ATV

Category: Lajme

  • Për një muaj diaspora solli rreth 120 milionë euro në Kosovë

    Për një muaj diaspora solli rreth 120 milionë euro në Kosovë

    Rreth 120 milionë euro është vlera preliminare e dërgesave të mërgatës që janë sjell në Republikën e Kosovës për muajin maj 2024.

    Kështu thuhet në statistikat e remitencave dhe institucioneve të tjera financiare (jobanka) për muajin maj 2024 të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për pesë muaj, sipas vlerësimeve preliminare, ka arritur në 513.99 milionë euro.

    Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitencave ishin nga institucionet financiare jobankare (IFJB) me pjesëmarrje prej 56.31%, pasuar nga kanalet e tjera me 23.34% dhe bankat me 14.98%.

    Për sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 318.62 milionë euro, duke shënuar rritje prej 1.62 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

    Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.90 miliardë eurove, e dominuar nga Letrat me Vlerë të Kapitalit me 78.14% të gjithsej aseteve.

    Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë në fund të muajit maj 2024 janë rritur për 11.42 milionë euro, duke arritur vlerën e 583.67 milionë eurove.

  • Maqedoni e Veriut: Një pjesë e vendit është përfshirë nga zjarret, një pjesë nga reshje të rrëmbyeshme

    Maqedoni e Veriut: Një pjesë e vendit është përfshirë nga zjarret, një pjesë nga reshje të rrëmbyeshme

    Katër zjarre në ambiente të jashtme dhe disa ndërhyrje të lehta ka regjistruar në 24 orët e fundit Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) në Maqedoninë e Veriut.

    Prej atje njoftojnë se përmes numrit të vetëm të emergjencës 112 janë marrë njoftime për dëme të shkaktuara nga stuhia që ka përfshirë rajonin Shën Nikollës dhe Negotinës.

    Në 24 orët e kaluara ka pasur zjarre përballë kazermës së Prilepit ku digjej bimësi e ulët, në Strumicë, në Valandovë dhe në disa vende tjera ku është djegur bimësi e ulët.

    Stuhia që ka goditur dje rajonin e Shën Nikollës ka shkaktuar dëme sidomos në afërsi të fshatit Kadrifakovë.

    QMK njoftoi se kishte marrë raporte për dëme. Në vendngjarje janë dërguar ekipe të policisë, Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtje dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistare dhe Rajonale, zjarrfikëset nga NJTKZ Shën Nikollë si dhe nga QKM, ndërsa pasojat e stuhisë janë sanuar.

  • Para përballjes me Kurtin, Vuçiq takohet me Varhelyin në Bruksel

    Para përballjes me Kurtin, Vuçiq takohet me Varhelyin në Bruksel

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar në Bruksel Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi

    Pak para përballjes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas mbi 9 muajsh, kreu i shtetit serb ka takuar drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Gert Jan Kopman.

    Kreun e shtetit serb, e pret edhe një takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

    Kujtojmë se sot në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillohet raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi.

  • Murati i reagon opozitës: 442 mijë e 383 llogari aktive ishin vjet në Trust

    Murati i reagon opozitës: 442 mijë e 383 llogari aktive ishin vjet në Trust

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur opozitës me disa statistika të Trustit, sa i përket punësimit.

    Murati ka thënë se numri i llogarive aktive në vitin 2023 ka qenë 442 mijë e 383, e që thotë se është indikatori më i mirë dhe që demanton opozitën.

    Krahasuar me vitin 2022, figuron se numri i llogarive është rritur për rreth 13 mijë e 500.

    “Sipas raportit vjetor të Trustit, numri i llogarive aktive në vitin 2023, pra llogarive që kanë paguar kontribute, ka qenë 442,383. Zakonisht e kemi dëgjuar opozitën të kontestojë shifrat e ATK-së dhe ASK-së, me pretendimin që nuk janë të sakta, dhe se numri i llogarive aktive në Trust është indikatori më i mirë. Pa hyrë në diskutime se cili indikator është më i saktë, ja edhe numrat e Trustit, që edhe kësaj radhe demantojnë opozitën”, ka shkruar Murati.

    Lidhur me numrin e llogarive për vitin 2019 dhe 2021, Murati ka dhënë një sqarim.

    “PS. Në vitet 2019 dhe 2021 ka pasur zgjedhje, prandaj edhe numrat e llogarive aktive në Trust mund të jenë më të fryra në këto dy vite meqenëse ka një numër të konsiderueshëm të vëzhguesve e komisionerëve që raportohen si llogari aktive”, ka shkruar Murati.

  • Komandanti i KFOR-it i shkon për vizitë Hysenit, flasin për sigurinë e dialogun

    Komandanti i KFOR-it i shkon për vizitë Hysenit, flasin për sigurinë e dialogun

    Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, është takuar me komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutash.

    Në takim është diskutuar për sigurinë, aktivitetet e KFOR-it dhe mbështetjen ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    I pari i Gjilanit, tha se kishte nderin që të pres për vizitë shefin e misionit të NATO-s në Kosovë.

    “Bashkëbiseduam për tema e çështje të ndryshme, nga siguria në vendin tonë e deri te përvojat e ndryshme të gjeneralit Ulutaș”, tha Hyseni.

    Kryetari i Gjilanit, shtoi se bashkëpunimi me KFOR-in vazhdon të jetë esencialisht i nevojshëm për sigurinë e regjionit dhe Ballkanit.

    Më tej, ai shtoi se janë për siguri, paqe dhe jetë të qetë, për të gjithë pa dallim në Kosovë.

    Nga ana tjetër , Ulutash theksoi angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it në mbështetje të stabilitetit rajonal.

  • ​Vendimi i Kushtetueses për Pagën Minimale, veteranët paralajmërojnë protesta kundër Qeverisë

    ​Vendimi i Kushtetueses për Pagën Minimale, veteranët paralajmërojnë protesta kundër Qeverisë

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Klinaku ka paralajmëruar protesta kundër pushtetit të Kurtit, i cili sipas tij, po punon kundër veteranëve të UÇK-së.

    “Qëndrimet tona se do t’i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme.”-ka shkruar ai.

    Kujtojmë se sot gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale i cili nuk i përfshin pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së.

    Sipas njoftimit, Kushtetuesja e ka vlerësuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit dhe nëntë deputetëve të tjerë, ku konstatoi se neni 2 i Ligjt për Veteranët e Luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim më Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartëri të Pagës Minimale.

  • ​BE-ja pret që Qeveria e Mickoskit të respektojë Marrëveshjen e Prespës

    ​BE-ja pret që Qeveria e Mickoskit të respektojë Marrëveshjen e Prespës

    Ndryshimet kushtetuese dhe respektimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të jenë në fokus të qeverisë së re. Zëdhënësja e Komisionit Evropian thotë se do të bashkëpunojnë edhe me qeverinë e Mickoskit në përmbushjen e reformave kyçe të nevojshme për lëvizjen e Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane, por me një mesazh të qartë që pritet nga vendi.

    “Mesazhi është shumë i qartë, Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë sa më shumë momentumin që ekziston për zgjerimin për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Këshilli Evropian e ka bërë të qartë se çfarë pret nga Maqedonia e Veriut, kjo natyrisht i referohet edhe ndryshimeve kushtetuese për të cilat Maqedonia e Veriut është zotuar për të avancuar në rrugën drejt BE-së. Na vjen keq për mospërdorimin e emrit kushtetues nga disa prej liderëve të Maqedonisë së Veriut, është obligim i marrë nga Marrëveshja e Prespës. Është e qartë se të gjitha palët duhet të respektojnë dispozitat e marrëveshjes dhe t’i zbatojnë ato me mirëbesim”, thotë Anna Pisonero.

    Ish-kryeministri grek Tsipras, i cili pardje kryesoi Komitetin për Ballkanin Perëndimor të Këshillit të Evropës, kërkon që komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht Bashkimi Evropian të shprehin qartë pasojat e mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës në rajon dhe veçanërisht për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

    “Lufta kundër nacionalizmit dhe destabilizimit në rajon duhet të bëhet në mënyrë aktive, dhe kjo në radhë të parë nënkupton mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës dhe një rol dinamik diplomatik të BE-së në Ballkanin Perëndimor para se ajo të humbasë plotësisht kredibilitetin e saj. Komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja duhet të shprehin qartë pasojat që do të ketë mosrespektimi i Marrëveshjes në rajon dhe veçanërisht në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, tha Tsipras.

    Për kryeministrin Mickoski, përdorimi i mbiemrit “e Veriut” është çështje e mbyllur. Mbetet i qëndrimit se Marrëveshja e Prespës do të respektohet vetëm në kontekst zyrtar, qëndrim që u mirëprit edhe nga Departamenti i Shtetit.

    Në një periudhë të acarimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, takimi i parë mes Mickoskit dhe Mitsotakis pritet në samitin e NATO-s në Washington nga 9 deri më 11 korrik./ALSAT.M/

  • Kërcënohet gazetari Vullnet Krasniqi

    Kërcënohet gazetari Vullnet Krasniqi

    Gazetari Vullnet Krasniqi është kërcënuar nga një qytetar në TikTok. Për rastin ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka thënë se është jashtëzakonisht i shqetësuar.

    “Unë jam në Prishtinë, dhëmbët kam me t’i shkulë me dane, kam me ta q* f*miljen, këtu kam me ta rrasë plumbin…Ta di adresën ku e ke saktë, ta dish, të banesës, mos shko në katund, mos thirr polici…”, dëgjohet ndër të tjera duke thënë personi në video.

    Gazetari Krasniqi ka njoftuar se është duke e raportuar kërcënimin në Policinë e Kosovës.

    AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë ta lokalizojë kërcënuesin dhe t’ia ofrojë gazetarit mbrojtjen e duhur.

  • Sulmi terrorist në Banjskë, tre të dyshuarve iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj

    Sulmi terrorist në Banjskë, tre të dyshuarve iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ashtu që ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe nga dy muaj (secilit veç e veç) tre të dyshuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

    Lajmin e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Betimi për Drejtësi.

    Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq gjenden nën masën e paraburgimit nga data 26 shtator 2023.

    Ata dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në Banjskë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    E vetë Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

  • Beogradi thotë se Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për festën e Vidovdanit

    Beogradi thotë se Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për festën e Vidovdanit

    Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha të mërkurën se drejtorit të saj, Petar Petkoviq, i është ndaluar vizita në Kosovë për “të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.

    “Që një vit e gjysmë, Petkoviqit është duke iu ndaluar dhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në provincë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina”, tha Zyra serbe në një njoftim.

    Ajo tha se vizita e tij u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.

    Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk kanë dhanë ndonjë njoftim.

    Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

    Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

    Zyra serbe e akuzoi Kurtin se me ndalimin e Petkoviqit “deshi të tregonte se nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve”, në ditën kur ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ndodhen në Bruksel për një takim të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

    Vitin e kaluar, qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

    Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe – thuhej se komuniteti serb në Kosovë ishte “i ekspozuar ndaj dhunës”.

    Vitin e kaluar, Vidovdani nuk u festua në Gazimestani, pasi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe vendosën ta mbajnë atë në Manastirin e Graçanicës për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

    Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

    Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

    Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar./REL/