ATV

Category: Lajme

  • Kush është Andy Burnham, kryeministri i ardhshëm i mundshëm i Britanisë?

    Kush është Andy Burnham, kryeministri i ardhshëm i mundshëm i Britanisë?

    Andy Burnham ka kandiduar dy herë pa sukses për udhëheqjen e Partisë Laburiste në pushtet në Britani.

    Tani fitorja e tij vendimtare në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare e vendos atë jo vetëm në prag të këtij qëllimi, por edhe të hyrjes në Downing Street si kryeministër.

    Burnham ka qenë për nëntë vjet kryetar bashkie i Manchesterit, ku ai kultivoi një imazh aktivizmi.

    Me një vend në Parlament që përfaqëson Makerfield , në Anglinë veriperëndimore, Burnham do të ketë nevojë për mbështetjen e 80 ligjvënësve të tjerë laburistë për të sfiduar lidershipin ndaj kryeministrit të vendit, Keir Starmer.

    Mbështetësit e shohin Burnham — i cili në Manchester fitoi nofkën “mbreti i Veriut” për mbrojtjen e zonës gjatë pandemisë Covid-19 — si shpëtimtarin e mundshëm të Partisë Laburiste kundër partisë populiste të krahut të djathtë Reform UK, të udhëhequr nga Nigel Farage.

    Burnham lindi në Liverpool në vitin 1970. Ai u rrit në Culcheth, një fshat në Cheshire jo shumë larg Makerfield.

    Me prejardhje irlandeze, ai ndoqi shkolla shtetërore katolike romake, shkruan New York Times.

    Burnham fitoi një vend për të studiuar anglisht në Universitetin e Cambridge dhe pas diplomimit, ndoqi një rrugë të njohur drejt famës politike, fillimisht si studiues për Tessa Jowell, një ligjvënëse në jug të Londrës, dhe më pas si këshilltar i sekretarit të atëhershëm të kulturës Chris Smith.

    Ndërsa ishte në Cambridge, ai takoi Marie-France Van Heel, e cila kishte lindur në Holandë, dhe më vonë ata u martuan dhe patën tre fëmijë.

    Pasi fitoi zgjedhjet në vitin 2001, duke përfaqësuar Leigh, një distrikt verior afër vendit ku u rrit, ai u bë ministër i ri në qeverinë e re laburiste të Tony Blair.

    Ai u ngrit në detyrë në kabinet nën Gordon Brown dhe shërbeu si sekretar kryesor i Thesarit, si sekretar për kulturën, median dhe sportin, dhe më pas si sekretar i shëndetësisë.

    Pasi Partia Laburiste humbi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2010, Burnham kandidoi për kryetar të partisë, duke u renditur i katërti.

    Në vitin 2015 ai u përpoq përsëri, vetëm për të humbur ndaj kandidatit të krahut të majtë Jeremy Corbyn, në ekipin e të cilit shërbeu më vonë.

    Në vitin 2017, Burnham u largua nga Parlamenti pasi vendosi se e ardhmja e tij ishte jashtë Westminsterit dhe u zgjodh kryetar bashkie i Manchesterit.

    Ndoshta kritika më e vazhdueshme e drejtuar kundër tij, është se ai është politikisht i ndryshueshëm.

    Gjatë një interviste të kohëve të fundit, Burnham tha se Britania kishte qenë “në rrugën e gabuar për 40 vjet”.

  • Dy të lënduar në një aksident trafiku në Prishtinë

    Dy të lënduar në një aksident trafiku në Prishtinë

    Një aksident trafiku i regjistruar mëngjesin e së dielës në Prishtinë ka lënë të lënduar dy persona.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 në rrugën “Arbënor dhe Astrit Dehari”, ku janë përfshirë dy automjete.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se si pasojë e përplasjes dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

    Pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore të trafikut, të cilat kanë kryer ekzaminimet fillestare dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve që çuan deri te aksidenti.

    Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve.

  • Starmer pritet që sot ta japë dorëheqjen e tij

    Starmer pritet që sot ta japë dorëheqjen e tij

    Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer është përballur me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen që nga fitorja e Andy Burnham në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield javën e kaluar.

    Gjatë gjithë fundjavës, politikanët e Partisë Laburiste qëndruan kryesisht në heshtje, duke e lënë kryeministrin të reflektojë mbi të ardhmen e tij politike në rezidencën zyrtare të Chequers, shkruan BBC.

    Sot pritet që kjo heshtje të marrë fund, pasi figura të larta të qeverisë presin që Starmer të njoftojë jo vetëm dorëheqjen e tij, por edhe një plan për transferimin e pushtetit te pasardhësi.

    Ende nuk është e qartë nëse ky proces do të zgjasë disa javë apo disa muaj. Edhe pse një garë për drejtimin e partisë mbetet e mundur, po shtohen zërat se mund të ketë një emërim pa rivalë, me Andy Burnham që shihet si favoriti kryesor. Ai pritet të betohet si deputet në Dhomën e Komunëve këtë pasdite.

    Nëse Mbretëria e Bashkuar merr një kryeministër të ri, ai do të ishte i pesti në katër vitet e fundit. Një kabinet i ri do të formohej dhe do të prezantohej një platformë e re politike. Partitë opozitare pritet të vënë në pikëpyetje nëse pasardhësi i Starmer gëzon një mandat të drejtpërdrejtë nga votuesit.

  • Zyrtari i lartë i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

    Zyrtari i lartë i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

    Nënsekretari i Përgjithshëm për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, do të vizitojë Kosovën sot dhe nesër.

    Lajmin e ka konfirmuar faqja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

    Gjatë vizitës së tij, Lacroix do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës, partnerë ndërkombëtarë, partnerë të shoqërisë civile dhe kolegë të tij nga UNMIK-u.

    Ai gjithashtu do të vizitojë vendet e projekteve të mbështetura nga OKB-ja.

    “Diskutimet do të përqendrohen në ruajtjen e paqes së Kombeve të Bashkuara, angazhimin shumëpalësh dhe mbështetjen e vazhdueshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pas Kosovës, ai do të udhëtojë për në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë si pjesë e vizitës së tij rajonale”, thuhet në njoftimin e faqes së UNMIK në Facebook.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për sot.

    Sipas njoftimit, çmimi për naftë është 1 euro e 39 centë për litër, teksa i benzinës 1 euro e 33 centë.

    Kurse çmimi i gazit është 0.67 centë.

  • Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

    Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

    Për të hyrë në operim në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK, pacientët duhet të kalojnë muaj të tërë në listat e pritjes.

    Njëri prej tyre është Ismet Musa, i cili thotë se po përballet me dhimbje të forta e pavarësisht kësaj i është rekomanduar termin për ndërhyrje kirurgjikale.

    Në raportin e tij mjekësor shkruan se ai ka “hernie inguinale”, e njohur si kilë në ijë, por me gjithë se është në gjendje të rëndë, ai për operimin duhet të presë gjashtë muaj.

    “Kam shku në Emergjencë me dhimbje dhe më kanë thënë se brenda gjysmë ore duhet të futem në operacion. Kanë dashur të më fusin në operacion dhe kur i kam pyetur a do të ma vendosin rrjetën, më kanë thënë se duhet të shkoj në Kirurgji Abdominale. Kam shkuar, i kam bërë konsultat me mjekë, pesë mjekë më kanë kontrolluar dhe më kanë thënë se duhet të hyj në operacion, më së shumti brenda 10 ditësh. Kur shkova në Drejtori të Kirurgjisë Abdominale, më thanë se drejtori është në pushim dhe disa zëvendës të tij më thanë se duhet të pres 6 muaj”, ka thënë Musa.

    E për të pritur gjashtë muaj, ai thotë se e ka të pamundur, sepse dhimbjet e forta që i shfaqen në momente të caktuara janë të vështira për t’u përballuar.

    Musa thotë se nuk ka as mundësi financiare që t’i drejtohet sektorit privat.

    “Nuk është ky rast që pret 6 muaj. Po të ishte rast që pret 6 muaj, do të ishte normale, por nuk është rast që mund të presë njeriu 6 muaj për një operacion, sepse kam shumë dhimbje. Sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të operohem. Me një pagë veterani unë nuk mund të hyj privat, sepse kushton 700, 800 e deri në 1000 euro. Unë 204 euro i marr pension, çka me ba me to? Jam zhgënjyer shumë me Kirurgjinë Abdominale”, ka thënë ai.

    Pas rekomandimit që të presë me muaj, ai thotë se ka mbetur pa zgjidhje.

    KOHA ka biseduar edhe me pacientë të tjerë, të cilët kanë treguar se për t’iu nënshtruar operimit u është dashur të presin rreth pesë muaj. Ndërkaq, një pacient tjetër që gjatë javës së shkuar ka ardhur për të caktuar termin, ka thënë se është njoftuar nga personeli shëndetësor se termini mund t’i caktohet tek për në fillim të dhjetorit.

    KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për të mësuar arsyet e listave të pritjes në Kirurgjinë Abdominale por që nga e marta nuk ka marrë përgjigje.

  • Në këto zona do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Në këto zona do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se sot, më 22 qershor 2026, do të realizohen punime të planifikuara për mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrjetit energjetik në disa komuna të vendit.

    Si pasojë e këtyre punimeve, pritet të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zona të ndryshme të Prishtinës, Fushë Kosovës, Pejës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjakovës.

    Në rajonin e Prishtinës, pa energji do të mbesin fshatrat Koliq, Ballaban dhe Nishevc nga ora 10:00 deri në 15:30, ndërsa në kuadër të projekteve investive, ndërprerje do të ketë edhe në Prugovc, Lupq të Poshtëm, Vranidoll dhe Tenezhdoll nga ora 09:00 deri në 18:00.

    Ndërkaq, në Fushë Kosovë janë planifikuar ndërprerje të shkurtra në dy termine, nga ora 09:00 deri në 09:15 dhe nga ora 15:45 deri në 16:00, ndërsa disa pjesë të qytetit do të mbeten pa energji nga ora 09:00 deri në 16:00 për shkak të punimeve në rrjet dhe energjizimit të kabllove të reja.

    KEDS njofton se punime të ngjashme do të zhvillohen edhe në komuna të tjera, përfshirë Pejën, Prizrenin, Ferizajn dhe Gjakovën, ku ndërprerjet do të zgjasin kryesisht nga pesë deri në nëntë orë, varësisht nga natyra e punimeve.

    Sipas kompanisë, punimet po realizohen në kuadër të mirëmbajtjes preventive, eliminimit të defekteve të identifikuara gjatë inspektimeve me dron, si dhe zbatimit të projekteve investive për përmirësimin e rrjetit energjetik.

    KEDS u ka bërë thirrje konsumatorëve në zonat e prekura që të planifikojnë aktivitetet e tyre në përputhje me oraret e ndërprerjeve të paralajmëruara.

  • Avni Arifi: Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes

    Avni Arifi: Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes

    Kandidati për deputet nga AAK-ja, Avni Arifi, ka reaguar lidhur me përfshirjen e qytetarëve nga Kosova në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke kërkuar që liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës t’u bëjnë thirrje qytetarëve të mos marrin pjesë në manifestime pro apo kundër Qeverisë së Shqipërisë.

    Përmes një postimi në facebook, Arifi ka theksuar se çështjet politike në Shqipëri duhet të mbeten në duart e qytetarëve të atjeshëm dhe se askush nga Kosova nuk ka të drejtë të përfshihet në protesta apo zhvillime të brendshme politike në shtetin shqiptar.

    “Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes. Përdorimi i flamurit të UÇK-së në protesta të brendshme politike në Shqipëri është i pavend, sepse synon të politizojë një simbol që i përket një kauze krejt tjetër.

    Nuk i duhet askujt një përçarje e re dhe askush nuk ka të drejtë t’i fusë hundët në një çështje që u përket vetëm shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri”, ka shkruar Arifi.

  • Pas mbledhjes te Kryeministria, nis marshimi masiv rrugëve të Tiranës: Rama n’burg, Berisha n’burg

    Pas mbledhjes te Kryeministria, nis marshimi masiv rrugëve të Tiranës: Rama n’burg, Berisha n’burg

    Pas dy orëve tubim para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin masiv me ngjyra kuqezi në rrugët e Tiranës.

    Një pjesë prej tyre qëndroi para Kryeministrisë, pasi raportohet ee ata nuk do largohen nga sheshi dhe do qëndrojnë 24 orë aty.

    Marshimi u përcoll me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, dhe me thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

    Kjo është protesta e 22-të me radhë.

  • Prokuroria Speciale paralajmëron aktakuzë për autorët e sulmit ndaj familjes Jashari

    Prokuroria Speciale paralajmëron aktakuzë për autorët e sulmit ndaj familjes Jashari

    Autorët e krimit që u krye në mars të vitit 1998 mbi familjen Jashari, pritet që së shpejti të listohen në një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ka ndarë shumë detaje rreth kësaj, por vetëm ka paralajmëruar se ky rast është duke u trajtuar me prioritet dhe se së shpejti do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se shumë shpejt, do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.”

    Avokati Visar Rrecaj thotë se PSRK-ja tashmë ka marr dëshmitë e dëshmitarëve që janë ende gjallë, ndërkohë që thotë se është e rëndësishme përmbajtja që do ketë kjo aktakuzë.

    “Rëndësia e një aktakuze të paralajmëruar nga Prokuroria Speciale është tejet e veçantë si në aspektin juridik po ashtu edhe kombëtar dhe në aspektin shtetëror që me i dhënë epilog ngjarjes së familjes Jashari të ndodhur më 1998, a është e vonuar për atë pjesë mund të diskutohet por për drejtësinë dhe sistemin e drejtësisë e rëndësishme është që të jetë e kompletuar në detaje që të mos i mungojë asgjë sepse epilogu përfundimtar do të proklamohet edhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë avokati, Visar Rrecaj.

    Paralajmërimin për ngritjen e aktakuzës, për sulmin ndaj familjes Jashari e kanë mirëpritur në organizatën e veteranëve të UÇK-së, por thonë se është dashur të bëhet vite më parë.

    “Është vonuar ky rast shumë jo vetëm ky rasti te lagjia Jashari dhe familja Jashari por në tërë Kosovën, janë vonuar gjykatat tona dhe supreme e Kosovës, por sido kudo unë e përshëndes dhe e mirëpres jemi mirënjohës shumë për drejtësinë që të hetohet rasti masakra në Prekaz në familjen Jasashri, që prokurorët tonë të marrin në dorë dhe të hetojnë”, ka thënë kreu i UÇK-së, Hysni Gucati.

    Hetimi i krimeve të luftës, në të kaluarën është bërë nga UNMIK-u, më pas nga EULEX-i, ndërsa nga vitit 2018 kompetencat kanë kaluar tek Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka departamentin e veçantë për hetimin e tyre. /rtvdukagjini/