ATV

Category: Lajme

  • Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange lirohet nga paraburgimi pas marrëveshjes me SHBA-në për ta pranuar fajësinë

    Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange lirohet nga paraburgimi pas marrëveshjes me SHBA-në për ta pranuar fajësinë

    Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange pritet të pranojë fajësinë këtë javë, se ka shkelur Aktin e Spiunazhit të Shteteve të Bashkuara, një marrëveshje që do t’i jepte fund burgosjes së tij në Britani dhe do ta lejonte të kthehej në Australi, duke i dhënë fund një odiseje të gjatë ligjore, përcjell atvlive.tv.

    52-vjeçari Assange ka rënë dakord të pranojë fajësinë për vetëm një pikë të aktakuzës, atë të komplotit për të siguruar dhe publikuar dokumente sekrete të mbrojtjes amerikane, sipas dosjes së depozituar në gjykatë.

    Sipas mediave britanike dhe amerikane, seanca do të mbahet nesër në Gjykatën e Qarkut të Ishujve Mariana të Veriut, nga territori amerikan pranë brigjeve aziatike të Oqeanit Paqësor.
    Assange doli nga burgu Belmarsh në Britani të Madhe të hënën mbrëma, thuhet në një postim të WikiLeaks në rrjetin social X.

    Procesi i gjyqit të Assange

    WikiLeaks, i themeluar nga Julian Assange, publikoi 251 mijë dokumente sekrete që vërtetojnë krimet e kryera nga SHBA-ja në Irak dhe Afganistan më 28 tetor 2010.

    Assange u arrestua më 11 prill 2019. Nga Ambasada e Ekuadorit në Londër, ku u strehua në qershor 2012 dhe u arrestua për “shkelje të kushteve të lirimit me kusht” u dërgua në burgun Belmarsh në Londër. Gjykata vendosi që Assange, i dënuar me 50 javë burg, të mbetet i paraburgosur pas përfundimit të dënimit në kuadër të kërkesës për ekstradim.

    Gjykata e Lartë më 10 dhjetor 2021 vendosi se Assange mund të ekstradohet në SHBA. Pasi Gjykata e Westminsterit vendosi për ekstradimin e tij më 20 prill 2022, atëherë Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel nënshkroi vendimin për ekstradimin e Assange në SHBA më 17 qershor 2022.

    Avokatët e Assange apeluan në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin më 1 korrik 2022. Seancat dëgjimore për çështjen e ekstradimit të Julian Assange në SHBA u zhvilluan në Gjykatën e Lartë në datat 20-21 shkurt dhe u theksua se vendimi do të jepej më vonë.

    Më 26 mars, gjykata vendosi që Assange të mos ekstradohet në SHBA nëse nuk jepeshin garanci të caktuara nga SHBA-ja.

    SHBA-ja dha një garanci për “mos ekzekutim”

    Nga SHBA-ja u kërkua garanci, si për shembull që Assange të mos dënohej me vdekje dhe t’i jepej një gjykim i drejtë, në të kundërtën thuhej se Assange mund të apelonte për heqjen e paraburgimit.

    Gjykata Supreme kishte njoftuar se pas dhënies së garancive do të vendoste nëse ato ishin të mjaftueshme apo jo. Ndërsa SHBA-ja njoftoi në prill se do të jepte garancitë e kërkuara, Stella Assange deklaroi se burri i saj nuk do të kishte disa të drejta sepse nuk ishte shtetas amerikan.

    Avokatët dhe mbështetësit e Assange thonë se ai mund të dënohet deri në 175 vjet burg nëse ekstradohet në SHBA. Pala amerikane pretendon se dënimi me burg mund të jetë nga 4 deri në 6 vjet. /atvlive.tv

  • Rusia pretendon t’i ketë rrëzuar 30 dronë ukrainas mbi dy rajone

    Rusia pretendon t’i ketë rrëzuar 30 dronë ukrainas mbi dy rajone

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kundërajrorët e saj i kanë rrëzuar 29 dronë ukrainas mbi rajonin Belgorod dhe një mbi rajonin Voronezh mëngjesin e së martës.

    Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se një grua u vra dhe katër njerëz të tjerë u plagosën gjatë sulmeve me dronë në fshatin Velovskoye dhe në qytetet Stroitel dhe Yakovlevsky.

    Mediat lokale raportuan se shtëpi banimi dhe automjete u dëmtuan gjatë sulmeve.

    Ukraina nuk ka komentuar rreth pretendimeve të Rusisë, të cilat nuk ka qenë e mundur të vërtetohen në mënyrë të pavarur.

    Qytetet në pjesën perëndimore të Rusisë janë përballur me sulme të vazhdueshme me dronë prej majit 2023. Për këto sulme, zyrtarët rusë e kanë fajësuar Kievin.

    Zyrtarët ukrainas nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për sulme në territorin rus, apo në Gadishullin e uzurpuar të Krimesë.

    Rajoni i Belgorodit në veçanti ka qenë cak i sulmeve të mëdha. Në dhjetor 2023 u vranë 25 njerëz nga një sulm në qendër të qytetit Belgorod.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Komisioni Ad-hoc interviston kandidatët për Bord të RTK-së

    Komisioni Ad-hoc interviston kandidatët për Bord të RTK-së

    Katër kandidatë për anëtarë të Bordit të televizionit publik janë ftuar për intervistim nga Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së, raporton EO.

    Komisioni ka zhvilluar mbledhjen pa praninë e mediave, ndërsa mediat janë lejuar të marrin pamje para takimit.

    Për procedurën e intervistimit të kandidatëve, tregoi kryetarja e Komisionit, Adelina Grainca.

    “Nga dhjetë pyetje gjithsej, pesë do t’iu parashtrohen kandidatëve, pyetja e parë dhe e dhjeta është standarde, pyetja e pestë dhe e tetë do të ua bëjnë atyre”, tha ajo.

    Përgjigjet kandidatët do të mund ta japin në afat kohor prej 20 minutash.

  • Një shtetas i Shqipërisë gjendet pa shenja jete në Fushë Kosovë

    Një shtetas i Shqipërisë gjendet pa shenja jete në Fushë Kosovë

    Një shtetas i Shqipërisë është gjetur pa shenja jete në Fushë Kosovë.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë bëhet e ditur se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    “Fushë Kosovë / 24.06.2024 – 07:22. Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull shtetas i Shqipërisë. Lidhur me rastin vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Arrestohet një serb në veri, u prezantua rrejshëm si doganier

    Arrestohet një serb në veri, u prezantua rrejshëm si doganier

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një serb në Zveçan pasi kur ishte ndaluar nga njësiti policor, ishte prezantuar si doganier.

    Në raportin 24-orësh thuhet se i dyshuari kishte refuzuar t’ua jepte dokumente personale dhe t’i bëhej testi i alkoolit.

    Ai është dërguar në mbajtje, e rasti është iniciuar si “prezantim i rremë si person zyrtar”, thuhet në njoftim.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull serb për shkak se kur ishte ndaluar nga njësiti policor ishte prezantuar si doganier i Kosovës, si dhe kishte refuzuar t’ua jap dokumentet personale, kartelën identifikuese dhe ti bëhej alkotesti pasi kishte qenë nën ndikim të alkoolit. Lidhur me rastin i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Një gruas i vidhen 10 dyer të ballkonit në Prishtinë

    Një gruas i vidhen 10 dyer të ballkonit në Prishtinë

    Një grua ka raportuar se i janë vjedhur 10 dyer të ballkoneve në Prishtinë.

    Sipas raportit 23-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, në ora 13:40.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se nga person/a të dyshuar të pa njohur janë vjedhur 10 copë dyer të ballkoneve”, thuhet në raport.

    Kurse rasti është duke u hetuar.

  • IPK do të analizojë pamjet për të verifikuar reagimin e policëve gjatë arrestimit të asamblistit të LVV-së

    IPK do të analizojë pamjet për të verifikuar reagimin e policëve gjatë arrestimit të asamblistit të LVV-së

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Arianit Beqiri është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës. Pamjet e prangosjes u publikuan edhe në rrjete sociale, teksa pak para mesnatës, Beqiri u lirua, raporton Sinjali.

    Nga VV në Prishtinë kërkuan që Inspektorati Policor i Kosovës të merret me “dhunën e shfaqur nga polici”.

    Megjithatë, IPK ka bërë të ditur se akoma s’kanë pranuar ankesë, por që do të analizohet rasti dhe pamjet për të verifikuar reagimin e zyrtarëve policorë.

    “IPK deri tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë rast, sidoqoftë sipas detyrës IPK në kuadër të autorizimeve ligjore do të analizoj videot për të verifikuar sjelljet dhe reagimin e zyrtarëve policorë”- ka thënë zëdhënësi Arbër Beka.

  • (VIDEO) Momenti kur një 3-vjeçar shpëtohet nga shinat pak sekonda para se të kalonte treni

    (VIDEO) Momenti kur një 3-vjeçar shpëtohet nga shinat pak sekonda para se të kalonte treni

    Tashmë janë publikuar pamjet e kamerave që tregojnë momentin kur një djalë trevjeçar u shpëtua nga shinat pak sekonda para se një tren të kalonte me shpejtësi të madhe.

    Fëmija ishte me dy të rritur dhe një fëmijë tjetër kur ra nga pjesa e sipërme në drejtim të jugut në stacionin hekurudhor Newark Northgate, në Nottinghamshire, muajin e kaluar.

    Në videon e publikuar, ai shihet duke ecur pas njërit prej të rriturve dhe më pas duke zbritur para se të bie në shina.

    KËTU mund ta shihni videon.

  • Sot votohet nisma e “Junts” katalunas për njohjen e Kosovës nga Spanja

    Sot votohet nisma e “Junts” katalunas për njohjen e Kosovës nga Spanja

    Grupi parlamentar i partisë katalunase “Junts” planifikon të hedhë në votim në seancën plenare të Kongresit spanjoll që mbahet sot, një propozim jo legjislativ me të cilin dëshiron që qeverisë spanjolle t’i kërkohet të njohë Kosovën si një shtet sovran.

    Kjo nismë argumenton se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milion banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.

    Duke iu përgjigjur arsyetimeve të pesë shteteve të BE-së që s’e njohin ende pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe Spanja, “Junts” ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë si e tillë.

    “Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thonë nga “Junts” në memorandumin shpjegues.

    Sipas kësaj partie“nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur, sipas nismës, në të cilën “Europa Press” kishte qasje, “Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën” dhe që nga janari i kaluar “Qeveria është detyruar të njohë pasaportat kosovare pasi Kosova i është bashkuar regjimit të përjashtimit për vizën për qëndrim të shkurtër në zonën Schengen”.

    Për të gjitha këto arsye, “Junts” konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikën e Kosovës”.

    Në këtë kuptim, teksti propozon që Kongresi duhet të nxisë “Qeverinë ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.

  • Borrell pret që BE-ja t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës: Ky ishte propozim im

    Borrell pret që BE-ja t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës: Ky ishte propozim im

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell mbajti konferencë për media të hënën. Borell foli për çështjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke thënë se pret që ato të largohen.

    “Nëse këto sanksione hiqen, unë shpresoj se po. Të paktën ky është propozimi im. Qoftë edhe në formë graduale, por shpejt. Kjo mund të krijojë një skenar në të cilin nuk them se dialogu do të rifillojë, por të paktën nuk do të mbyllet papritur. Dy liderët nuk janë takuar prej kohësh në kuadër të dialogut dhe nuk dua të dorëzohem, para se të përfundoj manadati im”, ka thënë Borell.

    Përveç të tjerave, ai foli edhe lidhur me takimin Kurti-Vuçiq.

    Ai theksoi se problem mbetet mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.

    “Unë vazhdoj të përpiqem që në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet një zgjidhje operative, sepse ne tashmë kemi një marrëveshje. E kemi marrëveshjen e Ohrit. Problemi është se marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë ato për një arsye apo një tjetër dhe mendoj se ishte e nevojshme të rifillonin takimet e nivelit të lartë për të ditur se ku jemi, veçanërisht në një kohë kur vendet anëtare po diskutojnë propozimin tim për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës”, ka deklaruar Borrell.

    Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

    Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

    Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).