ATV

Category: Lajme

  • Betohen ministrat e rinj të kabinetit qeveritar në Shqipëri

    Betohen ministrat e rinj të kabinetit qeveritar në Shqipëri

    Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

    Para Presidentit Begaj u betuan, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

    Ndryshimet e reja në qeveri u votuan dje në Kuvend, pasi morën dekretin e Presidentit Begaj me propozim të kryeministrit Edi Rama./ATSH

  • Trafiku hekurudhor zviceran vendos rekord të ri

    Trafiku hekurudhor zviceran vendos rekord të ri

    Hekurudhat zvicerane regjistruan 5.78 miliardë kilometra të ashtuquajtura pasagjerë midis prillit dhe qershorit, sipas Shoqatës së Transportit Publik.

    Kjo është 2.5 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe më shumë se kurrë më parë midis prillit dhe qershorit.

    Është numri i dytë më i madh i kilometrave të pasagjerëve i matur ndonjëherë në historinë e hekurudhave zvicerane.

    Rekordi absolut u regjistrua në tremujorin e tretë të 2023 me 5.79 miliardë kilometra pasagjerë. Shoqata e transportit publik identifikoi sezonin e pushimeve verore si arsye për rekordet e reja.

    Nga ana tjetër, trafiku i mallrave ka vazhduar të dobësohet. Të paktën erozioni u ngadalësua pas një minus prej 3.6 përqind në tremujorin e parë të 2024 në vetëm një përqind nga viti në vit. Në total, Shoqata e Transportit Publik regjistroi 3.05 miliardë ton-kilometra neto nga prilli deri në qershor.

    Arsyet kryesore të këtij zhvillimi janë gjendja ekonomike në Evropë dhe kantieret e shumta në aksin veri-jug. Në tremujorin e parë të vitit 2024, hekurudhat arritën një performancë prej 2.91 miliardë ton kilometra neto./SRF

  • Gjuajti me AK-47 në aheng familjar, Policia arreston 27-vjeçarin në Suharekë

    Gjuajti me AK-47 në aheng familjar, Policia arreston 27-vjeçarin në Suharekë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një 27-vjeçar në Sallagrazhdë të Suharekës, pasi i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.

    Në njoftimin për media bëhet e ditur se Policia ka reaguar menjëherë, por fillimisht i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

    “Në lidhje me rastin e raportuar, Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor të Suharekës ka vazhduar hetimet dhe kanë punuar për arrestimin e të dyshuarit, i njëjti sot më datë 31.07.2024 rreth orës 08:30 është paraqitur në Stacionin Policor të Suharekës, gjithashtu e ka dorëzuar armën e zjarrit pushkë automatike (AK-47) dhe një karikator të zbrazët.

    Pra, është dorëzuar arma me të cilën dyshohet se kishte shtënë në gazmendin familjar në fshatin Sallagrazhdë, Suharekë”, bëhet e ditur tutje.

    I dyshuari, S.N 27 vjeç është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit i njëjti ndalet në ndalim policor për 48 orë.

    Arma dhe karikatori janë sekuestruar gjithashtu.

    Kundër të dyshuarit do të ngritët kallëzim penal për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

  • Njihuni me ‘robotin me katër këmbë’ që pastron ‘bishtat e cigareve’ në plazhe

    Njihuni me ‘robotin me katër këmbë’ që pastron ‘bishtat e cigareve’ në plazhe

    “Bishtat” e cigareve përbëjnë një rrezik të madh për oqeanet dhe mund të jetë një diçka jo e lehtë për t’u pastruar me dorë, veçanërisht në hapësira publike si plazhet.

    Andaj, një grup shkencëtarësh italianë kanë ndërtuar një robot katërkëmbësh që mund të identifikojë mbeturinat dhe të marrë pjesët më të vogla, përcjell Telegrafi.

    VERO, roboti katërkëmbësh i pajisur me vakum, është një pajisje me katër këmbë, e krijuar për të kërkuar dhe pastruar mbeturinat në një sërë terrenesh.

    VERO u projektua dhe u ndërtua nga një ekip studiuesish nga laboratori në Institutin Italian të Teknologjisë në Genova. /Telegrafi

  • Gjilan, s’respektuan shpejtësinë, policia i gjobitë dy shoferë me nga 300 euro

    Gjilan, s’respektuan shpejtësinë, policia i gjobitë dy shoferë me nga 300 euro

    Policia në Gjilan, në dy raste të ndara ka gjobitur dy shoferë të cilët s’kanë respektuar rregullat e trafikut.

    Në njërin rast, ku shpejtësia e lejuar është 40 km/h, një nga shoferët ka drejtuar mjetin e tij me shpejtësi 97 km/h, ndërsa në rastin tjetër në zonën 50 km/ kundërvajtësi ka drejtuar mjetin me 86 km/h.

    Shoferi i parë është gjobitur me 300 euro, dhe masë të ndalimit të mjetit për 6 muaj, ndërsa i dyti me 300 euro gjobë, tri pikë negative, si dhe tre muaj ndalim të mjetit.

    Komunikata:

    Njësite policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në dy raste të ndara kanë hasur në dy kundërvajtës të cilët kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat në trafikun rrugor.

    Në njërin rast kundërvajtësi është hasur në vendbanim ku kufizimi i shpejtësisë me shenjë trafiku është i rregulluar 40 km/h duke drejtuar automjetin me shpejtësinë 97 km/h. Të njëjtit i është shqiptuar gjoba në vlerë prej treqind (300) euro dhe masën e përkohshme të ndalim drejtimit të mjeteve motorike në afat prej gjashtë (6) muaj.

    Në rastin tjetër kundërvajtësi është hasur në zonën ku kufizimi i shpejtësisë me shenjë trafiku është i rregulluar 50 km/h duke drejtuar automjetin me shpejtësinë 86 km/h. Të njëjtit i është shqiptuar gjoba në vlerë prej dyqind (300) euro, tri (3) pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim drejtimit të mjeteve motorike në afat prej tre (3) muaj.

  • ShBA-ja kryen sulm “mbrojtës” në Irak

    ShBA-ja kryen sulm “mbrojtës” në Irak

    Forcat e Shteteve të Bashkuara kanë kryer sulm “mbrojtës” ajror ndaj luftëtarëve që po tentonin të lëshonin një dron, që u konsiderua si kërcënim për trupat amerikane dhe aleate, tha një zyrtar amerikan.

    Sulmi – që sipas burimeve irakiane la të vrarë të paktën katër persona – ishte sulmi i parë i kryer nga forcat amerikane në Irak që nga shkurti, kur ushtria amerikane tha se vrau një komandant proiranian i cili ishte përfshirë në sulmet ndaj trupave amerikane.

    “Sonte, forcat amerikane në Irak kryen sulm mbrojtës ajror” në provincën e Babilonisë “duke shënjestruar luftëtarët që po tentonin të lëshonin një dron”, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
    Zyrtari shtoi se Komanda Qendrore vlerësoi se droni “paraqiste kërcënim për SHBA-në dhe forcat e koalicionit”.

    “Ne ruajmë të drejtën tonë për vetëmbrojtje dhe nuk do të hezitojmë që të ndërmarrim veprimet e duhura”, tha zyrtari.

    Hashed al-Shaabi – një aleancë e ish-grupeve paramilitare proiraniane që janë integruar në forcat e sigurisë së Iranit – tha se sulmi me raketa goditi dy patrulla të Hashed në provincën e Babilonisë.

    Kataeb Hezbollah, një grup i fuqishëm proiranian dhe një pjesë e Hashedit, tha se sulmet ajrore amerikane shënjestruan “një grup të ekspertëve të dronëve të cilët po kryenin testime të reja” për të përmirësuar dronët vëzhgues.

    Kataeb Hezbollah është po ashtu pjesë e Rezistencës Islamike të Irakut, një aleancë e grupeve proiraniane që kanë marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj trupave amerikane të kryera së fundi, për shkak të luftës në Gazë. Por, këto sulme u pezulluan në janar.

    SHBA-ja e konsideron Kataeb Hezbollahun grup terrorist dhe vazhdimisht e ka shënjestruar atë.

    Javën e kaluar, janë kryer dy sulme që kanë shënjestruar trupat amerikane dhe të forcave aleate në Irak. Disa raketa u hodhën drejt bazës Ain al-Assad, ku gjenden trupat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, që luftojnë grupin xhihadist, Shteti Islamik.

    Më 16 korrik, dy dronë u lëshuan drejt bazës së njëjtë. Një prej dronëve “me sukses u shkatërrua”, ndërkaq një tjetër goditi bazën, duke shkaktuar “dëm minimal”, sipas Pentagonit.

    Para këtyre sulmeve, trupat amerikane në Siri dhe Irak ishin në shënjestër të sulmeve që nga muaji prill. Por, sulmet u intensifikuan pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasi – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, duke u regjistruar më shumë se 175 sulme./REL

  • Gratë kosovare nuk kandidojnë në politikë se janë të preokupuara në rritjen e fëmijëve, thotë sondazhi i IRI

    Gratë kosovare nuk kandidojnë në politikë se janë të preokupuara në rritjen e fëmijëve, thotë sondazhi i IRI

    Fenomeni i pabarazisë gjinore në poste politike, ende është prezent në Kosovë. Madje për këtë rezulton edhe një arsye bazike, e cila është përdorur si përgjigje në një sondazh nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), realizuar me kosovarë.

    Me një shumicë prej 63%, ata janë përgjigjur se gratë kosovare nuk kandidojnë në poste politike, për shkak se janë të preokupuara në rritjen e fëmijëve të tyre.

    Tutje me një shifër prej 57%, vie mendimi se gratë kosovare nuk kanë rrjet mbështetës për këto detyra. Pason më tej mendimi se ato kanë frikë nga dhuna, nëse u hyjnë garave të tilla.

  • Arrestohet në Lipjan i kërkuari për vrasje në tentativë

    Arrestohet në Lipjan i kërkuari për vrasje në tentativë

    Policia ka njoftuar se në Lipjan është arrestuar një person që kërkohej me urdhëresë të gjykatës.

    A.H kërkohej pasi ishte dënuar me burgim prej 1 vit për “Vrasje në tentativë”.

    Ai është dërguar në vuajtje të dënimit.

    Njoftimi i plotë:

    Nga njësite të stacionit Policor të Lipjanit, është arrestuar një person i cili kërkohej me urdhëresë të gjykatës.

    Personi i dyshuar:

    A. H, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, kërkohej me urdhëresë nga gjykata, pasi që i njëjti është dënuar me burgim (1 vit) për veprën vrasje në tentativë.

    Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi i dyshuar është dërguar për vuajtje të dënimit.

  • Policia gjen armatim në Zveçan

    Policia gjen armatim në Zveçan

    Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë një bastisje në fshatin Rudar i Madh në Zveçan janë gjetur disa armë dhe dy maska të ushtrisë.

    Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të policisë, teksa rasti është cilësuar si “Armëmbajtje pa leje”.

    “Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë ajrore me municion, një AK 47, një pistoletë me dy karikatorë, 10 fishekë kal.7.62 mm, 9 fishekë kal.9 mm, një rigë me gjashtë copa dhe një me tetë copa, dy maska të ushtrisë, dy pelerina për shi dhe dy thasë për fjete”.

    Lidhur me këtë rast është thënë se është intervistuar i dyshuari dhe me urdhër të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

  • Dështon sërish Komisioni Hetimor për MPJD-në, opozita e braktis mbledhjen

    Dështon sërish Komisioni Hetimor për MPJD-në, opozita e braktis mbledhjen

    Ka dështuar sërish votimi i hartimit të listës së dëshmitarëve për intervistim në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, raporton EO.

    Kryetarja e këtij komisioni, njëherësh deputete e AAK-së, Time Kadrijaj dhe nënkryetarja Ariana Musliu-Shoshi nga PDK e kanë braktisur mbledhjen pasi që sipas tyre nuk ka gatishmëri për konsensus.

    “Kanë qenë disa propozime që ka pasur dakordancë, që fillimisht u pajtuam të gjithë. Në fillim të jetë lista e juaj deri te ministrat, më pas përfshihet lista e opozitës dhe në fund të mbesin ministrat. A dakordoheni që të jetë kështu lista e dëshmitarëve?”, pyeti Kadriaj.

    Ndërkaq, deputetët e partive në pushtet, Fitore Pacolli, Arbreshë Kryeziu-Hyseni dhe Haxhi Abdyli akuzuan opozitën për neglizhencë dhe bllokim të punës së këtij komisioni.

    “Mendoj se kemi qenë shumë të qartë në mbledhjen e fundit. Kemi tentuar të bëhemi pjesë e kompromisit që komisioni të ecë përpara. Nëse jemi dakord për të vazhduar me listën që e kemi propozuar ne, vazhdojmë prej numrit 11 e tutje. Nëse jeni dakord prej këtij numri, është në rregull, në të kundërtën ne nuk pajtohemi”, tha Kryeziu-Hyseni.

    Ata kërkuan nga kryetarja e komisionit që të hedhë në votim listat e propozuara nga grupet parlamentare, pasi sipas tyre vendimmarrja në të gjitha komisionet që funksionojnë në Kuvendin e Kosovës është përmes votës.