ATV

Category: Lajme

  • 30 mijë euro i ndau shteti për trajtimin shëndetësor të Ganimete Musliut në Gjermani

    30 mijë euro i ndau shteti për trajtimin shëndetësor të Ganimete Musliut në Gjermani

    Fondi i Sigurimeve Shëndetësore e ka ndihmuar deputeten Ganimete Musliu me 30 mijë Euro për trajtim në Gjermani.

    Fondi i Sigurimeve Shëndetësore e ka ndihmuar deputeten Ganimete Musliu me 30 mijë Euro për trajtim jashtë vendit për shkak të një problemi shëndetësor.

    Në vendimin e Bordit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike më datë 21 dhjetor të vitit të kaluar, thuhet se Musliu kishte aplikuar përmes procedurës së rregullt më datën 3 prill. Aplikimi sipas këtij dokumenti u bë me arsye se trajtimi i nevojshëm nuk mund të ofrohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Gazeta i ka dërguar pyetje deputetes Musliu pse nuk i është dhënë mundësia për trajtim në QKUK por ajo nuk ka kthyer përgjigje edhe pas më shumë se një jave. Përgjigje nuk i kanë kthyer gazetës as nga menaxhmenti i SHSKUK-së/QKUK-së.

    Pasi e mori vendimin nga FSSH, deputetja Musliu pati udhëtuar për në Gjermani më 18 shkurt të këtij viti për trajtim në një spital.

    Gazeta Shneta posedon vendimin e plotë ku bëhet e ditur edhe diagnoza e cila me të njëjtin emër nuk gjendet në listën e diagnozave në Udhëzimin Administrativ 03/2023 për trajtim jashtë institucioneve publike.

    Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk i kanë dhënë sqarime gazetës për këtë rast.

  • Krasniqi: Miratimit i Deklaratës Kushtetuese mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë

    Krasniqi: Miratimit i Deklaratës Kushtetuese mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në 34-vjetorin e Miratimit të Deklaratës Kushtetuese për Kosovën më 2 korrik 1990, tha se kjo datë është një ndër vendimet më të rëndësishme politike e historike të shprehjes së vullnetit të popullit tonë për çlirim dhe pavarësi, përmes një akti politiko-juridik.

    “Kjo deklaratë, që mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë, i parapriu hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, si dhe proceseve tjera në përpjekjet e gjata të shtet-formimit dhe shtet-ndërtimit të Kosovës”.

    “Mirënjohje për të gjithë delegatët, të cilët përmes kësaj deklarate demonstruan guxim dhe maturi politike duke e shpallur Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me të gjitha Republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ndonëse ndërtesa e Kuvendit ku ata ishin mbledhur, ishte e rrethuar nga policia serbe”, shkroi Krasniqi në postimin e tij në Facebook.

  • Kryeministri hungarez në Ukrainë, vizita e parë e aleatit kryesor të Rusisë në BE që nga fillimi i luftës

    Kryeministri hungarez në Ukrainë, vizita e parë e aleatit kryesor të Rusisë në BE që nga fillimi i luftës

    Gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainën fqinje që nga pushtimi i plotë i Rusisë, kryeministri hungarez Viktor Orban i tha presidentit Volodymyr Zelensky të martën se lufta në vazhdim ishte “çështja më e rëndësishme për Evropën”.

    I njohur si aleati më i afërt i presidentit rus Vladimir Putin në Bashkimin Evropian , vizita e Orbanit ishte një gjest i rrallë në një marrëdhënie të trazuar midis dy vendeve pasi Budapesti ka thyer vazhdimisht rangjet me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian dhe ka anuar drejt Moskës, shkruan AP.

    Kryeministri hungarez ka bllokuar, vonuar ose zbutur në mënyrë rutinore përpjekjet e BE-së për të zgjeruar ndihmën ndaj Ukrainës dhe për të sanksionuar Moskën për luftën e saj, duke irrituar si Zelenskyy-n ashtu edhe liderët e tjerë të BE-së.

  • “Mos ma merr djalin, m’duhet me shitë shalqinj”, kjo ishte kërkesa e babait të Ylber Ramadanit në fillim të karrierës

    “Mos ma merr djalin, m’duhet me shitë shalqinj”, kjo ishte kërkesa e babait të Ylber Ramadanit në fillim të karrierës

    Ylber Ramadani, ishte në mesin e lojtarëve të Shqipërisë që paraqitjet e tij u vlerësuan lartë, me saktësinë më të lartë të pasimeve dhe me më së shumti pasime të kompletuara.

    Në një intervistë eksluzive në “LIBERO”, ai tregoi për gjitha vështirësitë financiare që përjetoi gjatë rrugëtimit futbollistik, derisa theksoi se në fillimet e karrierës nuk e kishte përkrahjen as të babait të tij.

    “…Babait i dukej që po hargjoj shumë kohë në futboll. Kushtet tona ekonomike kanë qenë shumë të vështira. Ai donte fuqi punëtore… Më përpara kemi mbjellë perime dhe fruta dhe ato i shisnim në pazar në Ferizaj, Prishtinë, Fushë Kosovë…”, theksoi Ramadani.

    Vlen të theksohet se Ramadani, karrierën e filloi me KF Ferizaj në sezonin 2013-14, ndërsa në vitin 2023, u transferua në ekipin Lecce të Italisë, në të cilin luan edhe tani si mesfushor defanziv!

    Gjatë emisionit në “LIBERO” ekskluzivisht  u prononcuan nëpërmjet lidhjeve direkte dy njerëzit më kontributdhënës në karrierën e Ylber Ramadanit, ish-presidenti i KF Ferizaj Heset Quza dhe ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës Bylbyl Sokoli, gjithashtu edhe bashkëlojtari i tij Taulant Dajaku dhe babai i tij Latif Ramadani, të cilët thanë shumë të pathëna e gjithashtu e sfiduan Ramadanin (edhe) me disa pyetje.

    Në linkun e mëposhtëm, mund ta ndiqni intervistën e plotë të Ylber Ramadanit:

     

  • Më pak çifte të kurorëzuar në vitin 2023 sesa një vit më parë

    Më pak çifte të kurorëzuar në vitin 2023 sesa një vit më parë

    Në vitin 2023, janë regjistruar 18 mijë e 493 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre kurorëzimeve të regjistruara, 16 mijë e 978 kurorëzime kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, kurse kurorëzime të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 515.

    “Krahasuar me vitin paraprak (2022) që ishin 17 863, në vitin 2023 janë kurorëzuar 16 978 apo (4.95 %) persona më pak”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Kurse sipas raportit, jashtë Kosovës janë regjistruar 1 515 Kurorëzime. Krahasuar me vitin 2022 (1627 Kurorëzime), në vitin 2023 janë Kurorëzuar 1 515 apo (6.9 %) më pak qifte.

    Nga të dhënat statistikore, shihet se Kurorëzime (brenda Kosovës), janë regjistruar më pak në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, gjithashtu (jashtë Kosovës) kemi numër me te vogël të qifteve të kurorëzuar në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022.

    Sipas komunës ku ka ndodhur ngjarja, në Prishtina janë regjistruar më së shumti kurorëzime 1 mijë e 727 apo 9,3%, në Prizren me 1 mijë e 597 apo 8,6% , në Ferizaj 1 mijë e 102 apo 6.0%, etj.

    Personat e kurorëzuar sipas grup-moshës në vitin 2023, më së shumti raste ka te meshkujt e grupmoshes 25-29 ne vendin e dyt grupmoshat 30-34 dhe ne vendin e tretë grupmoshat 20-24,ndërsa tek femrat më së shumti raste të kurorëzimeve ka grup-mosha 20-24, vendin e dytë grup-mosha 25-29 si dhe vendin e tretë grup-mosha 30-34.

    Mosha mesatare e personave të kurorëzuar, të regjistruar gjatë vitit 2023 ishte 30 vjeç.

  • ​KEK-u del me njoftim pas protestës së banorëve të Shipitullës për shpronësimin e tokave

    ​KEK-u del me njoftim pas protestës së banorëve të Shipitullës për shpronësimin e tokave

    Korporata Energjetike e Kosovës pas protestës së banorëve të fshatiti Shipitullë të Komunës së Obiliqit ka dal me njoftim lidhur me shpronësimet e tokave.

    “Korporata Energjetike e Kosovës.. përsëri njofton banorët përreth fushës së operimeve të cilët përmes protestave po shprehin pakënaqësitë e tyre rreth procesit të shpronësimit, se përvetësimi i tokës për nevoja xehetare (përmes Zhvendosjes/Shpronësimit) nga KEK bëhet vetëm bazuar në Planin Kryesor Xehetar dhe në legjislacionin në fuqi, përfshirë Kornizën e Politikave të Zhvendosjes (KPZH), Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme në Kosovë dhe Ligjin për Miniera dhe Minerale (LMM)”, thuhet në njoftim.

    Poashtu në njoftim thuhet se sa i përket shqetësimeve (pretendimeve) të banorëve në lidhje me procesin e shpronësimeve, KEK0u të gjitha i ka adresuar tek organet relevante të drejtësisë.

    “Prandaj, sa i përket përvetësimit të tokave dhe zgjerimit të minierave (për arsye të tjera), që nuk janë në përputhje me Planin Kryesor Xehetar, dhe planet tjera operative, përsëri ju bëjmë te ditur se kjo çështje është përtej kompetencave dhe interesit të KEK sh.a”, përfundon njoftimi.

    Dhjetëra banorë të fshatit Shipitullë të Obiliqit, kanë protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë. Banorët kanë kërkuar takim me bordin e KEK-ut lidhur me shpronësimet e tokave.

  • Një muaj paraburgim për nënën nga Podujeva që dyshohet se vrau foshnjën gjatë lindjes

    Një muaj paraburgim për nënën nga Podujeva që dyshohet se vrau foshnjën gjatë lindjes

    Gjykata Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehures GJ.L, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Vrasja e foshnjës gjatë lindjes’.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures GJ.L dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

    “Gjykata vlerësoj se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti se nëse e pandehura gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar tek dëshmitarët në këtë procedurë penale”, thuhet në njoftim.

    Një ditë më parë, policia ka njoftuar se një femër nga Podujeva ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, pasi që e njëjta dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme.

  • Erëra të fuqishme në Skenderaj, këto janë dëmet materiale

    Erëra të fuqishme në Skenderaj, këto janë dëmet materiale

    Erërat e forta me shi të rrëmbyeshëm gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme materiale në objektin banesor afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

    Në njoftimin e kësaj komune thuhet se përveç fasadës së jashtme në një pjesë të objektit e cila ka rënë në tokë duke dëmtuar veturat afër ndërtesës, fatmirësisht ka kaluar pa pasoja tjera.

    “Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me zyrtarët policorë, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke shirituar zonën e rrezikut dhe janë në gjendje gatishmërie për çdo situate”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se Komuna e Skenderajt shumë shpejt do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të sanuar dëmet e shkaktuara.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sot në vendin tonë mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

  • Statovci: Kosova ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë, nevojitet qartësim i pozicioneve

    Statovci: Kosova ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë, nevojitet qartësim i pozicioneve

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë për EO se Kosova ka bërë mjaftueshëm përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë. Deputetja e pushtetit këmbëngul se Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

    Duke komentuar takimin e sotëm ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, Statovci ka thënë se nevojitet qartësim i pozicioneve të të dyja vendeve.

    “Padyshimtë që është edhe një dëshmi tjetër e përpjekjeve tona për normalizim të raporteve në mes dy shteteve. Çështja është që kryeministri Kurti ka qenë i qartë në kushtet bazë të cilat janë të nevojshme në mënyrë që të ketë një normalizim, duke e ditur që marrëveshja bazë ka trajtuar elementet bazë të cilat janë elemente kyçe problematike. Është shumë e rëndësishme që të kemi një qartësim të pozicionit të Serbisë në raport me integritetin territorial të Kosovës, në raport me shtetësinë e Kosovës dhe simbolet e Kosovës të cilat e definojnë një shtet. Në kuadër të kësaj kornize ku qartësohet marrëdhëniet mes dy shteteve të punohet edhe në aspektet e tjera të cilat e mundësojnë një integrim të mirëfilltë”, ka thënë Statovci.

    Statovci theksoi se është një përpjekje e mëtutjeshme nga Bashkimi Evropian për t’i ndihmuar këtij procesi, mirëpo sipas saj, kjo marrëveshje përcillet me mosbesim ku prej 11 pikave janë shkelur 8 sosh nga Serbia.

    “E shohim që është një përpjekje mëtutjeshme dhe institucioneve të Bashkimi Evropian që të punojnë në këtë drejtim mirëpo siç është thënë ky është proces që përcjellët me mosbesim sepse në tavolinë kemi një palë i cili në këtë marrëveshje tetë pika nga 11 janë shkelur, ka përcjellë edhe letër zyrtare duke e qartësuar pozicionin e saj se tërhiqet nga kjo marrëveshje si dhe ka bërë akte terroriste, mirëpo përpjekjet tona për tu treguat akter serioz dhe i interesuar për normalitet të raporteve të cilët i kontribuojnë sigurisë dhe paqes sidomos në këtë kohë që është sfiduese. Vazhdojnë të mëtutjeshme duke i pasur pozicionet e qarta dhe duke i ndihmuar në mënyrë konstruktive këtij procesi”, theksoi ajo.

    Sipas deputetes, kjo marrëveshje është zvarritur me qëllim nga ana e Serbisë për favore personale.

    “Është zvarritur me qëllim ndoshta edhe me shpresën që dinamikat gjeopolitike do të lëvizin në favor të tyre. Mirëpo duke e parë që diçka e tillë e ka vënë në një pozicion të stagnimit e cila tashmë nga institucionet e BE-së duhet të ketë veprime konkrete në mes dy shteteve. Padyshim duhet të jepet edhe garancia ligjore që kjo është një marrëveshje e obligueshme për të dy palët. Që në këtë rast kërkohet edhe nga ana e kryeministrit. Mos të harrojmë faktin që Kosova ka shprehur gatishmëri për ta formalizuar këtë proces, mirëpo mungon kjo gatishmëri nga pala tjetër e në këtë proces pra kemi të involvuar akterë kyç”, tha deputetja, teksa është skeptike për arritjen e shpejtë të një marrëveshje me Serbinë.

    “Është vështirë për ta paragjykuar tashmë ne do të shohim edhe në deklarimet pas përfundimit të këtij takimit besoj që është një marrëveshje që prek mbi elementet kyçe, pra të raportit në mes dy shteteve dhe qartëson pozicionin e tyre dhe kjo e zhbllokim shumë procese edhe ne raport me proceset e integrimit në organizata ndërkombëtare edhe në raport me shtet mosnjohëse, po ashtu edhe me të ardhmen e saj euroatlantike”, u shpreh ajo.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja është arritur vitin e kaluar, por ende nuk është zbatuar.

  • Konjufca priti në takim ambasadorin bullgar, Hristo Gudjev

    Konjufca priti në takim ambasadorin bullgar, Hristo Gudjev

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev.

    Duke e falënderuar për mbështetjen e shtetit bullgar ndaj Kosovës, kryetari Konjufca shprehu vlerësim për raportet shumë të mira mes dy vendeve, e në të njëjtën kohë potencoi nevojën për thellim të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

    Ambasadori bullgar, Hristo Gudjev e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe nënvizoi se Bullgaria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe synimet e integrimit euroatlantik, si dhe shprehu gatishmërinë që përmes angazhimit të palëve të fuqizohen edhe më tutje marrëdhëniet mes vendeve tona.

    Po ashtu, bashkëbiseduesit folën edhe për aktualitetin politik, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, duke u pajtuar për nevojën e bashkërendimit në drejtim të frenimit dhe parandalimit të të gjitha përpjekjeve destabiliziese që rrezikojnë stabilitetin rajonal, që është kusht i përparimit të gjithanshëm.