ATV

Category: Lajme

  • Kush mund ta udhëheqë Rusinë pas Putinit?

    Kush mund ta udhëheqë Rusinë pas Putinit?

    Vladimir Putin, 71-vjeçar, ka qenë president ose kryeministër i Rusisë prej vitit 1999, duke shtypur zërat kundërshtarë, ndërkohë që ka krijuar një sistem autoritar, i cili u ka rezistuar sfidave politike, krizave ekonomike, luftërave dhe pandemisë së koronavirusit.

    Në janar, kur Putin është përgatitur për një mandat të pestë presidencial, në zgjedhje thuajse krejtësisht të menaxhuara, një korrespodent i mediumit britanik BBC, e ka pyetur një pensioniste në qytezën ruse Rzhev, nëse dikush do të mund të zëvendësonte Putinin.

    “Jo tani”, ka thënë gruaja, duke e përsëritur një narrativë që është kultivuar me kujdes nga pushteti i Kremlinit.

    “Ndoshta Putin do të gjejë dikë më vonë. Mirëpo, mendoj që ai do të jetë në pushtet edhe për një kohë të gjatë”.

    Pavarësisht vështirësive për të menduar “përtej Putinit”, Systema – njësiti hulumtues në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë – ua ka bërë këtë pyetje më shumë se 150 ekspertëve, përfshirë shkencëtarë politikë, sociologë dhe gazetarë në Rusi, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

    Mbi 40 prej tyre kanë pranuar të përgjigjen dhe janë pyetur se cili është skenari më i mundshëm që Putin të mos jetë më në pushtet dhe kush do të mund ta zëvendësojë.

    Shumë prej tyre kanë thënë se këto spekulime janë vetëm mbi bazë fantazie, dhe që identifikimi i emrit të pasardhësit është mision i pamundur.

    Disa të tjerë kanë thënë që as vetë Putin nuk ka ide të qartë në këtë drejtim.

    “Dobësimi i regjimit të Putinit do të jetë në linjë me plakjen natyrale të Putinit”, ka thënë analisti politik ukrainas, Volodymyr Fesenko.

    Derisa vdekja të na ndajë
    Shumica e ekspertëve kanë thënë se skenari më i mundshëm për ndryshim të pushtetit në Rusi do të ishte vdekja e Putinit.

    Në fakt, pothuajse të gjithë respodentët e kanë përmendur këtë si një prej mundësive më reale për Rusinë, ndërsa tetë prej tyre e kanë parë këtë si mundësinë e vetme.

    Ndërkohë, 23 kanë thënë se puçi apo një kryengritje e elitës mund të nxisë ndryshim pushteti.

    Dhjetëra e kanë përmendur këtë si mundësinë e vetme.

    Vetëm pesë respodentë e kanë përmendur “luftën civile” apo “revolucionin” si mundësi për Rusinë, më pak sesa ata që kanë thënë se regjimi i Putinit mund të marrë fund prej një humbje ushtarake ruse.

    Një ekspert ka supozuar që fundi i Putinit mund të nxisë ndonjë katastrofë të madhe, sikurse një katastrofë në central bërthamor apo një tronditje ekonomike globale.

    Një tjetër ka thënë se Putin mund të rrëzohet me një “puç të lehtë”, në rast se do të ketë ndonjë sëmundje serioze.

    Asnjëri prej respodentëve nuk e ka përmendur fundin e regjimit të Putinit përmes zgjedhjeve. Mirëpo, gazetari Andrei Zakharov ka thënë se “Rusia do të jetë një ditë e lirë”.

    Emrat e zakonshëm

    Ekspertëve u është kërkuar edhe që të përmendin emrin e pasardhësit potencial të Putinit në dy skenarë të ndryshëm, njërin kur vetë Putin merr pjesë në procesin e përzgjedhjes – sikurse ka vepruar presidenti i dikurshëm Boris Yeltsin kur e ka emëruar Putinin – dhe të dytin, nëse Putin vdes, apo nuk mund të marrë pjesë në proces.

    Në skenarin e parë, 19 ekspertë e kanë përmendur kryeministrin aktual rus, Mikhail Mishustin, derisa 18 tjerë e kanë përmendur Sekretarin e Këshillit Shtetëror dhe ish-rojën e Putinit, Aleksei Dymin.

    Emra tjerë të përmendur janë edhe ai i kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, ish-presidentit, Dmitry Medvedev, dhe ai i ministrit të Mbrojtjes, Andrei Belousov.

    Dy ekspertë kanë thënë se Putin mund të zgjedhë edhe vajzën e tij më të re, Katerina Tikhonova, derisa një tjetër e ka përmendur emrin e vajzës së madhe të Putinit, Maria Vorontsova.

    Në skenarin e dytë, në të cilin Putin nuk do të përfshihej në procesin e përzgjedhjes, shumica e respodentëve e kanë përmendur emrin e Mishustinit, derisa Sobyanin ka dalë i dyti.

    Shtatë respodentë e kanë përmendur edhe këshilltarin e presidentit, njëherësh ish-shefin e Shërbimit Federal të Sigurisë, Nikolai Patrushev.

    Pesë të tjerë e kanë përmendur emrin e djalit të Patrushevit, zëvendëskryeministrit, Dmitry Patrushev.

    Në total, ekspertët kanë përmendur 34 emra të figurave që mund të ngjiten në pushtet pas Putinit, duke përfshirë 75-vjeçaren, Valentina Matviyenko, aktualisht udhëheqëse e Këshillit Federal, si dhe 37-vjeçaren Tikhonova.

    Një ekspert e ka përmendur edhe liderin e Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, pavarësisht raportimeve të vazhdueshme se ai po përballet me probleme serioze shëndetësore.

    Një tjetër ekspert e ka përmendur biznesmenin në ekzil, Mikhail Khodorkovsky, 61-vjeçar, si kandidat potencial pas Putinit.

    Khodorkovsky ka qenë figura e vetme opozitare që është përmendur nga respodentët.

    Aleksei Navalny, kundërshtari më i zëshëm i Putinit në dekadën e fundit, ka vdekur papritur në shkurt, sa ka qenë në një burg në Arktik, pas tre vjetësh e gjysmë mbrapa grilave.

    Shumë ekspertë kanë thënë se parashikimi i pasardhësit të Putinit në pushtet është diçka e pamundshme, sepse gjithçka varet nga situata e krijuar.

    “Në rast të ndonjë ndryshimi të papritur, kushdo që e merr pozitën e kryeministrit, ka më së shumti mundësi për të qenë pasardhës”, ka thënë një analist, i cili ka kërkuar të mos i përmendet emri.

    “Është e pamundur të dihet tani”, ka shtuar ai, duke përmendur se pak njerëz do të përmendnin emrin e Nikita Khrushchevit si pasardhës të diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

    Analisti politik rus, Fyodor Krasheninnikov, e ka përmendur kompleksitetin e sistemit qeverisës të Putinit.

    “Ne as nuk e dimë se kush realisht e përbën rrethin më të ngushtë të Putinit”.

    Sergei Sanovich, hulumtues në Institutin Hoover të Universitetit Stanford, ka thënë se beson që një tranzicion në pushtetin e Rusisë mund të mos ndodhë deri më 2036, kur mund të përfundojë mandati i gjashtë presidencial i Putinit.

    “Nëse ndodh tani, mendoj që pasardhës do të jetë Patrushevi i ri”, ka vlerësuar ai.

    “Mirëpo, nuk mendoj që kjo do të ndodhë më herët sesa viti 2036, kur Dmitry Patrushev do të jetë 60 vjeç. Kjo nënkupton që atëherë mund të fitojë dikush më i ri”. /Radio Evropa e Lirë

  • Obama pritet ta paraqesë mbështetjen e tij për Kamala Harrisin

    Obama pritet ta paraqesë mbështetjen e tij për Kamala Harrisin

    Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, po planifikon ta bëjë publike mbështetjen e tij për zëvendëspresidenten, Kamala Harris si kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale, ka raportuar NBC News të enjten.

    Obama privatisht i ka shprehur mbështetje të plotë kandidaturës së Harrisit, dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të, citohen raportet e burimeve të afërta me diskutimet.

    “Ndihmësit e Obamës dhe Harrisit kanë diskutuar gjithashtu për organizimin e paraqitjes së tyre së bashku në fushatë, megjithëse nuk është caktuar një datë”, thuhet në raport.

    Meqë askush nuk doli hapur për ta sfiduar Harrisin për nominimin, ajo fitoi mbështetjen e delegatëve të partisë të hënën, një ditë pasi presidenti, Joe Biden njoftoi se ai do të hiqte dorë nga gara e tij për rizgjedhje.

  • Fundoset anija cisternë me 1.4 milionë litra naftë, katastrofë e madhe ekologjike!

    Fundoset anija cisternë me 1.4 milionë litra naftë, katastrofë e madhe ekologjike!

    Një anije cisternë që transportonte gati 1.4 milionë litra karburant industrial u fundos dhe u mbyt në kryeqytetin e Filipineve, këtë të enjte. Gjashtëmbëdhjetë anëtarë të ekuipazhit të Terra Nova me flamur Filipine u shpëtuan ndërsa një tjetër nuk është gjetur ende, tha Sekretari i Transportit Jaime Bautista.

    Incidenti vjen një ditë pasi tajfuni Gaemi intensifikoi shirat sezonalë, duke përmbytur zona të mëdha të Metro Manila dhe periferitë e saj. Gaemi arriti në Tajvan, duke lënë tre të vdekur dhe duke plagosur qindra të tjerë.

    Autoritetet thanë se MT Terra Nova po shkonte për në qytetin qendror të Filipineve, Iloilo, kur u fundos, duke shkaktuar një derdhje nafte që shtrihej për disa kilometra.

    Zëdhënësi i Rojës Bregdetare të Filipineve, tha se agjencia po “lufton me kohën” për të kontrolluar derdhjen.

    Ai shtoi se nëse e gjithë nafta në cisternë ka rrjedhur, do të ishte derdhja më e madhe në historinë e Filipineve.

    “Ekziston një rrezik i madh që Manila, madje edhe vija bregdetare e Manilës, të preket nëse karburanti rrjedh”, tha ai.

    Në mars 2023, një cisternë nafte që transportonte 800,000 litra karburant industrial u mbyt në brigjet e provincës Oriental Mindoro.

    Karburanti arriti në shumë fshatra që jetojnë me dhe kanë aktivitet bazë peshkimin, duke mbuluar plazhet me baltë të zezë. Banorët në fshatrat bregdetare raportuan edhe probleme shëndetësore.

  • Rikthimi i shtetësisë së Kosovës, Sahiti nga MPJD: Nga 370 euro sa ishte tarifa më e lartë, tani pa pagesë

    Rikthimi i shtetësisë së Kosovës, Sahiti nga MPJD: Nga 370 euro sa ishte tarifa më e lartë, tani pa pagesë

    Leutrim Sahiti, këshilltar për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se rikthimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës, tani është pa pagesë.

    Në një postim në rrjetin social Facebook, Sahiti ka shkruar se nga 370 euro sa ishte tarifa më e lartë, mërgimtarët tani mund ta rikthejnë shtetësinë e Kosovës pa asnjë pagesë.

    “370, 250 dhe 200 euro, ishin tarifat për rikthimin e shtetësisë së Kosovës, varësisht nga shteti ku bëhej aplikimi. Sot mërgimtarët mund të rikthejnë shtetësinë e Kosovës, shpejtë, lehtë dhe pa asnjë pagesë”, shkroi ai.

    Ndryshe, ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla Schwarz, një ditë më parë ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.

    Gërvalla tutja theksoi rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik.

    “….Lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t’u votuar. Kosova ka nevojë për ju. Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, ka thënë Gërvalla.

  • Bieber për deklaratën e Gjuriqit: Mirë që nuk e përfshiu popullsinë e Kosovës në numrin e qytetarëve të Serbisë

    Bieber për deklaratën e Gjuriqit: Mirë që nuk e përfshiu popullsinë e Kosovës në numrin e qytetarëve të Serbisë

    Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber ka ironizuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili pas një takimi me përfaqësues të Institutit italian të Çështjeve Ndërkombëtare, tha se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian do të nënkuptonte “lidhje të qëndrueshme strategjike”.

    “Ky është një angazhim për një miqësi të qëndrueshme, partneritet dhe qasje të përbashkët ndaj çështjeve globale. Si një komb prej 7 milionë banorësh që i bashkohet një grupi prej më shumë se 400 milionë banorësh, për vendin tim do të thotë të bëhem gati për ta zënë vendin e barabartë në familjen e kombeve evropiane dhe të përballemi së bashku me sfidat globale”, tha Gjuriq pas takimit.

    Pikërisht fakti i përmendur për “7 milionë banorë”, i ka bërë përshtypje politologut dhe profesorit në Universitetin e Grazit, Florian Bieber.

    “Më vjen mirë që nuk po e përfshin popullsinë e Kosovës në numrin e qytetarëve të Serbisë. Batutat mënjanën, është mëkat që ai është pritur në institucione si Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare, ndërsa ai dhe qeveria e tij sulmojnë kritikët (përfshirë mua) dhe nuk u japin hapësirë ​​brenda vendit”, shkroi Bieber në X.

    Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare (Istituto Affari Internazionali – IAI) është një institut prestigjioz italian, organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 1965 dhe renditet ndër 20 grupet më të mira të mendimit global për politikën e jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

  • Hetimi për subvencionimin e librave shkollorë, sot intervistohen dy dëshmitarë

    Hetimi për subvencionimin e librave shkollorë, sot intervistohen dy dëshmitarë

    Duke filluar nga ora 10:00, Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 do të mbajë mbledhjen e radhës.

    Ky komision sot në rend dite ka intervistimin e dy dëshmitarëve, si udhëheqësin e divizionit të prokurimit në MAShTI dhe Eglantina Bërhanin, drejtore ekzekutive Botime PEGI.

    Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.

    Dje u intervistua drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri dhe Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumanova-Baçi.

  • Media gjermane “Travelbook”: Shqipëria me destinacionet më të bukura për të vizituar

    Media gjermane “Travelbook”: Shqipëria me destinacionet më të bukura për të vizituar

    Vizitoni Shqipërinë – tani. Vendi i vogël i Evropës Juglindore ka gjithçka për të ofruar nga Alpet, deti, lumenjtë e egër deri te rrënojat e lashta dhe qytetet e gjalla, sipas një artikulli të botuar në revistën gjermane “TRAVELBOOK”.

    Ky destinacion mesdhetar nuk është prekur ende nga turizmi masiv. Ka shumë thesare natyrore të egra, pothuajse të pazbuluara, peizazhe shkëmbore në gjelbërim të harlisur, vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, liqene të pastër dhe male të larta.

    Ekziston edhe një brez i gjatë bregdetar përgjatë Adriatikut me plazhe mahnitëse – ku pushuesit mund të gjejnë ende lehtësisht një vend për të vendosur peshqirin e tyre. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, qytete emocionuese si “Qyteti i Gurtë ” – Gjirokastra, “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati dhe sigurisht Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë me arkitekturën e tij në ngjyrë pastel.

    Turistët që adhurojnë historinë mund të vizitojnë – ndër të tjera – mbetjet nga lashtësia si dhe periudha e Perandorisë Osmane dhe diktaturës komuniste. Adhuruesit e sporteve në natyrë mund të zgjedhin midis një sërë aktivitetesh si ecja, ngjitja, çiklizmi në mal, skijimi dhe rafting në ujë.

    Pushuesit e huaj mund të eksplorojnë plazhet e ëndrrave në Rivierën Shqiptare. Përveç kryeqytetit, Tiranës, Shqipëria ofron destinacione të shumta udhëtimi që mund të jenë interesante për vizitorët.

    Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Beratit dhe Gjirokastrës janë të njohura, ndër të tjera. Qytete si Saranda, Durrësi dhe Vlora janë gjithashtu të njohura për turistët. Janë të panumërta pamjet për t’u zbuluar në shumë qytete dhe qyteza të vogla emocionuese në Shqipëri.

    Ju mund të vizitoni sheshin e famshëm Skënderbej në kryeqytet, Kalatë e Beratit dhe Gjirokastrës dhe rrënojat në Butrint dhe Shkodër. Përveç qyteteve që ia vlen të vizitohen – ka edhe aktivitete të shumta që vizitorët në Shqipëri mund të bëjnë. Ju mund të bëni një shëtitje në kryeqytetin, Tiranën; një shëtitje me makinë mbi Qafën e njohur të Llogorasë so dhe te ecni në Alpe Shqiptare.

    Moti dhe klima

    Klima në Shqipëri është mesdhetare dhe karakterizohet nga një verë e nxehtë dhe dimër i butë. Vera është e nxehtë dhe e thatë. Temperaturat maksimale në bregdet midis majit dhe tetorit janë më shumë se 20 gradë Celsius, midis qershorit dhe shtatorit dhe veçanërisht në korrik dhe gusht ato rriten mbi 30 gradë Celsius.

    Muajt ​​me shi janë dhjetori dhe janari, por temperaturat në bregdet rrallë bien nën 0 gradë Celsius. Në të kundërt, ndonjëherë mund të ketë dimër shumë të ftohtë në brendësi të vendit. Borë bie kryesisht në Alpet Shqiptare, të cilat arrijnë deri në 2700 metra lartësi.

  • Tri vjet nga aksidenti tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë

    Tri vjet nga aksidenti tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë

    Në një aksident trafiku që ndodhi një vit më parë në autostradën te Slavonski Brod në Kroaci, humbën jetën 10 persona dhe 45 të tjerë u lënduan në autobusin me targa të Kosovës

    Në autobus kishte 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë dhe dy shoferë dhe se fatkeqësisht 9 pasagjerë dhe një shofer humbën jetën.

    Autobusi ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Prishtinës dhe i përkiste një kompanie nga Kosova. Ai ishte aksidentuar në autostradën A3 Zagreb – Lipovac.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ka vizituar disa nga të mbijetuarit në spitalet e Kroacisë, ndërsa ambasadori i Kosovës në Zagreb, Gëzim Kasapolli ka qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod.

    Sipas mediave kroate, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.\
    Presidentja Vjosa Osmani, kishte shpallur ditë zie në Kosovë, për shkak të këtij aksidenti tragjik.

  • 13 vjet nga aksioni në pikat kufitare në veri

    13 vjet nga aksioni në pikat kufitare në veri

    Sot bëhen 13 vjet kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

    Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

  • Biden: Amerikën e sundon populli dhe jo mbretërit e diktatorët

    Biden: Amerikën e sundon populli dhe jo mbretërit e diktatorët

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në një fjalim për kombin të mërkurën në mbrëmje, e kualifikoi vendimin e tij për t’u larguar nga gara presidenciale 2024 si një çështje për të shpëtuar demokracinë dhe për t’ia kaluar “pishtarin një brezi të ri”.

    Bideni në fjalimin e tij e pranoi se bashkimi i partisë kërkonte sakrifikimin e ambicies personale për atë që ai e sheh si një të mirë më të madhe.

    “Kam respekt për këtë zyrë. Por unë e dua vendin tim më shumë ..Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Por në mbrojtje të demokracisë, e cila është në rrezik, dhe e cila është më e rëndësishme se çdo titull. Marr forcë dhe gjej gëzim duke punuar për popullin amerikan”, ka shtuar ai.

    Edhe pse ai nuk e përmendi Donald Trumpin me emër, u përpoq të vinte një kontrast të qartë me ish-presidentin, ambicia e të cilit e bëri atë të pretendonte fitoren në zgjedhjet që nuk i fitoi katër vjet më parë.

    “Gjëja më e mirë e Amerikës është se këtu mbretërit dhe diktatorët nuk sundojnë. Populli e bën. Historia është në duart tuaja, ideja e Amerikës është në duart tuaja”, është shprehur Biden, raporton CNN.

    Presideni amerikan shtoi se ka vendosur mënyra më e mirë që t’ia kalojë pishtarin një brezi të ri, pasi është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin.

    “Ju e dini, në javët e fundit është bërë e qartë për mua se duhet të bashkoj partinë time në këtë përpjekje kritike. Besoj se rekordi im si president, lidershipi im në botë, vizioni im për të ardhmen e Amerikës meritojnë të gjitha një mandat të dytë. Por asgjë, asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë. Kjo përfshin ambicien personale. Pra, kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj pishtarin një brezi të ri. Është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin tonë”, është shprehur ai.