ATV

Category: Lajme

  • Kadaj-Bujupi tregon në detaje se çka ndodhi në Shkup: E shtynë, tentuan t’ia marrin telefonin me forcë presidentes

    Kadaj-Bujupi tregon në detaje se çka ndodhi në Shkup: E shtynë, tentuan t’ia marrin telefonin me forcë presidentes

    Këshilltarja e presidentes, Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi ka treguar momentin se si ndodhi incidenti në aeroportin e Shkupit, në Maqedoninë e Veriut.

    Kadaj-Bujupi tha se pala maqedonase në këtë rast, sigurimi i aeroportit të Maqedonisë shkaktoi një incident të paprecedentë, të panevojshëm, e siç tha ajo “krejt i paarsyeshëm”.

    “Nga mediat e Maqedonisë së veriut opinioni po helmohet me gënjeshtra dhe të pavërteta, po pretendojnë që të paraqesin që presidentja ka refuzuar që të fus siç po i referohen ata valixhen në skanerë. Në rend të parë Osmani nuk ka pas fare valixhe. Isha aty, ishim bashkë dhe presidentja Osmani e them me përgjegjësi të plotë nuk ka pas fare valixhe. Krejt çka ka pas një çantë të dorës”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

    Sipas saj, presidentes Osmani iu kërkua që të skanojë çantën e dorës për të cilën siç tha ajo e futi në skaner.

    “Në momentin që u futëm në aeroport në kundërshtim me Konventën e Vjenës dhe nene 23.7 të saj, presidentes iu kërkua që ta skanojë çantën e dorës. Policia e Kosovës e cila ishte në nivel të detyrës ua shpjegoi që presidentes që sipas praktikës ndërkombëtare, jo vetëm në rajon por edhe në botë duke filluar në këtë rast edhe në SHBA, e vendet jo njohëse anë e mbanë botës e në të gjitha vendet e BE-së asnjëherë nuk i kërkohet të skanohet çanta e dorës. Sipas Konventës së Vjenës është çantë diplomatike. Çanta është skanuar dhe nuk ka pas asnjë dyshim ”, u shpreh ajo për KlanKosovën.

    Kadaj-Bujupi po ashtu tha se sigurimi i aeroportit fizikisht ‘u turr’ në drejtim të presidentes që t’ia konfiskojnë telefonin.

    “Telefonin presidentja e mban në dorë. Sipas të gjitha protokolleve të sigurisë ajo është mjet pune i presidentes në të cilat diskutohen edhe çështjet e sigurisë dhe në asnjë mënyrë për asnjë çmim, pavarësisht tendencave që mund të ketë nga shtetet tjera presidentja nuk e dorëzon telefonin e vet sepse në atë moment e shkel ligjin. Presidentja refuzoi me dorëzu në skaner. Donin me ia konfisku telefonin. Fizikisht tentonin me trup, merrshin turr, tentuan me ia marr telefonin, me ia konfisku…është e paprecedent, është skandaloze, është shokuese”, shpjegoi momentin që ndodhi një ditë më parë në aeroportin e Shkupit, Kadaj-Bujupi.

    LEXONI EDHE:

    Incidenti në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi Presidentja Osmani, çka dihet deri tash?

  • E rëndë: Pas babait, vdes edhe njëri nga djemtë e tij që u plagosën para disa muajsh në Pejë

    E rëndë: Pas babait, vdes edhe njëri nga djemtë e tij që u plagosën para disa muajsh në Pejë

    Sot ka humbur jetën Jetart Berisha (20-vjeçar), viktima e dytë e rastit të rëndë që ndodhi në muajin maj, në Pejë, ku babai me dy djemtë u qëlluan me armë zjarri nga i dyshuari Agron Gashi, raporton Gazeta Sinjali,

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Ka vdekur edhe viktima e dytë e plagosjes para disa muajsh që ka ndodhur në Pejë. Prokurori i shtetit ka lëshuar urdhër për obduksionin e viktimës”, tha Nikqi.

    Kujtojmë se më 7 qershor kishte ndërruar jetë edhe babai i Jetart Berishës, Jeton Berisha.

    I dyshuar për këtë rast Agron Gashi, ndodhet nën masën e paraburgimit, pasi dyshohet se i plagosi viktimat, mbrëmjen e 22 majit.

  • Arrestohet një 36-vjeçar në Shtime, gjuajti me armë në një aheng familjar

    Arrestohet një 36-vjeçar në Shtime, gjuajti me armë në një aheng familjar

    Policia ka arrestuar një person pasi kishte shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar në rrugën “2 korriku”, në Shtime.

    I dyshuari është 36-vjeçar me inicialet D.F., tek i cili bëhet e ditur se është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka shtënë gjatë ahengut.

    Ai është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar pistoleta.

  • Vdes në QKUK një 41-vjeçare, u rrah nga bashkëshorti dy ditë më parë

    Vdes në QKUK një 41-vjeçare, u rrah nga bashkëshorti dy ditë më parë

    Një grua nga Gushterica e Poshtme e Graçanicës, ka humbur jetën sot në QKUK, ku përfundoi për trajtim mjekësor si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj para dy ditësh, raporton Gazeta Sinjali.

    Viktima dyshohet se ka pasur hemorragji në tru nga lëndimet e rënda dhe nuk është arritur që të kryhet operacioni nga ekipi mjekësor në Klinikën Emergjente.

    Burri i saj i dyshuar është arrestuar më 31 korrik, në orët e mbrëmjes dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Hapja e Urës së Ibrit, Rashiq: Të gjitha palët duhet t’i shmangin veprimet e njëanëshme

    Hapja e Urës së Ibrit, Rashiq: Të gjitha palët duhet t’i shmangin veprimet e njëanëshme

    Që nga njoftimet e fundit për hapjen e mundshme të urës kryesore në Ibër, deri më sot nuk është bërë asgjë.

    Bashkimi Evropian tha se çështja duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel, kurse Qeveria deklaroi sot se ura duhet të hapet.

    Ndërsa ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se hapja e urës në veri do të ndodhë kur në Bruksel të dakordohen që të krijohen kushtet për një veprim të tillë.

    “Unë e kam shprehur disa herë mendimin tim dhe po mundohem t’ua paraqes mendimin tim kolegëve dhe sigurisht kryeministrit, që është se hapja e urës ishte një marrëveshje mes dy-tri palëve në Bruksel dhe ishte pjesë e procesit teknik të Brukselit apo negociatave teknike në të cilat thuhet se, ndër të tjera, dy palët në këtë rast dhe e treta si lehtësues do të bien dakord se kur do të krijohen kushtet për hapjen e urës dhe me theks të veçantë thuhet që ura do të përdoret për këmbësorë, që do të thotë fjalë për fjalë është një urë për këmbësorë, asnjëherë nuk është menduar të ketë trafik, veçanërisht trafik makinash apo ndonjë lloj trafiku tjetër, prandaj është e pazakontë të insistohet që të ketë qarkullim të veturave apo automjeteve të tjera kur nuk është përmendur as në marrëveshjen e Brukselit e as në marrëveshjen e tregut”, thotë Rashiq.

    Ai shton se nuk ka nevojë për ngritjen e tensioneve, sidomos në Mitrovicën e Veriut dhe se duhet të shmangen veprimet e njëanshme.

  • Ministri Maqedonci: Investuam mbi një milion euro në ndërtimin e objektit të Akademisë së Mbrojtjes

    Ministri Maqedonci: Investuam mbi një milion euro në ndërtimin e objektit të Akademisë së Mbrojtjes

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci bëri të ditur se 43 kadetë të FSK-së janë duke i ndjekur studimet në objektin e Akademisë së Mbrojtjes, në të cilin objekt është investuar mbi një milion euro.

    Maqedonci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në këtë formë menaxhmenti drejtues e akademik ngritë kapacitetet profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes shkollimit të kuadrove të reja të kadetëve në Qendrën për Studime Universitare, dhe avancimin e oficerëve në Shkollën e Oficerëve.

    Tutje ai tha se: “Qendra për Studime Universitare (QSU) e ndërtuar mbi katër shtylla apo programe kryesore: Programi Profesional; Programi i Udhëheqjes; Programi Akademik dhe Programi i Përgatitjes Fizike, ka për mision që të arsimojë, edukojë, trajnojë dhe inspirojë kadetët që të bëhen oficerë të cilët do të udhëheqin me shembull dhe që qëllim kryesor kanë shërbimin ndaj atdheut”.

    Sipas tij, kadetët e diplomuar në Qendrën për Studime Universitare-Akademinë e Mbrojtjes janë liderët e së ardhmes.

    “Të përgatitur në aspektin fizik e mendor janë të gatshëm për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit”, ka shkruar ndër të tjera Maqedonci.

  • Të paktën 30 persona të vdekur nga përmbytjet në Pakistan

    Të paktën 30 persona të vdekur nga përmbytjet në Pakistan

    Të paktën 30 persona kanë vdekur këtë javë si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Pakistan. Përmbytjet sipas autoriteteve kanë shkaktuar edhe shumë dëme.

    Qyteti i dytë më i madh, ai i Lahores u përmbyt nga reshjet që raportohet të jenë më të mëdhatë në më shumë se katër dekada.

    Ardhja e sezonit të shirave të dendur ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në të gjithë Azinë Jugore javën e kaluar, me të paktën 195 të vdekur dhe pothuajse 200 të zhdukur në një fatkeqësi në Indinë fqinje.Shiu goditi veriun e Pakistanit, duke shkaktuar përmbytje e shembje ndërtesash, raporton Reuters.

    “Rekordi 44-vjeçar i reshjeve u thye përsëri në Lahore”, thanë zyrtarët e shërbimeve në provincën verilindore të Punjabit, ku autoritetet numëruan gjashtë vdekje dhe paralajmëruan se përmbytjet më të mëdha priten në jug këtë javë.

    Në Khyber Pakhtunkhëa, 12 fëmijë ishin në mesin e 22 personave që vdiqën në tre ditët e fundit nga shirat.

    Organizatat globale, si Kombet e Bashkuara, e shohin Pakistanin si një nga vendet më të cenueshme ndaj motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike, me përmbytjet që bënë kërdinë në vitin 2022, duke lënë të vdekur më shumë se 1700 njerëz dhe duke zhvendosur miliona prej tyre.

  • Kurti insiston: Ura e Ibrit duhet të hapet

    Kurti insiston: Ura e Ibrit duhet të hapet

    Pavarësisht se shtetet e QUINT-it dhe NATO nuk po e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po insiston se ura e Ibrit duhet të hapet.

    Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së, Kurti ka thënë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë.

    “Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

    Kurti ua ka paraqitur ambasadorëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që sipas tij “parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

    Kurti ka shtuar se Qeveria është për lëvizje të lirë dhe për të simbol është ura e Ibrit.

    “Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”.

  • Arrestohet pasi tentoi t’i jepte ryshfet 20 euro një polici në kufi

    Arrestohet pasi tentoi t’i jepte ryshfet 20 euro një polici në kufi

    Policia ka njoftuar se një person është arrestuar e pastaj është liruar në procedurë pasi ka tentuar t’iu japë ryshfet zyrtarët policorë në pikën kufitare në Vërmicë.

    Sipas njoftimit, rasti është cilësuar si dhënie ryshfeti.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti në kontroll të dokumenteve i ka ofruar 20 euro zyrtarit policor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

  • Ministria e Financave dhe KEK-u nënshkruajnë dy marrëveshje për projektin për energji solare

    Ministria e Financave dhe KEK-u nënshkruajnë dy marrëveshje për projektin për energji solare

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Korporatës Energjetike të Kosovës kanë nënshkruar dy marrëveshje me vlerë totale mbi 60 milionë euro për financimin e projektit të energjisë solare (Solar4Kosovo).

    “Ky projekt parasheh ndërtimin e një impianti fotovoltaik diellor me kapacitet të instaluar deri në 100 MW, që do të prodhojë rreth 152 GWh energji në vit. Synimi kryesor është rritja e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe ulja e ndikimit në ambient nga prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Pjesë e projektit thuhet se është instalimi i paneleve solare në fushat e ish-deponisë së hirit të KEK-ut, afër termocentraleve.

    “Para instalimit, rreth 150 hektarë të ish-deponisë së hirit në afërsi të Kosova A dhe deponisë së hirit ‘Dragodan’ do të rivitalizohen. Përveç kapacitetit të shtuar për prodhimin e energjisë elektrike, ky projekt do të ndihmojë KEK-un në rritjen e nivelit të menaxhimit të burimeve të energjisë, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve për investime në burime të diversifikuara të energjisë në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

    Marrëveshjet janë nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Bekir Gërguri.