Shqipëria ka testuar për herë të parë dronët Bayraktarë në kushte të errësirës nga Baza Ajrore e Kuçovës.
Pamjet janë publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ku është thënë se qëllimi është rritja e gatishmërisë së kësaj njësie.
“Detashmenti i Mjeteve Ajrore pa Pilot zhvilloi për herë të parë nga Baza Ajrore e Kuçovës fluturimet stërvitore natën nëpërmjet pëdorimit të sistemit të imazheve termike dhe pajisjeve të shikimit të natës. Operarorët e dronëve #Bayraktar testuan aftësitë manovruese në kushtet e errësirës, me qëllim rritjen e gatishmërisë së kësaj njësie të Forcave tona të Armatosura”, thuhet në postim, derisa janë publikuar edhe disa pamje.
Bashkim Kurti, është liruar nga detyra si shef ekzekutiv i Trepçës.
Kështu ka vendosur mbrëmë në orët e vona, bordi i kësaj ndërmarrje.
Në njoftim thuhet se në vend të tij, si ushtrues detyre është caktuar Faton Ahmeti, që e kishte mbajtur pozitën e zëvendësit të Kurtit.
“Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Trepça Sh.A. njofton opinionin e gjerë publik se ka qenë i përkushtuar në përzgjedhjen e kandidatit më të përgatitur dhe profesional për të udhëhequr ndërmarrjen Trepça Sh.A., natyrisht duke respektuar kushtet dhe kriteret e përshkruara në shpalljen publike”, thuhet në njoftim.
Gjendja në gjigandin metalurgjik duket se nuk është e mirë.
Minatorët e Trepçës nuk janë paguar fare tash e dy muaj.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë një përditësim rreth gjendjes në pikëkalimet kufitare.
Sipas këtij përditësimi, më së shumti pritje ka në Merdare. Në hyrje të kësaj pike pritjet po zgjasin 1 orë, e në dalje nga 1 orë deri në 1 orë e 20 minuta.
Pritje 1 orëshe ka edhe te Dheu i Bardhë, në dalje. Kolona është 400 metra.
Në pikëkalimet kufitare, Kullë, Qafë e Morinës dhe Qafë e Prushit, pritjet janë nga 5-10 minuta.
Pritjet në pikëkalimet tjera janë 3 deri në 5 minuta.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Edin Nevzadit, i cili është i dyshuar si njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigroheshin gratë dhe vajzat.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale me datë 12.07.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit E.N iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj” thuhet në përgjigjen e zëdhënëses për informim Mirlinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I dyshuari Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryeri veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”.
Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.
Në pamje të parë ngjan si të jetë ndonjë liqen. Por në fakt është Ujëvara e Mirushës, vetëm se e shterur.
Për të parë bukuritë e rrjedhës së ujit, rrugë deri në Mirushë mori edhe Hamid Muja, mërgimtar nga Gjermania, por u befasua kur pa ujëvarën në këtë gjendje.
“Shokët na kanë tregu, edhe në internet i kemi pa shumë fotografi e tash po çuditna qysh koka shterë, s’paska ujë tash, duhet me këqyrë a me ndejtë këtu a çka me bo” tha ai.
Pritshmëri tjetër pati edhe çifti Ajet e Hatixhe Veseli. Megjithëse, vendi thonë se iu pëlqeu goxha shumë.
“Kemi ardhur me e vizitu ujëvarën po sot s’paskemi çka me pa se s’paska ujë, po natyra si natyrë shumë e bukur, shumë vend i mirë mu relaksu, po ujë s’paska”, deklaroi Ajet Veseli, vizitor.
Veçse rruga qe pak e lodhshme, për shkak të infrastrukturës së dobët.
“Rrugën ish kanë mirë pasi që këtu vijnë shumë vizitorë dhe kish me qenë mirë pak me rregullu, sepse kishin ardhur vizitorë më shumë”, u shpreh vizitorja tjetër, Hatixhe Veseli.
E shkak i mosrrjedhës, edhe uji ishte i papastër, saqë pamundësoi freskimin e vizitorëve.
Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që ujëvara e Mirushës shteron.
Pronarë biznesesh që operojnë në këtë pjesë, duke mos dashur të flasin para kamerës treguan për televizionin se shkak i temperaturave të larta ujëvara kishte shterur disa herë edhe në vitet e kaluara./atvlive.tv/
Për një grabitje që kishte mbetur vetëm në tentativë, në këtë rrugë të Gjilanit, në vitin 2018, Kastriot Shala e Leutrim Latifi u shpallën fajtorë.
Por gjashtë vjet pas, tani kur ka një aktgjykim të formës së prerë, mbrojtja e Kastriot Shalës ka bërë kërkesë në institucionet relevante për rihapje të procedurës penale.
Kërkesën avokati Mentor Neziri e bazoi në deklaratën e një të dënuari tjetër, Fitim Latifi, i cili ka marrë përgjegjësinë për rastin, duke e përshkruar në detaje se si e kishte organizuar grabitjen.
“Pasi që këtu e kanë pru personin me emrin Kastriot Shala, të cilin unë asnjëherë më parë nuk e kom njohur dhe as nuk kam dëgjuar për të, pasi që kam kuptuar se për çfarë është dënuar, menjëherë e kam kuptuar se ky është dënuar për veprën penale që unë e kam kryer. Revolen e kam gjujtë në liqenin e Livoqit, jo nga ana e asfaltit, por nga ana tjetër”, thuhet në deklaratën e Fitim Latifit
Bindjen se Latifi e thotë të vërtetën, Nezirit ia shton edhe pjesa ku ai ka treguar për vendin në të cilin e kanë fshehur armën, me të cilën pretendohet se është kryer vepra penale.
Megjithatë, gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit kanë marrë aktvendim ndryshe.
Në vendimin e Apelit ndër të tjera thuhet se shkalla e parë ka vepruar drejtë kur e ka refuzuar kërkesën e Nezirit.
Por, mbrojtja ka shfrytëzuar edhe të drejtën e ankesës në Supreme.
Për rihapje të procedurës penale, mbrojtja ka bërë kërkesë edhe në Prokurorinë e Gjilanit, e cila nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit.
Kastriot Shala, i dyshuar edhe në raste të tjera penale, për këtë rast u dënua nga Gjykata e Gjilanit me dy vjet e tre muaj burgim, ndërsa Apeli ia dyfishoi dënimin./atvlive.tv/
Tri ditë pasi ATV-ja raportoi ekskluzivisht se Qeveria së shpejti do të kryejë disa testime në urën kryesore mbi lumin Ibër, që lidh jugun dhe veriun e Mitrovicës, kryeministri Albin Kurti planin për hapjen e saj ua paraqiti ambasadorëve të QUINT-it.
Pikërisht plani që kryeministri shpalosi të premten, parasheh testimet për stabilitetin e strukturës së urës.
“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit, si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, u tha nga Qeveria.
Por, Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë përkrahjen e ndërkombëtarëve. Pas takimit që u zhvillua saktë 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës, Ambasadori, Jeffrey Hovenier, tha se QUINT-i dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në këtë kohë.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë.”, deklaroi Hovenier.
Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri Kurti insiston se ura duhet të hapet.
“Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet.”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Kryeministrisë.
Për hapjen e urës ekzistojnë dy marrëveshje të arritura në dialogun e Brukselit, ajo më 2015 dhe ajo më 2016, teksa Bashkimi Evropian të enjten për ATV-në përsëriti se çdo vendim për hapjen duhet të merret në dialogun Kosovë – Serbi.
Ndaj kësaj deklarate reagoi presidentja Vjosa Osmani duke theksuar se për hapjen e urës mbi lumin Ibër nuk do të pyetet presidenti serb, Aleksandër Vucic./atvlive.tv/
Arrestimi ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, me fletarrestim të Serbisë, patrullimet e përbashkëta me policinë serbe dhe incidenti me presidenten Vjosa Osmani, kanë ngritur shqetësime për raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut.
Derisa thelbin e ngjarjeve e lidhi me qeverinë e re në Shkup, opinionisti Bekim Kabashi vlerësoi se ato më shumë mund të ndikojnë brenda vetë shtetit fqinj.
“Situata në Maqedoni (të Veriut) është në vlim e sipër, vetë fakti që atje ka fituar në zgjedhje aq shumë një parti nacionaliste. Bindshëm. Pra, 58 deputetë i ka VMRO-DPMNE, tregon se ka njëfarë sentimenti antishqiptar. Nuk lidhet krejt me raportet ndërmjet dy shteteve, por tregon se ka një sentiment antishqiptar, që pastaj që sigurisht se reflekton te rasti i Kosovës, sepse Kosova është me shumicë shqiptare dhe shqiptarët e Kosovës janë të lidhur ngushtë me shqiptarët e Maqedonisë”, tha Kabashi.
Referuar ngjarjeve të fundit, opinionisti nga Gostivari, Albert Musliu, vuri theksin te orientimi i partisë së rikthyer në pushtet në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk i shoh vetëm si përkeqësim ose ftohje të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, por e shoh si një tendencë të gabuar të partisë më të madhe në pushtet në Maqedoni, VMRO-DPMNE, ngase qysh prej fillimit të mandatit shohim një tendencë të përafrimit shumë të madh me kryetarin e Serbisë, Vucic”, u përgjigj Musliu.
Pasi tha se mungojnë vizitat e takimet zyrtare me Kosovën, Musliu foli për rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore.
“Fatkeqësisht shoh mungesë vizioni nga VMRO-DPMNE-ja. Nuk është Kosova ajo që varet nga Maqedonia, por Maqedonia ajo që varet nga marrëdhëniet e mira me Kosovën. Popullata shqiptare në Maqedoni është më se një e treta dhe normalisht asnjë shqiptar në Maqedoni nuk është indiferent nga marrëdhëniet me Kosovën”, shtoi tutje Musliu.
Teksa vlerësoi se situatës, siç u shpreh, “deri në një pikë i ka kontribuuar edhe Kosova, me ndërhyrjen e kryeministrit në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, Kabashi tha se tensionimi eventual do të ishte në dëm të shqiptarëve.
“Nuk është në interes të shqiptarëve që acarimi i raporteve mes Kosovës dhe Maqedonisë të shkojë më tutje, sepse ajo do të reflektojë drejtpërdrejt në të arriturat e shqiptarëve në Maqedoni. Të arriturat, po them për integrimin në institucione”, tha po ashtu Kabashi.
Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, përkrahën haptas koalicionin e partive shqiptare VLEN – në zgjedhjet e fundit në shtetin fqinj – që më pas u bë pjesë e koalicionit qeverisës të pritë nga VMRO-DPMNE./atvlive.tv
Kryetari i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, tha se sesioni pranveror i Kuvendit është përmbyllur me rreth 30 pika të papërfunduara.
Sipas Abelard Tahirit të PDK-së, kjo tregon për efikasitetin e punës së Kuvendit.
“Sesioni pranveror ka filluar në fund të janarit të këtij viti, me mbi 30 pika të papërfunduara të sesionit vjeshtor dhe po ashtu po e mbyllim këtë sesion me diku 30 pika të papërfunduara. Kjo tregon për efikasitetin e punës së këtij Kuvendi”, foli Tahiri.
Megjithatë, Tahiri theksoi se ky sesion ka qenë periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së, në mbrojtje të interesit publik dhe vlerave të shtetit demokratik.
“Beteja e parë që ka të bëjë me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ishte një iniciativë që binte ndesh me rendin tonë kushtetues që Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë pretendimeve tona. Dhe, në anën tjetër, ishte edhe Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, e cila ishte një iniciativë për ta rrënuar shërbimin civil në Republikën e Kosovës, një investim 20-vjeçar nga fondet tona, si taksapagues të shtetit dhe nga fondet e BE-së.”, deklaroi tutje Tahiri.
Ndërkaq, Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron jotransparente, teksa për punën e Kuvendit, Besnik Tahiri nga ky subjekt tha se shumica parlamentare e ka tradhtuar besimin e qytetarëve.
“Ky sesion nuk ka qenë i lehtë për shkak se shumica parlamentare ka vazhduar në masë të madhe të shpërfaqë arrogancën, duke mos dhënë llogari dhe përgjegjësi në raport me besimin. Shumica parlamentare e ka tradhtuar besimin e qytetarëve, duke e pamundësuar punën në Kuvendin e Kosovës.”, u shpreh Tahiri.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha se gjatë këtij sesioni pushteti e ka penguar edhe punën në komisione hetimore.
“Ndërsa, në komisione hetimore ka pasur puç dhe është tentuar të merret pozita e kryesuesit në komisionin që udhëheq Shemsedin Dreshaj. Ky Kuvend e ka trajtuar në aspektin e njëanshëm gjithë politikën që lidhet me temat e konsensusit në Kuvend.”, tha po ashtu ai.
Ndryshe, në bazë të punës së deritashme, monitoruesit e Kuvendit shprehen skeptikë nëse do të përmbushet agjenda legjislative, deri në fund të këtij mandati, që i kanë mbetur edhe disa muaj./atvlive.tv/
Kryetari i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se incidenti në Aeroportin e Shkupit ku është përfshirë presidentja Vjosa Osmani, është skandal i rëndë diplomatik mes dy shteteve,
Në një konferencë për media, Tahiri, tha se me këtë incident pjesë janë dëmtuar marrëdhëniet rajonale.
“Presidentja e Kosovës ndalohet, shkelen të gjitha konventat, protokollet diplomatike, ky nuk është skandal është incident i rëndë diplomatik mes dy shteteve”, tha Tahiri.