ATV

Category: Lajme

  • SBASHK uron për vitin e ri shkollor, paralajmëron mundësinë e veprimeve sindikale

    SBASHK uron për vitin e ri shkollor, paralajmëron mundësinë e veprimeve sindikale

    Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë uruar mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.

    Në një njoftim për media, SBASHK ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit për të përballuar sfidat e vitit të ri akademik, duke nënvizuar angazhimin për arritje të reja në fushën e arsimit.

    “Edhe në këtë vit shkollor do të përballemi me shumë sfida, por bashkërisht mund t’i tejkalojmë më lehtë”, thuhet në njoftim.

    SBASHK po ashtu ka bërë të ditur se do të vazhdojë përpjekjet për zgjidhjen e kërkesave legjitime të anëtarëve të saj përmes dialogut me qeverinë dhe institucionet përkatëse.

    Megjithatë, sindikata ka paralajmëruar se nëse dialogu nuk jep rezultat, mund të ndërmerren veprime sindikale sipas vullnetit të anëtarësisë.

    “Ne do të vazhdojmë me aktivitetet dhe me komunikimin me institucionet dhe palët tjera me qëllim që të realizojmë gjithë kërkesat e anëtarësisë, por nëse dialogu nuk jep asnjë rezultat, atëherë ne do të respektojmë vullnetin tuaj edhe për veprime sindikale për të cilat vendosin përfaqësuesit tuaj që nga çerdhet e deri në universitete në Këshillin Drejtues të SBASHK-ut”, thuhet tutje në njoftim.

  • Nagavci tha se s’ka pranuar asnjë ankesë për librat, nga Komuna e Vushtrrisë e thonë të kundërtën

    Nagavci tha se s’ka pranuar asnjë ankesë për librat, nga Komuna e Vushtrrisë e thonë të kundërtën

    Përkundër deklarimeve të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur pa shqetësime, ndryshe kanë thënë nga Komuna e Vushtrrisë.

    Drejtori i Arsimit të kësaj komune, Albanez Tahiraj, ka thënë për Ekonomia Online se i kanë paraqitur shqetësimet e tyre tek Ministria e Arsimit, pasi që një numër i madh i nxënësve kanë mbetur pa libra.

    Siç ka thënë ai, përveç kësaj, shumë prindër kanë pasur probleme edhe në aplikim e se për këtë është dashur të asistojë Drejtoria Komunale e Arsimit të Vushtrrisë.

    “Kemi pasur takime të rregullt edhe me ministren e Arsimit, i kemi paraqitur shqetësimet tona si nivel komunal, si DKA-në për mënyrën e furnizimit, subvencionimin e prindërve me libra pasi që ka shumë raste që prindërit kanë ardhur në DKA dhe na është dashur që ne të asistojmë në aplikim. Një prej problemeve më të mëdha që dihet është se jo secili prind e ka kapacitetin për tu kyçur në platformë, prandaj ne jemi shndërruar në asistent të prindërve me qëllimin më të mirë që me ardhë deri te subvencionimi dhe furnizimi me libra. Sfida tjetër është që për këtë periudhe të shkurtër kohore kur ka filluar transferimi i mjeteve është e pamundur që të furnizohen të gjithë me libra shkollorë, kështu që edhe sot që ka filluar viti shkollor zyrtarisht shumë nxënës akoma nuk janë furnizuar me libra”, ka thënë ai.

    Ndryshe nga Tahiraj, deklaroi të hënën ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila gjatë një vizite në shkollën “Iliria” në Prishtinë, tha se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë apo shqetësim nga asnjë komunë.

    “Jemi në kontakt me komunat. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë. Furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar shumë mirë, sipas informatave. Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim”, deklaroi Nagavci të hënën gjatë vizitës së saj.

  • Nis afati për certifikimin e partive dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

    Nis afati për certifikimin e partive dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzim të listës të kandidatëve për deputetë.

    Në një njoftim për media, KQZ-ja ka thënë se deri më 11 shtator, kërkesat për certifikim duhet të dorëzohen në këtë institucion.

    “Gjatë periudhës 102 ditore (1 shtator – 11 dhjetor 2024), kërkesat për certifikim nga subjektet politike duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë”, thuhet në komunikatë.

    Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt.

  • Çitaku: Bandat kriminale kanë marrë zemër, Qeveria është dorëzuar

    Çitaku: Bandat kriminale kanë marrë zemër, Qeveria është dorëzuar

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas incidentit të fundit të ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku pas shumë të shtënave me armë zjarri, mbeti i vrarë një person dhe pesë të tjerë u plagosën.

    Çitaku ka theksuar se në vend janë forcuar bandat kriminale dhe ka pyetur se ku janë ministri i Brendshëm dhe ajo e Drejtësisë, duke shtuar se kjo është dorëzim.

    Sipas saj, Qeverisja e tyre është reduktuar në propagandë.

    “Bandat kriminale kanë marrë zemër. Terror, vrasje, plaçkitje, ikje nga burgjet. Ku është dora e shtetit? Ku është Ministri i Punëve të Brendshme? Ku është Ministrja e Drejtësisë? Kjo është dorëzim. Qeverisje e reduktuar në propagandë”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.

  • Prokuroria: Përleshja Capat-Sekiraqa ndodhi për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme

    Prokuroria: Përleshja Capat-Sekiraqa ndodhi për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, është deklaruar lidhur me rastin e përleshjes Capat-Sekiraqa që ndodhi mbrëmë në rrugën “Gazmend Zajmi” në kryeqytet.

    Si pasojë një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur.

    Sipas organit të akuzës, përleshje ka ndodhur si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme mes dyja familjeve.

    Në vendin e ngjarjes kishte dalur edhe kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Në njoftimin e prokurorisë thuhet lidhur me rastin janë ndaluar pesë persona.

    “Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë (5) persona, si dhe janë duke u zhvilluar veprime hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast pasi që dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

    Muaj më parë dyshohet se Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, e kishte plagosur një anëtar të familjes së Capave, pas një mosmarrëveshje që kishin.

  • Dëshmitari Imeri: Nuk jam kundër UÇK-së, por mjerisht veprat e disa individëve me kanë sjell këtu

    Dëshmitari Imeri: Nuk jam kundër UÇK-së, por mjerisht veprat e disa individëve me kanë sjell këtu

    Dëshmitari Imer Imeri gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se po i drejtohet popullit të tij për t’i treguar se nuk është kundër Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK) por veprat e disa individëve e kanë sjell sot në gjykatë.

    “Unë dua t’i drejtohem popullit tim se nuk jam këtu kundër UÇK-së se në UÇK isha vetë i shtati. UÇK-ja është e artë për popullin e Kosovës dhe populli i Kosovës ishte i tëri UÇK, por mjerisht individët e caktuar, veprat e tyre me kanë sjell sot këtu”, tha Imeri.

    Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi ku në njërën prej tyre tha se ishte vendi ku ishte mbajtur i burgosur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Në këtë vend isha i burgosur prej 12 prillit 1999 deri me 20-22 qershor 1999. Ky vend quhet Cahan i Krumes. Këtu përpara si duket është një derë e vogël, e dyta është dera e hyrjes. Mbi derë të hyrjes ishte dritarja ku kam ndejt unë prej 12 prill deri me 20-22 qershor, tha dëshmitari i cili shënjoi me ‘1’ godinën ku pretendohet se është mbajtur i ndaluar.

    Më pas, dëshmitari sërish vazhdoi me shënjime të këtyre godinave në fotografinë sipas pyetjeve të prokurores.

  • Partia e ekstremit të djathtë fiton për herë të parë në zgjedhjet rajonale gjermane

    Partia e ekstremit të djathtë fiton për herë të parë në zgjedhjet rajonale gjermane

    Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka shënuar rezultate historike në zgjedhjet rajonale të së dielës.

    Rezultatet preliminare i kanë dhënë kësaj partie fitore të qartë në Turinigi, ndërkaq ky subjekt është i dyti, me një diferencë të ngushtë në Saksoni.

    Fitorja e AfD-së në Turingi është fitorja e parë në zgjedhje në Gjermani e një partie të ekstremit të djathtë që nga mposhtja e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

    Sipas rezultateve preliminare, në Turingia, AfD-ja ka fituar 32.8 për qind të votave, duke lënë pas CDU-në me 23.6 për qind.

    Në Saksoni, Demokristianët (CDU), që aktualisht janë në pushtet, sipas rezultateve preliminare kanë një epërsi të vogël ndaj AfD-së.

    CDU-ja ka fituar 31.9 për qind të votave, ndërkaq AfD-ja 30.6 për qind.

    Rezultatet e zgjedhjeve – dhe më pas bisedimet për koalicion – do të përcaktojnë balancën e pushtetit në parlamentet shtetërore të Turingias dhe Saksonisë, që kanë fuqi të konsiderueshme mbi çështjet rajonale.

    Ndërkaq, tre partitë e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz u përballën me humbje.

    Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të thellojë edhe më shumë përçarjen mes parterëve të koalicionit vetëm një vit para se Gjermania të mbajë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të caktuara për shtatorin e vitit 2025.

  • Imer Imeri nis dëshminë në Speciale

    Imer Imeri nis dëshminë në Speciale

    Imer Imeri është dëshmitari i radhës i Dhomave të Specializuara, dëshmia e të cilit ka nisur mëngjesin e sotëm në Gjykatën Speciale.

    Siç thuhet nga njoftimi i Dhomave të Specializuara, ‘dëshmitari u rrëmbye nga ushtarë të maskuar të UÇK-së në Shqipëri për shkak se ishte përkrahës i Ibrahim Rugovës dhe partisë LDK’.

    Ai fillimisht sipas tyre, ‘u ndalua në Shqipëri dhe rreth mesit të qershorit 1999 u transferua në Kosovë dhe u ndalua në Prizren’.

  • Nagavci: Mbi 300 mijë fëmijë filluan vitin e ri shkollor, nuk ka shqetësime nga asnjë komunë

    Nagavci: Mbi 300 mijë fëmijë filluan vitin e ri shkollor, nuk ka shqetësime nga asnjë komunë

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë, ku bëri të ditur se më shumë se 300 mijë fëmijë kanë filluar mësimin sot, raporton EO.

    Nagavci ka thënë se përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar mirë, e se nuk ka pasur asnjë shqetësim nga komunat.

    Ajo ka theksuar se për herë të parë, mësimi parashkollor është bërë obligativ në tërë Kosovën.

    “Më shumë se 300 mijë fëmijë sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2024/2025 me besimin e plotë për motivim, angazhim dhe me përkushtim të mësimdhënësve. Uroj që të kenë shëndet dhe mbarësi në këtë fillim të vitit shkollor”.

    “Sivjet në të gjitha shkollat, në të gjitha komunat , për herë të parë është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga mosha pesë deri në gjashtë vjet, pra për parashkollorët. Ishim sot këtu në vizitën e parë, në klasën e parashkollorëve që të shohim se a kanë arritur suksesshëm që të bëhen përgatitjet”.

    Tutje, ministrja ka thënë se janë në kontakt me komunat, nga të cilat presin ditëve në vijim edhe raportet për fillimin e vitit të ri shkollor.

    Ajo ka thënë se sipas informatave që kanë, edhe furnizimi me tekste shkollore ka shkuar mirë, pa ankesa nga asnjë komunë, ndërsa ato të prindërve janë duke u shqyrtuar.

    “Jemi në kontakt me komunat. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë”.

    “Furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar shumë mirë, sipas informatave. Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim. Kërkesat që janë paraqitur nga prindërit apo kujdestarët ligjorë janë duke u shqyrtuar”, ka thënë Nagavci, raporton EO.

  • Komuna plotëson kërkesën e punëtorëve teknikë të Prishtinës, ua rrit pagat në 400 euro

    Komuna plotëson kërkesën e punëtorëve teknikë të Prishtinës, ua rrit pagat në 400 euro

    Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të shkollave të Prishtinës, nga tetori do t’i marrin pagat me rritje për 130 euro, raporton EO.

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se Komuna e Prishtinës ua ka plotësuar 95 për qind të kërkesave të tyre, ndërsa pagat e punëtorëve teknikë nga muaji i ardhshëm do të jenë 400 euro bruto.

    “Oferta e Komunës së Prishtinës i plotëson kriteret dhe kërkesën tonë, 95 për qind të asaj që e kemi kërkuar është realizuar. Ne kemi kërkuar që marrëveshja të bëhet edhe me tri shkolla të mesme. Kontrata me 250 euro që ka qenë dhe është deri më 30 shtator, me 1 tetor fillon paga e tyre me 400 euro bruto. Pra, paga e tyre do të rritet për 130 euro – 380 euro neto. Shkollat fillore kanë qenë data 9 shtator, e cila skadon por nuk është zgjedhur operatori i ri pasi që ata thonë qe ka qenë një operator i papërgjegjshëm”, u shpreh Azemi.

    Ai ka thënë se rritje të pagave do të kërkojnë edhe vitin e ardhshëm, me kërkesë që e njëjta të bëhet 470 euro.

    “Nga presioni serioz i punëtorëve dhe puna serioze e komunës së Prishtinës me datën 16 shtator do të fillojë edhe paga e tyre të jetë 400 euro ose 380 euro neto, të gjitha shoqatat e kanë përkrah këtë vendim, por bashkëpunimi me komunën e Prishtinës nuk do të përfundojë këtu sepse ne mendojmë në vitin e ri kjo pagë duhet të rritet deri 470 euro. Kemi edhe telashe me mospagesën e stazhit të punës atë do të kërkojmë që nga 6 ditshi i mëhershëm dhe do ti kërkohet secilës kompani dhe vetë komunës nëse nuk janë paguar me rregull dhe do të shkojë në aspekt ligjor”.