ATV

Category: Lajme

  • Kurti e Vuçiq takohen sot në Bruksel

    Kurti e Vuçiq takohen sot në Bruksel

    Sot do të jetë përballja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

    Përballja e tyre po ndodh për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, me një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se fokusi i këtij takimi “do të jetë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara”.

    Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011, por shumë nga dhjetëra marrëveshjet e arritura mbeten pa u zbatuar.

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha më 24 qershor se shpreson të ketë përparim në dialog dhe kujtoi se ekziston një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila duhet të zbatohet në terren.

    Ai tha se “ka problem” sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, por theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë “për të ditur se ku jemi”.

    Ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas ngjarjeve në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau një polic.

    Ata diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të arritur në shkurt të atij viti, por nuk u dakorduan për mënyrën.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të mërkurën në Bruksel do të shkojë për të parë se në çfarë gjendje ndodhet Kosova në kuadër të dialogut, ndërsa nuk është shumë optimist për arritjen e ndonjë rezultati.

    “Nesër në mëngjes do të udhëtoj në Bruksel. Nuk kemi pasur një takim të lartë që një vit. Gati tre vite janë bërë nga takimi i fundit. Takimi i nesër do të jetë në funksion të rekapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si duhet të ecim përpara. Prej këtu kanë filluar problemet. Marrëveshja bazike e bënë normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto. Kjo është zgjidhja më e mirë e cila nuk është realizuar deri më sot”.

    Takimi i fundit mes tyre, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.

  • Bajrami: Kurti është dorëzuar si kryeministër, i ka mbetur vetëm t’ju kërkojë falje votuesve të tij

    Bajrami: Kurti është dorëzuar si kryeministër, i ka mbetur vetëm t’ju kërkojë falje votuesve të tij

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Albin Kurti është dorëzuar si kryeministër.

    Ajo thotë se Kurti asnjëherë nuk e ka luajtur rolin e kryeministrit, por sipas saj, çdo herë të opozitarit.

    “Ai edhe tani kur është në pozitë edhe ka pasë qe tri vite e gjysmë shumicën absolute ,ai më shumë karshi Kosovës ka lujtur rolin e opozitarit, duke vu obstruksionet të tilla dhe duke sjellë shtetin e Kosovës në një situatë për të cilën ne po flasim. Do të ishte komplet e pabesueshme para tri viteve, që unë dhe ju, me pasë një bisedë të tillë dhe ndonjëri prej neve me parashiku që Kosova ka me u gjindë pas një periudhe kohore në situatën të cilën po e diskutojmë”, tha Bajrami.

    Ajo thotë se Kurti është dorëzuar, pasi që sipas saj, po kërkon zgjedhje të parakohshme.

    “Ai mundet me shku në zgjedhje kurdo që ka dëshirë, por e themi de facto është dorëzua, sepse ka kërku që të shkohet në zgjedhje. ajo çka i mbetet është të dalë, t’u kërkojë falje votuesve të tij”, tha Bajrami. /atvlive.tv

  • Edhe dy projektligje mund të përfundojnë në Kushtetuese

    Edhe dy projektligje mund të përfundojnë në Kushtetuese

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Rruga e dy nismave legjislative, ajo për Zyrtarët Publikë, si dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, sërish ka gjasa të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

    Partia Demokratike e Kosovës po vlerëson se projektligji për zyrtarët publikë veç që është në kundërshtim me kushtetutën, bie ndesh edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në.

    Nga PDK-ja vlerësojnë se edhe Projektligji për KPK-në ka mundësi që të rrëzohet sërish nga Kushtetuesja.

    Ligji për këshillin prokurorial të Kosovës ishe rrëzuar komplet si pasojë e pretendimeve të bazuara para më shumë se 1 viti.

    Kushtetuesja kishte konstatuar se bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial, ku si rrjedhojë këto shkelje cenojnë rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetues.

    Njësoj gjykata kishte marrë vendim edhe Projektligjin për zyrtarët publikë, veçse për këtë të fundit kishte vendosur që t’i rrezojë disa nene.

    Gjykata kishte vendosur se nuk ishin në përputhshmëri me Barazinë para Ligjit dhe Vlerat e Kushtetutës, nenet ku parashihen kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtarëve publikë, e drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës, si dhe neni ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e nëpunësve civilë në pritje.

  • Kurti shkon në takim me Vuçiqin për rikapitulim të tre vjetëve në dialog

    Kurti shkon në takim me Vuçiqin për rikapitulim të tre vjetëve në dialog

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në vlerësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, takimi i së mërkurës, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, është i rëndësishëm për ta mbajtur gjallë dialogun.

    Kthimi në tavolinën e diskutimeve, sipas kryediplomatit evropian, është veçmas i rëndësishëm në kohën kur shtetet anëtare po shqyrtojnë propozimin e tij për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës.

    Teksa pret që rekomandimi i Borrell të kthehet në vendim, kryeministri Kurti tha se takimi bilateral dhe ai trelateral, më 26 Qershor, do të jenë në funksion të një ri-kapitulimi të viteve në dialog.

    “Marrëveshja bazike e 27 Shkurtit, me pjesën integrale të saj, aneksin e zbatimit të Ohrit, të 18 Marsit, e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto në qendër. Kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por e cila nuk është realizuar deri më sot”, tha Kurti.

    Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, në një intervistë për “Sbunker”, para takimit, foli për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve në raport me përfitimet eventuale nga Plani 6-miliardësh i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Referuar masave në fuqi dhe kushtëzimeve në dialog për përfitime nga Plani i Rritjes, opinionisti Bekim Kabashi nuk pret që takimi të çojë në lëvizje thelbësore drejt zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “Edhe në të kaluar ka treguar që nuk është që bën kompromise z. Kurti, të paktën në procesin e dialogut, sa u përket ndihmave financiare nga Bashkimi Evropian. Unë pres heqje të sanksioneve, pasi që BE-ja duket se po u kalon sanksionet nga një formë në formën tjetër, po i heq sanksionet që kanë qenë për Kosovën dhe po vendos disa kushtëzime te Plani i Rritjes, dhe ne sigurisht që do të ngecim për të marrë këtë mbështetje nga BE-ja edhe për një kohë, pasi që nuk pres Kosova të bëjë hapa drejt implementimit të marrëveshjes”, tha Kabashi.

    Duke përmendur mungesën e ndëshkimit të Serbisë për 24 Shtatorin dhe masat në fuqi ndaj Kosovës, profesori Dritëro Arifi vlerësoi se kushtëzimet e reja, njësoj, për të dyja palët janë komike dhe vetëm sa e ndërlikojnë procesin.

    “Nuk pres asgjë nga asnjëra palë. Nga BE-ja pres një vendosmëri që të qartësojë rrugën politike të Kosovës. Ata le ta favorizojnë Serbinë, le ta bëjnë anëtare të BE-së, është punë e tyre, nuk mund të interferojmë. Por pres seriozitet, të qartësohet rruga politike e Kosovës. Nëse Kosova e zbaton marrëveshjen në formë unilaterale çka fiton? Jo vetëm disa lekë. Pra, duhet të qartësohet përfundimisht rruga politike”, tha Arifi.

    Takimi Kurti-Vuçiq, më 26 Qershor, do të jetë i pari i nivelit të lartë në dialog pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, dhe mund të jetë një nga, nëse jo i fundit, nën lehtësimin e Borrell.

    Më 27 dhe 28 Qershor do të mbahet takimi i liderëve të shteteve anëtare të BE-së, të cilëve u takon vendimi lidhur me propozimin për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

  • Lëmoshëkërkimi, DASH i kritikon kodin penal të Kosovës

    Lëmoshëkërkimi, DASH i kritikon kodin penal të Kosovës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Punëtorët apo lëmoshëkërkuesit e mitur, mund të hasen nëpër shumë rrugë të Kosovës.

    Nga viti 2022, deri në qershor të këtij viti, policia evidentoi rreth 500 fëmijë që dalin për të kërkuar para apo ndihma të tjera.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë-Kosovë, Abaz Xhigoli, thotë se janë të mëdha gjasat që këta fëmijë të jenë cak apo viktima të trafikimit me qenie njerëzore.

    Ky thotë se institucioni që e drejton nuk ka shumë kompetenca për të kuptuar detaje rreth tyre.

    “Në kur i shohim këtë fëmijë bisedojmë me prindërit e tyre dhe mundohemi t’i largojmë nga rruga, sepse gjasat për trafikim janë të mëdha…”, tha Xhigoli.

    Kjo është edhe një nga kritikat e Departamentit Amerikan të Shtetit, në raportin vjetor për Kosovën. Në të kritikohet fakti se në Kodin Penal, lypja e detyruar e fëmijëve, klasifikohet si neglizhencë e prindërve apo abuzim prindëror, dhe jo trafikim. Kjo, sipas DASH-it, e vështirëson identifikimin e kësaj vepre, si dhe referimin e viktimave potenciale te shërbimet e duhura.

    Prandaj edhe njohësit kërkojnë ndryshim të Kodit Penal.

    “Ministria e Drejtësisë bashkë me Qeverinë duhet sa më parë të bëjnë ndryshimin e kërkuar nga DASH-i, sipas gjasat që këta fëmijë të trafikohen janë të mëdha…”, tha Lavdim Makshana nga IKD.

    Edhe sociologët thonë se lënia e fëmijëve nëpër rrugë si lypsarë është neglizhencë e Qeverisë, për çka kërkojnë përkujdes më të madh.

    “Gjithmonë duhet të bëhet më shumë, ne e dimë, te ne rastet e devijane ku ka shumë adoleshent të cilët i kanë hyrë pra kushtimesh në fillesat e krimit, nuk ka trajnime sa duhet nuk ka qendra për rrini…”, tha Jeton Brajshori, sociolog.

    Raporti i Departamenti Amerikan i Shtetit i rekomandon Kosovës, po ashtu, shqiptim të dënimeve të duhura për trafikim me qenie njerëzore.

    Ndërkaq, në gjithë botën janë rreth 27 milionë individë që janë shfrytëzuar për punë, shërbime dhe seks komercial.

  • Së paku pesë të dyshuar për vrasje, ende në liri

    Së paku pesë të dyshuar për vrasje, ende në liri

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ky lokal në Runik të Skenderajt ishte kthyer në skenë krimi në gusht të 2023-tës.

    Dy persona të maskuar, sipas dëshmitarëve, shtinë me kallashnikov duke vrarë një person.

    Të dy u larguan në drejtim të panjohur për të mos u arrestuar asnjëherë.

    Kësaj vrasjeje i kishte paraprirë një tjetër konflikt i armatosur. Më 4 gusht të po atij viti, në qendër të Prishtinës ishte vrarë Kastriot Ramadani. I dyshuari Dukagjin Lekaj, cili ishte i njohur për organet e sigurisë, u arratis po ashtu. Në aktakuzën që u ngrit tash, ai që njihet edhe si Dukagjin Nikolla, përmendet si protagonist kryesor.

    Në arrati po ashtu janë edhe Ahmet dhe Naim Berisha, të cilët dyshohen për një vrasje të kryer në fundin e muajit maj.

    Sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë, pasojat e mosarrestimit të të të dyshuarve, janë disa.

    “Mbetja në arrati e personave të tillë, dëshmon se hallkat mes institucioneve janë të shkëputura dhe nuk ka bashkëpunim serioz ndërmjet prokurorive, gjykatave dhe policisë”, tha tha avokati dhe ish-hetuesi në Polici, Muhamet Mujaj.

    “Kur këta persona janë në arrati, natyrisht që cenohet imazhi i mekanizmave të sigurisë dhe të drejtësisë”, tha ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

    Andaj, për kapjen e tyre konsiderohet se duhet të ndërmerren veprime të tjera konkrete nga institucionet.

    “Shteti duhet të krijojë plane konkrete për materializimin e akteve për arrestimin e personave të tillë dhe të dalin para drejtësisë”, tha Hoxha.

    “Personat e tillë që vazhdojnë të jenë në arrati, mund të jenë kryes potencialë të veprave të ngjashme apo të tjera. Për këtë arsye, institucionet duhet të krijojnë operacione të veçanta…”, tha Mujaj.

    Përveç të dyshuarve për vrasje, në arrati vazhdon të jetë edhe i dyshuari për grabitjen në argjendarinë në Suharekë.

  • Shpallet antikushtetues vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së

    Shpallet antikushtetues vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, është anti-kushtetues.

    Sipas kushtetueses, vendimi i 13 korrikut për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 rreth kompetencave të Kuvendit dhe paragrafin 1 të nenit 142 ku flitet për Agjencitë e Pavarura.

    “Bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me cenimin e pretenduar të “etikës profesionale” të anëtares së OSHP-së, bazë kjo mbi të cilën ishte bërë propozimi dhe shkarkimi i saj. Mundësia e shkarkimit të një anëtari të OSHP-së për “etikë profesionale” nuk mund të përdoret në mënyrë formaliste për të arsyetuar shkarkimin e një anëtari të OSHP-së për vendimmarrje në raste konkrete, nëse nuk argumentohet në mënyrë bindëse shkelja e rregullave të “etikës profesionale”, thuhet në Aktgjykim.
    Vendimi për shkarkim ishte marrë me propozim të Qeverisë, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

    Organi më i lartë kushtetues theksoi se një precedent i tillë, bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe vetë qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme.

    Kërkesa për vlerësim të këtij vendimi ishte parashtruar nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të prirë nga Vlora Dumoshi.

    “Edhe një fitore e Kushtetutshmërisë dhe demokracisë në Kosovë. Gjykata Kushtetuese edhe një herë konstatoi se LV-ja dhe partnerët e saj, përmes Kuvendit kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës”, tha Dumoshi.
    Në anën tjetër, shoqëria civile e ka mbështetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Kimete Gashi, që vitin e kaluar ishte rekomanduar nga Qeveria Kurti, ishte shkarkuara me arsyetimin se sa ka qenë kryetare e panelit për shqyrtimin e ankesave të tenderit të insulinave, nëpërmjet vendimit për kontraktimin e një lloji të këtij bari pa garancinë e cilësisë, ka rrezikuar qytetarët.

  • Testi i arritshmërisë, sërish publikohen pyetjet në rrjete sociale

    Testi i arritshmërisë, sërish publikohen pyetjet në rrjete sociale

    Përgatiti: Donita Bytyqi

    Semimaturantët që iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, thonë se patën stres, por pyetjet iu dolën më të lehta sesa pritnin.

    “Kanë qenë të lehta, veç stres që kemi pasë vetë”, tha Enesa Ramadani, nxënëse.

    “Testimi ka shkuar shumë mirë, edhe përveç testimit ka qenë edhe koha e mjaftueshme për 100 pyetje, edhe pyetjet për atë që kanë mësuar kanë qenë të lehta”, tha Landri Sllamniku, nxënës.

    Nuk dihet nga rrodhën pyetjet, por ato u shpërndanë nëpër grupe në rrjete sociale.

    Mirëpo, Arbër Gashi nga Drejtoria e Arsimit, i mohon rastet e kopjimit në kryeqytet. Sipas tij, ka pasur mjaftueshëm mbikëqyrës nëpër shkolla.

    “Kemi pasur 3400 nxënës në 23 qendra testuese, 350 administrues, ka filluar në orën 10:00 dhe ka zgjatur dy orë e gjysmë. Nuk ka pasur raste të kopjimit, lëndët që janë nënshtruar janë: anglisht, gjuhë shqipe etj”, tha Gashi.

    Sipas Kryesuesit të Komisionit, Mentor Hajrizi, nxënësit janë paralajmëruar se nuk do të lejohen telefonat nëpër klasa.

    “Atyre u kemi treguar se përdorimi I telefonave është rreptësisht i ndaluar dhe sigurisht udhëzimet tona ata i kanë marrë parasysh dhe testi ka filluar me kohë. Nxënësit kanë vazhduar me punimet e tyre”, tha Hajrizi.

    Visar Osmani, drejtori i shkollës “Emin Duraku”, thotë se është i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit.

    “Në shkollën tonë janë testu 151 nxënës të 3 shkollave të kryeqytetit, administruesit kanë ardhur me kohë në vendet e tyre, sipas planifikimeve çdo gjë ka shkuar në rregull, deri tani asnjë problem nuk është raportu nga klasat”, tha Osmani.

    Pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë do të mbahet më 28 qershor, që përfshin lëndët e matematikës, informatikës, kimisë, fizikës dhe biologjisë.

  • Deputetja e LDK-së thotë se sipas ambasadave të huaja në Kosovë, 170 persona në ditë e lëshojnë vendin

    Deputetja e LDK-së thotë se sipas ambasadave të huaja në Kosovë, 170 persona në ditë e lëshojnë vendin

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dhënë shifra “tronditëse” kur ka folur për ikjen e të rinjve nga Kosova. Një gjë e tillë zyrtarisht nuk është thënë nga ambasadat, por ajo ka thënë se sipas ambasadava të huaja në Kosovë, rreth 170 persona në ditë ikin nga Kosova.

    “Ka ikje të madhe. Sipas të dhënave që posedojmë, rreth 170 persona ikin brenda ditës”, u shpreh ajo në Context, ATV.

    “Ashtu janë të dhënat sipas ambasadave të huaja të Republikës së Kosovës, ato që janë të akredituara në Prishtinë. 17o persona në ditë largohen nga Kosova”, tha deputetja e LDK-së.

  • ​Kurti për masat: Vendet e BE-së ta dëgjojnë Borrellin se e kanë shef

    ​Kurti për masat: Vendet e BE-së ta dëgjojnë Borrellin se e kanë shef

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se nesër në mëngjes do të udhëtoj për në Bruksel, për të parë se në çfarë gjendje ndodhet Kosova në kuadër të dialogut me Serbinë.

    Pas konferencës ndërkombëtare të rinisë për Vetëvendosje “Western Balkans Six – Youth for Social Democracy”, Kurti ka theksuar se marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale, aneksin e zbatimit nga Oher i 18 marsit e bënë normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto.

    Sipas tij, takimi i nesërm bilateral e trelateral do të jetë në funksion të rekapitullimit të procesit të dialogut dhe të shihet se cilat janë idetë e ecjes përpara.

    “Nesër në mëngjes do udhëtoj për në Bruksel, e kam konfirmuar pjesëmarrjen time. Nuk ka pasur takim të nivelit të lartë që nga shtatori vitit të kaluar dhe në këtë qershor janë bërë tre vjet të dialogut të nivelit të lartë që marr pjesë si kryeministër. Besoj se përveç tjerash takimi i nesërm edhe bilateral edhe trelateral do të jetë në funksion të rekapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë ide se si duhet të mund të ecim përpara. Marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale aneksin e zbatimit nga Ohër i 18 marsit e bënë normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto, së paku de-fakto në qendër. Kjo është zgjidhja më e evropiane e fqinjësisë së mirë e cila nuk është realizuar deri më sot, për shkak se para se të kemi edhe zbatim të marrëveshjes, kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e ish kryeministres Bërnabiq, ku Serbia u tërhoq nga marrëveshja bazike dhe prej aty na vinë gjitha problemet, pra nga mosrespektimi, nga shkelja e marrëveshjes bazike”, ka deklaruar Kurti.

    Kreu i ekzekutivit ka nënvizuar se dje janë bërë nëntë muaj prej që është vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, dhe siç tha ai nëntë muaj prej që “kryekrimineli i paramilitarëve terrorist, Milan Radjoçiq ndodhet në liri”.

    Ai shtoi se vazhdimisht ka pasur eskalime e deeskalime e që të gjitha këto e kanë adresën në Beograd.

    “Dje janë bërë nëntë muaj prej që është vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, që d.m.th se janë bërë nëntë muaj që kryekrimineli i paramilitarëve terrorist, Milan Radjoçiq ndodhet në liri. Ndërkaq nesër do të bëhen një vit prej se janë liruar tre policet të cilët u patën rrëmbyer në afërsi të kufirit me Serbinë, por gjithsesi në territorin e Kosovës, pasi që u mbajtën peng për 12 ditë. Kemi pasur vazhdimisht tensione nganjëherë edhe eskalime, që të gjitha e kanë adresën, sepse përgjegjësinë e fajësinë e ka Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

    Ndërsa, sa i përket masave të vendosura nga Bashkimi Evropian, Kurti ka shtuar se Kosova i ka bërë hapat që janë kërkuar.

    Tutje, Kurti u bëri thirrje vendeve të BE-së ta dëgjojnë Josep Borrellin, sepse “e kanë shef të politikës së jashtme”.

    “Qëndrimin e qartë të cilin duhet të ndjekin të gjitha shtetet anëtare të BE-së e ka dhënë zëvendës presidenti i komisionit evropian, Josep Borell, që ka thënë se edhe ato arsyet dikur të konsideruara për masat ndaj Kosovës nuk ekzistojnë më. Është parë që ka ndodhur de-eskalimin në verën e vitit 2023, ka ndodhur rieskalimi për shkak të sulmit paramilitar terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe gjithashtu duhet theksuar që Kosova ka bërë udhëzimin administrativ…Nga ana e Kosovës çdo gjë është kryer, zbatuar për normalizim për de-eskalim. Unë shpresoj që vendet anëtare ta dëgjojnë dhe ta respektojnë me sinqeritetin më të madh”, shtoi Kurti.

    Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.