ATV

Category: Lajme

  • ​Emisari gjerman vjen sot për vizitë zyrtare në Kosovë

    ​Emisari gjerman vjen sot për vizitë zyrtare në Kosovë

    Përfaqësuesi i Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin sot do të qëndroj për vizitë zyrtare në Prishtinë.

    Ambasada Gjermane në Kosovë njofton se emisari nga Gjermania, Sarrazin do të ketë takime zyrtare, ndonëse nuk ka sqarime se me kë do të takohet.

    “Manuel Sarrazin, përfaqësuesi special i Qeverisë Federale për vendet e Ballkanit Perëndimor do të vizitojë Kosovën nesër, më 29.08.2024. Pas takimeve zyrtare, Sarrazin do të mbajë një konferencë për media para nisjes”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane të publikuar të mërkurën.

    Më tej thuhet se konferenca e tij për media do të mbahet në orën 18:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

  • ​Dita e Dëshmorëve të Hanit të Elezit

    ​Dita e Dëshmorëve të Hanit të Elezit

    Sot Hani i Elezit shënon 29 Gushtin – Ditën e Dëshmorëve të kësaj komune.

    Në këtë ditë kujtohen me respektin më të lartë ata që dhanë jetën e tyre për më shtrenjtën liri.

    25 vjet më parë në Puset e Nikës u bë rivarrimi i ushtarëve të rënë në fronte të ndryshme të luftës, andaj nga ajo ditë e deri më sot, 29 Gushti shënohet si Dita e Dëshmorëve të Hanit te Elezit, tani e radhitur edhe në kalendarin e festave zyrtare të kësaj komune.

    Krahas 8 dëshmorëve të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hani i Elezit dha edhe 7 dëshmorë të tjerë në fronte të tjera të luftërave çlirimtare dhe dhjetëra të tjerë gjeten vdekjen si pasojë e dhunës serbe dhe asaj maqedonase mbi shqiptarët e kësaj ane.

    Sakrifica e tetë dëshmorëve të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u nderua nga ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili me vendimin e tij dekoroi me urdhrin Hero i Popullit të Kosovës të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare.

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës(IHMK) ka njoftuar se sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, më të fokusuara rreth relievit malor, ku atje mund të ketë edhe ndonjë rigë e izoluar shiu.

    Sipas IHMK-se, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.

  • Zyra e Kryeministrit ka nënshkruar kontratën për blerjen e 44 kompjuterëve e laptopëve të rinj

    Zyra e Kryeministrit ka nënshkruar kontratën për blerjen e 44 kompjuterëve e laptopëve të rinj

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Zyrtarët e Qeverisë së shpejti do t’i kenë 40 pajisje teknologjike të reja në funksion.

    Rreth gjashtë muaj nga fundi i mandatit, Qeveria vendosi të blejë 20 kompjuterë dhe 24 laptopë.

    Kontrata e nënshkruar të mërkurën, kap vlerën e 37 mijë e 600 eurove, teksa vlera e parashikuar e tenderit ishte për 6 milionë më e madhe.

    Derisa në platformën e-prokurimi figuron vetëm njoftimi për kontratë, respektivisht procedurë e negociuar, në dosje të tenderit përmendet procedura e hapur.

    Sidoqoftë, tenderin e fitoi operatori ekonomik “Pattern SH.P.K” i cili i ka ofruar çmimin më të përshtatshëm. Kështu, sipas llogarive, një laptop apo kompjuter do të kushtojë mesatarisht 850 euro.

    Megjithatë, nga Qeveria, të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk janë përgjigjur në pyetjet e ATV-së rreth detajeve për këtë procedurë të tenderimit.

    Andaj, nuk dihet se në cilat zyra do të shërbejnë e as pse ishte e nevojshme të bëhet ky investim.

    Sidoqoftë, në këtë procedurë, garuan 6 operatorë ekonomikë.

    Të gjithë operatorët e tjerë i kishin ofruar mes 40 dhe 43 mijë euro, me përjashtim të Pattern SHPK, e cila duke bërë ofertën më të ulët prej 37.600 euro, u shpall fituese.

    Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit, kompania fituese aktivitetin kryesor e ka tregtinë e kompjuterëve me shumicë.

    Sipas specifikave të kontratës, kompjuterët në qeveri do të duhej të dorëzohen brenda 30 ditësh.

  • Me vendim të komunës së Fushë Kosovës, disa nxënës të shkollës “Mihal Grameno” ndërrojnë objektin

    Me vendim të komunës së Fushë Kosovës, disa nxënës të shkollës “Mihal Grameno” ndërrojnë objektin

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    E ndarë në shkollën amë dhe dy anekse, “Mihal Grameno”, tani do t’i ndajë disa nxënës edhe në një objekt tjetër.

    Nga fillimi i këtij viti shkollor, nxënësit nga klasa e parë në të pestën të kësaj shkolle në Fushë Kosovë, mësimin do ta vijojnë në objekte të ndryshme.

    Zhvendosja nxënësve u bë me vendim të Komunës, veç se shkolla e re është ende duke u ndërtuar.

    Megjithatë, për përfundimin e saj, optimist janë në Drejtorinë komunale të Arsimit.

    “Operatori ekonomik na ka thënë se janë duke punuar intensivisht për finalizimin e shkollës, dhe se më 2 shtator do të jetë gati, e nxënësit e shkollës Mihal Grameno, do të zhvendosen në aneksin një e nga aneksi një në shkollën e re. Ndërkaq në shkollën amë do të mbesin nxënësit nga klasa e 6-9”, tha drejtori i arsimit në komunën e Fushë Kosovës, Fatlum Berisha.

    Në shkollën amë do të vazhdojnë mësimin nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

    Sidoqoftë, vendimi i komunës nuk po iu pëlqen prindërve.

    Dardane Sogojeva, nëna e njërës prej nxënësve e cila mësimin deri në klasën e tretë e mbajti në shkollën amë “Mihal Grameno”, thotë se për vendimin prindërit nuk u konsultuan.

    “Drejtoria nuk ka bisedua me prindër, vendimi është marrë pa dijeninë e tyre, u dashtë me u bë më herët, jo pak ditë para se me nisë mësimi. Tash mua më duhet me pagua 150 për një kujdestar me dërgua e me kthye në shpi”, tha Sogojeva.

    Megjithatë, Drejtoria e Arsimit e mohon këtë.

    “Ne jemi takuar me këshillin e prindërve dhe janë njoftuar për këtë dhe për arsyet se përse është e mirë kjo lëvizje, i kemi njoftua për rekomandimet e ekspertëve. Janë njoftua pra me kohë”, tha Berisha.

    Ndryshe, Komuna e Fushë Kosovës, numëron rreth 11 mijë nxënës të ciklit të ulët në total.

  • Pesë ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Qeveria vendosi që paga minimale të jetë 350 euro

    Pesë ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Qeveria vendosi që paga minimale të jetë 350 euro

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nga muaji tetor paga minimale, pa dallim, në sektorin publik dhe atë privat, për punën me orar të plotë do të jetë 350 euro në muaj.

    Qeveria miratoi këtë nivel page pesë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për pagën minimale dhe shkallët e tatimit në të ardhurat personale.

    “Kjo pagë minimale e re do të prekë mbi 150 mijë të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro në muaj”, tha Kurti.

    Ndërkaq, për punën me orar jo të plotë, Qeveria vendosi që pagesa minimale të jetë 2 euro për orë.

    Periudha prej pak më shumë se një muaji deri në nisje të zbatimit, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, do t’u shërbejë bizneseve që të përgatiten.

    “Të përshtatin listat e pagave, por edhe shkallët e tatimit të pagave. Në mënyrë që ky vendim të zbatohet, do të sigurohemi që si Ministri, bashkë edhe me agjencitë vartëse, si ATK-ja dhe Inspektorati i Punës, të sigurohemi që të zbatohet vendimi, përmes kontrolleve rutinë ose kur kemi sinjalizim se nuk po zbatohet”, tha Murati.

    I pyetur për diferencën që krijohet me pensionet filluar nga ai i moshës dhe kategoritë e tjera përfituese, pa dhënë përgjigje për lëvizje eventuale konkrete ministri foli për ndërtim sistemi.

    “Synimi është që sistemet të jenë të qëndrueshme, sepse nuk i shërben askujt nëse për një vit ose dy bëhet diçka, por pastaj paqëndrueshmëria na kthen në situata ku duhet të rishikohet i gjithë sistemi”, tha Murati.

    Duke e cilësuar “vendim parazgjedhor” dhe të pakonsultuar, të pakënaqur u shprehën në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat.

    “Nën pagën 500 euro normal që ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të jemi të kënaqur, jo pse ne nuk po pranojmë, por kushtet dhe rrethanat nuk po lejojnë që të bëhet një jetë ekzistenciale me nën këtë pagë”, tha kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi.

    Poshtërues e vlerësoi vendimin kreu AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se paga minimale duhet të jetë 450 euro.

    Me ligjin e vjetër, nga viti 2011, paga minimale ka qenë 170 euro për personat mbi 35 vjeç dhe 130 për ata nën këtë moshë.

  • Qeveria miratoi Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

    Qeveria miratoi Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Miratimi i Projektligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ishte pikë e parë në rendin e ditës në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën.

    Krahas konstatimit se procesi është i pakthyeshëm, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, listoi disa prej çështjeve që përfshin projektligji.

    “Me këtë nismë themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcaktohen rregullat për listën e barnave të rimbursueshme, që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët, e veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundjet. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështja e grumbullimit të kontributeve për fondin e sigurimeve”, tha Vitia.

    Derisa tregoi se projektligji parasheh pagesë mujore në vlerë 7% të pagës, 3,5% punëtori dhe po aq punëdhënësi, ministri nuk e ndërlidhi Projektligjin me fundin e mandatit të Qeverisë.

    “Duke qenë interes i të gjithë qytetarëve, duke qenë në interes edhe të deputetëve, besoj shumë që ky ligj do të miratohet sa më shpejt”, tha Vitia.

    Shpresat te Kuvendi, ministri i ka edhe për marrëveshjen me Bankën Botërore për financimin e Planit të Veprimit për Sistemin Informativ Shëndetësor, që është parakusht për funksionalizimin e sigurimeve, për të cilat ka një ligj në fuqi që nga viti 2014.

    Në mbledhjen e 218-të, Qeveria miratoi edhe vendimin për vazhdimin e afatit për regjistrimin elektronik të mërgatës deri më 31 Dhjetor 2024.

    Pushteti ekzekutiv i dha dritën e gjelbër dhënies në shfrytëzim të ngastrave kadastrale me qëllim ndërtimin e Qendrës Rezidenciale të Kosovës për Autizëm, Sindromë Down dhe Aftësi të Kufizuar.

    Mirëpo, Qeveria nuk i dha përkrahje nismës legjislative për heqjen e kufizimit të moshës për import në Ligjin për Automjete, me arsyetimin se paralelisht është duke u përgatitur projektligji i ri.

  • Shumë prindër edhe këtë vit janë duke u përballur me vështirësi në gjetjen e librave shkollorë

    Shumë prindër edhe këtë vit janë duke u përballur me vështirësi në gjetjen e librave shkollorë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga Lipjani në Fushë Kosovë, u desh ta bënte rrugën Flamur Gashi, për t’i gjetur të gjitha librat për 3 fëmijët e tij, për shkak se disa librari kanë mungesë të disa librave.

    “Na jena tu e pa tmerrin qe dy vjet, kjo është katastrofë. Lyp libra atje, lyp këtu, edhe nuk jem tu mujtë me i gjetë…”, tha Gashi.

    Sikur Gashi problem në sigurimin e teksteve po kanë edhe shumë prindër të tjerë në qytete të ndryshme.

    “Kemi raste që nga Shtimja duhet me shku në Ferizaj me ble tekstet shkollore sepse nuk po i gjejnë librat në komunat ku jetojnë…”, tha Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve.

    Edhe librashitësit thonë se ka mungesë të teksteve shkollore nga disa shtëpi botuese.

    “Shtëpia Botuese Albos ka mungesë të disa librave siç është matematika, por na është thënë se këto ditë do të vijë”, tha Elez Morina, menaxher në Librarinë “Altera”.

    Sipas të dhënave të fundit, deri më tani kanë aplikuar në platformën e Kosova gjithsej 194.180 prindër, ndërkaq, janë subvencionuar për blerjen e teksteve shkollore gjithsej 171.200 aplikues.

  • ​Britania e Madhe dhe Gjermania bëjnë thirrje për përparim në bisedimet për armëpushim në Gaza

    ​Britania e Madhe dhe Gjermania bëjnë thirrje për përparim në bisedimet për armëpushim në Gaza

    Gjermania dhe Britania e Madhe kërkuan të mërkurën për përparim në bisedimet për armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit dhe u kërkuan autoriteteve izraelite që të lejojnë qasje të papenguar humanitare në Gaza.

    Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin britanik Keir Starmer në Berlin, kancelari Olaf Scholz tha se të dy ishin “thellësisht të shqetësuar” për tensionet e rritura në Lindjen e Mesme.

    “Vuajtjet e mëdha njerëzore që ne kemi qenë dëshmitarë atje prej muajsh po shtohen, por edhe rreziku i zjarrit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që menjëherë të rifillojnë negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve”, tha Scholz.

    Ai u bëri thirrje gjithashtu autoriteteve izraelite që të marrin masa për të shmangur viktimat civile në Gaza dhe të lejojnë dërgimin e më shumë ndihmave humanitare në enklavën palestineze.

    “Jam thellësisht i shqetësuar për situatën katastrofike humanitare në Gaza dhe mungesën e mbrojtjes për civilët dhe punonjësit e ndihmës humanitare. Këtu Izraeli duhet të bëjë më shumë”, theksoi ai.

    Kryeministri britanik Starmer ka nënvizuar se të dy vendet ndajnë pikëpamje të përbashkëta për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe se do të vazhdojnë të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje politike.

    Ai bëri thirrje për “qasje të papenguar humanitare në Gaza” dhe nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve të tyre të përbashkëta drejt de-përshkallëzimit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit.

    Starmer tha se krijimi i një shteti palestinez së bashku me një Izrael të sigurt dhe të sigurt do të ishte “e vetmja mënyrë” për të ofruar paqe dhe siguri afatgjatë për izraelitët dhe palestinezët.

    “Dhe ky, sigurisht, nuk është një qëllim i lehtë, por është ai që ne jemi të përkushtuar ta ndjekim së bashku”, shtoi ai./AA

  • Janë definuar detajet e fundit për rrugën Tetovë – Prizren, Kasami: Edhe komuna do të ndajë buxhet

    Janë definuar detajet e fundit për rrugën Tetovë – Prizren, Kasami: Edhe komuna do të ndajë buxhet

    Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se në bashkëpunim me qeverinë, do të mundohen që rrugën Tetovë-Prizren, ta realizojnë përmes tunelit prej 6 kilometraveKasami tha se ka opsion që fshati Vejcë të lidhet me segmentin e kësaj rruge përmes një rruge ekzistuese.

    “Kuvendi ka qenë në pushim veror, besoj që nga momenti kur do të rikthehen deputetët, do të vazhdojë procedura e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend. jeni të njoftuar që zv.ministrja e Transportit ka qenë në vizitë zyrtare në Kosovës, me çka janë definuar edhe detajet e fundit të vazhdimit të procedurës së tenderimit të projektimit të tunelit”.

    “Unë mund të garantoj që për një pjesë të kësaj rruge do të ndahet buxhet nga komuna e Tetovës, por edhe në bashkëpunim me Ndërmarrjen Shtetërore, do të shohim që ky buxhet të jetë më serioz”, theksoi mes tjerash Kasami.