ATV

Category: Lajme

  • Mbetën të bllokuar në det, Policia Kufitare shpëton 3 persona në Velipojë

    Mbetën të bllokuar në det, Policia Kufitare shpëton 3 persona në Velipojë

    Në zonën e Velipojë, tre shtetas kanë mbetur të bllokuar në det pasi mjeti i tyre lundrues pësoi avari teknike, duke rrezikuar mbytjen e tyre.

    Menjëherë pas njoftimit për incidentin, shërbimet e Policia Kufitare e Shqipërisë u nisën drejt vendngjarjes dhe arritën të lokalizojnë mjetin lundrues, i cili drejtohej nga shtetasi I. H., me dy persona të tjerë në bord.

    Sipas autoriteteve, mjeti nuk mund të vijonte lundrimin për shkak të një defekti teknik, duke krijuar rrezik për personat në bord. Për të shmangur çdo situatë të rrezikshme, efektivët e Policisë Kufitare kryen rimorkimin e mjetit deri në breg.

    Të tre shtetasit u nxorën në tokë të sigurt dhe nuk pësuan asnjë dëmtim shëndetësor apo fizik. Pas përfundimit të operacionit, u konstatua se dokumentacioni i mjetit lundrues ishte i rregullt.

  • Pacolli i bën thirrje SPAK-ut të hetojë situatën në Aeroportin e Vlorës

    Pacolli i bën thirrje SPAK-ut të hetojë situatën në Aeroportin e Vlorës

    Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri që të nisë hetime lidhur me, siç e ka cilësuar ai, një skandal të rëndë në Aeroportin e Vlorës.

    Pacolli ka deklaruar se qytetarët nuk janë informuar për “gjendjen reale” në aeroport, duke kërkuar që të hetohen personat që, sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

    “Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani”, ka shkruar Pacolli.

    Pacolli ka kërkuar nga SPAK një hetim “të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës”, pa mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës apo ndikimit që mund të ketë.

    “Për këtë arsye, i bëj thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar rëndë shtetin e së drejtës dhe sistemin juridik të Republikës së Shqipërisë”. Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani.”

    Ai thotë se terminali i Aeroportit të Vlorës ka qenë i bllokuar dhe i uzurpuar për më shumë se dhjetë muaj, ndërsa ka thënë se kompania MABCO dhe nënkontraktorët e saj tashmë janë rikthyer në vendet e punës.

    “Sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet”, ka deklaruar ai.

    Sipas Pacollit, dëmet përfshijnë inventarin e projektuar dhe instaluar për funksionimin e aeroportit, por edhe pajisje dhe mjete pune që u përkasin kompanive nënkontraktuese.

    Ai ka ngritur dyshime edhe për mbështetje ose tolerim institucional ndaj personave që i ka akuzuar për veprime të paligjshme.

    “Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se në disa raste, sipas tij, është tentuar të ndikohet edhe në procese gjyqësore.

    Ai ka theksuar se duhet të identifikohet i gjithë zinxhiri i personave që mund të jenë përfshirë në ngjarjet e pretenduara, duke kërkuar gjithashtu masa për garantimin e sigurisë së punonjësve dhe kompanive kontraktuese në Aeroportin e Vlorës.

  • Çfarë u gjet gjatë aksionit të Policisë në veri të Kosovës

    Çfarë u gjet gjatë aksionit të Policisë në veri të Kosovës

    Policia e Kosovës ka publikuar pamje nga armët, municioni dhe pajisjet e tjera ilegale të sekuestruara në tri lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, aksionet janë zhvilluar më 21 qershor pas informacioneve të pranuara nga qytetarët se në disa objekte mund të fshiheshin armë dhe mjete të tjera ilegale.

    Gjatë kontrolleve në dy objekte në fshatin Presek dhe një objekt të pabanuar në fshatin Qeçevë, policia ka gjetur dhe konfiskuar tri pushkë të tipit M48, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikatorë, pjesë të uniformave të kamufluara, bateri ndriçuese, si dhe pajisje për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë.

    Në mesin e materialeve të sekuestruara janë gjetur edhe rreth 200 gramë barut dhe afër 2 kilogramë sfera metalike që përdoren për mbushjen e fishekëve.

    Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Policia ka bërë të ditur se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të arrestuar, ndërsa ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ndarjen e informacioneve që kontribuojnë në sigurinë publike.

  • Përleshen dy persona mes vete në Obiliq, bëhen për spital

    Përleshen dy persona mes vete në Obiliq, bëhen për spital

    Një person është shoqëruar në stacionin policor pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se është përleshur me një person tjetër.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 17:25, në Obiliq.

    Tutje bëhet e ditur se të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe është sekuestruar një armë e ftohtë (thikë).

    “Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se është përleshur me viktimën mashkull kosovar. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe është sekuestruar një armë e ftohtë (thikë). Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti vazhdon të trajtohet në gjendje të lirë”, thuhet në raport.

  • FSK teston gatishmërinë fizike dhe luftarake në garën “Forca 2026”

    FSK teston gatishmërinë fizike dhe luftarake në garën “Forca 2026”

    Komanda e Logjistikës në bashkëpunim me dy regjimentet e saj, realizoi garën ekipore “Forca 2026”, në kuadër të Planit Vjetor të Aktiviteteve për vitin 2026.

    Gara u zhvillua në katër disiplina të ndryshme, me pjesëmarrjen e shtatë ekipeve nga Komanda e Logjistikës dhe njësitë e saj vartëse.

    Qëllimi i kësaj gare ishte testimi i përgatitjes fizike dhe qëndrueshmërisë luftarake ndërmjet pjesëtarëve të njësive.

    Gjatë zhvillimit të garës, pjesëmarrësit demonstruan nivel të lartë profesionalizmi, disipline, përkushtimi dhe gatishmërie fizike, duke dëshmuar rëndësinë e stërvitjes së vazhdueshme dhe të punës ekipore në përmbushjen e detyrave ushtarake.

    Aktiviteti u përmbyll me shpalljen e ekipeve më të suksesshme dhe ndarjen e mirënjohjeve për pjesëmarrësit, duke reflektuar frymën e garës së ndershme, profesionalizmit dhe bashkëpunimit.

  • Dy vajza nga Kamenica humbin jetën në një aksident në Gjermani, kryetari Rahimaj: Bashkëndiejmë dhimbjen me familjen Zubaku

    Dy vajza nga Kamenica humbin jetën në një aksident në Gjermani, kryetari Rahimaj: Bashkëndiejmë dhimbjen me familjen Zubaku

    Dy motrat, E.Z dhe A.Z nga Topanica e Kamenicës, kanë humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti të rëndë që ndodhi të shtunën në Gjermani.

    Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka shprehur ngushëllime për familjen për këtë tragjedi.

    Në një postim në Facebook, Rahimaj ka thënë se lajmi ka prekur rëndë komunën dhe gjithë komunitetin.

    “Mëngjes i trishtë për Kamenicën. I prekur nga lajmi për aksidentin e rëndë që ka ndodhur në Gjermani, ku humbën jetën dy vajzat e Familjes Zubaku nga Topanica e Kamenicës”, ka shkruar Rahimaj.

    Ai ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit, duke theksuar bashkëndjenjën në këtë moment të rëndë.

    “Në këto momente të rënda për familjen, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkëndiejmë me ju për dhimbjen që po e përjetoni. Ngushëllime edhe për miqtë dhe të gjithë ata që i njohën”, ka shkruar tutje ai.

    Kryetari Rahimaj ka theksuar se përballimi i kësaj humbjeje kërkon forcë dhe durim.

    “Duhet forcë, durim e kurajo për përballimin e kësaj humbjeje të madhe. Ngushëllime e qoftë i përhershëm kujtimi për to”, përfundon reagimi i tij.

  • E FUNDIT: Keir Starmer jep dorëheqje nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe

    E FUNDIT: Keir Starmer jep dorëheqje nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe udhëheqës i Partisë Laburiste.

    Lajmi është bërë i ditur gjatë një konference për media, ku Starmer ka thënë se ka hyrë në politikë me qëllimin për të ndryshuar jetën e miliona njerëzve për mirë.

    Starmer paraprakisht tha se do të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar një dorëzim të rregullt të pushtetit dhe do t’i japë pasardhësit të tij mbështetjen e tij të plotë.

    Starmer më pas falënderoi miqtë dhe kolegët e tij që kanë qenë pranë tij për gjashtë vjet, si dhe stafin nr. 10 dhe “shërbimin civil të jashtëzakonshëm”.

  • Policia apelon për kujdes të shtuar ndaj zjarreve, paralajmëron masa ligjore

    Policia apelon për kujdes të shtuar ndaj zjarreve, paralajmëron masa ligjore

    Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke paralajmëruar rrezikun e shtuar nga zjarret si pasojë e temperaturave të larta dhe përvojave të viteve të kaluara.

    Në njoftim theksohet se zjarret paraqesin rrezik të përgjithshëm dhe mund të shkaktojnë pasoja të rënda në zonat ku shfaqen.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë tek autoritetet për çdo person të dyshuar të përfshirë në zjarrvënie.

    Gjithashtu, autoritetet kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa ligjore ndaj të gjithë personave që, qoftë me qëllim apo nga pakujdesia, rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.

    Në mënyrë të veçantë, qytetarëve të rajonit të Pejës u është bërë thirrje që të tregojnë kujdes maksimal gjatë përdorimit të mjeteve që mund të shkaktojnë zjarr, përfshirë shkrepëset, cigaret, përdorimin e grillave dhe ndezjen e zjarreve në natyrë.

  • KRU Hidromorava paralajmëron konsumatorët: Dy fatura të papaguara sjellin shkyçje të ujit dhe përmbarim

    KRU Hidromorava paralajmëron konsumatorët: Dy fatura të papaguara sjellin shkyçje të ujit dhe përmbarim

    “KRU Hidromorava” në Gjilan ka dalë me njoftim për konusmatorët që nuk kanë paguar deri në dy fatura do të ketë shkyçje nga rrjeti i ujësjellësit dhe procedura përmbarimore.

    Kompania ka bërë të ditur se konsumatorët që nuk kanë mundësi ta shlyejnë menjëherë borxhin mund të përfitojnë nga riprogramimi i tij me këste mujore. Për këtë, ata mund të paraqiten në zyrat e kompanisë për të arritur marrëveshje.

    KRU Hidromorava ka bërë të ditur se pagesat mund të realizohen në: Arkat e Kompanisë, Posta e Kosovës ( ora 08:00 – 20:00), Institucione Mikrofinanciare”.

  • Rama vizitë në Francë, takohet me Macron

    Rama vizitë në Francë, takohet me Macron

    Kryeministri Edi Rama do të pritet sot në Paris nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron. Diskutimet pritet të zhvillohen mesditën e sotme në Pallatin Elize, raporton A2CNN

    Sipas njoftimit të qeverisë franceze, në fokus të takimit do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE dhe investimet franceze në vendin tonë.

    Takimi i Ramës me Macron vjen në një ditë kur protesta qytetare në Tiranë do të hyjë në ditën e 23-të të saj, ku kërkesa kryesore është dorëheqja e Ramës.