ATV

Category: Lajme

  • Shqiptari bëhet hero në plazhin italian, shpëton dy notarë nga mbytja

    Shqiptari bëhet hero në plazhin italian, shpëton dy notarë nga mbytja

    Një akt i jashtëzakonshëm guximi dhe profesionalizmi është regjistruar në plazhin e Bibiones në Itali, ku roja i plazhit Edoardo Bertani, 26 vjeç, shpëtoi dy persona që rrezikonin të mbyteshin në det.

    Bertani, i cili punon si roje plazhi në Bibione dhe si fizioterapist në Conegliano, vuri re dy burra në vështirësi rreth 40 metra larg bregut dhe reagoi menjëherë.

    Ai arriti te notarët, i nxori të dy në breg dhe i dha ndihmën e parë njërit prej tyre, i cili ndodhej në gjendje më të rëndë, deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.

    Veprimi i tij është vlerësuar si një shembull i lartë i humanizmit dhe përkushtimit ndaj jetës së njerëzve. Për këtë arsye, ai ka marrë edhe vlerësime publike nga autoritetet lokale.

    “Nuk ke nevojë të jesh hero për të shpëtuar një jetë, mjafton të jesh aty në momentin e duhur”, është mesazhi që përcjell kjo histori frymëzuese.

    Me veprimin e tij, Edoardo Bertani dëshmoi se profesionalizmi, guximi dhe gatishmëria për të ndihmuar mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes. /Albinfo

  • Mediumi arab publikon marrëveshjen 14-pikëshe ndërmjet SHBA-së dhe Iranit

    Mediumi arab publikon marrëveshjen 14-pikëshe ndërmjet SHBA-së dhe Iranit

    AL ARABIYA English ka siguruar një kopje të një marrëveshjeje me 14 pika, të cilën Uashingtoni dhe Teherani pritet ta nënshkruajnë të premten.

    Sipas dokumentit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, do të shpallnin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

    Marrëveshja parashikon respektimin reciprok të sovranitetit, vazhdimin e negociatave për një marrëveshje përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh, heqjen e bllokadës detare amerikane, rikthimin e trafikut detar, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare, përjashtime për eksportin e naftës iraniane, lirimin e pasurive të ngrira të Iranit dhe një plan për rindërtimin ekonomik të Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë, transmeton Telegrafi.

    Në dokument, Irani do të përsëriste se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore, ndërsa çështja e materialit të pasuruar dhe çështjet e tjera bërthamore do të zgjidheshin në marrëveshjen përfundimtare.

    Deri atëherë, të dyja palët do të ruanin gjendjen ekzistuese: Irani programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja sanksionet dhe dislokimin ushtarak në rajon. Marrëveshja përfundimtare do të duhej të miratohej përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Në këtë formë, marrëveshja duket si një fitore e rëndësishme për Iranin. Teherani do të përfitonte nga heqja e bllokadës detare, rikthimi i eksporteve të naftës, qasja në pasuritë e ngrira, perspektiva e heqjes së sanksioneve dhe një plan ekonomik prej të paktën 300 miliardë dollarësh, ndërsa në këtë fazë prej tij kërkohet vetëm përsëritja e zotimit se nuk do të prodhojë armë bërthamore dhe ruajtja e gjendjes aktuale të programit bërthamor deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

    Marrëveshja në 14 pika:

    Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, përmes nënshkrimit të këtij memorandumi mirëkuptimi shpallin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Palët zotohen se nga ky moment nuk do të ndërmarrin veprime armiqësore ndaj njëra-tjetrës dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Marrëveshja përfundimtare do t’i konfirmojë këto dispozita.
    Irani dhe SHBA-ja zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të palës tjetër.
    Të dyja palët zotohen të negociojnë dhe të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda një periudhe maksimale prej 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.
    Menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit, SHBA-ja do të heqë bllokadën detare, do të ndalojë çdo pengesë ndaj Iranit dhe brenda 30 ditësh do të rikthejë trafikun detar në kapacitet të plotë. Trafiku do të jetë në nivelin e periudhës para luftës. SHBA-ja gjithashtu zotohen të tërheqë forcat e saj nga zonat përreth brenda 30 ditësh pas marrëveshjes përfundimtare.
    Pas nënshkrimit të memorandumit, Irani do të ndërmarrë hapa për të rikthyer brenda 30 ditësh lëvizjen e anijeve tregtare nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit dhe anasjelltas, në nivelin para luftës, duke përfshirë heqjen e pengesave teknike dhe neutralizimin e minave.
    SHBA-ja, së bashku me partnerët rajonalë, do të hartojë një plan gjithëpërfshirës për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit, me financim prej të paktën 300 miliardë dollarësh.
    SHBA-ja do të heqë, sipas një afati të dakorduar në marrëveshjen përfundimtare, të gjitha llojet e sanksioneve ndaj Iranit, përfshirë sanksionet e OKB-së, të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe masat e njëanshme amerikane.
    Irani përsërit se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore. Çështja e materialit të pasuruar dhe çështjet e tjera të programit bërthamor do të zgjidhen në marrëveshjen përfundimtare.
    Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, palët do të ruajnë gjendjen aktuale: Irani do të vazhdojë me statusin aktual të programit të tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të forcojë praninë ushtarake në rajon.
    SHBA-ja do të japë menjëherë përjashtime për eksportin e naftës bruto iraniane, produkteve petrokimike dhe shërbimeve të lidhura me to, përfshirë bankat, sigurimet dhe transportin.
    SHBA-ja do të lirojë fondet dhe pasuritë e ngrira ose të kufizuara të Iranit dhe do t’i vendosë ato në dispozicion të plotë.
    Do të krijohet një mekanizëm zbatimi për të monitoruar zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes përfundimtare dhe respektimin e detyrimeve.
    Pas marrjes së garancive për fillimin e zbatimit të disa pikave të marrëveshjes, Irani dhe SHBA-ja do të hyjnë në negociata për marrëveshjen përfundimtare.
    Marrëveshja përfundimtare do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

  • Sllovenia nuk planifikon të zvogëlojë praninë ushtarake në KFOR në Kosovë

    Sllovenia nuk planifikon të zvogëlojë praninë ushtarake në KFOR në Kosovë

    Sllovenia aktualisht nuk ka plane për të reduktuar numrin e ushtarëve të saj në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Sllovenisë.

    “Çdo vendim lidhur me përshtatjet e mundshme të angazhimit të ardhshëm të Forcave të Armatosura Sllovene në KFOR do të merret pas një vlerësimi gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh nevojat e misionit dhe kapacitetet tona”, thuhet në deklaratën e ministrisë, të cituar nga agjencia sllovene e lajmeve STA.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht 106 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Sllovenisë janë të angazhuar në misionin e KFOR-it në Kosovë.

  • Homazhe, marsh dhe akademi solemne në Vushtrri për Ditën e Çlirimit

    Homazhe, marsh dhe akademi solemne në Vushtrri për Ditën e Çlirimit

    Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur agjendën e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të qytetit, një datë me rëndësi të veçantë historike për komunën dhe qytetarët e saj.

    Manifestimet do të nisin në orën 10:30 me homazhe për dëshmorët dhe të rënët për liri. Pjesëmarrësit do të mblidhen para objektit të Komunës së Vushtrrisë, nga ku do të vazhdojnë aktivitetet përkujtimore.

    Në orën 18:00 do të organizohet “Marshi për Çlirim”, i cili do të nisë nga objekti i komunës dhe do të vazhdojë nëpër qytet.

    Ndërkohë, aktivitetet do të përmbyllen me Akademinë Solemne, e cila do të mbahet në orën 19:30 në sheshin “Adem Jashari”. Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, si dhe një numër i madh qytetarësh.

  • Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme në Prishtinë

    Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme në Prishtinë

    Policia ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e mbrëmshme në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana tha se një person ka mbetur i plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor.

    Megjithatë, policia nuk bëri të ditur nëse ndonjë i dyshuar është arrestuar.

    “Mbrëmë rreth orës 23:30, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Feriz Guri’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë vend është i lënduar një person, që dyshohet nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Njësitet relevante në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime të mëtejme hetimore”, thuhet në konfirmim.

  • Bie për dy centë nafta në Kosovë

    Bie për dy centë nafta në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve për ditën e mërkurë.

    Sipas çmimeve maksimale të lejuara nga Ministria, çmimi i naftës këtë të martë do të shitet për 1.47 euro për litër, dy centë më lirë se dje

    Kurse, benzina do të shitet 1.39 euro për litër dhe gazi 0.67 euro për litër, çmime të njëjta sikur dje.

  • Policia zbardh 7 raste vjedhjesh në Gjakovë, arrestohet hajni

    Policia zbardh 7 raste vjedhjesh në Gjakovë, arrestohet hajni

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në Gjakovë nën dyshimin për shtatë raste të veprave penale kundër pasurisë.

    Sipas njoftimit zyrtar, më 14.06.2026 është arritur të identifikohet dhe të prangoset i dyshuari me inicialet B.K., i cili dyshohet për pesë raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe dy raste të veprës penale “Vjedhje”.

    Hetimet e zhvilluara kanë rezultuar me sigurimin e provave që e lidhin të dyshuarin me rastet e raportuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me thyerje dhe depërtim me forcë në lokale afariste në lokacione të ndryshme të qytetit të Gjakovës, ku objekt i vjedhjes kanë qenë kryesisht paratë e gatshme.

    Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, në ballafaqim me provat e siguruara, i njëjti ka pranuar përgjegjësinë për disa nga veprat penale. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për Koordinatorin Kombëtar të Krimit Ekonomik

    Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për Koordinatorin Kombëtar të Krimit Ekonomik

    Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme e cila kishte anuluar Rregulloren e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me mandatin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

    Ky rast ishte iniciuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Supremes të 14 korrikut të vitit të kaluar.

    I njëjti kishte të bënte me ndryshimet që KPK-ja kishte bërë në vitin 2025 në Rregulloren për Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. Sipas rregullores së re, mandati i koordinatorit përcaktohej trevjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër pas vlerësimit pozitiv të punës.

    Prokurori Shqipdon Fazliu, i cili e ushtronte këtë detyrë që nga viti 2013, kishte paditur KPK-në duke pretenduar se ndryshimet ishin zbatuar në mënyrë retroaktive dhe cenonin pozitën e tij.

    Gjykata Supreme e kishte aprovuar padinë dhe kishte shfuqizuar rregulloren.

    “Megjithatë, më 30 prill 2025, KPK miratoi Rregulloren [nr.04/2025] për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores [nr.1551/2013], duke përcaktuar se (i) mandati i Koordinatorit Kombëtar është 3 (tre) vjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat pas vlerësimit pozitiv të punës; dhe (ii) me hyrjen në fuqi të Rregullores [nr.04/2025], Këshilli Prokurorial i Kosovës me vendim cakton Koordinatorin Kombëtar me mandat 3 (tre) vjeçar. Meqenëse z. Shqipdon Fazliu nuk ishte caktuar Koordinator Kombëtar sipas Rregullores së re, i njëjti parashtroi padi në Gjykatën Supreme, duke kontestuar Rregulloren [nr.04/2025] me pretendimin se kjo e fundit ka ndryshuar përbërjen dhe mandatin e Koordinatorit Kombëtar në mënyrë retroaktive. Gjykata Supreme e aprovoi si të themeltë kërkesëpadinë e z. Fazliu dhe shfuqizoi Rregulloren [nr. 04/2025] me arsyetimin se, ndër të tjera, (i) Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk mund të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në pozitën e Koordinatorit Kombëtar pa u koordinuar me institucionet nënshkruese të Memorandumit të bashkëpunimit; (ii) efekti retroaktiv i një akti administrativ që prek një mandat të caktuar publik është i papranueshëm, përveç se kur parashihet me ligj të posaçëm, gjë që në rastin konkret nuk ka ndodhur; (iii) legjislacioni pozitiv për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk përmban ndonjë dispozitë që autorizon kufizimin retroaktiv të mandateve ekzistuese; dhe se (iv) Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka ofruar sqarim të mjaftueshëm se cili ka qenë qëllimi i ndryshimit të rregullores në rrethanat kur paditësi, si koordinator kombëtar, ka ushtruar funksionin në mënyrë të vazhdueshme që nga emërimi i tij në vitin 2013, dhe as nëse ka pasur vlerësim negativ të performansës së tij.

    Ashtu siç sqarohet në Aktgjykimin e publikuar, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se, Gjykata Supreme ka shkelur pavarësinë e tij institucionale si dhe të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pretendime këto që kundërshtohen nga z. Shqipdon Fazliu.

    Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të përcaktuara me Kushtetutë, përmes praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe rolin e Gjykatës Supreme të Kosovës për të vlerësuar aktet nënligjore, përfshirë ato të miratuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës; dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret”, thuhet mes tjerash në vendim.

  • Temperaturat e larta, Inspektorati i Punës bën thirrje për kujdes të shtuar: Të respektohen masat e sigurisë

    Temperaturat e larta, Inspektorati i Punës bën thirrje për kujdes të shtuar: Të respektohen masat e sigurisë

    Inspektorati Qendror i Punës, përmes një postimi ka bërë thirrje ndaj punëtorëve dhe punëdhënësve, sidomos atyre në ndërtim dhe ambiente të hapura, që të kenë kujdes gjatë temperaturave të larta.

    Në postim, thuhet edhe se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, prandaj është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa.

    ‘’ Ftojmë punëdhënësit të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme parandaluese, ndërsa punëtorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës’’, thuhet mes tjerash në reagim.

    Postimi:

    Thirrje për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta

    Inspektorati i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve dhe punëmarrësve, veçanërisht atyre që zhvillojnë aktivitetet e tyre në kantierë ndërtimi dhe në ambiente të hapura, që gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin në punë.

    Temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, prandaj është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa.

    Ftojmë punëdhënësit të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme parandaluese, ndërsa punëtorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës.

    Inspektorati Qëndror i Punës do të vazhdojë realizimin e inspektimeve dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë masat e sigurisë, do të ndërmerren veprimet ligjore përkatëse.

    Siguria dhe shëndeti në punë janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbeten prioritet në çdo kohë.

  • Mbi 744 milionë euro tërheqje nga Trusti në një dekadë, 72 mijë pensionistë përfituan fondet e kursyera

    Mbi 744 milionë euro tërheqje nga Trusti në një dekadë, 72 mijë pensionistë përfituan fondet e kursyera

    Qytetarët e Kosovës kanë tërhequr rreth 744 milionë euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) gjatë periudhës 2015-2025, përmes pensionimit dhe skemës së tërheqjes së parakohshme të 10-përqindëshit të kursimeve gjatë pandemisë COVID-19.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, nga viti 2015 deri në vitin 2025 janë tërhequr rreth 546 milionë euro nga 72.745 përfitues që kanë dalë në pension.

    Vlera më e lartë e tërheqjeve për pensionim është regjistruar në vitin 2020, kur janë tërhequr 235 milionë euro. Kjo shifër lidhet me zbatimin e masës së tërheqjes së 10-përqindëshit të kursimeve pensionale, e miratuar në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë.

    Vetëm gjatë periudhës nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021, qytetarët kanë tërhequr edhe 198.1 milionë euro, ndërsa nga kjo masë kanë përfituar 427.363 persona.

    Sipas statistikave, numri i përfituesve të pensionit është rritur vazhdimisht ndër vite, duke arritur në 8.633 persona gjatë vitit 2025, që paraqet shifrën më të lartë në periudhën e analizuar.

    Të dhënat tregojnë se pas vitit 2020, tërheqjet vjetore për pensionim kanë mbetur në nivele të larta, me 71.6 milionë euro tërheqje në vitin 2023, 69.7 milionë euro në vitin 2024 dhe 82.9 milionë euro në vitin 2025.

    Në total, duke përfshirë pensionimet dhe tërheqjen e jashtëzakonshme të 10-përqindëshit gjatë pandemisë, nga Trusti janë tërhequr rreth 744 milionë euro në dhjetë vjetët e fundit.