ATV

Category: Lajme

  • Kosova kërkon qasje në arkivat e Brigadës së 37-të dhe rikthim të gërmimeve

    Kosova kërkon qasje në arkivat e Brigadës së 37-të dhe rikthim të gërmimeve

    Kosova ka kërkuar qasje në dokumentet e klasifikuara të Brigadës së 37-të të Motorizuar dhe rikthimin për gërmime në Batajnicë, duke i parë si test të përmbushjes së zotimeve të Serbisë të Deklaratës për Persona të Zhdukur. Ndërkaq, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për persona të zhdukur Serbia ka kërkuar më shumë informata dhe hetime sidomos pas përfundimit zyrtar të luftës.

    Pala kosovare po pret qasje në dosjet e klasifikuara të Brigadës së Motorizuar, 37-të, të kohës së luftës, dhe kthimin për gërmime në Batajnicë, në mesin e kërkesave kryesore që ka paraqitur te Komisioni i Përbashkët për Persona të Zhdukur mes Kosovës e Serbisë.

    Ky Komision pritet të mblidhet sërish këtë muaj, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në takimin e tretë me radhë që nga themelimi i tij dhe pala kosovare insiston që këto dy kërkesa janë test nëse Serbia do të nisë ta zbatojë deklaratën e nënshkruar tri vite më parë e cila përfshin qasjen në arkiva.

    Kreu i Njësisë për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, Kushtrim Gara, ka thënë se qasja në arkivin e klasifikuar do të ndihmojë kërkimet për të zhdukurit nga maskarat e kryera nga kjo brigadë, në zonën e Drenicës, që në atë kohë komandohej nga gjenerali, Lubisha Dikoviq.

    “Shumë nga viktimat e masakrave Rezallë, Çikatovë e Vjetër e Zabel i Ulët të kryera nga kjo brigadë janë gjetur në Rashkë”, i ka thënë Gara Radio Kosovës.

    “Komplet arkivat e kësaj brigade janë riklasifikuar në vitin 2014, kur ne kemi qenë duke gërmuar në Rashkë, ku kjo brigadë e ka pasur bazën”, ka shtuar ai.

    Gara ka treguar se pala kosovare po kërkon të rikthehen gërmimet në Batajnicë ngase janë siguruar të dhëna të reja ku dyshohet të jenë një numër viktimash të zhdukura të luftës.

    “Në bazë të dhënave të reja që kemi siguruar dhe analizës së informacionit ne kemi konkluduar që në Batajnicë afër poligonit të stërvitjes duhet të jetë edhe një vend me 58 trupa të personave të zhdukurve”, ka thënë ai.

    Mes viteve 2001 e 2002, mbetjet e 744 viktimave u gjetën të varrosura në 9 gropa, ngjitur me poligonin e stërvitjes ushtarake në Batjnicë, afër Beogradit, qindra kilometra larg vendit ku u vranë.

    Zyra e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian për Dialogun, Kosovë- Serbi, Peter Sorensen, i ka thënë Radio Kosovës se BE u “kërkon me ngulm palëve bashkëpunim dhe angazhim” në zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023. Gjithashtu është theksuar se Komisioni i Përbashkët “ofron një kornizë për të mbështetur këtë proces dhe për të adresuar çështjet praktike që lidhen me zbatimin”.

    Sipas Deklaratës për Persona të Zhdukur, obligimet e Kosovës, përfshijnë hetime të rasteve të personave të zhdukur, sidomos atyre pas përfundimit zyrtar të luftës.

  • Humbja e jetës së punëtorit në Prizren, policia jep detaje

    Humbja e jetës së punëtorit në Prizren, policia jep detaje

    Një punëtor ka humbur jetën paraditen e sotme në Prizren. Vinçi i rrëzuar në punishte ka zënë një punëtor në vendin e punës.

    Lidhur me këtë janë deklaruar edhe nga ana e Policisë së Kosovës.

    ‘’Sot, më datë 22.06.2026, rreth orës 09:00, Policia ka pranuar informatën se në ambulancën e lagjes Arbana në Prizren është dërguar pa shenja jete një person mashkull, rreth 26 vjeç.Njësitë policore kanë dalë menjëherë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes’’ ka thënë Shaqir Bytyqi- zëdhënës në Policinë e Kosovës për Rajonin e Prizrenit.

    Më tutje është bërë e ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar si dhe Inspektorati i Punës.

    Në koordinim me ta, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

  • Nis seanca në Apel ndaj Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e të dashurës

    Nis seanca në Apel ndaj Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e të dashurës

    Ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit ndaj Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara në Fushë-Kosovë në vitin 2023.

    Gjykata e Apelit po shqyrton ankesat e paraqitura nga palët lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa gjatë seancës pritet që mbrojtja dhe Prokuroria e Shtetit të paraqesin argumentet e tyre.

    Endrit Nika ishte shpallur fajtor në shkallën e parë dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim për këtë rast. Vendimi i Apelit pritet të jetë vendimtar për fatin e mëtejmë të procesit gjyqësor.

  • Kampi “Enver Zymeri” do të renovohet, policia hap tender në vlerë rreth 16 mijë euro

    Kampi “Enver Zymeri” do të renovohet, policia hap tender në vlerë rreth 16 mijë euro

    Policia e Kosovës ka hapur një tender të ri për në kuadër të procedurave të prokurimit publik, për renovimin e kampit “Enver Zymeri”.

    Sipas dokumentit zyrtar afati për dorëzimin e ofertave është i hapur deri më 2 korrik 2026 ora 14:00.

    Autoriteti kontraktues ka bërë të ditur se procedura synon furnizimin e nevojshëm për funksionimin e rregullt të institucionit, në përputhje me standardet dhe kërkesat ligjore të prokurimit publik.

    Sipas dokumentacionit të publikuar, kontrata është e kategorisë së furnizimit dhe ka për qëllim sigurimin e materialeve të nevojshme për realizimin e punimeve renovuese në këtë qendër.

    Vlera e parashikuar e kontratës është 15 mijë e 927.50 euro, ndërsa projekti synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe funksionale të objektit.

    Dokumentet e tenderit tregojnë se kontrata nuk është e ndarë në pjesë, duke nënkuptuar se furnizimi do të realizohet si një tërësi.

    Operatorët ekonomikë të interesuar duhet të përmbushin një sërë kriteresh ligjore dhe profesionale, përfshirë dëshmitë nga Administrata Tatimore, Gjykata Themelore dhe dokumentacionin përkatës që vërteton regjistrimin e biznesit dhe statusin e TVSH-së.

    Po ashtu, operatori ekonomik që shpallet fitues do të jetë i obliguar të ofrojë siguri të ekzekutimit në vlerë prej 10 për qind të shumës së kontratës, në përputhje me kushtet e përcaktuara në dosjen e tenderit.

    Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar që të shqyrtojnë dokumentacionin e tenderit dhe të paraqesin ofertat e tyre brenda afateve të parapara, në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik.

    Renovimi i këtij kampi ka ardhur pas raportimit në media për gjendje të rëndë të tij. Në disa media janë publikuar fotografi ku shihen dyer e dritare të thyera dhe pjesë të tjera të objektit tejet të dëmtuara, e ku zyrtarët policorë të Njësisë Speciale qëndrojnë gjatë punës së tyre.

  • Gazi amerikan, Kryeziu: Asnjë qeveri s’duhet të marrë e vetme vendime që përcaktojnë orientimin strategjik të Kosovës

    Gazi amerikan, Kryeziu: Asnjë qeveri s’duhet të marrë e vetme vendime që përcaktojnë orientimin strategjik të Kosovës

    Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar refuzimin e projektit amerikan të gazit nga qeveria.

    Ai ka bërë me dije asnjë qeveri nuk duhet të marrë e vetme vendime që mund të përcaktojnë orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të Kosovës për dekada.

    Në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka shkruar se investimi strategjik në sektorin e gazit nga kompani amerikane nuk është thjesht një projekt ekonomik.

    “Pavarësisht legjitimitetit që buron nga vota, asnjë qeveri nuk duhet të marrë e vetme vendime që mund të përcaktojnë orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të vendit për dekada. Investimi strategjik në sektorin e gazit nga kompani amerikane nuk është thjesht një projekt ekonomik. Ai prek sigurinë energjetike të Kosovës, zhvillimin afatgjatë ekonomik, sigurinë kombëtare, përfshirjen e vendit në iniciativa rajonale dhe partneritetin strategjik me SHBA-në”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie, një vendim i tillë nuk duhet të kalojë pa debat të gjerë publik, pa transparencë të plotë dhe pa përfshirjen e komunitetit të biznesit, ekspertëve të fushës, shoqërisë civile, partive politike dhe aktorëve të tjerë relevantë”, ka shkruar Kryeziu.

  • Dënohet me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë i akuzuari për shitblerje të narkotikëve

    Dënohet me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë i akuzuari për shitblerje të narkotikëve

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Bashkim Kolshit, duke e dënuar me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për shitblerje të narkotikëve. Akuza e ngarkon për transportimin e 180 kilogramëve kokainë.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala dhe anëtarët Vesel Ismaili dhe Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësi Shala bëri të ditur se i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndajra dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve e substancave psikotropike dhe analoge”. Kurse, u lirua nga akuza për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

    Në shpallje nuk ishin të pranishëm i akuzuari Kolshi dhe as prokurori Kastriot Mema. Kurse, i pranishëm ishte mbrojtësi i Kolshit, avokati Kadri Mjekiqi.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Bashkim Kolshit, të cilin e akuzon për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe shpëlarje parash.

    Kontrabandimin e narkotikut, aktakuza thotë se i pandehuri Kolshi e ka bërë me dhjetë dërgesa gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019.

  • “Hajde rrenë hajde”: Ymeri e LDK-së ironizon me projektin e Qeverisë Kurti për gazifikimin e thëngjillit

    “Hajde rrenë hajde”: Ymeri e LDK-së ironizon me projektin e Qeverisë Kurti për gazifikimin e thëngjillit

    Kandidatja e LDK-së për deputete, Janina Ymeri, e cila ka fituar edhe një mandat në zgjedhjet e 7 qershorit, ka ironizuar me projektin e pushtetit për gazifikimin e thëngjillit.

    Ajo ka bërë me dije se Qeveria Kurti ende nuk i ka vendosur dy bateritë e premtuara në Ferizaj dhe Pejë.

    Në profilin e saj në Facebook, Ymeri ka shkruar se pretendimet e VV-së janë të pavërtetat.

    “Dy bateri s’i kanë vendos në Ferizaj e Pejë që sa vjet, e po e gazifikojnë thëngjillin. Hajde rrenë hajde!”, ka shkruar ajo.

  • Gërvalla zyrtarizon çmimin “Sali Çekaj” në 70-vjetorin e lindjes së heroit

    Gërvalla zyrtarizon çmimin “Sali Çekaj” në 70-vjetorin e lindjes së heroit

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur, se në 70-vjetorin e lindjes së Heroit Sali Çekaj, ka nënshkruar vendimin për aktin nënligjor që rregullon ndarjen e çmimit me emrin e tij.

    Sipas saj, çmimi “Sali Çekaj” dedikohet për personalitetet që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

    Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Gërvalla ka vlerësuar figurën e Sali Çekajt si një prej personaliteteve më të shquara të historisë së Kosovës, duke theksuar rolin e tij si “komandant i UÇK-së, politikan vizionar dhe jurist i dalluar”.

    “Figura e Sali Çekajt, krahas figurës së komandantit të UÇK-së dhe politikanit vizionar, me përkushtim të parezervë për lirinë e vendit deri në flijim në ballë të frontit, rrezaton edhe si figurë e një juristi të rrallë, të guximshëm, mendjemprehtë e të vendosur. Figurë që frymëzon breza e breza juristësh në vendin tonë”, ka deklaruar Gërvalla.

    Ajo shtoi se çmimi që mban emrin e Heroit Sali Çekaj synon të vlerësojë individët me kontribut të veçantë në drejtësi, duke shërbyer njëkohësisht si nderim për veprën dhe trashëgiminë e tij.

    Komandant Sali Çekaj, që u vra më 19 prill 1999 në krye të detyrës, në Koshare, si komandant i Brigadës 134, konsiderohet si njëri ndër strategët më të shquar të luftës së Kosovës.

  • Policia gjermane jep detaje për aksidentin ku humbën jetën dy motra nga Topanica e Kamenicës

    Policia gjermane jep detaje për aksidentin ku humbën jetën dy motra nga Topanica e Kamenicës

    Një aksident i rëndë në autostradën A5 në Gjermani ka rezultuar fatal për dy vajza nga fshati Topanicë i Kamenicës, të cilat kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së automjeteve.

    Viktimat janë identifikuar si E. Z, 23 vjeçare, dhe A. Z, 17 vjeçare, të cilat janë shtetase zvicerane, gjersa kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.

    Policia gjermane ka dhënë detaje lidhur me aksidentin, duke bërë të ditur se fillimisht janë raportuar dy aksidente në të njëjtin segment rrugor, raporton gazeta gjermane Blick.

    Sipas autoriteteve, aksidenti i parë ka ndodhur të shtunën rreth orës 11:30, pranë zonës së pushimit Renchtal, kur dy automjete janë përplasur gjatë një manovre ndërrimi korsie nga korsia e mesme në atë të majtë.

    “Për shkak të shpejtësisë së lartë, drejtuesit humbën kontrollin mbi automjetet, të cilat u ndalën në rrugë. Një person mbeti i plagosur rëndë”, kanë bërë të ditur autoritetet gjermane.

    Si pasojë e pengesave të krijuara në rrugë, disa automjete që po qarkullonin pas tyre kanë frenuar papritur, duke shkaktuar një aksident të dytë të rëndë pranë nyjës së Appenweierit, ku janë përfshirë gjithsej pesë automjete.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se katër prej tyre nuk kanë pasur të lënduar, ndërsa dy vajzat që ndodheshin në një automjet tip Smart kanë humbur jetën në vendngjarje.

    Për shkak të operacioneve të shpëtimit, hetimeve dhe pastrimit të rrugës, autostrada A5 në drejtim të veriut është mbyllur për disa orë, ndërsa më pas është rikthyer qarkullimi normal.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar, ndërsa dëmi material paraprak vlerësohet të jetë mbi 100 mijë euro.

  • Starmer emocionohet gjatë njoftimit për dorëheqjen, përqafon bashkëshorten

    Starmer emocionohet gjatë njoftimit për dorëheqjen, përqafon bashkëshorten

    Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se, pasi të largohet nga “detyra më e madhe në vend”, do t’i kushtojë më shumë kohë “detyrës më të rëndësishme”, shkruan BBC.

    “Të jem bashkëshorti më i mirë që mundem për bashkëshorten time të mrekullueshme, Vic (Victoria), e cila ka qenë një mbështetje e palëkundur pranë meje në kohë të mira dhe të këqija”, tha ai, duke u përpjekur të përmbahet nga emocionet e momentit.

    “Dhe të jem babai më i mirë që mundem për fëmijët e mi të mrekullueshëm, të cilët janë krenaria dhe gëzimi im”, përfundoi ai.

    Ai përqafon bashkëshorten e tij përpara se të largohej nga konferenca për shtyp.