ATV

Category: Lajme

  • Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka finalizuar projektligjin për nëpunësit civilë të gjykatave dhe prokurorive, sindikatat kërkojnë që të miratohet sa më shpejt

    Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka finalizuar projektligjin për nëpunësit civilë të gjykatave dhe prokurorive, sindikatat kërkojnë që të miratohet sa më shpejt

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Ka më shumë se dy vjet që punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive, janë në pritje të miratimit të ligjit që rregullon statusin e tyre.

    Në mars të 2022-s ata ndërprenë grevën me premtimin se do të fillojë hartimi i ligjit, megjithatë vetëm drafti fillestar i tij është përfunduar në korrik të këtij viti.

    Nga Sindikata e nëpunësve civilë të Prokurorisë e Gjykatës në Prishtinë thonë se Ministria është vonuar në këtë drejtim.

    Punëtorët kanë kërkuar kompensim, dhe paga në bazë të shkallshmërisë, duke theksuar që të nivelizohet paga e gjyqtarëve e prokurorëve me atë të bashkëpunëtorëve profesionalë.

    Megjithëse pagat e nëpunësve civilë janë rregulluar edhe me ligjin për paga, nga sindikatat thonë se Gjykata Kushtetuese ka hapur rrugë që pagat e tyre të trajtohen me ligj të veçantë.

    Me projektligj parashihet ndër të tjera edhe përgatitja profesionale e nëpunësve gjatë punësimit.

    Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigjeje gjatë ditës se kur pritet që projektligji të finalizohet, dhe të dërgohet fillimisht në Qeveri për miratim./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: 

  • Në vend të spitalit, Podujeva do të bëhet me poliklinikë specialistike

    Në vend të spitalit, Podujeva do të bëhet me poliklinikë specialistike

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    “Ka pesë vjet që pritet shiriti, por spitali nuk është askund, Podujeva s’ka spital të vet, t’ mos ketë prerje shiritash pa spital”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti, por edhe kur  kanë kaluar katër vjet që nga kjo deklaratë, spitali i Podujevës nuk u bë.

    Megjithatë, të mërkurën, Qeveria ndau 1.7 milionë euro për pajisje e funksionalizimin e ambulancës specialistike në Llap. E objekti ku pritet të funksionalizohet poliklinika ndodhet pesë kilometra larg qendrës në të cilin fillimisht ishte destinuar spitali.

    “Ne kemi bërë kërkesë moti, na vjen mirë që na është aprovuar sepse ka rëndësi të madhe për llapjanët…ka qenë për spital por u duk më e arsyeshme për poliklinikë”, deklaroi zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

    Për të vazhduar puna Komuna pret vetëm bartjen e mjeteve buxhetore.

    Ndonëse qyteti do të ketë poliklinikë, qytetarët megjithatë druajnë se nuk do t’i marrin të gjitha shërbimet specialistike.

    Përpos mungesës së spitalit, Podujeva aktualisht siç mëson ATV-ja ka edhe numër të vogël të specialistëve mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Fermerët në Kosovë, nuk mund të importojnë për një kohë, dele e dhi që vijnë nga Rumania e Greqia

    Fermerët në Kosovë, nuk mund të importojnë për një kohë, dele e dhi që vijnë nga Rumania e Greqia

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Fermerët në Kosovë, nuk mund të importojnë për një kohë, dele e dhi që vijnë nga Rumania e Greqia.

    Me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndalimi i importit nga këto dy shtete është bërë si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së sëmundjes Mortaja e ruminantëve të vegjël.

    “Në bazë të raportimeve zyrtare në kuadër të asaj që këto shtete kanë raportuar në Organizata ndërkombëtare rezulton se këto dy shtete janë të prekura nga sëmundja murtaja e kafshëve, deleve dhe dhive dhe si masa të rregulla ndërkombëtare, këto shtete ndalojnë lëshimin e certifikatave shëndetësore për këto kafshë për të penguar përhapjen e saj, po ashtu shtetet që tregtojnë marrin masa të ndalesës qysh kemi marrë edhe ne. Ne kemi lëshuar njoftimin inspektorët do të rrisin vigjilencën, kemi ftuar fermerët që sëmundja është prezentë në rajon andaj duhet të marrin masa bio të sigurisë”, deklaroi Lamir Thaci, zëdhënës i AUV-it.

    Pavarësisht që kjo sëmundje sipas shkencëtarëve nuk transmetohet tek njeriu, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se duhet të kujdes dhe se tashmë fermerët janë udhëzuar për masat mbrojtëse.

    “Kjo sëmundje bartet nga kafsha tek kafshët mund të jetë edhe në kafshë të tjera, mbi çdo ndryshim në ferma kemi udhëzua fermerët që të lajmërojnë institutin tonë. Urojmë që këto masa të kenë efekte pozitive në mënyrë që të mos përhapet në asnjë fermë. Kjo sëmundje nuk transmetohet tek njeriu, asnjë studim shkencor s’ka tregu qe transmetohet tek njeriu, pra konsumatorët duhet të jenë të qetë. Fermerët janë mirë të informuar mbi situatën të rajon. Kujdesi duhet të jetë i shtuar. Ne punojmë çdo ditë që fermat tona t’i mbajmë të shëndoshura. Aktualisht kemi pak inspektorë urojmë që mos te kemi ferma të prekura”, shtoi tutje Thaçi.

    Përpos Kosovës, edhe Shqipëria ka ndaluar importin e këtyre kafshëve nga disa shtete./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Shembja e dheut, bllokohet përkohësisht rruga Podujevë – Prishtinë, qytetarët u detyruan të përdorin rrugët alternative

    Shembja e dheut, bllokohet përkohësisht rruga Podujevë – Prishtinë, qytetarët u detyruan të përdorin rrugët alternative

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Qytetarët të cilët morën rrugë nga Podujeva në Prishtinë dhe anasjelltas, gjatë mëngjesit të së enjten u përballen me kolona më të gjata se zakonisht.

    E gjithë tollovia u shkaktua si pasojë e shembjes së një pjesë të kodrës në rrugën në të cilën po kryhen punimet për zgjerimin e korsive.

    Nga shembja e dheut nuk pati te lënduar, derisa për shkak të shembjes së dheut, një pjesë e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, përkatësisht rruga që të shpien nga Vranidolli në Lluzhan ishte bllokuar.

    Derisa qytetarët u detyruan të përdorin rrugë alternative, thonë se janë të lodhur me gjendjen e rrugës.

    Punimet për zgjerimin e rrugës për dikë nuk po zhvillohen siç duhet.

    Punimet në rrugën Podujevë-Prishtinë që nisën tash e pothuajse 7 vjet u ndërprenë për një kohë, derisa këtë fillim vit punimet rifilluan me një intensitet më të lartë.

    Sipas Ministrit të Infrastrukturës Librun Aliu, zgjerimi i kësaj rruge duhet të përfundojë për 365 ditë pune./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Arratisja e Blerim Ramadanit, veteranët e luftës e presin që të kthehet në Kosovë

    Arratisja e Blerim Ramadanit, veteranët e luftës e presin që të kthehet në Kosovë

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Në momentet kur Blerim Ramadani priste që Gjykata Supreme ta merrte vendimin final rreth ekstradimit të tij në Serbi apo jo, masa e sigurisë iu ndryshua, nga arresti shtëpiak në paraburgim.

    Ish-ushtarit të UÇK-së nuk ia mori mendja të kthehet sërish në çeli as përkohësisht, andaj u arratis. Kështu, autoritetet maqedonase lëshuan urdhërarrest për të.

    Dhe vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë e konfirmoi për ATV-në edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

    “Ju njoftojmë që Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut është njoftuar nga avokati i z. Ramadani se është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njejti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme. Informacione tjera zyrtare nuk kemi pranuar nga autoritetet relevante të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

    Veprimi i Ramadanit, po vlerësohet si i drejtë nga bashkëluftëtarët e tij në Ferizaj, madje ata presin që i njëjti të kthehet në Kosovë së shpejti.

    E nëse Ramadani veç arrin të hyjë në Kosovë, sipas juristëve do t’i shpëtojë ndjekjes penale.

    “Ndalimi I tij ka qenë politik, meqë Maqedonia ka zbatuar një urdhërarrest të lëshuar nga Serbia. Ai nuk do t’I nënshtrohet asnjë ndjekja nga autoritetet e Kosovës”, deklaroi avokati Xhevdet Smakiqi.

    Blerim Ramadani ishte arrestuar më 17 korrik. Më 9 gusht, Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi që të njëjtin të mos e ekstradonte në Serbi.
    Por, në momentin kur u arratis, ai ishte në pritje të vendimit final të Gjykatës Supreme./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: 

  • Mbi 60 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore

    Mbi 60 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se brenda 24- orëve kanë aplikuar në platformën e-Kosova gjithsej 60,244 prindër për subvencionimin e teksteve shkollore.

    Nagavci u ka bërë thirrje prindërve të cilët nuk kanë aplikuar deri më tani që të shfrytëzojnë këtë mundësi.

    “Një ditë më parë kemi hapur aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore në Platformën e-kosova. Sipas të dhënave zyrtare, brenda 24 orëve kanë aplikuar gjithsej 60,244 prindër. Inkurajojmë prindërit që nuk kanë aplikuar ende që ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

  • Në Doha fillojnë bisedimet për armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve

    Në Doha fillojnë bisedimet për armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve

    Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë nisur një raund të ri bisedimesh që synojnë ndalimin e luftës në Gaza dhe sigurimin e lirimit të shumë pengjeve, raporton Reuters.

    Një marrëveshje shihet si shpresa më e mirë për të shuar një konflikt edhe më të madh rajonal.

    Hamasi nuk pritet të marrë pjesë drejtpërdrejt, por ka rënë dakord në parim me një propozim të paraqitur nga ShBA-ja, i cili ka mbështetje ndërkombëtare.

  • Osmani për datën e zgjedhjeve: S’po e bëj publike sot, Kurti më ka njoftuar për preferencën e Vetëvendosjes

    Osmani për datën e zgjedhjeve: S’po e bëj publike sot, Kurti më ka njoftuar për preferencën e Vetëvendosjes

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se partitë politike kanë kohë deri nesër të dërgojnë çështje shtesë që kanë për të caktuar datën e zgjedhjeve.

    Ajo ka thënë se kanë marrë përgjigje nga shumica e partive politike, duke shtuar se edhe VV-ja ka dërguar propozimin e saj për datën e zgjedhjeve.

    “Unë s’po e bëjë të ditur sot datën, megjithatë ju kemi dhënë partive kohë deri në fund të kësaj jave që nëse kanë ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë ta ngrisin ndërkohë”.

    “Kemi marrë përgjigje nga shumica dërrmuese. Kemi kohë deri nesër në fund të orarit për të dëgjuar nëse kanë vlerësime shtesë dhe pasi përfundon orari nesër, ulemi dëgjojmë vlerësimet e kabinetit tim, të ekipës ligjore”.

    “Të gjitha partitë i kanë ngritur çështjet e tyre, por në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën që ne e vlerësojmë që është me e përshtatshme, të them sinqerisht nuk ka dallime një javë më shumë, një javë me pak, besoj që nuk bënë diferencë të madhe”.

  • IKShPK: Nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë me Lijën e Majmunëve

    IKShPK: Nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë me Lijën e Majmunëve

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë sa i përket Mpox, dikur e quajtur si Lija e Majmunëve.

    Kjo vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të mërkurën më 14 gusht 2024, ka shpallur Mpox (emergjencë globale për shëndetin publik, për herë të dytë brenda dy vjetëve.

    “Në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket mpox dhe se nuk ka vend për panik, por për kujdes. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë”.

    “Në laboratorët e IKShPK-së janë në dispozicion reagensët për testimin e rasteve të dyshimta. IKSHPK po monitoron situatën epidemiologjike në bashkëpunim me SHSKUK-në dhe konform situatës epidemiologjike në rajon dhe në botë, do të dal me njoftime të reja”, thuhet në njoftim.

    Profesionistët shëndetësor rekomandohen të rrisin vëmendjen për simptomat e sëmundjes, ndërsa qytetarët këshillohen që të lajmërohen te mjeku nëse kanë dyshime apo simptoma të sëmundjes.

  • Maqedonci: Në shtator hapet konkursi për rekrutimin e 300 ushtarëve

    Maqedonci: Në shtator hapet konkursi për rekrutimin e 300 ushtarëve

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se brenda këtij mandati deri më tani kanë rekrutuar 1931 ushtarë dhe kadetë të rinj, ndërsa në proces rekrutimi janë dhe 40 kadetë të tjerë.

    Me anë të një postimi në Facebook, ai thekson se nuk do të ndalen me kaq, meqë në muajin shtator do të hapet konkursi për rekrutimin edhe të 300 ushtarëve, të cilët do të fillojnë trajnimin bazik në nëntor.

    “Premtuam ngritje të kapaciteteve mbrojtëse dhe në këtë drejtim krahas pothuajse dyfishimit të numrit të përgjithshëm të ushtarakëve, investuam që ushtria e Kosovës të ketë në arsenalin ushtarak sistemet më moderne të armatimit”.

    “Përveçse përmbushëm, tejkaluam numrin e rekrutimeve dhe aktiviteteve zhvillimore të parapara në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Jemi përpara në implementimin e planit e me vizion më të qartë se kurrë për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës si pjesë e aleancës së madhe të NATO-s, dhe garantues të sovranitetit territorial të Kosovës. FSK, KRENARIA JONË!”, përfundoi postimin e tij Maqedonci .