ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i me aktivitet për 25-vjetorin e prezencës në Kosovë

    KFOR-i me aktivitet për 25-vjetorin e prezencës në Kosovë

    Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) shënoi një çerek shekulli angazhimi dhe përkushtimi ndaj sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, në një ceremoni në Kampin “Film City” (Selia e KFOR-it në Prishtinë), sot më 12 qershor 2024.

    Ngjarja u drejtua nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, drejtuesit e Misionit të Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX), Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, së bashku me Ambasadorët e vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it dhe liderët fetarë.

    “Është një privilegj të qëndroj këtu me ju të gjithë, si Komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë, dhe aktualisht më të madhit. KFOR-i përfaqëson përkushtimin e prekshëm, të gjatë dhe të palëkundur të NATO-s ndaj sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, falë përkushtimit të përditshëm dhe profesionalizmit të ushtarëve dhe personelit civil,” tha Gjeneralmajor Ulutaş.

    “Le të nderojmë shërbimin dhe sakrificën e tyre dhe të bëjmë homazhe për ata që humbën jetën duke shërbyer në këtë mision. Pa përkushtimin e qindra mijëra burrave dhe grave që kanë shërbyer nën KFOR gjatë 25 viteve të fundit, NATO nuk do të kishte mundur të luante një rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor,” shtoi ai.

    “Roli i KFOR-it mbetet thelbësor. Është nder të vazhdoj këtë udhëtim me ju, dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje, së bashku me mijëra gra dhe burra në uniformë, nga Aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët jam krenar t’i drejtoj” theksoi Komandanti i KFOR-it.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

  • Rrahman Jasharaj kujton kontributin e mësimdhënsve gjatë viteve të luftës dhe okupimit serb

    Rrahman Jasharaj kujton kontributin e mësimdhënsve gjatë viteve të luftës dhe okupimit serb

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar lart kontributin e mësimdhënësve gjatë kohës së okupimit serb.

    Në një shkrim të tij, Jasharaj shprehet se mësuesi ka mbajtur gjallë shpresën për liri në vitet e 90-ta dhe ka shpërndarë frymën atdhetare te nxënësit.

    “Duke festuar 25 vjetorin e lirisë së Kosovës njeriu kthen kujtesën nëpër shekuj, dekada e vite dhe lartëson kujtimin për gjithë ata që bënë angazhime sublime për lirinë e Kosovës. Nëpër këto ngjarje e angazhime mësuesi është aty. Mësuesi mbajti gjallë shpresën për liri në vitet e 90-ta duke bërë dritë kundër errësirës e duke shpërndarë frymën atdhetare te nxënësit. Mësuesit krenohen sot e gjithmonë edhe me nxënësit e tyre që iu përgjigjen thirrjes së atdheut dhe me emblemën e UÇK-së zhvilluan beteja të lavdishme duke larguar retë e zeza e duke i hapur rrugë rrezeve të lirisë. Krenohen me veprat e dëshmorëve të rënë për të mos vdekur kurrë dhe të heronjve të gjallë. Mësuesit për jetë e mot u janë mirënjohës edhe miqve ndërkombëtarë që ndihmuan realizimin e ëndrrës sublime të popullit tonë për liri”, tha ai.

    Më tej kryetari i SBASHK-ut u ka bërë thirrje punëtorëve të arsimit që të kryejnë obligimin në klasë me nxënësit dhe të mos harrohen sakrificat e atyre që u angazhuan për lirinë e vendit.

    “Punëtorë të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete urime 25 vitet e lirisë së Kosovës . Ta kryejmë obligimin në klasë me nxënësit e kudo jemi që të mos harrohen sakrificat e atyre që u angazhuan me pendë dhe atyre me pushkë përlirinë e atdheut”, u shpreh Jasharaj.

  • Maqedonci tregon arsyen e mos ekspozimit të mjeteve të rënda

    Maqedonci tregon arsyen e mos ekspozimit të mjeteve të rënda

    Ministri i Ministrisë së Mbrojtës, Ejup Maqedonci ka thënë se në 25 vjetorin e çlirimit të vendit, nuk janë ekspozuar pajisjet e rënda për shkak se janë forma më shumë të lindjes dhe jo vendeve të NATO-s.

    Maqedonci në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka thënë se automjete, drone dhe tjera nuk demonstrojnë në parada.

    “Ka pas shumë armë ndryshe nga hera e kaluar, tre kuadrate kanë qenë me mitraloz të rëndë, pastaj pajisjet tjera personale si kamerat në helmete. Kurse, automjete, drone dhe tjera nuk demonstrojmë në parada, sepse janë format më shumë i lindjes, jo vendeve të NATO-s”, tha ai.

    Ndryshe, në ceremoninë shtetërore për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës kanë parakaluar 16 kuadrate të FSK-së, shtatë të Policisë së Kosovës, me mbi 1500 pjesëtarë.

  • Walker: Jam këtu për të festuar me të gjithë kosovarët e me komunitetet tjera

    Walker: Jam këtu për të festuar me të gjithë kosovarët e me komunitetet tjera

    Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, ka thënë se është duke qëndruar në Kosovë me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit.

    Ai ka thënë se është në vendin tonë për të festuar me gjithë kosovarët, duke përfshirë këtu shqiptarët e serbët.

    “Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptaret, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, ka thënë ai.

  • “Do gjak u derdhë, po u pagu ata gjak” – Rifat Jashari i emocionuar, thotë se asnjëherë s’ka qenë kaq i lumtur e krenar

    “Do gjak u derdhë, po u pagu ata gjak” – Rifat Jashari i emocionuar, thotë se asnjëherë s’ka qenë kaq i lumtur e krenar

    Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, është shprehur i lumtur me rastin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit. Jashari për EO, ka thënë se për këtë ditë është derdhur shumë gjak.

    Ai ka thënë se më i kënaqur nuk ka qenë asnjëherë pasi ka arritur ta gëzojë çlirimin e Kosovës.

    “Qysh më mirë, më i kënaqur nuk jam kanë kurrë qe e arritëm edhe çlirimin e Kosovës është derdhur gjak por është paguar ata gjak, dhimbje s’ka veç krenari. Urime gjithë shqiptareve kudo qe janë”, ka thënë Jashari.

  • Përurohet obelisku me shkronjat ‘UÇK’ në Prizren

    Përurohet obelisku me shkronjat ‘UÇK’ në Prizren

    Në Leskovec të Prizrenit është përuruar sot obelisku gjigant me shkronjat e arta ‘UÇK’.

    Qindra qytetarë figura të shquara kanë qenë prezentë në këtë ngjarje.

    Zbulimi i obeliskut lidhet me 25-vjetorin e çlirimit të vendit.

     

  • Stoltenberg thotë se Hungaria u pajtua të mos e bllokojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën

    Stoltenberg thotë se Hungaria u pajtua të mos e bllokojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se Hungaria është pajtuar se nuk do ta bllokojë përkrahjen e aleancës për Ukrainën, por ka vendosur të mos ofrojë ushtarë apo fonde për ta ndihmuar vendin e rrënuar nga lufta.

    Stoltenberg është takuar me vendet anëtare të NATO-s gjatë një turneu së voni në përpjekje për të grumbulluar mbështetje, para samitit të muajit të ardhshëm në Uashington, për zgjerimin e rolit të aleancës në përkrahjen ushtarake për Ukrainën.

    Hungaria ka pasur mosmarrëveshje me vendet e tjera të NATO-s për shkak se kryeministri i saj, Viktor Orban, ka ruajtur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk ka pranuar t’i dërgojë armë Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtuesit rus.

    “Hungaria nuk merr pjesë në këto përpjekje të NATO-s dhe unë e pranoj qëndrimin e saj”, tha Stoltenberg për gazetarë në Budapest, pas takimit me Orbanin më 12 qershor.

    “Njëkohësisht, kryeministri më ka siguruar se Hungaria nuk do t’i kundërshtojë këto përpjekje, duke ua mundësuar aleatëve të tjerë të ecin përpara. Ai ka konfirmuar se Hungaria do të vazhdojë t’i plotësojë plotësisht detyrimet e veta në NATO”, shtoi ai.

    Në të njëjtën konferencë për media, Orbani konfirmoi se Hungaria nuk do ta bllokojnë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

    Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet Ukrainës në shkurt 2022, Orbani ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, dhe e ka zemëruar Brukselin duke mos pranuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës, apo ta lejojë, siç bëjnë vendet e tjera të NATO-s, dërgimin e armëve Ukrainës.

    Qeveritë perëndimore janë të pakënaqura me marrëdhëniet e vazhdueshme të ngrohta të Orbanit me Moskën, si dhe me vonesat në ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO, megjithëse Budapesti e dha pëlqimin për pranimin e saj në fund.

    Hungaria i kishte kërkuar aleancës ushtarake që ajo të mos merrte pjesë në dhënien e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, në shkëmbim të lejimit të marrjes së vendimeve, që do të thotë se nuk do ta përdorë veton.

    NATO-ja i merr të gjitha vendimet e veta me konsensus.

    NATO-ja synon ta krijojë një plan për t’i dhënë Ukrainës më shumë mbështetje ushtarake në vitet në vijim, për ta zmbrapsur pushtimin rus, sepse forcat ruse, të armatosura më mirë, kanë kontrollin në fushëbetejë.

    Aleanca do ta mbajë një samit muajin e ardhshëm në Uashington, ku liderët e saj synojnë ta finalizojnë planin./REL/

  • Emocione e krenari, në Ditën e Çlirimit parakalojnë njësi të FSK-së dhe Policisë

    Emocione e krenari, në Ditën e Çlirimit parakalojnë njësi të FSK-së dhe Policisë

    Në sheshet e Prishtinës ka nisur parakalimi i trupave të FSK-së dhe atyre të Policisë së Kosovës, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

    Në ceremoninë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të pranishëm janë edhe miq të Kosovës, si William Walker, George Robertson, Stipe Mesiq e shumë të tjerë.

    E në parakalimin e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës do të ekspozohen sisteme armatimi që deri më tash nuk janë parë nga publiku.

  • Ish-sekretari i NATO’s: Mosveprimi do të lejonte vazhdimin e spastrimin etnik të shqiptarëve nga Millosheviqi

    Ish-sekretari i NATO’s: Mosveprimi do të lejonte vazhdimin e spastrimin etnik të shqiptarëve nga Millosheviqi

    Sot për nder të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, në sheshet e Prishtinës kanë parakaluar njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policisë.

    Ish-sekretari i NATO-s, Lord George Roberson, tha se mosveprimi i forcave ndërkombëtare do të lejonte vazhdimin e spastrimit të shqiptarëve nga ana e Millosheviqit.

    “Pas 78 ditë të bomardimeve, ne e pamë objektivitin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam krenar për atë se çka bëmë atëherë, dhe krenar që jam sot këtu, në Kosovën multietnike dhe paqësore në zemër të Evropës”, tha ai.

    Më 12 qershor 1999-të, trupat e NATO-s hyjnë në Kosovë duke çliruar përfundimisht vendin nga okupatori serb.

  • ​Uji në Deçan është brenda normave, dalin mostrat e IRSHP-së, nga Lluka e Gramaçeli

    ​Uji në Deçan është brenda normave, dalin mostrat e IRSHP-së, nga Lluka e Gramaçeli

    Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’-Pejë, ka bërë me dije se kanë pranuar rezultatet nga mostrat e ujit nga fshatrat Llukë e Gramaçel të komunës së Deçanit nga ana e IKSHPK-së, gjegjësisht IRSHP-së.

    Sipas njoftimit të njejtat rezultojnë se uji në Deçan është brenda normave.

    “Pas shqetësimeve të shfaqura me një ankesë qytetare, me datë 09.06.2024 (ditë e Diel) për cilësi të ujit në fshatrat LLukë dhe Gramaçel të komunës së Deçanit, ekipet e specialistëve të KRU ‘Hidrodrini’ menjëherë i janë përgjigjur vendngjarjes dhe kanë marrë mostrat e ujit në fshatrat e lartëcekura. Mostrat janë dërguar në IKSHPK (IRSHP) Instituti Rajonal e Shëndetit Publik-Pejë për kryerjen e analizave fiziko-kimike dhe bakterologjike. Pas analizave të kryera nga IKSHPK (IRSHP) Instituti Rajonal i Shëndetit Publik, brenda normave kohore, IRSHP ka kthyer rezultatet e mostrave në fjalë, të cilat sipas Udhëzimit Administrativ UA 10/ 2021, rezulton se i plotësojnë standardet e ujit të pijes”, thuhet në reagimin e Hidrodrinit.

    Në komunikatë është apeluar tek të gjithë personat dhe komuniteti që të mos bien pre e individëve të papërgjegjshëm, me tendencë për të krijuar panik tek popullata, me thirrje të lloj-llojshme për ‘helmime’, pasi sipas njoftimit të njëjtit do të ndiqen edhe përmes organeve kompetente të ligjit dhe rendit.