ATV

Category: Lajme

  • Kurti e uron Brestin për rizgjedhje si Sekretar i KiE-së: Mezi pres të punojmë bashkë

    Kurti e uron Brestin për rizgjedhje si Sekretar i KiE-së: Mezi pres të punojmë bashkë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka uruar Alain Brestin për rizgjedhjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

    Kurti tha se Brest është mik i madh i të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

    “Mezi pres të punojmë së bashku për të avancuar këto vlera themelore të Këshillit të Evropës – vlera për të cilat Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar si një shtet aspirant për anëtarësim”, shkroi Kurti.

    Kujtojmë se më 14 maj të këtij viti, Kosova dështoi të hynte në agjendën e Këshillit të Ministrave për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, pasi qeveria pati refuzuar që ta çonte në Kushtetuese draftin për Asociacionin.

  • Takimi i parë pas rastit të Banjskës

    Takimi i parë pas rastit të Banjskës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, pritet të takohen në Bruksel sot (e mërkurë) për herë të parë që nga shtatori i vitit të shkuar dhe për herë të parë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Një ditë më herët, Kurti u shpreh se takimet në dialog do të jenë në funksion të rikapitullimit të procesit trevjeçar e edhe të prezantimit të ideve se si mund të ecet përpara.

    Kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur pritje të mëdha nga takimi i parë pas nëntë muajsh. Por, ai ka theksuar se në takime me ndërmjetësit evropianë, e edhe me Vuçiqin, do të shprehen edhe ide për rrugën përpara.

    “Besoj që përveç të tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilaterial do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, ka deklaruar Kurti.

    Sipas Kurtit, zgjidhja evropiane për fqinjësi të mirë me Serbinë, është marrëveshja e arritur vitin e shkuar në Bruksel dhe aneksi i saj i dakorduar në Ohër.

    “E cila nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim kemi shkelja sistematike të Marrëveshjes nga Serbia, e kjo ka kulmuar me letrën e Bërnabiq nga 13 dhjetori i viti të kaluar, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike, e prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra nga mos respektimi nga shkelja e marrëveshjes bazike vijnë problemet në raport me Serbinë”, është shprehur Kurti.

    Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’ia heqin masat Kosovës, ashtu siç ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Para takimit me presidentin Vuçiq, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

    Për herë të fundit Kurti e Vuçiqi u takuan më 14 shtator të vitit të kaluar, disa ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku, e në konfliktin pasues me Policinë u vranë tre sulmues. Pjesa më e madhe e grupit ka ikur në drejtim të Serbisë, ndërsa përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiqi, që gjendet i lirë në Serbi.

    Pas kësaj, për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, derisa BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit. Që atëherë Borrelli e emisari për dialog, Miroslav Lajçak nuk patën arritur t’i bindnin palët që të zhvillonin një rund tjetër bisedimesh.
    Megjithëse Kurti-Vuçiq qenë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për një marrëveshje 11-pikëshe për normalizim dhe në Ohër për Aneksin e zbatimin e saj, nënshkrimet vazhdojnë të mungojnë për shkak të refuzimit të Serbisë. Me këtë marrëveshje në nenin 4 ishte arritur pajtimi që Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. E me nenin 7 u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kritikuar palët për moszbatim të marrëveshjes. Por, konkretisht para një jave Peter Stano e ka akuzuar Serbinë se po e shkel ujdinë, duke iu referuar lobimit serb për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

    Një javë më parë ambasadorë të SHBA-së e të Gjermanisë në Kosovë theksuan se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se është i paimagjinueshëm anëtarësimi i tyre në BE, pa e njohur pavarësinë e njëra-tjetrës.

    Ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u skadon mandati së shpejti. Derisa Borrelli do të shërbejë në krye të diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, Lajçaku është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog deri sa të gjendet një zëvendësues.

  • Osmani e uron Brestin për zgjedhjen si Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së

    Osmani e uron Brestin për zgjedhjen si Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka uruar Alain Brestin për zgjedhjen në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

    Osmani tha se Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës, teksa tha se anëtarësimi do të ishte fitore për tërë kontinentin.

    “Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës – një anëtarësim që jo vetëm do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”.

    Më tej, e para e shtetit tha se anëtarësimi i Kosovës në KiE si anëtari i 47-të, duke shtuar se ky është një synim që Kosova do të vazhdojë ta ndjekë pa pushim.

    “Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë realitet”, tha Osmani.

  • Japonia njofton se Koreja e Veriut lëshoi raketë balistike

    Japonia njofton se Koreja e Veriut lëshoi raketë balistike

    Zyra e kryeministrit të Japonisë njoftoi se Koreja e Veriut ka lëshuar raketë balistike, transmeton Anadolu.

    Në deklaratën nga Zyra e kryeministrit me titullin “paralajmërim urgjent” thuhet se administrata e Phenianit ka lëshuar në mënyrë të qartë raketë balistike.

    Gjithashtu në deklaratë theksohet se raketa balistike në fjalë ka rënë në ujërat jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

    Koreja e Veriut edhe më parë ka lëshuar raketë balistike në kuadër të tensioneve që ka përjetuar me Korenë e Jugut, SHBA-në dhe Japoninë.

  • ​Ligji që nuk u miratua kurrë në Kosovë u kushton pacientëve mijëra euro

    ​Ligji që nuk u miratua kurrë në Kosovë u kushton pacientëve mijëra euro

    Qytetarëve të Kosovës u duhet të shpenzojnë qindra, mijëra e ndonjëherë edhe miliona euro për të kryer transplantimin e organeve jashtë vendit. Kjo për shkak se vendi ynë është ndër të vetmit në rajon, që nuk e kryen këtë shërbim mjekësor.

    Në vendin tonë nuk është arritur asnjëherë që të miratohet ligji për transplantimin e organeve. Derisa nevoja për miratimin e këtij ligji po konsiderohet të jetë e domosdoshme.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar në komisionin për Shëndetësi, Bekim Haxhiu thotë se ky ligj është jashtëzakonisht i domosdoshëm. Për KosovaPress Haxhiu thekson se si pasojë e mungesës së këtij ligji, shumë pacientë shpenzojnë për t’u trajtuar jashtë vendit.

    “Është jashtëzakonisht i domosdoshëm, ka nevojë Kosova për ligjin për transplantimin e organeve. Në mandatin e kaluar kemi iniciuar si komision parlamentar për shëndetësi draftimin e këtij projektligji. Për fat keq në ditën kur ne ishim në mbledhje të komisionit për ta shtyrë përpara këtë projektligj, ka shkuar vendi në zgjedhje dhe ajo çështje ka mbetur për legjislaturën e ardhshme. Draftligji është i gatshëm, është në pjesën e dokumentacionit të administratës së komisionit parlamentar për shëndetësi. Kjo qeveri nuk e ka përgatitur një projektligj të ri për transplantimin e organeve. Në agjendë legjislative të viti 2021 ishte e planifikuar që të vije në kuvend. Pastaj në të gjitha agjendat legjislative të qeverisë Kurti është larguar dhe nuk është sjellë në kuvend. Disa herë kam kërkuar në komisionin parlamentar për shëndetësi që ta inciojmë si komision parlamentar për shëndetësi, mirëpo nuk po ka një mbështetje nga ana e shumicës parlamentare të Vetëvendosjes…Nevoja është shumë e madhe, ka shumë pacientë që edhe shpenzojnë edhe vuajnë në mungesë të këtij ligji”,

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj thotë se mungesa e këtij ligji është vetëm një segment i vogël i problematikës së madhe të shëndetësisë në Kosovë.

    Dreshaj thotë për KosovaPress, potencon se qeveria aktuale shtynë përpara vetëm proceset që atyre u interesojnë.

    “Çdo ligj i cili e rregullon një situatë të caktuar, një problematikë të caktuar brenda vendit, është i domosdoshëm për vendin. Mendoj, se ky ligj për kundër mangësie që i ka është mirë që të debatohet, të përmbyllet, dhe të aprovohet…Ne kemi pasur ligje edhe më të rëndësishme të cilat deri më sot nuk kanë ardhur. Pra, kanë qenë në agjendën legjislative dhe nuk kanë ardhur deri tek neve. Kjo legjislaturë shtyn përpara vetëm procese që këtyre ju interesojnë…Ky ligj është vetëm një segment i vogël i problematikës së madhe në shëndetësi që Kosova ballafaqohet me të përditë”,

    Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku derisa pohon se është më se e domosdoshme që qytetarët ta kenë këtë shërbim, thotë se janë në pritje të ligjit të ri për shëndetësi.

    Në një prononcim për KosovaPress, Kollçaku potencon se ka mjekë që janë të gatshëm për të kryer transplantimin e organeve.

    “Ne jemi në pritje të ligjit të ri për shëndetësinë për të krijuar vërtetë të gjitha parakushtet, për të filluar edhe me transplantim të organeve. Mirëpo, deri tani ka munguar, se duhet përgatitur institucionet dhe ekspertët për këtë çështje. Ne kemi ekspertë, kemi mjekë që janë të gatshme por është dashur që të përgatitet edhe baza ligjore edhe kushtet për fillim. Unë besoj që shumë shpejtë si Kosovë ne do ta rregullojmë këtë çështje. Është më se e domosdoshme që qytetarët tanë ta kenë këtë shërbim këtu”, thotë Kollçaku.

    Kujtojmë se nismën për këtë ligj e kishte marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Në vitin 2013, ish-ministri shtyu përpara projektligjin për transplantimin e organeve, që lejonte operacionet edhe në klinikat private, por që u tërhoq me sugjerimin e ndërkombëtarëve.

    Ani pse janë ndërruar disa ministra, miratimi i këtij ligji vazhdon të jetë në proces.

    Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPres,s thotë se grupi punues ka hartuar draftin fillestar për këtë ligj dhe se pritet të finalizohet në fund të qershorit .

    MSh-ja thotë se me miratimin e këtij koncept dokumenti do të hapet rruga për hartimin e Projektligjit për Transplantimin e Organeve, i cili është paraparë për vitin 2025.

    “Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim 2024 – 2026 ka paraparë hartimin e koncept dokumentit për transplantim të organeve.Për hartimin e këtij koncept dokumenti është themeluar grupi punues, i cili ka hartuar draftin fillestar dhe pritet të finalizohet deri në fund të Qershorit.Me miratimin e këtij koncept dokumenti do të hapet rruga për hartimin e Projektligjit për Transplantimin e Organeve, i cili është paraparë për vitin 2025”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

  • “Jam fajtor”, fjalët e Julian Assange në gjykatë përpara se të lirohej

    “Jam fajtor”, fjalët e Julian Assange në gjykatë përpara se të lirohej

    Themeluesi i WikiLeaks u emocionua teksa u dha dënimi përfundimtar, duke i dhënë fund rrugëtimit të tij të jashtëzakonshëm

    “Emri im është Julian Paul Assange”.

    Me këtë, themeluesi i WikiLeaks shqiptoi fjalët e para që gazetarët dhe mbështetësit e mbledhur i kishin dëgjuar prej tij, pasi kishte filluar kapitulli i fundit – dhe ndoshta përfundimtari – i jashtëzakonshëm në betejën e tij ligjore, raporton The Guardian.

    Në një gjykatë me panele druri, rrëzë një kodre të harlisur në bregun e Saipanit, Assange priti tri orë të një seance dëgjimore që do ta shihte atë të deklarohej fajtor për shkeljen e ligjit të spiunazhit të SHBA-së, në një marrëveshje që do ta lejonte atë të ribashkohej me familjen e tij në Australi,.

    Teksa hyri në gjykatë nën një qiell blu flakërues, Assange nuk mori asnjë pyetje nga mediat e shumta – shumë prej të cilëve kishin fluturuar mijëra kilometra drejt këtij vendi të largët amerikan me 40,000 njerëz në Ishujt Mariana Veriore. Njëri pyeti nëse atij i pëlqente më shumë moti në Saipan apo në Londër.

    Kryegjyqtarja Ramona V Manglona hapi procedurën. Ajo theksoi se salla e gjyqit ishte e mbushur në mënyrë të pazakontë dhe i kërkoi Assange të konfirmonte atë që kishte bërë dhe pse po e pranonte fajin.

    Assange u përgjigj se duke punuar si gazetar ai kishte inkurajuar një burim për të ofruar informacion të klasifikuar dhe besonte se amendamenti i parë e mbronte atë aktivitet. Ai tash po pranonte se në fakt ishte një shkelje e aktit të spiunazhit të SHBA-së.

    I pyetur përsëri nëse ai po e pranonte fajin sepse ai është “në fakt fajtor për atë akuzë”, Assange bëri një pauzë të gjatë, përcjell Gazeta Express.

    “Jam” tha ai.

    Ndërsa seanca e paprecedentë vazhdoi, gjyqtarja theksoi se koha e mbajtjes së saj ishte kyçe për rezultatin e saj.

    “Nëse ky rast do të paraqitej para meje diku afër vitit 2012, pa përfitimin e asaj që di tani, se ju keni vuajtur një periudhë burgimi… në dukje një nga objektet më të rënda në Mbretërinë e Bashkuar… nuk do të isha aq e prirur ta pranoja këtë marrëveshje për pranimin e fajësisë para meje”, tha ajo.

    “Por është viti 2024”.

    Manglona deklaroi se do t’i pranonte kushtet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë së arritur midis Assange dhe qeverisë së SHBA-së. Assange u ftua të qëndronte para saj dhe ta merrte dënimin e tij, me kohën e vuajtur tashmë në një burgun britanik që do të thotë se ai do të lirohej menjëherë, pa periudhë mbikëqyrjeje.

    “Me këtë deklaratë duket se do të mund të dilni nga kjo sallë gjyqi si një njeri i lirë. Shpresoj se do të rivendoset pak paqe”, tha Manglona.

    Themeluesi i WikiLeaks u shfaq emocional teksa ia tundi kokën gjyqtares, duke pranuar vendimin.

    “Duket se ky rast përfundon me mua këtu në Saipan”, vazhdoi Manglona, ​​duke e pyetur nëse i kuptonte të gjitha detajet e marrëveshjes.

    Assange u përgjigj, me zë pak të ngjirur: “Po.”

    Ai shtrëngoi kravatën dhe mbajti syzet në dorë ndërsa gjyqtarja po ia kumtonte formalitetet e fundit.

    “Me këtë… zoti Assange me sa duket është një ditëlindje e hershme e lumtur për ju”, tha ajo.

    “Shpresoj se do ta filloni jetën tuaj të re në një mënyrë pozitive”.

    Ndërsa Assange përqafoi avokatët e tij, shtrëngoi duart e atyre që e kishin përcjellur dhe firmoste autografe për mbështetësit, ai filloi të përlotet.

    Përpara Paqësorit shkëlqyes, pranë një plazhi ku kotele endacake vraponin mes pemëve, një sagë ligjore 14-vjeçare mori një fund befasues dhe të papritur.

  • Deputeti i “Junts” në Parlamentin spanjoll: Kosova është shtet i pavarur, Qeveria e Spanjës duhet ta njohë

    Deputeti i “Junts” në Parlamentin spanjoll: Kosova është shtet i pavarur, Qeveria e Spanjës duhet ta njohë

    Eduard Pujol Bonell, Grupi “Bashkë për Kataluninë” (Junts), i cili e prezantoi dje pikën për njohjen e Kosovës në Parlamentin e Spanjës, para deputetëve ka deklaruar se duhet të tregohet pjekuri në këtë aspekt.

    Ai para deputetëve theksoi se Kosova duhet të njihet, sepse është shtet demokratik dhe sovran.

    “Junts propozon që Qeveria spanjolle të njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Por ne po pyesim edhe se kush prej ju është pro njohjes së Kosovës. Ne kërkojmë nga ju të tregoni pjekuri dhe maturi në këtë çështje dhe të zbatoni bindjet demokratike tuajat”.

    Siç transmeton Klan Kosova, deputeti Bonell ka thënë se “shteti i spanjoll duhet ta njohë Kosovën, sepse Kosova është shtet legal dhe demokratik që e shpalli pavarësinë e vet. Drejtësia nuk duhet të jetë një mjet pazari. Ku është Palestina? Palestina është primare e Kosova në rend të dytë? A po flasim për këtë drejtësi?”.

    Ndërsa, deputetja socialiste nga partia e kryeministrit Sanchez, Obdulia Tbaoadela Alvarez, ka thënë se pozicioni i Qeverisë së Spanjës sa i përket pavarësisë së Kosovës është i njohur dhe s’ka ndryshuar.

    “Pozicioni është publik dhe i njohur. Spanja mbanë pozicionin e saj mosnjohjes për Kosovën”, ka thënë ajo në Parlamentin e Spanjës.

    Ajo ka thënë se ndonëse vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, Spanja angazhohet për një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë, edhe sot po vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kjo është seanca e tretë për këtë javë, teksa pritet të mbahet edhe një tjetër nesër.

    Seanca është njoftuar të nisë në ora 09:00.

    Të enjten e javës së kaluar, Dhomat e Specializuara njoftuan se Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu është vazhduar masa e paraburgimit.

    Në një konferencë për media, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, tha se Trupi Gjykues konstatoi se për të dy të akuzuarit ekziston ende rreziku që të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera.

  • Përfshihet nga zjarri objekti në ndërtim i QKMF-së në Lipjan

    Përfshihet nga zjarri objekti në ndërtim i QKMF-së në Lipjan

    Është përfshirë nga zjarri objekti në ndërtim i Qendrës Urgjente dhe Mjekësisë Familjare në Lipjan, raporton ATVlive.

    Derisa ende nuk dihet shkaktari i zjarrit, nuk raportohet për persona të lënduar.

    Kujtojmë se gurthemeli për ndërtimin e QKMF-së në Lipjan u vu në dhjetor të vitit 2023, derisa punimet ishin planifikuar të përfundonin në 2025-tën.

  • Takimi në Bruksel, Lajçak: Gjithçka është gati, shpresoj që Kurti e Vuçiq do të vijnë me vizion

    Takimi në Bruksel, Lajçak: Gjithçka është gati, shpresoj që Kurti e Vuçiq do të vijnë me vizion

    Emisari special i BE-së, Miroslav Lajcak ka thënë se javën e fundit ia ka kushtuar përgatitjeve të thella për takimin që do të mbahet sot mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Lajcak tha se gjithçka është gati për këtë takim.

    “Me takimin e nivelit të lartë të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër, javën e fundit ia kam kushtuar përgatitjeve të thella. Kam vizituar Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar qëllimin e këtij takimi – të shqyrtohen të arriturat dhe të planifikohen hapat e ardhshëm, veçanërisht në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, ka shkruar ai në Facebook.

    Tutje, emisari special shpreson që Kurti dhe Vuçiq, në takimin e nesërm do të shkojnë me vision dhe kurajë politike.

    “Bisedat tona ishin të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme për procesin e normalizimit. Unë gjithashtu bëra një ndalesë të shpejtë në Greqi për të diskutuar perspektivën e pranimit të Ballkanit Perëndimor në Konferencën e Paqes dhe Rritjes së Qëndrueshme në Athinë. Gjithçka është vendosur për nesër dhe ne shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, ka shtuar ai.