së Kosovës në koordinim me Doganën e Kosovës pas pranimit dhe verifikimit të informatës për dyshim për Tregti të paligjshme nga disa biznese që ushtronin veprimtarinë argjendarive, kanë ndërmarrë veprime operacionale në rajonin e Gjilanit duke kontrolluar shtatë (7) lokacione të ndryshme me ç’rast gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht: 33kg e 310 gram ari (tridhjetë e tre kilogram e treqind e dhjetë gram ari), 14.650.00€ dhe 9.720.00 franga zvicerane. Lidhur me rasti janë arrestuar gjashtë(6) persona të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje.”

  • S’ka mungesë të gjakut – Çdo ditë rreth 70 vullnetarë mbulojnë rreth 80% të nevojave të pacientëve

    S’ka mungesë të gjakut – Çdo ditë rreth 70 vullnetarë mbulojnë rreth 80% të nevojave të pacientëve

    Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (QKTGj) çdo ditë pret rreth 70 dhurues vullnetarë të gjakut, doza këto të cilat mbulojnë rreth 80 për qind e nevojave të pacientëve. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Safete Maliqi-Qormemeti, udhëheqëse e Departamentit të Dhurimit të Gjakut QKTGj.

    Ajo ka theksuar se QKTGj-ja ka mjaftueshëm doza të gjakut të cilat sigurojnë edhe nga aksionet të ndryshme për grumbullim të gjakut.

    Maliqi-Qormemeti ka thënë se dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish dhe është mënyra më e mirë për të siguruar gjak të sigurte dhe të mjaftueshëm për nevojat e pacienteve të cilët kanë nevojë të trajtohen në operacione.

    “Dhurimi i gjakut është një akt human dhe shpëton jetë njerëzish dhe është mënyra më e mirë për të siguruar gjak të sigurte dhe të mjaftueshëm për nevojat e pacienteve të cilët kanë nevojë të trajtohen në operacione. Dhurimi i gjakut vazhdon domethënë në Qendrën tonë në mënyrë të organizuar bazë planifikimeve ne nuk kemi pas domethënë probleme sa i përket rezervave të gjakut, kemi pasur raste kur kemi pas mungesë të ndonjë grupi të caktuar mirëpo gjatë ditës kemi arritur me i siguruar edhe atë dozë të gjakut, kështu që operacionet nuk janë shty sa i përket doza të gjakut. Doza të gjakut kemi mjaftueshëm dhe vazhdojmë për të pas aksione për grumbullimin e gjakut”, ka thënë ajo.

    Udhëheqësja e QKTGj-së ka thënë se për momentin nuk kanë mungesë të gjakut në stoqe dhe se arrijnë me i mbulua afër 80 për qind të kërkesave të pacienteve.

    Ajo ka thënë se kërkesat më të mëdha për doza të gjakut kanë Klinika Emergjente si dhe klinikat që kanë sallat operative.

    “Për momentin nuk kemi asnjë mungesë, por ka pasur raste kur kemi pasë, mirëpo gjatë ditës është evituar ajo mungesë… Arrijmë t’i mbulojmë afër 80 për qind të kërkesave me dhurim vullnetar. Kemi raste kur nga mungon ndonjë grup i caktuar atëherë vijnë me familjar të konsultohemi dhe të na përgjigjën në mënyrë pozitive dhe i mbulojmë”.

    “Kërkesat më të mëdha janë për shkak të shtimit të numrit të traumave nga Klinika Emergjente dhe klinikat që kanë sallat operative që domethënë i kanë të planifikuara operacionet, të cilat kërkojnë doza të konsiderueshme për këtë gjë”.

    Maliqi-Qormemeti ka theksuar në këtë qendër paraqiten çdo ditë deri në 70 dhurues gjaku, por që ka raste kur ku numër është edhe më i madh. Ajo ka theksuar se një ndihmesë të madhe në sigurimin e dozave të gjakut e sigurojnë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).

    “Kryesisht në Qendrën Kombëtare paraqiten çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme kemi deri 70 dhurues, po ka raste kur kemi edhe më tepër. Kur kemi mungesë të ndonjë grupi të caktuar kohën e fundit kemi pas ndihmë nga FSK-ja dhe na u ka përgjigjur në mënyrë pozitive domethënë gjithmonë i kemi dhurues potencial FSK-në, çdoherë janë të gatshëm për të na ndihmuar. Për kur kemi mungesë të gjakut nga vullnetarë kryesisht e kemi dhurimin vullnetar, ajo domethënë i mbulon edhe krijon rezervat e mjaftueshëm për të pasur trajtim të pacienteve të cilët janë të shtrirë”, ka thënë ajo.

    Doktoresha Safete Maliqi Qormemeti, në këtë intervistë ka folur edhe për organizimin e javës së dhurimit të gjakut e cila fillon me 10 qershor dhe do të zgjasë deri më 15 qershor, me moton “Dhuro gjak, dhuro jetë”.

    Ajo ka thënë se QKTGj-ja ka organizuar aktivitet të ndryshme në shënim të kësaj javë ku do të ngritën edhe tenda në sheshin e Prishtinës ku qytetarët mund të dhurojnë gjakë.

    “Moto e dhurimit të gjakut është këtë vit është “Dhuro gjak, dhuro jetë”, përmes këtij promovimi dhurimit vullnetar të gjakut është një aktivitet humanitarë i cili i mobilizon qytetarët të paraqiten për të dhuruar gjak dhuratën e tyre të jetës e cila domethënë shumë. Ne vetëm e kemi bë përgatitjet presim me 10 qershor me filluar javën e dhurimit e cila do të zgjatë deri me 15 qershor në kuadër të javës dhurimi të gjakut e kemi edhe ditën ndërkombëtare të dhurimit të gjakut të cilat shënohet me 14 qershor në shumë vende të Evropës e cila ka filluar të shënohet prej vitit 2004”.

    “E cila përmes aktivitetit humanitar të dhurimit të gjakut shënohet në shumë vende të botës dhe kështu krijohen rezerva të mjaftueshme të gjakut për trajtimin e pacienteve. Kur e dimë që gjatë verës domethënë janë pushimet verore është kohë punë ne fusha atëherë bie edhe numri dhuruesve, kështu që sasia e gjakut të grumbulluar në qershor është një shpresëdhënës për të krijuar rezerva të mjaftueshme për të pasur gjatë verës për të i trajtuar pacientët që kane nevojë për gjak dhe produkte të gjakut”, ka thënë ajo për EO.

  • Kurtishi: Rreth 15% rritje të rasteve me tumore, sfidë edhe mungesa e infermierëve

    Kurtishi: Rreth 15% rritje të rasteve me tumore, sfidë edhe mungesa e infermierëve

    10 deri në 15 për qind krahasuar me vitet paraprake janë rritur rastet e reja me tumor, dhe ky shtim i rasteve po bëhet sfiduese për Klinikën Onkologjike, ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i klinikës, Ilir Kurtishi.

    Kurtishi ka bërë të ditur se gratë më shumë preken nga kanceri i gjirit, ndërsa burrat me atë të mushkërive. Sfidë për këtë klinikë mbetet numri i vogël i infermierëve.

    “Kemi rritje të numrit të rasteve diku 10 deri 15 për qind në krahasim me vitet paraprake. Kjo mbetet sfiduese për ne sepse një përqindje e tillë e rasteve me tumore është një sfidë edhe për Onkologjinë. Kemi të bëjmë me një problematikë e cila është në të gjitha vendet e rajoni e në Evropë e botë e së bashku me sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktarët kryesorë të mortalitetit në botë”, ka thënë Kurtishi.

    “Vitin e kaluar kemi pasur 450 femra me kancer të gjirit, dhe kemi pasur rreth 250 deri 300 me kancer të mushkërive. E në total kur i marrim të gjitha rastet e sëmundjeve patologjike aty është rreth 5 për qind më shumë te meshkujt se sa te femrat por me dominim të caktuar të sëmundjeve të tumoreve pra dallojnë nga meshkujt dhe femrat”, ka thënë Kurtishi.

    Kurtishi ka treguar edhe për rastet që janë trajtuar jashtë vendit për çka ka thënë se çdo vit e më pak referohen për t’u trajtuar jashtë.

    “Këtë vit ne kemi pasur shumë pak vetëm dy rekomandime dhe ato njëra ka qenë për raste pediatrik dhe një rast tjetër i rekomanduar nga neurokirurgjia për një rast të veçantë të mjekimit dhe ky numër është ulur nga viti në vit. Me aktivizimin e dy observatorëve të rinj ne e kemi ulur këtë numër në mënyrë maksimale dhe ndërkohë do të vazhdojmë me teknika të reja dhe kjo do të rrisë edhe më shumë kualitetin e shërbimeve radioterapike dhe ulë në masë të konsiderueshme numrin e referencave jashtë vendit.”, ka thënë ai.

    Kurtishi foli edhe për vetëdijësimin e popullatës karshi sëmundjeve të tilla.

    “Ka një vetëdijesim shoqëror pak më të mirë, sidomos te tumoret e gjirit dhe tumoret e zorrës së trashë por kjo nuk mjafton sepse duhet të bëhet edhe më shumë në kuptimin që sëmundjet duhet ti zbulojmë sa më herët tumoret në stadin e parë dhe të dytë në një përqindje gati 50\% në krahasim me vitet e mëparshme”, ka thënë ai.

    Onkologu Kurtishi ka folur edhe për sigurimin e barnave, për të cilën ka thënë se aktualisht qëndrojnë mirë.

    “Jemi të furnizuar mirë nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së dhe përpos disa preparateve të cilat i kemi pasur mungesë vitet e fundit kemi pasur furnizim gati mbi 90 për qind. Me sigurimin e disa barnave të cilat janë kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë do të kemi furnizim nga lista esenciale mbi 90 për qind -93 për qind që për herë të parë kemi furnizim maksimal me këto barna”, ka thënë ai.

    Ai ka përmendur disa nga sfidat që përballen, siç është numri i vogël i infermierëve, pasi brenda ditësh deri 30 pacientë marrin shërbime në Onkologji. Ndërsa shqetësuese e sheh rritjen e rasteve të reja me këto sëmundje.

    “Sfidë mbetet akoma numri i infermierëve, prapë nevojat janë në rritje dhe ne kemi nevojë për staf shtesë, për infermierë të cilët do të na lehtësonin edhe më shumë punën e përditshme gjatë dhënies së kimioterapive sepse brenda ditës në Onkologji marrin shërbime së paku 250 deri 300 pacientë në shërbimin e kimioterapisë dhe së paku 130 deri 140 pacientë të cilët trajtohen në shërbimin e radioterapisë. Deri në muajin maj kemi pasur në regjistrin e fundit të evidentuar me kancer, 715 raste të reja me dominim të kancerit të gjirit dhe menjëherë pas tij me dominim të kancerit të mushkërive dhe menjëherë pason një numër i lartë i të sëmurëve me tubin digjestiv. Pra janë këto tri lloje të tumoreve të cilët këto katër vitet e fundit në Kosovë dominojnë, shto këtu edhe numrin e pacientëve ose numrin e rasteve me tumore të organeve gjenitale te femrat dhe këto janë patologjitë më të shpeshta në Kosovë mbretërojnë. Një trend i tillë është edhe këta katër muajt e parë të vitit 2024 dhe një dominim siç e thashë i kancerit të gjirit te femrat dhe kancerit të mushkërive te meshkujt”, ka thënë Kurtishi për EO.

  • Zëdhënësi i Osmanit: Presidentja nuk negocioi largimin e Radojçiqit dhe terroristëve

    Zëdhënësi i Osmanit: Presidentja nuk negocioi largimin e Radojçiqit dhe terroristëve

    Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se e para e vendit do të bëjë padi ndaj Jetlir Zyberajt, këshilltarit të Kryetarit të Aleanca Kosova e Re (AKR), Bexhet Pacolli, derisa ka potencuar se ajo nuk ka bërë kurrfarë negocimi për largimin e terroristëve në Banjë të Zveçanit.

    Këtë, Kupina e ka bërë përmes një postimi në Fcaebook, pasi që Zyberaj, të shtunën, duke komentuar takimin e Osmanit me djalin e Heroit Afrim Bunjaku në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, tha se presidentja dhe kryeministri Albin Kurti kanë negociuar për largimin e terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, me në krye kriminelin Milan Radojiçiç.

    “Jetlir Zyberaj Presidentja nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës e aq më pak lirimin e terroristëve dhe paramilitarëve serb, të cilët kanë kryer akt agresioni ndaj Republikës sonë dhe e kanë vra heroin Afrim Bunjaku”, tha fillimisht Kupina.

    Këshilltari i Osmanit potencoi se “shpërndarja e propagandës serbe (specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij), rrezikon interesat e shtetit tonë dhe sigurinë kombëtare, rrezikon jetën e policëve të tjerë, të cilët çdo ditë po mbrojnë kufijtë e Kosovës si dhe tenton ta njollosë sakrificën sublime të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku”.

    “Përtej qëllimit të ulët e propagandistik, një deklaratë e tillë përbën shpifje të rëndë dhe nxitje të urrejtjes për të cilën Presidentja do të ndërmarrë veprime sipas ligjit”, përfundoi ai.

    Ndryshe, çështja e negocimit me terroristët serbë që udhëhiqeshin nga Milan Radojiçiç, ishte përmendur në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave të titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara”, i publikuar më 2 prill të këtij viti.

    Aty theksohej se me grupin terrorist që vrau rreshterin Afrim Bunjaku, kishte negociuar misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

    I njëjti raport ishte cituar në draft-raportin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

    Por, pas kësaj dhe pas reagimeve të shumta në vend, KFOR doli me një komunikatë dhe e mohoi që të ketë negociuar me terroristët për largimin e tyre.

    Reagimi i KFOR-it bëri që edhe ICG ta ndryshojë raportin, duke theksuar se gabimisht ishte cekur se KFOR-i ka negociuar tërheqjen e grupit terrorist serb nga Banja.

  • Ministrat izraelitë kërcënojnë Netanyahun: Largohemi nëse pranon propozimin për armëpushim në Gaza!

    Ministrat izraelitë kërcënojnë Netanyahun: Largohemi nëse pranon propozimin për armëpushim në Gaza!

    Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë kërcënuar se do të largohen dhe do të rrëzojnë koalicionin qeverisës nëse kryeministri Benjamin Netanyahu bie dakord me propozimin e armëpushimit në Gaza, të prezantuar nga presidenti amerikan Joe Biden të premten.

    Ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir u shprehën kundër arritjes së ndonjë marrëveshjeje përpara se Hamasi të shkatërrohej. Por lideri i opozitës Yair Lapid është zotuar të mbështesë qeverinë nëse Netanyahu e mbështet planin.

    Vetë kryeministri këmbënguli se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm derisa të shkatërrohen aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të lirohen të gjithë pengjet.

    Propozimi tre-pjesësh i Biden do të fillonte me një armëpushim gjashtë-javor, në të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës. Marrëveshja përfundimisht do të çonte në lirimin e të gjithë pengjeve, një “ndërprerje të përhershme të armiqësive” dhe një plan të madh rindërtimi për Gazën.

    Por në një postim në mediat sociale të shtunën, Smotrich tregoi se i tha Netanyahu se “nuk do të ishte pjesë e një qeverie që pajtohet me skicën e propozuar dhe i jep fund luftës pa shkatërruar Hamasin dhe pa i kthyer të gjithë pengjet”.
    “Marrëveshja do të thotë fundi i luftës dhe braktisja e qëllimit për të shkatërruar Hamasin. Kjo është një marrëveshje e pamatur, e cila përbën një fitore për terrorizmin dhe një kërcënim për sigurinë e shtetit të Izraeli”, shtoi më tej Ben-Gvir.

    Ai u zotua të “shpërndajë qeverinë” në vend që të pajtohet me propozimin.

    Koalicioni i krahut të djathtë të Netanyahut ka një shumicë të vogël në parlament, duke u mbështetur në një mori fraksionesh, duke përfshirë partinë Otzma Yehudit e Ben-Gvir, e cila ka gjashtë vende dhe partinë e Zionizmit Fetar të Smotrich, e cila ka shtatë vende, për të ruajtur pushtetin.

    Por Yair Lapid, një nga politikanët më me ndikim të opozitës izraelite, nxitoi t’i ofrojë mbështetjen e tij kryeministrit në konflikt. Partia e tij Yesh Atid ka 24 vende.

    Mosmarrëveshja erdhi pasi mijëra njerëz u mblodhën në Tel Aviv, duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të pranojë planin e propozuar të Biden. Demonstruesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e Netanyahut./tch

  • Sot, zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore

    Sot, zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore

    Sot, më 2 qershor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    Në kuadër të këtyre zgjedhjeve, së fundmi me sloganin “Me mendje dhe zemër” në Prishtinë u mbajt një tubim mbështetës, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

    Në këtë tubim u theksua nevoja për të mbështetur Kosovën Lindore për t’i tejkaluar pabarazitë që po i bëhen nga shteti serb.

    Në fjalën e tij, Kurti tha se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa i përket deklaratave të ndryshme se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai ka thënë se “shkon aty ku e thërrasin”.

    “Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, bart një trashëgimi të pasur kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të ndjeshme, kemi parë shumë sfida qe ka kaluar Lugina, diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në dokumente janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët. Qeveria ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale e ekonomike. Kemi investuar dhe do të vijojnë të investojnë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje. Tani me zgjedhjet qe po afrohen në Luginë kemi mundësi unike për të çuar përpara këtë bashkëpunim.

    Qeveria do të jetë gjithmonë krah tyre duke mbështetur zhvillimin në çdo hap. Më kanë thënë se nuk bënë të marrin pjesë vetëm dy kandidatë, por unë shkoj aty ku më thërrasin”, tha Kurti.

    Pjesëmarrja e Kurtit në këtë tubim të Partisë për Veprim Demokratik, që u mbajt në Prishtinë, në përgjithësi u mirëprit, por kishte edhe nga ata që e kritikuan dhe e cilësuan si ndërhyrje të tij në zgjedhjet në Kosovën Lindore.

  • Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara, temperatura maksimale 28 gradë Celsius

    Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara, temperatura maksimale 28 gradë Celsius

    Moti sot parshihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës do të dendësohen duke krijuar kushte që vende-vende të sjellin shi.

    Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 10-14 gradë Celsius, ndërsa ndërmjet 25-28 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • Ministria e Mbrojtjes s’dha detaje për kontratën e re për uniforma

    Ministria e Mbrojtjes s’dha detaje për kontratën e re për uniforma

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Rreth tre muaj më parë, ATV-ja kishte raportuar që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të furnizohen me uniforma të reja, pas 5 vjetësh funksionimi me ato të vjetra.

    Madje, siç kishe kuptuar televizioni, ato kishin filluar edhe të prodhohen.

    Teksa, këto uniforma nuk kanë arritur ende në duart e pjesëtarëve të FSK-së, Ministria e Mbrojtjes nuk dha detaje me arsyetimin se kontrata është e klasifikuar.

    Kontrata si këto nuk janë aspak transparente dhe në raste të tilla nuk duhet të klasifikohen, thonë njohës të prokurimit publik.

    Por, fakti që Forca e Sigurisë, furnizimet e tilla po i kryen larg syve të publikut, po mirëpritet nga njohësit e sigurisë.

    Derisa nuk dihet asgjë për kontratën e re, 5 milionë euro ishin destinuar për uniforma kamuflazh dhe rezistente ndaj ujit e erës. Mirëpo, tenderi i hapur në vitin 2022, kishte dështuar.

    Ndërkaq, furnizimi i fundit me uniforma rezistente ndaj ujit dhe erës, sipas njoftimit në platformën e-prokurimi ishte bërë në fund të vitit 2018.

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=TcF_s8Yk8CE

  • KOMF: 72 për qind e fëmijëve janë viktima të dhunës në familje e në shoqëri

    KOMF: 72 për qind e fëmijëve janë viktima të dhunës në familje e në shoqëri

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    72 për qind e fëmijëve në Kosovë, besohet se kanë përjetuar dhunë në familje. Derisa 30 për qind e popullsisë së përgjithshme në vend janë fëmije, 22.7 për qind prej tyre sipas raportit të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, jetojnë në varfëri.

    E derisa Qeveria ndanë vetëm 4% të buxhetit për politika dhe shërbime sociale, KOMF kërkon që kjo vlerë të rritet e jo të reduktohet ashtu siç është duke ndodhur.

    “ Viti 2024 ka qenë sfidues dhe po vazhdon të jetë pasi nuk kem financim të mjaftueshëm nga institucionet. Fëmijët kanë nevojë për ndihmë, për shërbime sociale siç janë fëmijët me aftësi të kufizuara, që janë pa kujdesin e prindërve që bëjnë punë të rënda ne e kemi një ndihmë për ta por ajo është duke u reduktuar kohë pas kohe…”, deklaroi Donjeta Kelmendi, drejtore në KOMF.

    Ndërkaq, derisa thotë se shqetësuese mbetet trafikimi i fëmijëve, Kelmendi, kërkoi që të drejtat e fëmijëve, mos të mbesin vetëm në letër.

    Në ditën Ndërkombëtare të fëmijëve, janë përkujtuar edhe 1,432 fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.

    Veç kësaj, për 1 qershorin në Prishtinë u mbajtën edhe një sërë aktivitetesh./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=7tEREs5EcJE