ATV

Category: Lajme

  • ​Diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës, Kurti: Policia po shtohet dhe forcohet

    ​Diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës, Kurti: Policia po shtohet dhe forcohet

    Kanë diplomuar sot 448 policë të gjeneratës së 60-të të Policisë së Republikës së Kosovës.

    Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se polica po shton dhe forcon radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.

    Kurti potencoi se Policia e Kosovës këtë vit shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë tonë.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla tha se policia e vendit tonë me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta ngrisim këtë institucion si më të besueshmin për qytetarët e Kosovës.

    Ai theksoi se shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

    Ai potencoi se prioritet për Policinë e Kosovës është përmbushja e standardeve, përfaqësimi i të gjitha komuniteteve, diversitet etnik dhe ai gjinor.

    Zëdhënësi i gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Florian Shala u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përgjegjësive për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.

    Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimin që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës.

  • Shpërthim në oborrin e një shtëpie në veri, Elshani: S’ka të lënduar

    Shpërthim në oborrin e një shtëpie në veri, Elshani: S’ka të lënduar

    Një shpërthim raportohet se ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Uglarë të Zubin Potokut që ka shqetësuar banorët e kësaj zone.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Dukagjinin se një shpërthim ka ndodhur në një shtëpi në Uglarë, por nuk ka të lënduar vetëm dëme të vogla materiale.

    “Shpërthim në një oborr të një shtëpie në Uglare. Dëme të vogla materiale, nuk ka të lënduar. Policia ka dalë në vendngjarje dhe po merret me rastin”, ka thënë tutje Elshani.

  • Hovenier pas takimit me Kurtin: QUINT-i dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit

    Hovenier pas takimit me Kurtin: QUINT-i dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit

    Ambasadorët e shteteve të QUINT-it i kanë shkuar të premten në zyre kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. E temë diskutimi ishte paralajmërimi për hapjen e urës së Ibrit, e që u kundërshtua nga ambasadorët e pesë shteteve të akredituar në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha për gazetarë se në konsultim me qeveritë që përfaqësojnë, si dhe Aleancën Veriatlantike, nuk e përkrahin vendimin e Qeverisë për ta hapur urën e Ibrit.

    “Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, në këtë kohë”, është shprehur Hovenier, në një deklaratë të shkurtër për mediet.

    Diplomati amerikan ka qenë i prerë dhe i qartë në përgjigjen e tij, ndërsa nuk ka dashur të komentojë më shumë pse nuk e mbështesin hapjen e urës që “ndan” Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

  • Aeroporti i Shkupit pas incidenti me Osmanin: Vepruam në përputhje me ligjet

    Aeroporti i Shkupit pas incidenti me Osmanin: Vepruam në përputhje me ligjet

    Kompania e cila menaxhon me Aeroportin e Shkupit, TAV, në reagimin e saj pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se siguria e pasagjerëve nuk është rrezikuar dhe se veprimet e tyre kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi.

    Në reagim thuhet se sipas legjislacionit në fuqi, ata e kanë obligim që të kryejnë kontrolle për të gjithë pasagjerët.

    “TAV Maqedonia informon se në pajtim me Ligjin për Aviacionin dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare lidhur me sigurinë e aviacionit civil … operatori i aeroportit e ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave”, thuhet në reagim.

    Tutje thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë nëpër pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.

  • Kurti e Konjufca akoma asnjë reagim për incidentin diplomatik në Shkup ku u përfshi presidentja Osmani

    Kurti e Konjufca akoma asnjë reagim për incidentin diplomatik në Shkup ku u përfshi presidentja Osmani

    Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, akoma nuk kanë bërë asnjë deklarim lidhur me skandalin e mbrëmshëm në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja Vjosa Osmani. As ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla s’ka reaguar, përveç një deklaratë që u lëshua nga MPJD.

    Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, pasi është tentuar t’i merret telefoni personal presidentes Osmani nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

    MPJD ka thënë se përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

    Autoritetet maqedonase kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare por thanë se kanë nisur hetimet për këtë rast. Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.

  • Incidenti në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi Presidentja Osmani, çka dihet deri tash?

    Incidenti në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi Presidentja Osmani, çka dihet deri tash?

    Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani, është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

    “Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, tha këshilltari politik i Osmani, Bekim Kupina.

    Autoritetet maqedonase kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare, por thanë se kanë nisur hetimet për këtë rast.

    Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.

    Presidenca: Sjellje dhe ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur në asnjë udhëtim

    Bekim Kupina tha se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai [sigurimi] ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

    “Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”, tha Kupina.

    Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike veç tjerash, mbron statusin diplomatik, privilegjet dhe imunitetin e krerëve të shteteve dhe anëtarëve të stafit të tyre në territorin e shteteve të tjera. Në këtë konventë, kur flitet për udhëtimet, thuhet se personave që kanë status diplomatik, dhe stafit të tyre, duhet t’u lejohet lëvizje e lirë.

    “Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”.

    Sipas tij, sjellje dhe ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur në asnjë udhëtim të Osmanit, përfshirë edhe në shtetet mosnjohëse.

    “Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë si sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës”, tha Kupina.

    “Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, tha ai, duke shtuar se për këtë incident është njoftuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, “të cilin e falënderojmë për ndihmën e ofruar.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se është informuar për “trajtimin jodinjitoz të presidentes së Republikës së Kosovës” në Aeroportin e Shkupit.

    Shkupi thotë se po kryen hetime

    Por, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha përmes një njoftimi se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, “një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

    “Më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”, u tha në njoftim.

    Ministria tha se po kryen hetime rreth asaj se çfarë ka ndodhur.

    Kabineti i Gashit ka bërë të ditur se sigurimi i tij (punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme), kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar kolegët e tyre që të zbatojnë procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP.

    Kompania TAV tha në një komunikatë se “si operator aeroporti, ka detyrim ligjor të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë udhëtarëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe nga aeroporti i Ohrit, duke përfshirë ata që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.”

    “Prandaj, departamenti i sigurisë i TAV-it, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë së udhëtarit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial”.

    Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha se dënon “veprimet e papranueshme” që kanë ndodhur në Shkup.

    “Ky incident tregon qartë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e përfaqësuesve të paligjshëm shqiptarë në qeveri”, shkroi ai në Facebook.

    Aleanca për Shqiptarët dënoi “ashpër provokimin e rëndë ndaj Republikës së Kosovës, përmes sjelljes skandaloze të zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit” ndaj presidentes Osmani.

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.

  • Sot diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës

    Sot diplomon gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në ora 10:00, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës.

    Në këtë ceremoni, pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Personalitetet e larta shtetërore dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të ju drejtohen të pranishmeve me nga një fjalë rasti, përderisa në këtë ceremoni do të shpërndahen edhe certifikatat për të diplomuarit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Ky është parashikimi i motit për sot, pasdite pritet shtim i vranësirave

    Ky është parashikimi i motit për sot, pasdite pritet shtim i vranësirave

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës.

    Ndërsa, gjatë pasdites pritet shtim i vranësirave, të cilat lokalisht apo në zona më të izoluara, pritet të sjellin rrebeshe kalimtare shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Këto reshje pritet të jenë kryesisht të përqendruara në gjysmën e epërme të Kosovës, duke mos përjashtuar mundësinë edhe në jugperëndim të vendit, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë nga veriperëndimi, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 18-65 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 18°C, ndërsa ato maksimale prej 33 deri në 37°C.

    Si pasojë e temperaturave të larta, këshillohet të keni kujdes nëse qëndroni jashtë për periudha të gjata kohore.

  • BE-ja përsërit se vendimi për hapjen e urës së Ibrit merret në kuadër të dialogut

    BE-ja përsërit se vendimi për hapjen e urës së Ibrit merret në kuadër të dialogut

    Bashkimi Evropian po insiston se çështja e urës mbi lumin Ibër të jetë çështje që diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se çfarëdo hapi që do të ndërmerret dhe që ka ndikim në njërën apo tjetrën palë, duhet të diskutohet dhe zgjidhet në dialog. Ai ka shtuar se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.

    “Çfarëdo hapa që do të ndërmerren që ka ndikim në njërën ose tjetrën palë duhet të diskutohen, zgjidhen dhe merren në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Rihapja e urës është çështje e dialogut dhe çfarëdo vendimi për t’u hapur duhet të bëhet brenda dialogut”, ka ritheksuar ai në një paraqitje me mediat.

    Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet me diskutime brenda dialogut. Institucionet në Kosovë e kanë kërkuar dhe mbështetur këtë veprim duke arsyetuar se garanton lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve.

  • Haradinaj numëron tre arsye pse propozoi 26 janarin për zgjedhje: T’ia shkurtojmë Kosovës gjendjen dëshpëruese

    Haradinaj numëron tre arsye pse propozoi 26 janarin për zgjedhje: T’ia shkurtojmë Kosovës gjendjen dëshpëruese

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë tre arsye pse AAK ka propozuar 26 janarin si datë të zhjedhjeve.

    Sipas tij, vendit i duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat ai i ka ndarë në tri grupime.

    Ju kam ftuar këtu për tri grupime të dështimeve të Qeverisë së vendit, të cilat janë edhe arsyeja pse AAK e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve.

    Së pari, dështimet në marrëdhëniet e jashtme, me aleatët e Kosovës. Grupimi i dytë i dështimeve janë në kapjen e institucioneve të pavarura. Nuk ka mbetur asnjë institucion që nuk i është armiqësuar. Grupimi i tretë ka të bëjë me dështimet ekonomike, mos-investimi dhe mos-rritja e pagave e deri te paaftësia për të ndaluar rritjen enorme të çmimeve.

    Këto janë arsyet kryesore edhe pse në takimin e djeshëm e propozuam 26 janarin si datë të zgjedhjeve, në mënyrë që Kosovës t’ia shkurtojmë për disa javë këtë gjendje dëshpëruese.