ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti në takim lamtumirës me ambasadorin Szunyog

    ​Kurti në takim lamtumirës me ambasadorin Szunyog

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog të cilin e falënderoi për bashkëpunimin e mirë dhe për përfshirjen dhe kontributin e tij përgjatë gjithë mandatit në diskutimet e brendshme dhe ato publike.

    “Kryeministri veçoi dorëzimin në vitin 2022 të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave në vitin 2024, nivelin e lartë të përmbushjes së Agjendës e Reformave Evropiane (ERA 2) dhe vlerësimet pozitive në raportin e vendit për vitin 2022, si disa prej arritjeve të Kosovës në fushën e integrimit evropian, lëvizjes së lirë dhe reformave evropiane që janë shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Szunyog”, thuhet në komunikatë.

    Poashtu u theksua bashkëpunimi i mirë dhe mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian për Kosovën në ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe në tranzicionin energjetik.

    Kurti i uroi ambasadorit Szunyog suksese në angazhimet e tij të radhës.

    Ambasadori Szunyog mori detyrën e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së më 1 shtator 2020.

  • ​Kryeministri i Gjeorgjisë: Fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

    ​Kryeministri i Gjeorgjisë: Fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

    Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze tha të hënën se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA mund t’i japë fund më shpejt luftës mbi dyvjeçare Rusi-Ukrainë.

    “Së pari, ne sigurisht që nuk mund të ndërhyjmë në zgjedhjet e askujt. Për më tepër, ne nuk mund të ndërhyjmë në zgjedhjet presidenciale të një vendi kaq të madh… Nuk është puna jonë. E vetmja gjë që mund të thuhet është se nëse Trump fiton këto zgjedhje, lufta në Ukrainë do të përfundojë më shpejt”, u tha Kobakhidze gazetarëve në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi, sipas transmetuesit publik të vendit 1TV.

    Kobakhidze tha më tej se kjo, në përputhje me rrethanat, do të qetësonte më shpejt tensionet në rajon, gjë që ai argumentoi se “do të ndryshonte qëndrimin ndaj Gjeorgjisë në veçanti”.

    “Kjo është gjithçka që mund të thuhet për të. Pjesa tjetër është zgjedhja e popullit amerikan. Populli amerikan duhet të vendosë se kush do të jetë presidenti i SHBA-së”, shtoi ai./AA/

  • ​Pështjellim në komisionin hetimor për tekstet, e ftuan drejtoreshën për intrvistim por i thonë se s’është relevante

    ​Pështjellim në komisionin hetimor për tekstet, e ftuan drejtoreshën për intrvistim por i thonë se s’është relevante

    Edhe pse u ftua që të intervistohet nga komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvenciononit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushtaku-Sadriu, nuk u intervistua.

    Dëshmitë e saj ishin relevante, pasi që pozitën e drejtoreshës e kishte fituar më 5 shkurt 2024 dhe pasi që ajo nuk kishte të dhëna të sakta, komisioni hetimor parlamentar, do të ftojë ish-drejtoreshën e arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati që të intervistohet.

    “Unë kam marrë detyrën më 5 shkurt të këtij viti. Për periudhën për të cilën jeni duke hulumtuar nuk kam qenë në detyrë. Ka mundësi që nuk i kam të dhënat e sakta”, tha ajo.

    Deputeti i PDK-së, Bekmi Haxhiu është shprehur se për të pasur një pasqyrë më të mirë rreth procesit të subvencionimit të teksteve dhe mjeteve shkollore duhet të ftohet drejtoresha e cila i ka këto informatat, Besianë Musmurati.

    I njëjti ka parashtruar pyetje drejtoreshës aktuale, e cila përgjigjet që ia bërë do t’i kthejë me shkrim.

    “Pasqyrë më të mirë rreth procesit të subvencionimit të teksteve shkollore ndoshta më mirë është me intervistu drejtoreshën që ka qenë në atë kohë. T’i ftojmë realisht drejtorët që kanë qenë në atë periudhë kohor. Pyetjen e parë që e kam parashtruar është vështirësitë që janë paraqitur. Cilat kanë qenë mungesat e teksteve shkollore në fillim të vitit shkollorë. Subvencionimi ka zgjatur deri në muajin prill 2024. Ndoshta mund të na përgjigjeni vetëm për DKA e Prishtinës. Për ne është e rëndësishme mungesa që ka qenë me libra, kur janë siguruar librat, çfarë ka ndodhur me prindërit të cilët nuk janë subvencioni në fillim të vitit shkollorë, a kanë paguar ata vet, a e konsideromi se shumë 50 euro ka qenë e mjaftueshme për të blerë librat për fëmijët që kanë qenë në këto klasa, sa kanë kushuar librat për çdo klasë, a ka qenë më e vogël se 50 euro apo më shumë, a janë të obliguar që librat e vitit të kaluar t’i kthejnë prapë në shkollë, a duhet t’i kthejnë edhe ato që i kanë ble me buxhetin e tyre”, ka thënë Haxhiu.

    Ndërsa, deputeti i LVV-së, Armend Muja iu është kundërpërgjigjur Lushtaku duke thënë se dëshmia e saj nuk është relevante.

    Drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Lushtaku ka shtuar se është në dispozicion që të përgjigjet për të dhënat e saja që i ka.

    “Çfarëdo informacioni që mendoni që ka DKA, iu përgjigjem me shkrim. Ndërsa komunikimet me MASHTI-në i ka bërë drejtoresha paraprake. Unë jam në dispozicion, kam ardhur sot që t’ua tregoj gatishmërinë time”, ka shtuar ajo.

    Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka theksuar se Lushtaku t’i dërgojë përgjigjet me shkrim dhe të ftohet ish-drejtoresha.

    Ndërkaq, në ora 13:00 do të ftohet drejtoria e arsimit në Komunën e Pejës të intervistohet nga ky komision./kp

  • Masakër në Kroaci: Një person futet në shtëpinë e pleqve, vret pesë persona

    Masakër në Kroaci: Një person futet në shtëpinë e pleqve, vret pesë persona

    Pesë persona janë vrarë sot në shtëpinë e të moshuarve në Daruvar të Kroacisë.

    Mediumi kroat ‘mojportal.hr’ raporton jo-zyrtarisht se një burrë është futur në shtëpinë e të moshuarve dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të tyre, përcjell Gazeta Insajderi.

    Sipas këtij mediumi, pesë nga ta kanë mbetur të vdekur në vend, teksa disa të tjerë janë duke u trajtuar.

    Pas këtij veprimi, i dyshuari është larguar nga vendngjarja mirëpo që policia kishte arritur ta kapë pranë një kafeneje.

    Sirenat e të gjitha shërbimeve të mundshme të emergjencës janë lëshuar në qytetin e Daruvarit.

  • Këshilli i BE-së heq regjimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Këshilli i BE-së heq regjimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

    Këshilli i BE-së sot ka marrë vendim për heqjen e vizave për serbët e Kosovë që kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.

    Miratimi i sotëm nga Këshilli i BE-së përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

    Siç ka njoftuar Këshilli i BE-së, u miratua një rregullore e cila siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.

  • Kurti: Kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit

    Kurti: Kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka zgjedhur rrjetin social ‘X’ të lavdërohet pak për disa suksese, që ai thotë se janë arritur gjatë qeverisjes së tij.

    Kurti ka thënë se kanë mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tri vitet e fundit.

    “51% e të rinjve të punësuar nëpërmjet platformës sonë të sponsorizuar nga qeveria, SuperPuna së bashku me 55% të përfituesve të masës sonë të punësimit për familjet janë gra. Ne kemi mbështetur vende pune për mbi 12 mijë gra në tre vitet e fundit”, ka shkruar Kurti.

    “Më shumë se 100 mijë gra kanë hapur llogaritë bankare për herë të parë. Mbi 55 mijë gra kanë përfituar për herë të parë nga shtesat tona të lehonisë. Në tre vitet e fundit ne kemi financuar mbi 4600 bursa universitare për gra dhe vajza në STEM. Ata tani përbëjnë 50% të studentëve në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës – një arritje e jashtëzakonshme e barazisë gjinore në fushat tradicionalisht të dominuara nga meshkujt”, ka shkruar tutje Kurti.

    “Numër rekord i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike, në të cilat kemi katërfishuar (nga 10% në 45%) peshën e grave në bordet drejtuese. Arsimi, punësimi, përfaqësimi, mirëqenia dhe pavarësia financiare janë shtyllat kryesore të barazisë sociale dhe gjinore. Jemi krenarë që nën udhëheqjen e Qeverisë sonë, këto shtylla janë më të forta se kurrë”.

  • Mesazhi i Abdixhikut në 14 vjetorin e konstatimit të GjND-së: “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”

    Mesazhi i Abdixhikut në 14 vjetorin e konstatimit të GjND-së: “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”

    Sot janë bërë 14 vite nga konstatimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

    Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK luajti rol të madh në këtë proces dhe se ndihet krenar për këtë.

    “Më 22 korrik të vitit 2010, Kosova bashkoi njerëzit më profesional në bashkëveprim me miqtë strategjik, për të dëshmuar legjitimitetin e të drejtës sonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky vendim i shumëpritur dhe gjykim i drejtë ishte vulë përfundimtare e drejtësisë, e cila i mundësoi Kosovës kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes atyre shteteve demokratike.
    Kosova, në gjithë këtë periudhë me sfida ishte krah aleancës së pa rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe miqve të tjerë ndërkombëtar.
    Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet krenare në rolin e pazëvendësueshëm që luajti konkretisht në këtë proces, dhe në këtë rrugë të denjë të Kosovës” thuhet në reagimin e Abdixhikut.

  • 14 vjet nga vendimi i GjND-së, Haradinaj: Partneriteti me aleatët veçmas me SHBA, jetike për synimet tona si shtet

    14 vjet nga vendimi i GjND-së, Haradinaj: Partneriteti me aleatët veçmas me SHBA, jetike për synimet tona si shtet

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetësisë dhe shtetndërtimit.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e përvjetorit të vendimit të GjND-së.

    “Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me ShBA-të.

    “Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet tona si shtet. Zoti e bekoftë Kosovën”, është shprehur Haradinaj.

  • Tri vetura superluksoze bëjnë gara në autostradë, marrin dënime të “pafalshme” nga Policia

    Tri vetura superluksoze bëjnë gara në autostradë, marrin dënime të “pafalshme” nga Policia

    Policia e Kosovës i ka tërhequr nga trafiku tri vetura super-luksoze Bugatti, Ferrari dhe McClaren, për shkak se pronarët e tyre janë hasur duke bërë gara të shpejtësisë në autostradën Prishtinë-Ferizaj të dielën.

    Përpos tërheqjes së veturave nga trafiku, Policia ka bërë të ditur se i ka dënuar tre shoferët e makinave me nga 400 euro gjobë si dhe me nga 10 muaj ndalim drejtimi të mjetit.

    “Njësia për Kontroll të Autostradave në kuadër të planit ‘Parandalimi i garave ilegale të shpejtësisë në autostrada’ ka identifikuar shoferët duke bërë gara ilegale të shpejtësisë, të njëjtit janë gjobitur me nga 400 € dhe nga 10 muaj iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik si dhe janë larguar nga trafiku”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Komisioni Hetimor e fton për intervistim ish-drejtoreshën Musmurati, Lushaku-Sadriu s’ishte në detyrë atë kohë

    Komisioni Hetimor e fton për intervistim ish-drejtoreshën Musmurati, Lushaku-Sadriu s’ishte në detyrë atë kohë

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu nuk është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për faktin se Sadriu nuk ka qenë në detyrë gjatë kohës kur është bërë subvencionimi i librave, raporton EO.

    Anëtarët e Komisionit, kanë vendosur që ish-drejtoresha, Besianë Musmurati të thirret për të raportuar. Megjithatë, Lushaku mori disa pyetje nga deputetët, të cilat do t’i përgjigjet me shkrim.

    “Kam marrë detyrën si udhëheqëse e arsimit më 5 shkurt, për këtë nuk kam qenë në detyrë. Gjithsesi, jam në gjendje të paraqesë të dhënat që ka drejtoria e arsimit. Kam pritur se do dërgoni ndonjë pyetje më specifike ka mundësi që nuk i kam të dhënat e sakta të më jepni kohë për të i kthyer ato me shkrim”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kërkoi që për raportim të vijë ish-drejtoresha e Arsimit në Kryeqytet, Besianë Musmurati.

    “Po konsideroj që ndoshta për të pas një pasqyrë më të mirë për periudhën 2023/24, do ishte ta kemi drejtoreshën që ka qenë në atë kohë. E vlerësojmë gatishmërinë e drejtoreshës së tanishme për tu përgjigjur. Nëse keni ndonjë raport së si keni raportuar në Ministri, disa raporte që i kemi marrë nga Ministria e Financave na del qe subvencionimi ka zgjat deri në 2024. Raporti del se në muajin shtator vështirësi për subvencionim kanë pas fëmijët e moshës 6 vjeçare, sa ka qenë numri i tyre në komunën e Prishtinës. Mungesa që ka qenë më libra në fillim të vitit shkollorë, cilat libra kanë qenë në mungesë dhe deri në cilën periudhë kohore”, ka thënë Haxhiu.

    “Çfarë ka ndodhur me prindërit që nuk janë rimbursu, a konsideroni që shuma 50 euro për klasën e parë deri në të pestën ka qenë e mjaftueshme për fëmijët që kanë qenë në klasë. Sa kanë kushtuar librat specifikisht për secilën klasë, a ka qenë më e lart së 50 euro. A kanë pas mundësi fëmijët të pajisen me libra shkollorë. A janë të obliguar që prindërit ose fëmijët librat e vitit të kaluar më i kthy prapë në shkollë, nëse janë detyru dy, tri libra me i ble vetë a janë rimbursu edhe për ato”, ka shtuar Haxhiu.

    Për të raportuar ish-drejtoresha Musmurati kërkoi edhe deputeti i pushtetit, Arbër Rexhaj.

    “Nuk ka kuptim të i marrim dy drejtoreshat se edhe nuk kemi kohë, nëse drejtoresha shpreh përgjegjësinë me u përgjigj”, ka thënë Rexhaj.

    Lushaku-Sadriu, ka thënë se është e gatshme për pyetje pas datës 5 shkurt, kur ajo ka marrë pozitën.

    “Çfarëdo informacioni që ju mendoni se e ka DKA unë iu përgjigjem me shkrim mënyrën e menaxhimit e ka bërë drejtoresha që ka qenë në pozitë paraprakisht. Kam ardh sot me ua dëshmu gatishmërinë time për përgjigje në atë kohë”, ka shtuar Lushaku-Sadriu.