ATV

Category: Lajme

  • ​Vendimi i Kushtetueses, Haxhiu e ashpër: Beteja për reforma vazhdon, byroja do të bëhet

    ​Vendimi i Kushtetueses, Haxhiu e ashpër: Beteja për reforma vazhdon, byroja do të bëhet

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Byronë për Verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

    Në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por që beteja për reforma do të vazhdojë dhe se byroja do të bëhet.

    Haxhiu ka shtuar se PDK e dërgoi në Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën në drejtësi. Ajo tha se arsyet për këtë i kanë të qarta të gjithë.

    E para e Ministrisë së Drejtësisë tha se Kushtetueses iu deshën 16 muaj për të vlerësuar përputhshmërinë e këtij projektligji. Ajo shtoi se 5 nga 9 gjyqtarët vendosën që “Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm.”

    Ajo ka thënë se kanë inkorporuar secilin rekomandim të Komisionit të Venediktit.

    “Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut.”

  • Nisin takimet në Bruksel, fillimisht Kurti-Borrell

    Nisin takimet në Bruksel, fillimisht Kurti-Borrell

    Në Bruksel tashmë ka nisur fillimisht, takimi bilateral BE-Kosovë, përkatësisht i shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe kryeministrit Albin Kurti.

    Pas këtij, pritet të ketë një takim tjetër, ai i shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

  • BE-ja për Projektligjin për Zyrtarët Publik, KPK-në dhe KPM-në: S’janë marrë parasysh komentet tona

    BE-ja për Projektligjin për Zyrtarët Publik, KPK-në dhe KPM-në: S’janë marrë parasysh komentet tona

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka shprehur keqardhje për tri projektligjet që priten të votohen nesër në lexim të dytë. Sipas BE-së, Projektligji për Zyrtarët Publikë, ai i Komisionit të Pavarur për Media dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e BE-së që synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, raporton EO.

    Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, BE e konsideron shqetësues faktin se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që i ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi.

    “Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil. Veçanërisht, është shqetësues fakti që projektligji e mban edhe dispozitën e diskutueshme “viti zero”, e cila përcakton se me hyrjen në fuqi të ligjit fillon edhe mandati i parë i shërbimit për nëpunësit civilë në detyrë dhe zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm, pasi që kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”, thuhet në komunikatë.

    Gjithashtu, versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media sipas BE-së nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës.

    “Lidhur me projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja shpreh keqardhjen që Kosova nuk kishte kërkuar një opinion përcjellës nga Komisioni i Venecias, përkundër faktit se me vendosjen e Komisionit Para-Zgjedhor plotësim/ndryshimet parashikojnë një strukturë të re institucionale për emërimin e anëtarëve jo prokuror. Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”, thuhet më tej në komunikatë.

    “BE-ja në Kosovë vëren se këto projektligje janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vlerësimi i përafrimit me standardet evropiane do të jetë gjithashtu vendimtar për vlerësimin e progresit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit. Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’ rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme. Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve”, përfundon komunikata.

  • Borrell: Jemi takuar shumë herë me Kurtin e Vuçiqin është koha të zbatohet Marrëveshja Bazike

    Borrell: Jemi takuar shumë herë me Kurtin e Vuçiqin është koha të zbatohet Marrëveshja Bazike

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka folur përpara takimit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

    Borrell tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar shumë herë vitin e kaluar, e që sipas tij, në disa çështje, diskutimet kanë qenë intensive, por u ankua se shumë herë është dashur të merren me menaxhim të krizave.

    “Ne jemi takuar shumë herë vitin e kaluar. Në disa çështje, diskutimet kanë qenë intensive. Në pothuajse në të gjitha takimet në maj, në qershor, në shtator, ne më së shumti jemi fokusuar në menaxhimin e krizave. Disa ngjarje na kanë gjetur shumë të zënë duke u përpjekur për të gjetur zgjidhje për krizat e përditshme”.

    “Në muajt e ardhshëm do të jenë emra të rinj në pozitat tona, por marrëveshjet dhe pritshmeritë e BE-së nuk do të ndryshojnë. Përgjegjësitë nga marrëveshjet për Kosovën dhe Serbinë nuk do të ndryshojnë. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të Bashkimit Evropian në angazhimin në Ballkanin Perëndimor”, tha Borrell.

    Më tej, kryediplomati evropian tha se nga takimi i sotëm pret që më në fund të lëvizet përpara me Marrëveshjen Bazike, teksa tha se çka është arritur deri më tani, duhet të implementohet.

    “Shpresoj që sot definitivisht do të diskutojmë se si më në fund do të lëvizim përpara bazuar në këtë marrëveshje. Për këtë do të diskutojmë hapat e ardhshëm dhe është e qartë se çka është arritur duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza, por implementimi duhet t’i ndjek marrëveshjet. Sot do të punojmë në hapat konkretë për këtë implementim për t’i tejkaluar krizat e çdo ditshme me angazhim të plotë në këtë proces të normalizimit”, tha ai.

  • Kushtetuesja rrëzon Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë

    Kushtetuesja rrëzon Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë

    Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton EO.

    Në një njoftim për vendimin, Kushtetuesja ka thënë se pesë nene të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

    Në fund, Kushtetuesja e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi këtë ligj. Vendimin e ka marrë me pesë vota pro dhe katër kundër.

    Ligji ishte dërguar për vlerësim në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

    “Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.1 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me nenin 106 [Papajtueshmëria] të Kushtetutës; (v) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 1.2 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.4 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe paragrafin 3 të nenit 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L- 121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.”

  • Vuçiq nga Brukseli: Nuk pres asgjë nga takimi me Kurtin

    Vuçiq nga Brukseli: Nuk pres asgjë nga takimi me Kurtin

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk pret asgjë nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sot në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.

    Ai, pas takimit me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, theksoi se nga Kurti i pret fjalët e njëjta që do t’i thotë edhe pas takimit.

    “Pres që ai të dramatizojë dhe të bërtasë, ndërsa unë i them të mos qetësohet. Pastaj ai do të dalë dhe do të thotë se çfarë ka bërë ‘Putini i vogël’, asgjë e re”, tha Vuçiq për Kurtin, shkruan B92.

  • Antidroga në aksion, shkatërrohen 28 bimë të kanabisit në rajon të Gjilanit

    Antidroga në aksion, shkatërrohen 28 bimë të kanabisit në rajon të Gjilanit

    Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjilan, pas dyshimeve se një person i dyshuar mashkull kosovar është duke kultivuar bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore, të cilat kanë rezultuar me kryerjen e një bastisje dhe gjetjen e një sasie të bimëve të lartcekura.

    Me datën 26.06.2024 DHTN – Gjilan pas njoftimit të prokurorit kompetent dhe urdhrit verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake kanë kryer një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar nga fshati Mogillë – Kllokot, ku gjatë kësaj bastisje rreh 100 metra larg shtëpisë së tij, është gjetur një serrë (kopsht), në të cilën i njëjti dyshohet se kishte mbjellë rreth 28 bimë të shkurres së bimës Kanabis Sativa në gjatësi rreth 3 metra.

    Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Forenzikës për procesim të vendit të ngjarjes, ku edhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 3 bimë (mostra), ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit sasia tjetër është asgjësuar në vendin e ngjarjes përmes procesit të djegies, ku edhe është bërë “procesverbali mbi shkatërrimin e bimëve narkotike të llojit Kanabis Sativa“.

    Në konsultim me prokurorin kompetent i njëjti ka urdhëruar që pas intervistimit të të dyshuarit i njëjti të ndalohet për 48 orë, derisa njësitë përkatëse policore po vazhdojnë me procedurat e mëtejme hetimore.

  • Von der Leyen: Udhëheqja dhe përvoja e Rutte janë vendimtare për NATO-n

    Von der Leyen: Udhëheqja dhe përvoja e Rutte janë vendimtare për NATO-n

    Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha sot se udhëheqja dhe përvoja e kryeministrit holandez Mark Rutte, i cili u zgjodh si Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s, është i një rëndësie kyçe për Aleancën në këto kohë sfiduese.

    Ajo uroi Ruten dhe theksoi se mezi të punojnë së bashku.

    “Mezi pres të punoj me ju për të forcuar më tej partneritetin BE-NATO”, shkroi von der Leyen në rrjetin X.

  • Një pusetë tjetër e hapur i rrezikon banorët e kësaj lagje të Prishtinës

    Një pusetë tjetër e hapur i rrezikon banorët e kësaj lagje të Prishtinës

    Pusetat e hapura në shumë lagje të kryeqytetit po paraqesin rrezik për qytetarët.

    Në rrugën “Ukshin Kovaqica” e cila lidhet me rrugën “Muharrem Fezja”, është një e tillë.

    Një qytetar i ka thënë Insajderit se pas reshjeve të fundit është kjo gjendje, ku shihet puseta e hapur.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme një vajzë ka rënë në pusetë. Ngjarja ka ndodhur në qendër të Prishtinës saktësisht tek “Neë Born”.

    Menjëherë pas raportimeve mediale, Komuna e Prishtinës u vu në lëvizje. Thanë se po shkojnë ta rregullojnë këtë problem.

  • Publikohet agjenda e re e takimeve Borrell – Kurti – Vuçiq

    Publikohet agjenda e re e takimeve Borrell – Kurti – Vuçiq

    Bashkimi Evropian në faqen zyrtare ka publikuar orare tjera të takimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Takimet, që fillimisht ishin planifikuar për orën 15:00, do të nisin nga ora 16:30.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të takojë fillimisht kryeministrin Albin Kurti nga ora 16:30, ndërsa gjysmë ore më pas do të zhvillojë takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i përbashkët trepalësh është planifikuar të nisë në orën 18:00 dhe pas këtij takimi Borrell do të deklarohet për media.

    Kryeministri Kurti tashmë ka udhëtuar për në Bruksel.

    “Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e BE-së për takimin e sotëm.

    BE tha se do të ketë deklarata për mediat nga kryediplomati Borrell përpara dhe në fund të takimeve.