ATV

Category: Lajme

  • 34-vjeçari në Ferizaj e gjen një kuletë me para e dokumente në rrugë dhe e dorëzon në Polici, lajmërohet pronari

    34-vjeçari në Ferizaj e gjen një kuletë me para e dokumente në rrugë dhe e dorëzon në Polici, lajmërohet pronari

    Policia e Rajonit të Ferizajt ka njoftuar se dje një burrë ka gjetur një portofol me dokumente personale dhe 160 euro, të cilin e ka dorëzuar në Polici

    Në stacion është paraqitur më pas pronari i portofolit, të cilit i janë kthyer dokumentet dhe paratë.

    “Më 18.06.2026, rreth orës 18:00, qytetari F.Abazi (34 vjeç), nga Ferizaji, ka treguar një shembull të lartë të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke gjetur një portofol me dokumente personale dhe 160 euro në rrugën “Gjergj Fishta” në Ferizaj. Menjëherë pas gjetjes, ai e ka dorëzuar portofolin në stacionin policor në Ferizaj. Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetari E.A. (24 vjeç) nga Shtimja, i cili kishte humbur portofolin. Pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, pronarit të ligjshëm i janë kthyer portofoli, dokumentet personale dhe shuma prej 160 eurosh. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e falënderon publikisht qytetarin F.Abazi për veprimin e tij shembullor dhe human. Ky gjest dëshmon përgjegjësi të lartë qytetare dhe kontribuon në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe komunitetit”, thuhet në njoftim.

  • Daka: Vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje çdo gjashtë muaj

    Daka: Vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje çdo gjashtë muaj

    Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për dialog dhe kompromis ndërmjet partive politike, duke vlerësuar se vendi nuk mund të vazhdojë të mbetet në një situatë të pafundme bllokade institucionale.

    Në FIVE në TV Dukagjini, Daka tha se përgjegjësia për tejkalimin e krizës politike bie mbi partitë parlamentare, të cilat sipas saj duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për formimin e institucioneve dhe për të siguruar stabilitet politik.

    Sipas Dakës, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike, Kosova rrezikon të mbetet e bllokuar në një cikël të vazhdueshëm zgjedhjesh dhe qeverish me mandat të kufizuar.

    “Partitë politike nuk e di cila me cilën, ajo që është në pushtet dhe njëra nga paritë opozitare apo dy apo të gjitha, duhet të dialogojnë dhe të arrijnë një marrëveshje që vendi të shkojë përpara. Përndryshe do të sillemi në këtë rrethin vicioz, çdo 6 muaj do të kemi zgjedhje, ushtrues të detyrës, qeveri në detyrë. Do të kemi para që shpenzohen kot, në vend që të shpenzohen për të mirën e qytetarëve…

    Nga ajo që kemi parë por edhe nga disa deklarata të disa eksponentëve të LDK=së, shihet që kanë gatishmëri që të bëjnë një koalicion. Mirëpo megjithatë mbetet peng emri i Vjosa Osmanit. Pse shkuam në zgjedhje, ishte mu ai emër për shkak të cili shkuam në zgjedhje. Dhe se a do të ketë LDK-ja emër tjetër është çështje tjetër, meqenëse e gjithë fushata e cila është zhvilluar, sloganet të gjitha kanë qenë në drejtim që zonja Osmani ta merre mandatin e dytë si presidente. Se sa do të arrihet kjo të tejkalohet, mbetet të shohim në ditët ne vijim”, ka thënë Daka.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.

    Era do të fryjë nga drejtimi verilindjes, me shpejtësi prej 10-38 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale prej 27 deri në 30°C

  • Arifi për VV-në: Preokupim e kanë me shku në zgjedhje, jo me gjetë zgjidhje

    Arifi për VV-në: Preokupim e kanë me shku në zgjedhje, jo me gjetë zgjidhje

    Kandidati për deputet nga Aleanca, Avni Arifi, ka thënë se partia e parë sërish po kërkon zgjedhje dhe jo zgjidhje.

    Ai shtoi se në zgjedhjet e 28 dhjetorit për këtë gjë kishte paguar LDK-ja, e tani VV-ja është në kërkim

    “Është një nismë që në një formë apo tjetër na flet për përgatitje për zgjedhje të reja, jo për një zgjidhje”, ka thënë Arifi në Edicionin Special të Klan Kosovës.

    “Çka e kanë preokupim është vetëm qysh me shku në zgjedhje me ia lanë fajin opozitës”.

    “Njëherë mas j të shkurtit pagoi LDK-ja sepse arriti me e bindë elektoratin që faji është i LDK-së, dhe pagoi LDK-ja me 28 dhjetor”.

    “Tash, çka shohim ne, e shohim, ka fillu qashtu edhe mundet me e pa një strategji të re të tregimit të fajtorit, jo të zgjidhjes së problemit”.

  • Podujeva shënon sot Ditën e Çlirimit, këto janë aktivitetet e planifikuara

    Podujeva shënon sot Ditën e Çlirimit, këto janë aktivitetet e planifikuara

    Komuna e Podujevës organizon sot, më 19 qershor, një sërë aktivitetesh me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të qytetit.

    Aktivitetet do të nisin në orën 11:00 me seancën solemne të Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet në objektin e Kuvendit Komunal në Podujevë.

    Më pas, në orën 11:45, do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Penuhë, për të nderuar të rënët për lirinë e vendit.

    Në kuadër të shënimit të kësaj dite, në orën 13:30 në fshatin Miroc do të bëhet zbulimi i pllakës përkujtimore të heroit Ali Ajeti.

    Manifestimi do të përmbyllet në orën 20:00 me koncertin festiv që do të mbahet në Sheshin “4 Dëshmorët” në Podujevë.

  • Shoqata e Ndërtimit: Punëtorët të refuzojnë punën aty ku u rrezikohet jeta

    Shoqata e Ndërtimit: Punëtorët të refuzojnë punën aty ku u rrezikohet jeta

    Siguria në sektorin e ndërtimit në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore, ndonëse sipas Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, muajt e fundit janë shënuar përmirësime të dukshme në zbatimin e standardeve të sigurisë në vendpunishte.

    Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, në një prononcim për IndeksOnline, tha se niveli i sigurisë ende nuk është aty ku duhet të jetë, por theksoi se kompanitë po tregojnë përkushtim më të madh në mbrojtjen e punëtorëve.

    “Siguria në ndërtimtari mbetet ende jo në nivelin që të gjithë dëshirojmë, por përmirësimet e kohës së fundit janë të dukshme dhe inkurajuese. Ne si Shoqatë e Ndërtimit në Kosovë jemi në monitorim të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në sektor dhe kemi hasur në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kompanitë ndërtimore, të cilat po tregojnë gjithnjë e më shumë përkushtim në zbatimin e masave të sigurisë, trajnimin e punëtorëve dhe ngritjen e standardeve në vendpunishte”, deklaroi Vataj.

    Ai theksoi se përgjegjësia për sigurinë nuk bie vetëm mbi kompanitë dhe institucionet, por edhe mbi vetë punëtorët.

    “Çdo punëtor duhet të refuzojë të punojë në vende ku rrezikohet jeta dhe shëndeti i tij, të përdorë pajisjet mbrojtëse personale dhe të respektojë procedurat e sigurisë në kantier”, u shpreh ai.

    Vataj u bëri thirrje punëtorëve që të raportojnë çdo shkelje apo mungesë të masave mbrojtëse, duke theksuar se vetëm përmes reagimit të përbashkët mund të parandalohen aksidentet.

    “Njëkohësisht, i inkurajojmë punëtorët që në rastet kur hasin në mungesë të masave të sigurisë ose në kushte të rrezikshme pune, të bëhen sinjalizues pranë institucioneve përgjegjëse dhe pranë Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, në mënyrë që të reagojmë së bashku për parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e standardeve të sigurisë në sektor”, tha ai.

    Sipas kreut të Shoqatës së Ndërtimit, ndërtimi i një kulture më të fortë të sigurisë kërkon angazhimin e përbashkët të kompanive, punëtorëve, institucioneve dhe organizatave profesionale.

    “Vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet kompanive, punëtorëve, institucioneve dhe organizatave profesionale mund të ndërtojmë një kulturë më të fortë të sigurisë në vendet e punës”.

  • Çmimi i naftës bie për 2 cent, zbret në 1 euro e 43 cent për litër

    Çmimi i naftës bie për 2 cent, zbret në 1 euro e 43 cent për litër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për sot.

    Sipas njoftimit, çmimi për naftë është 1 euro e 43 centë për litër, teksa i benzinës 1 euro e 35 centë.

    Krahasuar me dje, nafta është 2 centë më lirë, teksa benzina 3 centë.

    Këto Këto çmime hyjnë në fuqi sot, në ora 10:00.

  • Sindikata e Policisë: Pezullimi i gradimeve ka krijuar pasiguri, procesi të rifillojë sa më shpejt

    Sindikata e Policisë: Pezullimi i gradimeve ka krijuar pasiguri, procesi të rifillojë sa më shpejt

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, e ka vlerësuar pezullimin e procesit të gradimit si një zhvillim të padëshiruar që ka ndikuar tek zyrtarët policorë dhe pritjet e tyre për avancim profesional.

    Ai ka theksuar nevojën që proceset e gradimit të jenë të rregullta, të parashikueshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Sipas Hotit, një nga problemet kryesore që ka çuar në situatën aktuale është mungesa e organizimit të testeve për gradim për një periudhë të gjatë, duke lënë pa mundësi avancimi disa gjenerata të zyrtarëve policorë.

    “Problemi kryesor mbetet periudha e gjatë gjatë së cilës nuk janë organizuar teste për gradim, çka ka ndikuar në disa gjenerata zyrtarësh që kanë mbetur pa mundësi avancimi. Kjo situatë është shoqëruar edhe me paqartësi procedurale, përfshirë anulimin e disa proceseve të mëhershme, gjë që ka krijuar pasiguri dhe perceptim negativ te zyrtarët policorë.”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

    Ai ka paralajmëruar se pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve policorë, veçanërisht të atyre që prej vitesh presin avancim në karrierë.

    “Pezullimi i gradimeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e zyrtarëve policorë, veçanërisht tek ata që prej vitesh presin avancim profesional. Mungesa e mundësive për zhvillim në karrierë reflekton edhe në interesimin e përgjithshëm për profesionin, prandaj është e rëndësishme që proceset e gradimit të rikthehen sa më shpejt.”, theksoi ai.

    Lidhur me transparencën dhe meritokracinë në procesin e gradimit, Hoti ka vlerësuar se baza ligjore ekziston, por zbatimi praktik i saj kërkon përmirësime.

    “Sindika vlerëson se kriteret ligjore ekzistojnë dhe synojnë transparencë dhe meritokraci, megjithatë zbatimi i tyre në praktikë ka nevojë për përmirësim. Rishikimi i procedurave dhe respektimi i qartë i kalimit nga grada në gradë do të ndihmonte që procesi i gradimit të jetë më i drejtë dhe më i pranueshëm për të gjithë zyrtarët policorë.”

    Sa i përket hapave të mëtejmë, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon rifillimin e procesit të gradimeve në të gjitha nivelet dhe organizimin e një konkursi të ri për gradën e Togerit.

    “Sindika rekomandon rifillimin sa më të shpejtë të procesit të gradimit për të gjitha gradat, duke filluar nga grada e Rreshterit e deri te grada e Kolonelit, në përputhje me Ligjin e Policisë së Kosovës dhe afatet kohore përkatëse. Po ashtu, kërkohet hapja e një konkursi të ri për gradën e Togerit, ku të gjithë Rreshterët e interesuar të kenë mundësi të aplikojnë. Pas këtij procesi, Sindikata vlerëson se duhet të vazhdojnë edhe gradimet për gradat e tjera, përmes një planifikimi të rregullt dhe në dialog të vazhdueshëm me menaxhmentin dhe institucionet përkatëse.”

    Hoti ka theksuar se pezullimi aktual duhet të shfrytëzohet si mundësi për riorganizimin e procesit dhe rikthimin e tij në një formë që garanton siguri juridike, transparencë dhe mundësi të barabarta për të gjithë zyrtarët policorë.

  • KQZ: 9 vendvotimet e mbetura do të rinumërohen gjatë paradites, sot përmbyllet procesi

    KQZ: 9 vendvotimet e mbetura do të rinumërohen gjatë paradites, sot përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do të përmbyllet rinumërimi i vendvotimeve.

    Në njoftimin e KQZ’së theksohet se nëntë vendvotimet që kanë mbetur pritet të kryhen gjatë paradites.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i vendvotimeve të rinumëruara, 185, përbën 7.41% të 2,498 vendvotimeve të rregullta, në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.

    Numri i vendvotimeve, për të cilat KQZ vendosi që të rinumërohen, sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Poduejevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skëndera (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

    “Kjo masë kontrolli është paraparë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”, theksohet në njoftim.

  • “Ja një verison …”, Komuna e Mitrovicës publikon gabimisht tekstin e ChatGPT-së në njoftim

    “Ja një verison …”, Komuna e Mitrovicës publikon gabimisht tekstin e ChatGPT-së në njoftim

    Komuna e Mitrovicës është kapur mat duke përdorur inteligjencën artificiale për shkrimin e postimeve zyrtare që publikohen në faqen e komunës.

    Në versionin e publikuar fillimisht për vizitën e nënkryetarit Enis Osmani dhe drejtoreshës së Shëndetësisë, Albina Kastrati Rama, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), shfaqej fjalia: “Ja një version i lajmit në stil institucional”.

    Më pas, në versionin e plotë të njoftimit të publikuar, është paraqitur vetëm përmbajtja lidhur me vizitën në QKMF.