ATV

Category: Lajme

  • Oda Amerikane: Të shqetësuar me shpërfilljen e thirrjeve të SHBA-së nga ana e Qeverisë në detyrë

    Oda Amerikane: Të shqetësuar me shpërfilljen e thirrjeve të SHBA-së nga ana e Qeverisë në detyrë

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj serioz lidhur me siç theksojnë mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).

    OEAK thekson se në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike.

    “Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.

    Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në reagim.

    Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit.

    “Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës.

    Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

  • Arrestohet në Shtime i dyshuari për ngacmim të një gruaje

    Arrestohet në Shtime i dyshuari për ngacmim të një gruaje

    Policia ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim në komunën e Shtimes, pas një ankese të paraqitur nga viktima.

    Sipas raportit policor, ngjarja kishte ndodhur më 13 qershor 2026, rreth orës 13:00, kur një grua kishte njoftuar autoritetet se ishte ngacmuar nga një burrë.

    Pas veprimeve hetimore, më 16 qershor 2026, njësia e hetimeve arriti ta identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin. Ai është intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Shtime 13.06.2026-13:00. Viktima femër kosovar, kishte njoftuar se ishte ngacmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Me datë 16.06.2026, njësiti i hetimeve ka arrit që ta arrestojë të dyshuarin dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”.

  • Arrestohet burri që rrahu gruan në Mitrovicë

    Arrestohet burri që rrahu gruan në Mitrovicë

    Një burrë është arrestuar në Mitrovicë të Jugut, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

    Sipas njoftimit zyrtar të policisë, i dyshuari, me vendin të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.v

  • Arifi: Haradinaj do të ishte presidenti më i mirë për Kosovën në këtë fazë

    Arifi: Haradinaj do të ishte presidenti më i mirë për Kosovën në këtë fazë

    Kandidati për deputet nga Aleanca, Avni Arifi, ka komentuar situatën politike në vend dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se Ramush Haradinaj do të ishte personi më i përshtatshëm për ta udhëhequr vendin në postin e presidentit.

    Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Arifi tha se bindja e tij për Haradinajn nuk lidhet me raportet personale apo përkatësinë partiake, por me vlerësimin që ka për rolin e tij në këtë periudhë.

    “Unë mendoj që Ramush Haradinaj, në bindjen time, jo pse kam lidhje personale me të dhe jam bashkëudhëtar me të qe 22 vite, por besoj që është personi më i mirë në këtë fazë për t’i prirë Kosovës si president i shtetit. E kam me bindje të plotë dhe këtë nuk e them sepse është i partisë sime apo për shkak të lidhjeve personale”, ka thënë Arifi.

    Ai u pyet edhe për mundësinë që Haradinaj të zgjidhet president në të ardhmen, ndërsa theksoi se ish-lideri i Alenaca gjithmonë i ka bërë publike ambiciet e tij politike.

    “Unë nuk besoj se Ramushit mund t’i kontestohet fakti që ambiciet e veta i ka shprehur gjithmonë hapur. Ai ka thënë se synon të jetë kryeministër, ka thënë se synon të jetë president. Por në këto zgjedhje as Aleanca nuk e ka pasur Ramushin kandidat për president”, deklaroi Arifi.

    Sipas tij, edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se aktualisht partia nuk e ka kandidaturën e Haradinajt për president dhe se nuk është shprehur ndonjë vullnet konkret në këtë drejtim.

    “E ka thënë edhe kryetari i partisë, Ardian Gjini, se nuk e ka kush Ramushin për president dhe as nuk është shprehur vullnet për të qenë president. Mirëpo, ai është një njeri i Kosovës dhe nëse partitë opozitare apo zhvillimet politike në vend e bëjnë të nevojshme një diskutim të tillë, mund të bisedohet. Por në bindjen time, asnjë president më i mirë se Ramushi në këtë fazë nuk mund të jetë”, është shprehur Arifi.

  • Shpërthimet në oborrin e një shtëpie në Prizren, dëmtohet një veturë dhe fasada e shtëpisë

    Shpërthimet në oborrin e një shtëpie në Prizren, dëmtohet një veturë dhe fasada e shtëpisë

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me dy shpërthime që kanë ndodhur në Prizren.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Brigada 128” në Prizren, më 16.06.2026-03:15.

    “Raportohet se si pasojë e dy shpërthimeve janë dëmtuar një veturë dhe fasada e një shtëpie pronë e dy viktimave meshkuj kosovarë”, thuhet në raport.

    Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse.

    Policia nuk raporton për të lënduar, ndërsa rasti po hetohet.

  • Sot përfundon numërimi i votave me postë, nis i atyre me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta

    Sot përfundon numërimi i votave me postë, nis i atyre me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri sot në mesditë pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se shtatë kutitë e mbetura pritet të fillojnë të numërohen në orët e mëngjesit të së mërkurës, duke e çuar drejt përmbylljes një nga fazat kryesore të procesit zgjedhor pas ditës së votimit.

    Paralelisht me numërimin e votave të diasporës, KQZ do të nisë edhe procesin e numërimit të votave me kusht, i cili është zhvilluar në 52 vendvotime me kusht në mbarë vendin. Në këtë kategori janë evidentuar gjithsej 8,751 votues.

    Po ashtu, do të fillojë edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.

    Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora dhe fillimin e trajtimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, procesi i numërimit të rezultateve zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse.

  • Video e sikletshme samiti në Francë, Trump nuk ia lëshon ​​dorën Brigitte Macron

    Video e sikletshme samiti në Francë, Trump nuk ia lëshon ​​dorën Brigitte Macron

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është sërish në qendër të vëmendjes për shkak të stilit të tij karakteristik të shtrëngimit të duarve, por këtë herë në qendër të vëmendjes nuk është një udhëheqës botëror, por zonja e parë e Francës, Brigitte Macron. Një takim i pazakontë u zhvillua të hënën në samitin e 52-të të grupit G7 në Évian-les-Bains të Francës.

    Pas një shtrëngimi duarsh të shkurtër dhe të fortë me Presidentin francez ,Emmanuel Macron, Trump u kthye nga gruaja e tij. Pasoi një shtrëngim duarsh jashtëzakonisht i gjatë dhe paksa i sikletshëm, që zgjati gati 15 sekonda. Videoja tregon Brigitte Macron duke hezituar për një moment, sikur të ishte e pasigurt nëse përshëndetja kishte mbaruar vërtet, përpara se të tërhiqte më në fund dorën.

    Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron njihen për shtrëngimet e tyre intensive të duarve që kanë karakterizuar takimet e tyre, por kjo është hera e parë që një përshëndetje e tillë i është drejtuar Zonjës së Parë të Francës.

    Historia e tyre e gjatë e garës simbolike të shtrëngimit të duarve daton që nga viti 2017, kur takimi i tyre i parë në Bruksel rezultoi në një shtrëngim duarsh të gjatë dhe të fortë, të cilin shumë e interpretuan si treguesin e parë të rivalitetit që do të shënonte marrëdhënien e tyre.

    Ky përshëndetje e pazakontë vjen pasi Trump u tall me çiftin Macron në një aktivitet privat në prill, duke akuzuar Brigitte se e kishte trajtuar burrin e saj “jashtëzakonisht keq”.

  • Gjenerali Eric Wendt konfirmohet Ambasador i SHBA-së në Shqipëri

    Gjenerali Eric Wendt konfirmohet Ambasador i SHBA-së në Shqipëri

    Ambasadori Eric Wendt është konfirmuar nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke marrë miratimin përfundimtar për detyrën e tij diplomatike.

    Votimi në seancë plenare vjen pas miratimit të mëhershëm në komisionin përkatës të Senatit, ku kandidatura e tij mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve.

    Më herët, kandidatura e tij kishte marrë mbështetjen e Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan me votim 19-3, duke hapur rrugën për miratimin përfundimtar në seancën plenare të Senatit.

    Me këtë votim, procedura e konfirmimit përfundon dhe pritet që ambasadori të marrë detyrën në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane, raporton euroenews.al.

    Kush është Wendt?

    Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.

    Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.

    Wendt ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

    Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.

    Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare

  • Pezullimi i gradimit në PK, Ramadani: Gjykata e ka mbrojtur Policinë nga ndërhyrja politike

    Pezullimi i gradimit në PK, Ramadani: Gjykata e ka mbrojtur Policinë nga ndërhyrja politike

    Gjykata Supreme e Kosovës të hënën ka aprovuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit dhe ka vendosur pezullimin e procedurës së gradimit në Policinë e Kosovës, e cila ishte shpallur më 28 maj 2026 mbi bazën e Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.

    Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, tha për Ekonomia Online se Gjykata me këtë vendim ka parandaluar ndërhyrjet politike brenda Policisë së Kosovës.

    “Qartësisht gjykata në këtë rast e ka shpëtuar policinë, respektivisht e ka mbrojtur policinë nga një ndërhyrje edhe politike edhe e padrejtë, edhe e gabueshme për strukturën e policisë. Ka qenë e habitshme fakti dhe mënyra sesi është nxjerrë ai udhëzim administrativ në ditët e fushatës kur praktikisht kishte filluar fushata zgjedhore edhe me arsyetimin se policia s’ka pasur 10 vite proces gradimi, thu që këta individë nuk janë në udhëheqje të policisë dhe të ministrisë e qeverisë që 6 vitet e fundit dhe si e tillë është fatkeqësi, sa herë që tentohet që përmes ndërhyrjeve të tilla të dëmtohet policia së brendshmi dhe të dëmtohet struktura e policisë dhe përshëndes aktvendimin e Gjykatës Supreme me shpresën që askush më nuk do të nxjerrë udhëzime të tilla që janë edhe jo profesionale edhe të dëmshme edhe abuzuese”, u shpreh ai.

    Ramadani deklaroi se kalimi i gradave pa meritë dhe pa një proces zinxhiror, përbën shkelje si ligjore ashtu edhe profesionale.

    “Është krejt qartësisht që nuk ka bazë ligjore për një udhëzim të tillë, respektivisht për me e thjeshtësu, këta kanë dashur që përmes një udhëzimi t’i kalojnë gradat për persona që ata duan vetë, me i kalu gradat prej policit në toger automatikisht, ose me një lloj vendimi, i cili është edhe shkelje profesionale, edhe shkelje ligjore, por mbi të gjitha e dëmton policinë, sepse gradat nuk kalohen në polici, askund në botë në vendet demokratike, nuk kalohen pa meritë dhe pa një proces zinxhiror, për të cilin policia e dinë, unë e kuptoj që qeveria nuk e din, apo ka qëllime partiake, por jam habitur me drejtorin e policisë që e ka pranuar këtë dhe e ka përkrahur një udhëzim të tillë, të cilin në fund të fundit doli anti ligjor, sepse gjykata nuk ka se si ta pranojë një udhëzim të tillë, i cili edhe i demotivon policët, zyrtarët policorë të Kosovës, edhe i dëmton ata në karrierë dhe mbi të gjitha mos të harrojmë se në vitin 2024, më 9 korrik, policia është detyruar ta anulojë një konkurs për gradën rreshter, për shkak se ka pasur abuzim jashtëzakonisht të madh, pra keqpërdorim të konkursit dhe procesit të testimit, inspektorët policorë kanë dalë me gjetje dhe policia është detyruar ta anulojë, e sot e asaj dite, pra 2 vite prapa, askush s’ka dhënë përgjegjësi për ato shkelje”, tha ai.

    Sipas Ramadanit, brenda Policisë së Kosovës janë tentuar të bëhen ndërhyrje partiake.

    “Është qartë dhe dukshëm, është tentuar të partiazohet policia, që përmes vendimeve partiake në qeveri, apo në komitete partiake të zbatohen brenda Policisë së Kosovës, me gradime, në bazë të një udhëzimi jo ligjor, të cilin edhe gjykata e ndaloi së zbatuari”, tha ai.

    Gjykata Supreme ka sqaruar se ky vendim është marrë vetëm në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon epilogun përfundimtar të padisë. Vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 do të merret pas shqyrtimit të plotë të rastit në procedurën gjyqësore përkatëse.

  • Cakolli: Ndarja e mandateve pothuajse çështje e kryer

    Cakolli: Ndarja e mandateve pothuajse çështje e kryer

    Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka vlerësuar se ndarja përfundimtare e mandateve në Kuvend me raportin 53-22-18-7 tashmë është pothuajse e vendosur.

    Sipas tij, se votat e mbetura nuk pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme.

    Cakolli pohon se as kutitë e mbetura të votave me postë dhe as 11,895 votat me kusht, së bashku me votat e personave me nevoja të veçanta që do të numërohen nesër, nuk pritet ta ndryshojnë ndarjen aktuale të mandateve, përveç në rast se shfaqen devijime të pazakonta nga trendet e deritanishme të votimit.

    “Historikisht, votat me kusht kanë ndjekur më shumë trendin e vendvotimeve të rregullta, me dallime relativisht të vogla. Prandaj, përveç nëse rezultati i këtyre votave i afrohet dukshëm trendit të votave me postë, LVV nuk pritet të arrijë në 54 mandate” shkroi Cakolli, në Facebook.