ATV

Category: Lajme

  • Greqia i ndalon telefonat në orën e mësimit

    Greqia i ndalon telefonat në orën e mësimit

    Greqia ka vendosur të mos lejojë përdorimin e celularëve gjatë orëve të mësimit, në vitin e ri shkollor.

    Lajmi u dha nga vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis, pas një takimi që ai zhvilloi me ministrin e Arsimit, Kyriakos Pierrakakis.

    Ligji i ri, i cili përngjan me atë që tashmë po aplikohet në Belgjikë dhe Francë, thotë se fëmijët do të mund t’i sjellin celularët në shkollë, por nuk do të mund t’i përdorin gjatë mësimit.

    Sipas rregullave të reja, nxënësit që nuk respektojnë do të pezullohen nga shkolla për një ditë, raporton A2.

    Gjithashtu, kushdo që filmon shokët e shkollës ose mësuesit e tyre pa leje mund të përballet me përjashtimin nga shkolla.

    “Ne nuk presim domosdoshmërisht pajtueshmëri 100 për qind që nga dita e parë, por duam që fëmijët, prindërit dhe edukatorët e tyre të kuptojnë rëndësinë e fokusimit të plotë të nxënësve në procesin arsimor në shkollë”, tha Mitsotakis.

  • Ambasadori britanik takon Krasniqin e Hamzën, flasin për ngjarjet e fundit dhe planet e zgjedhjeve

    Ambasadori britanik takon Krasniqin e Hamzën, flasin për ngjarjet e fundit dhe planet e zgjedhjeve

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka takuar sot kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kandidatin për kryeministër nga po ky subjekt, Bedri Hamzën.

    Me ta, ambasadori thotë se diskutuan mbi ngjarjet e fundit por dhe planet për zgjedhjet e reja.

    ”Sot u takova me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës – Memli Krasniqin dhe kandidatin për kryeministër Bedri Hamza për të diskutuar ngjarjet e fundit, planet për zgjedhje dhe forcimin e rolit të gruas në politikë”.

  • Për një muaj, Policia në Gjilan shqiptoi mbi 7 mijë gjoba

    Për një muaj, Policia në Gjilan shqiptoi mbi 7 mijë gjoba

    Policia në Gjilan ka njoftuar se për një muaj ka shqiptuar mbi 7 mijë gjoba.

    “Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, njësia rajonale e trafikut rrugor dhe stacionet policore gjatë periudhës kohore 01.08.2024 – 31.08.2024 në vazhdën e implementimit të planit operativ ‘’Rrethi’’ ka shqiptuar shtatëmijë e dyqind e katërmbëdhjetë (7214) gjoba.”

    Disa nga gjobat janë shqiptuar për:

    – Mos respektimi i shpejtësisë së kufizuar tremijë e pesëqind e dymbëdhjetë (3512) gjoba,

    – Mos respektimi i këmbësorëve pesëdhjetë e një (51) gjoba,

    – Rripi i sigurisë dyqind e nëntëdhjetë e katër (294) gjoba,

    – Tejkalim në vije të plotë apo vend të ndaluar njëzet e gjashtë (26) gjoba,

    – Përdorimi i telefonit mobil gjatë drejtimit të mjetit njëqind e gjashtëdhjetë e tri (163) gjoba,

    – Drejtimi i mjetit pa patentë shofer nëntëdhjetë e tetë (98) gjoba,

    – Gjendja jo e rregullt teknike e automjetit tetëdhjetë e një (81) gjoba,

    – Xhamat e errët, vendosja e foljes ose materialit tjetër njëqind e tridhjetë e tetë (138) gjoba,

    – Drejtimi i motoçikletës pa helmet dyzet e një (41) gjoba,

    – Janë përjashtuar nga trafiku dhe konfiskuar gjashtëmbëdhjetë (16) motoçikleta,

    – Shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për njëzet e tre (62) ngasës

    Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin ngasjen dhe shpejtësinë me kushtet e rrugës.

  • ​Nis mësimin tërëditor shkolla Model “Qamil Batalli”, njëra nga 5 shkollat e planifikuara të fillojnë deri në fund të muajit

    ​Nis mësimin tërëditor shkolla Model “Qamil Batalli”, njëra nga 5 shkollat e planifikuara të fillojnë deri në fund të muajit

    Me lule në duar, e fytyra të buzëqeshura presin të njoftohen me mësuesit e tyre. Të gatshëm për fillimin e një kapitulli të ri, oborri i shkollës e rruga përreth janë dëshmitarë të emocioneve të prindërve e fëmijëve. Në fillim të këtij viti të ri shkollor, shkolla “Model-Qamil Batalli” ka filluar implementimin e mësimit tërë-ditor. Nxënësit e klasave të para do të nisin mësimin nga ora 07:45 deri në orën 14:30. Klasat e treta dhe të katërta deri në orën 15:20, ndërkaq klasat e pesta deri në orën 16:00.

    Hazbije Gashi, e cila është nënë e dy fëmijëve që sot filluan klasën e parë ka mirëpritur këtë vendim të Komunë së Prishtinës.

    “Shumë mirë e kemi pritur këtë vendim, për prindërit që janë nëpër puna është shumë e mirë….Unë i kam dy binjakë, janë në klasën e parë, kanë qenë në kopsht më herët tash janë këtu…Mendoj që është më mirë, është orari më i gjatë normalisht gjithë më mirë, si për detyra si për krejt”, shprehet ajo për KosovaPress.

    Shkolla “Model-Qamil Batalli” është një nga pesë shkollat që do të implementojë mësimin tërë-ditor në kryeqytet.

    Drejtori i kësaj shkolle, Liridon Maliqi thotë se janë përgatitur dhe janë të gatshëm që të organizojnë në këtë formë mësimin.

    “Përgatitjet kanë filluar qysh para gjashtë muajve në takimet e para me drejtorinë komunale të arsimit. Ndërkaq, që nga 1 qershori kemi filluar përgatitjet edhe ne si shkollë meqë kemi pasur shumicën e kushteve paraprake. Për pjesën tjetër të kushteve është kujdesur drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku bashkë me stafin e DKA-s dhe natyrisht ne këtu me stafin e mësuesve dhe stafit të administratës dhe atë teknik kemi bërë më të mirën e mundshme që sot të mos kemi asnjë punë shtesë përveç pritjes sa më të mirë të mysafirëve, të prindërve dhe natyrisht mbi të gjitha të nxënësve”, deklaron ai.

    Sipas kërkesës së prindërve dhe psikologëve, nxënësit e klasave të para do të mbarojnë mësimin në orën 14:40.

    “Klasat e para sipas kërkesës së prindërve dhe psikologëve të konsultuar nga komuna natyrisht që prej orës 07:45 do të qëndrojnë deri në orën 14:30, përkatësisht 14:40 pasdite. Klasat e treta dhe të katërta deri pas orës 15:20, ndërkaq klasat e pesta deri në orën 16:00. Kështu do të organizohet dita me ndërrimin e paradites, ku do të ketë orë kurikulare dhe të pasdites me orë ekstra kurikulare dhe aktivitete të cilat forcojnë shkathtësitë e fëmijëve, afinitetet, mangësitë të cilët mund t’i kenë”, shprehet Maliqi.

    Drejtori i shkollës “Model-Qamil Batalli tregon se si do të vijojë dita për pesë gjeneratat që do të mbajnë mësimin tërë-ditor.

    “Mësimi fillon nga ora 08:30 por prindërit mund t’i sjellin fëmijët nga ora 07:45. Ndërkaq nga 07:45 deri në 08:30 vetëm qëndrojnë dhe e ngrënë ushqimin që e kanë nga shtëpia e tyre dhe presin, adaptohen me libra e lapsa, fletore në bankat e tyre. Nga ora 08:30 fillon ora e parë e mësimit, pastaj i kanë dy, përkatësisht tri orë dhe pastaj fillon dreka, tri orë kurikulare dhe pastaj fillon dreka që shtrohet nga kuzhina qendrore e Prishtinës brenda shkollës sonë dhe vazhdohet pastaj me orët ekstra kurikulare. Një orë kurikulare dhe vazhdohet me orët ekstra kurikulare tutje deri te koha e (zamrës) apo një past shujtë që mund të jetë në fund të ditës. Dhe natyrisht do ta mbajnë edhe një orë tjetër relaksuese, do të kenë mundësi të shikojnë filma apo të mbajnë orët tjera ekstra kurikulare dhe të vazhdojnë për në shtëpi”, përfundon ai.

    Nga klasa përgatitore e deri në klasën e pestë, kjo shkollën numër mbi 840 nxënës. Ndërkaq, mësimi për klasat nga e gjashta deri në të nëntën do të vijojë në shkollën “Emin Duraku”.

    Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar se sot mësimi tërë-ditor ka filluar vetëm në dy shkollat, në “Shkolla e Gjelbër” dhe shkolla “Model-Qamil Batalli”, ndërsa më 30.09.2024 do të vijojë në shkollën “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri” në Prishtinë. /kp

  • Ministria e Mbrojtjes hap konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj

    Ministria e Mbrojtjes hap konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ka hapur konkurs për pranimin e 300 ushtarëve të rinj.

    Sipas ministrisë, konkursi do të jetë i hapur nga data 9 shtator deri më 8 tetor 2024, ndërsa të drejtë aplikimi kanë të gjithë të interesuarit, nga mosha 18 deri 25 vjeç.

    “Të gjithë të interesuarit për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, mund të aplikojnë në ueb faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, duke plotësuar formularin i cili së shpejti do të publikohet.Bëhu ushtar i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook.

  • Haxhiu e viziton Prokurorinë Themelore në Pejë njoftohet me sfidat

    Haxhiu e viziton Prokurorinë Themelore në Pejë njoftohet me sfidat

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot e ka vizituar Prokurorinë Themelore në Pejë ku u prit nga kryeprokurori, Agim Kurmehaj dhe zëvendëskryeprokurori, Ersan Çavolli.

    Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se është njoftuar për mungesën e vogël të numrit të prokurorëve.

    “I njoftova për prioritetet tona që ndërlidhen me reformën, punën që po bëjmë me fokus në adresimin e dhunës në familje ku vetëm nga janari e deri më sot në Komunën e Pejës janë raportuar 258 raste të dhunës në familje si dhe i njoftova për politikat në fuqizimin e ligjeve dhe mekanizmave që merren me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin”.

    “U njoftova për angazhimin e tyre sidomos për këto raste dhe po ashtu për numrin e vogël të prokurorëve 11 nga 19 prokurorë sa ishin, por që pavarësisht kësaj rezultatet nuk kanë munguar. Pas takimit, vizituam hapësirat e kësaj prokurorie ku takuam prokurorë, bashkëpunëtorë profesional, zyrtarë ligjor, ndërmjetësues dhe staf tjetër administrativ. Në fund i falënderova për punën dhe angazhimin dhe i ofrova mbështetjen time për tejkalimin e sfidave”, ka thënë Haxhiu.

  • ​Miratohen transaksionet e shitjes së aseteve për likuidim 67

    ​Miratohen transaksionet e shitjes së aseteve për likuidim 67

    Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit miratoi sot transaksionet e shitjes së aseteve me likuidim 67, prej tyre 5 aprovime dhe 6 refuzime, si dhe shqyrtoi 65 raporte rekomanduese për shitje direkte nga të cilat 16 asete u aprovuan për shitje direkte ndërsa 49 u refuzuan.

    Në komunikatë thuhet se Bordi miratoi qiradhënien përmes tenderit publik e pesë pompave të derivateve sipas shpalljes së datës 26 korrik 2024, si dhe dy asete për qiradhënie direkte, njëra prej të cilave ka 10 njësi.

    Pas shqyrtimit të kërkesës nga bordi i ndërmarrjes shoqërore Inex Ski Qendra në Brezovicë, u miratua edhe investimi shtesë prej 35 mijë eurosh, kryesisht në riparimin e teleferikëve dhe blerjen e një shtypësi bore.

    Po ashtu u miratuan raportet e shpërndarjes së mjeteve në likuidim për ndërmarrjet “Barnatorja Popullore” Ferizaj, KB Malisheva dhe KBI Agrokultura.

    Bordi u informua për raportin përfundimtar të procesit të likuidimit të ndërmarrjes shoqërore “Mamusha” dhe me këtë udhëzoi që raporti të dërgohet në Dhomë të Posaçme dhe pas kësaj procedure pason mbyllja e ndërmarrjes.

    Lidhur me shpronësimet Bordi mori vendim për dhënie të pëlqimit për regjistrim/bartje në librat kadastral të pronës së paluajtshme objekti i ish-ndërmarrjes shoqërore “Liria” Prizren, për realizimin e projektit “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve”, në bazë të vlerësimit nga Ministria e Financave.

    Po ashtu mori vendim për dhënie të pëlqimit për regjistrim/bartje në librat kadastral të pronës së paluajtshme Landovicë për realizimin e projektit “Varrezat e Qytetit të Prizrenit” pronë e ndërmarrjes shoqërore Vreshtaria Prizren, në bazë të vlerësimit nga Ministria e Financave në përputhje me vendimin përfundimtar Qeverisë së Kosovës, për shpronësim të datës 13.12.2023.

    Bordi gjithashtu aprovoi planin e veprimit për zbatim të rekomandimeve të raportit të auditimit të Divizionit të shitjes direkte nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

  • Abdixhiku i uron vitin e ri shkollor nxënësve, i dërgon vajzat në shkollë

    Abdixhiku i uron vitin e ri shkollor nxënësve, i dërgon vajzat në shkollë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shpërndarë një video të gruas së tij bashkë dy vajzat duke i dërguar në shkollë në ditën e parë të vitit të ri shkollor.

    Në një postim në Facebook, ai u ka uruar të gjithëve një vit të ri të mbarë shkollorë.

    “Për të gjithë fëmijët që nisin shkollën sot, në veçanti ata të klasës së parë, paçi fat plot. Rrugëtimi juaj është themeli i së ardhmes sonë – këtu, në Kosovë”, ka thënë Abdixhiku.

  • Zyra e BE-së në Kosovë nga sot ka një shef të ri

    Zyra e BE-së në Kosovë nga sot ka një shef të ri

    Diplomati estonez, Aivo Orav, do të jetë shef i ri i Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Ai mori detyrën nga Tomasz Szunyog, i cili shërbeu deri më tani në këtë detyrë.

    Orav njoftimin e bëri përmes platformës X, ku tha se këtë po e bën duke ndjerë përgjegjësi të thellë ndaj pozitës që do ta ushtroi.

    Estonezi theksoi se do të punojë ngushtë për ta mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së.

    “Me kënaqësi të madhe dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë po e marr postin e Shefit të Zyrës së BE-së/Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, një partner i rëndësishëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor. Zotohem se do të punoj krah për krah me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike, për ta konsoliduar pozitën e BE-së si investitor, partner tregtar dhe donator më i madh i Kosovës dhe për ta mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe reformat në lidhje me BE-në”, tha ai.

    Aivo Orav, ka një karrierë të gjatë për mbi 30 vjet në diplomaci.

    Ai më parë ka shërbyer si Përfaqësues i Përhershëm i Estonisë në BE dhe si shef i delegacioneve të BE-së në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut.

  • Kryeministri Kurti: Uroj që viti i ri shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë

    Kryeministri Kurti: Uroj që viti i ri shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/2045.

    Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.

    “Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.

    “Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.