ATV

Category: Lajme

  • Lija e majmunëve, MSH-ja: Nëse keni simptoma, izolohuni dhe kërkoni kujdes mjekësor

    Lija e majmunëve, MSH-ja: Nëse keni simptoma, izolohuni dhe kërkoni kujdes mjekësor

    Ministria e Shëndetësisë, përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale, ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes dhe të mbrohen nga “Lija e Majmunëve’.

    MSH-ja bën thirrje që qytetarët të lajmërohen te mjeku nëse kanë simptoma.

    “E dini si të mbroheni nga Lija e Majmunëve? Ja disa këshilla: Nëse keni simptoma, izolohuni dhe kërkoni kujdes mjekësor. Informoni kontaktet e ngushta dhe shmangni kontaktin me kafshët e egra. Praktikoni higjienë të mirë, shmangni kontaktin e ngushtë dhe merrni vaksinën nëse ju ofrohet. Qëndroni të sigurt dhe të informuar”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, të paktën dy vende jashtë Afrikës kanë raportuar raste me mpox (lija e majmunit) pasi pak ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se virusi ishte bërë një “urgjencë e shëndetit publik”.

    Mpox prek kryesisht njerëzit dhe kafshët. Ai shkakton simptoma të lehta, si ethe, të dridhura dhe dhimbje trupi. Megjithatë, mund të shkaktojë sëmundje të rënda dhe madje edhe vdekje në disa raste.

    Virusi hyn në trupin e njeriut përmes lëkurës ose nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Më pas përhapet përmes gjakut duke bërë që një person të përjetojë simptoma të ngjashme me gripin dhe të zhvillojë lezione në lëkurë.

  • Bajrami: Këta që rritën çmimin e energjisë elektrike mbi 100%, kanë ulur tatimin në pagë për 6.8 euro

    Bajrami: Këta që rritën çmimin e energjisë elektrike mbi 100%, kanë ulur tatimin në pagë për 6.8 euro

    Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas ligjit të ri për paga.

    Ajo ka bërë një krahasim të rritjes së pagës me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    “Këta që rritën çmimin e energjisë elektrike mbi 100%, e rritën tatimin në pronë mbi 100%. Në mandatin e tyre çmimet e secilit produkt të domosdoshëm u rritën rreth 50%, sot dhanë lajmin që e kanë ulë tatimin në pagë për 6.8 Euro ose thënë me thjeshtë për një pagë 450 Euro kjo është një rritje prej 1.5%”, ka thënë Bajrami.

  • Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një serbi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një serbi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një serbi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    I pandehuri Z.N, i nacionalitetit serb, dyshohet se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile,e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të RSFJ-së.

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktimë të nacionalitetit shqiptar.

    “Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme. I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

  • Italia do të marrë 446 milionë nga BE-ja për fatkeqësitë natyrore të vitit 2023

    Italia do të marrë 446 milionë nga BE-ja për fatkeqësitë natyrore të vitit 2023

    Komisioni Evropian ka propozuar të ndajë 446.6 milionë euro ndihmë për Italinë në përgjigje të fatkeqësive natyrore të regjistruara në vitin 2023, sipas një deklarate të lëshuar të martën.

    Raportohet se 378.8 milionë do të caktohen për përmbytjet e regjistruara në rajonin Emilia Romagna në maj dhe 67.8 milionë në Toskanë për përmbytjet në tetor dhe nëntor, thuhet në deklaratë.

    Në përgjithësi, mbi një miliard euro do të shpërndahen në ndihmë, duke përfshirë Slloveninë, Austrinë, Greqinë dhe Francën./ANSA

  • Zjarr në një fshat të Vushtrrisë, Policia jep detaje

    Zjarr në një fshat të Vushtrrisë, Policia jep detaje

    Një zonë e një fshati në Vushtrri është përfshirë sot nga zjarri.

    Bëhet fjalë për fshatin Dobërllukë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.

    Ai, ka thënë se nuk është raportuar për ndonjë të lënduar, përveç dëmeve materiale.

    Zaiti, ka treguar për KosovaPress se njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin.

    “Rreth orës 12:00, është raportuar për zjarr në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë. Nga informatat e para përveç dëmeve nuk raportohet për të lënduar. Njësiti i zjarrfikësve kanë lokalizuar dhe fikur zjarrin. Njësitë relevante kanë nisur hetimet për zjarrin”, ka thënë Zaiti.

  • Haxhiu: Kurti ka dështuar ta implementojë Ligjin për Sigurime Shëndetësore, vështirë të realizohet deri në 2030-ën

    Haxhiu: Kurti ka dështuar ta implementojë Ligjin për Sigurime Shëndetësore, vështirë të realizohet deri në 2030-ën

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se Qeveria “Kurti”, në mandatin e saj qeverisës ka dështuar që ta implementojë Ligjin për Sigurimet Shëndetësore.

    Ai ka thënë se duke e parë punë e kësaj qeverisje, është e vështirë që të bëhet implementimi i Ligjit deri në vitin 2030.

    Ai ka shtuar se kryeministri Albin Kurti, me deklarimet e sotme për këtë çështje, ka dëshmuar se ka dështuar në sektorin e shëndetësisë dhe ka mashtruar me premtimet për sigurimet shëndetësore.

    “Në fakt sot Albin Kurti e ka pranuar se ka dështuar në sektorin e shëndetësisë edhe gjithashtu ai e ka pranuar se ka mashtruar kur ka premtuar se sigurimet shëndetësore do të implementohet në qeverisjen e tij. Për katër vite ai dhe qeveria e tij nuk kanë qenë në gjendje që të sjellin në Kuvend Ligjin për sigurime shëndetësore për të plotësuar dhe ndryshuar dy tre nene të tij. Gjithashtu kanë dështuar që të sjellin edhe ligjin për shëndetësi dhe për katër vite të qeverisjes nuk kanë qenë në gjendje që të miratojnë një strategji për shëndetësi”, ka thënë ai.

    Haxhiu, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se në këtë mandat qeverisës kanë ndodhur shumë keqpërdorime e keq menaxhime në sektorin e shëndetësie, sipas tij, Kurti për listat e gjata të pritjes në sektorin e shëndetësisë, është përgjegjës për ikjen e personelit shëndetësor nga sektori publik në atë privat dhe nga ikja e tyre Kosova jashtë vendit.

    “Gjatë kësaj periudhe kohore ne kemi parë shumë keqpërdorime, keqmenaxhim në sektorin e shëndetësisë, kontrata abuzive një burimore, kontrata të dyshimta në fasada renovime. Shikoni vetëm kontratën e renovimit të Gjinekologjisë dhe Urologjisë, ku metri katrorë për renovim kushton rreth dy mijë euro. Nga buxheti i pacienteve, janë derdhur miliona euro në kontrata abuzive. Prandaj edhe kryeministri sot duhet të jap llogari për të gjitha dështimet në sektorin e shëndetësisë si kryeministër. Ai është përgjegjës për dështime në sektorin e shëndetësisë, është përgjegjës për listat e gjata të pritjes në sektorin e shëndetësisë, është përgjegjës për ikjen e personelit shëndetësor nga sektori publik në atë privat dhe nga Kosova jashtë vendit. Keqpërdorimet me kontrata dhe për dështimin e sigurimeve shëndetësore, të gjitha këto abuzime, keqpërdorime e kanë emëruesin Qeveria Kurti”, ka thënë ai.

    Haxhiu ka theksuar se duke marr parasysh që janë në përfundim të mandatit, tani edhe nëse shkon për miratim në Kuvend të Kosovës, është vështirë që mund të përfundoj një ligj kaq i rëndësishëm për një periudhë kaq të shkurtër kohore.

    “Kosova e ka të miratuar Ligjin për Sigurime Shëndetësore në vitin 2014, por nuk ka pasur menaxhment që ta implementojë dhe sot edhe nëse vjen Ligji në Kuvend, ne jemi në fund të mandatit, vështirë që mund të përfundoj një ligj kaq i rëndësishëm për një periudhë kaq të shkurtër kohore. Por edhe se implementimi i sigurimeve shëndetësore e kam thënë se me këtë qeverisje, me këtë rend, me këtë si është duke shkuar puna vështirë që do të realizohet para vitit 2030”, ka thënë ai për EO.

  • Haradinaj premton që pensionet do të jenë 450 euro

    Haradinaj premton që pensionet do të jenë 450 euro

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se pensioni prej 100 e sa eurosh nuk mjafton as për barnat bazike, duke i shtyrë shumë drejt varfërisë së skajshme.

    Haradinaj ka thënë se qeveria e Kosovës e ka braktisur këtë kategori të shoqërisë.

    “Pensionistët e Kosovës përballen me situatë të rënduar ekonomike. Në bisedë me pensionistë dhe veteranë të arsimit në Vushtrri, u shpreh zhgënjim i thellë me gjendjen e tyre ekonomiko-sociale. Premtimet e pambajtura të katër viteve të fundit, janë treguesi i mashtrimit dhe i braktisjes së kësaj kategorie nga Qeveria”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se pensioni prej 100 e sa eurosh nuk mjafton as për barnat bazike, duke i shtyrë shumë drejt varfërisë së skajshme.

    “Pensioni prej 100 e sa eurosh nuk mjafton as për barnat bazike, duke i shtyrë shumë drejt varfërisë së skajshme. Ato më e pakta do të jenë në nivelin e pagës minimale, që arrijnë shifrën prej 450 euro. Projeksioni ynë është që të sigurohet një buxhet dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për fillimin e zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore për të gjithë qytetarët.

    Ne besojmë në një Kosovë ku pensionistët gëzojnë kujdes të posaçëm, dhe ku çdo qytetar jeton me dinjitet”, është shprehur Haradinaj.

  • Murati: Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, hapet rruga që ajo të rritet pas më shumë se një dekade

    Murati: Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, hapet rruga që ajo të rritet pas më shumë se një dekade

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade.

    “Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi.”

    Ai ka shtuar se me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro.

    “Me fjalë tjera, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi.”

  • Patentë shoferët ilegalë në veri, sot e dje asnjë gjobë

    Patentë shoferët ilegalë në veri, sot e dje asnjë gjobë

    Deri të premten ka qenë afati për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë në patentë shoferë të Republikës së Kosovës.

    Të shtunën dhe të dielën ka qenë e paraparë që të ketë njoftime dhe vërejtje, ndërsa nga e hëna është e paraparë që të niset shqiptimi i gjobave.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë për express se dje e sot nuk është shqiptuar asnjë gjobë.

    Afati për konvertimin e patentë shoferëve është hapur më 10 maj dhe sipas vendimit të atëhershëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, afati do të zgjaste deri më 9 gusht, mirëpo ministri Sveçla pas “kërkesave të shumta” shtyu afatin për dy javë.

    Ky afat i zgjatur përfundoi të premten e 23 gushtit.

    Të nesërmen kryeministri Kurti tha se 6509 shoferë aplikuar për t’i konvertuar patentë shoferët nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

    “Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok”, tha Kurti.

    Ai shtoi se kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë.

    “I falënderoj të gjithë qytetarët tanë të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces”, tha Kurti.

    Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka falënderuar qytetarët serbë për konvertimin e patentë shoferëve nga ata ilegalë të Serbisë në zyrtar të Kosovës.

    “Me 6509 aplikime në gjithë Republikën e Kosovës përfundon afati i konvertimit të patentë shoferëve nga ata ilegal të Serbisë në zyrtar të Republikës së Kosovës. I falënderoj të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe zbatimin e vendimit tonë. U jam mirënjohës stafit të Agjencisë së Regjistrimit Civil për punën e palodhshme gjatë kësaj kohe e në vazhdimësi”, shkroi Sveçla në Facebook.

    Vendimi i MPB’së për konvertimin e patentë shoferëve ishte përkrahur nga ndërkombëtarët.

  • Admirali amerikan i NATO-s zbarkon në Kosovë, KFOR jep detaje për takimin me komandantin e tyre

    Admirali amerikan i NATO-s zbarkon në Kosovë, KFOR jep detaje për takimin me komandantin e tyre

    Komandanti i KFOR-it. Ozkan Ulutas është takuar me komandantin e Komandës së Forcës së Përbashkët Aleate të Napolit, admiralin Stuart B. Munsch.

    Me të, Ulutas foli për mbështetjen e sigurisë në Kosovë dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Sot, Komandanti i misionit të #KFOR-it të udhëhequr nga #NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutas, u takua me komandantin e Komandës së Forcës së Përbashkët Aleate të Napolit, admiralin Stuart B. Munsch, në selinë e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë. Gjeneralmajor Ulutas ilustroi aktivitetet e FOR në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe mbështetjen e saj në dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.