ATV

Category: Lajme

  • ​Përfundon faza e parë e implementimit të programit “Futbolli për shkolla”

    ​Përfundon faza e parë e implementimit të programit “Futbolli për shkolla”

    Ka përfunduar faza e parë e implementimit të programit “Futboll për shkolla”, i cili është një projekt i menaxhuar nga FIFA. Për tre ditë rresht, arsimtarë të edukatës fizike dhe trajnerë nga 5 regjione të Kosovës kanë ndjekur mësimet teorike dhe trajnimet praktike që i parasheh ky program.

    Projekti “Futbolli për shkolla”, që ka për synim bazik masovizimin e futbollit me anë të fëmijëve të shkollave fillore, tashmë ka arritur shtrirjen në 5 regjione të Kosovës. Në muajt në vazhdim do të ketë rritje edhe në komunat tjera.

    I pari i FFK-së, Agim Ademi, u shpreh i lumtur me faktin që FIFA ka vendosur që këtë projekt ta sjellë në Kosovë, në vendin ku ka numër të madh të të rinjve.

    “Futbolli për shkolla” është një projekt shumë i mirë dhe falënderoj FIFA-n dhe deleguesit e saj që kanë ardhur në këtë eveniment në Kosovë. Edhe për ne si FFK, edhe për FIFA-n, ky është projekt shumë i rëndësishëm, pasi që në fillim të zhvillimit të tyre orienton që të bëhen sportistë dhe njerëz të mirë të shoqërisë. Ky projekt përputhet me strategjinë dhe projektet e FFK-së, masovizimin e futbollit dhe me nxjerrjen e talenteve që në moshë të hershme. Falenderoj shumë edhe të gjitha komunat që kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim, nxënësit dhe shkollarët pjesëmarrës”, tha Ademi.

    “Futbolli për shkolla” cilësohet si projekt shumë i rëndësishëm edhe për Komunën e Prishtinës, si partner në këtë projekt. Drejtori i Drejtorisë për Sport në këtë komunë, Kushtrim Mushica, u shpreh shumë mbështetës për këtë nismë duke e rikonfirmuar mbështetjen e kësaj komune.

    “Projekt shumë i qëlluar. Ky projekt ka përkrahjen e Drejtorit të Sportit në Komunën e Prishtinës, sepse lidhet me politikat që ka kjo drejtori, pra masovizimin e sportit. Ky projekt, që ka për qëllim masovizimin e futbollit në shkolla, është fillimi i çdo gjëje për zhvillimin e tyre sa më të mirë, që të përgatiten edhe për jetën, edhe nëse nuk përfundojnë si futbollistë profesionalë,” u shpreh Mushica.

    Puna me arsimtarët dhe me trajnerët e Kosovës ka lënë mbresa të mëdha tek përfaqësuesit e FIFA-s, të cilët ishin të impresionuar me profesionalizmin dhe angazhimin e tyre.

    Melvin Mendy, koordinatori i projektit “Futbolli për shkolla” nga FIFA, duke u shprehur që projektin po e lënë në duar të sigurta, ndër të tjera tha: “Ishte një përvojë shumë e mirë. Në këto 3 ditë, ishim shumë me fat që kishim një ekip të mirë të arsimtarëve, të cilët ishin shumë kompetentë dhe të gatshëm për të mësuar. Ata ishin zgjedhur me shumë kujdes nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe nga komunat. Ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë për të mësuar këtë program dhe për mësuesit e tjerë në Kosovë. Angazhimi i tyre ka treguar shumë premisa pozitive për të ardhmen e projektit. Ne gjithmonë themi që, kur largohemi nga një vend, këtë program e lëmë në duar të mësuesve. Këtë herë ndjehemi veçanërisht të sigurt që ta lëmë programin në duar të tyre, sepse jemi të bindur që ata do të bëjnë një punë të shkëlqyer”.

    Ky projekt, krahas pjesës praktike në fushë, ka një aplikacion dixhital me anë të të cilit do të përcillen të gjitha aktivitetet dhe zhvillimi i projektit, përkatësisht fëmijëve në çdo shkollë, duke kontribuar në zhvillimin e fëmijëve si individë të mirë për shoqërinë.

  • Kurti: Vizitat në veri s’janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme

    Kurti: Vizitat në veri s’janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vizitat në veriun e vendit nuk janë kundër askujt. Madje, ai i ka cilësuar të domosdoshme për të kuptuar nevojat e qytetarëve atje, raporton Ekonomia Online.

    Në mbledhjen e qeverisë, ai shtoi se në veri të vendit po bëhen investime që siç tha ai, nuk janë bërë në dy dekada.

    “Dje bashkë me Xhelal Sveçlën dhe Elbert Krasniqin ishim në një vizitë në komunën e Leposaviqit, përkatësisht në fshatrat Bistricë, Cërajë dhe Leshak dhe më pas në komunën e Mitrovicës së Veriut. Vizitat tonë të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella, dhe për të kuptuar sesa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita të cilat janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, u shpreh shefi i qeverisë.

  • ​Hoxhaj kujton ditën kur me Thaçin përmbyllën pavarësinë

    ​Hoxhaj kujton ditën kur me Thaçin përmbyllën pavarësinë

    Ish-kryeparlamentari Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, ka përkujtuar një datë të rëndësishme për Kosovën, atë të fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, që ndodhi me 10 shtator të vitit 2012.

    Në shkrimin e tij, Hoxhaj ka publikuar një fotografi të përbashkët me Hashim Thaçin, atëbotë kryeministër.

    “Kjo datë, jo vetëm që ia ktheu popullit të Kosovës atë që i takon, qeverisje të plotë demokratike dhe një sovranitet të mirëfilltë, por hapi edhe një horizont të ri për vendin: Filloi të ushtrohej një politikë e jashtme më e pavarur, forcoi pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare me njohje të reja dhe anëtarësi të shumta në organizata ndërkombëtare, por edhe ndërtoi një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare. Jam shumë krenar që si ministër i jashtëm kam koordinuar, me mandat të Kryeministrit Thaçi, procesin e përmbylljes së pavarësisë, duke vendosur themelet e politikës së jashtme!”, ka shkruar Hoxhaj.

    Tutje, ai ka theksuar se sot Kosova është nën sanksione perëndimore.

    “Ku jemi sot? Shtatori i 2012 ishte ngjarje e pjekurisë so politike, por shtatori i 2024 është dëshmi e papjekurisë sonë politike. Në vend se të ndërtohet edhe më shumë identiteti kushtetues dhe shtetëror, Kosova është nën sanksione perëndimore dhe Kushtetuta shkelet çdo ditë. Në vend që të ndërtohen marrëdhënie edhe shumë më të mira me shtetet e rajonit, me aleatet e saj në Evropë, Amerikë dhe botë, Kosova ka mbetur pa aleatë, pa kredibiltet dhe mjerisht, nuk merret seriozisht! Në shtator rë vitit 2012 ishte shembull i zbatimit të obligimeve të marra nga partnerët e Kosovës, sot është shembull që gënjen dhe mashtron aleatët më strategjikë, ku qeverisja e saj mjerisht shihet njëjtë në Perëndim dhe në Lindje si grandavec, sherraxhi dhe zhurmaxhi!”, ka shkruar Hoxhaj.

  • ​Haradinaj paralajmëron Kurtin për krizën energjetike

    ​Haradinaj paralajmëron Kurtin për krizën energjetike

    Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me qëndrimin e tij ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ish-kryeministri e konsideron lavdërimin e Kurtit për KEK-un si “të çuditshëm dhe krejt të pakuptimtë”.

    “Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike,” shkruan Haradinaj në një postim në Facebook. Ai sugjeron se Kurti po u drejtohet “përfituesve të mëdhenj të KEK-ut” në vend të punëtorëve të kompanisë. Haradinaj akuzon qeverinë për mungesë transparence në lidhje me importin e energjisë elektrike, duke kërkuar sqarime për shumat e shpenzuara dhe furnizuesit.

    Lideri i opozitës shton se refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, si dhe shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarët, do të kenë pasoja. “Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg,” paralajmëron Haradinaj, duke shprehur shqetësimin për situatën energjetike në vend.

  • Ndalohet për 48 orë i dyshuari për mashtrim dhe kontrabandim të emigrantëve

    Ndalohet për 48 orë i dyshuari për mashtrim dhe kontrabandim të emigrantëve

    Një person në Ferizaj është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “kontrabandim me emigrantë” dhe “mashtrim”.

    Sipas njoftimit, me rastin e të dyshuarit F.H. po merret Departamenti për Krime të Rënda, derisa nuk janë dhënë detaje shtesë mbi rastin.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, një (1) person të dyshuar me iniciale F.H., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Kontrabadimi me migrantë’ nga neni 164 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Mashtrimi’ nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se ndaj të dyshuarit po të vazhdohen procedurat e mëtejme hetimore.

  • Swift, artisja më me ndikim në botë përkrah Harris për presidente të SHBA-së

    Swift, artisja më me ndikim në botë përkrah Harris për presidente të SHBA-së

    Taylor Swift, një prej yjeve më të mëdha dhe më me ndikim në industrinë muzikore, përkrahu kandidaten Kamala Harris për presidente të Amerikës, pak pasi përfundoi debati të martën mbrëma.

    “Unë do të jap votën time për Kamala Harris dhe Tim Walz në Zgjedhjet Presidenciale të 2024. Unë po votoj për Harris sepse ajo lufton për të drejtat dhe kauzat”, ka shkruar Swift në postimin e saj në Instagram.

    “Unë mendoj se ajo është një udhëheqëse e palëkundur, e talentuar dhe besoj se mund të arrijmë shumë më tepër në këtë vend nëse udhëhiqemi nga qetësia dhe jo kaosi”, ka potencuar mes tjerash derisa ndau edhe një link të uebfaqes për t’u regjistruar në votim.

    Mbështetja e Swift-it mund të ketë një ndikim në regjistrimin e votuesve për shkak se baza e saj e fansave anon nga të rejat dhe gratë.

    Ajo e di shumë mirë se mbështetja e saj, e postuar për më shumë se 283 milionë njerëz që e ndjekin në Instagram, mund të bëjë ndryshimin në zgjedhjen presidenciale amerikane.

  • Rruga Podujevë – Prishtinë në gjendje të tmerrshme

    Rruga Podujevë – Prishtinë në gjendje të tmerrshme

    Rruga Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas është bërë tejet e vështirë për të qarkulluar.

    Punimet të cilat kanë nisur prej sa kohësh e vetëm po zvarriten, po e bëjnë kalimin nëpër këtë anë edhe më të vështirë.

    E ngjashme është situata edhe sot, pas reshjeve të shiut.

    Në disa pamje të publikuara nga lajmi.net, kuptohet qartë se banorët e kësaj ane çdo ditë e kanë sfiduese për të kryer punët e tyre e që duhet me patjetër t’i bien kësaj rruge.

  • ​Zogaj flet për kandidaturën për deputet, punimet në rrugën A dhe qentë endacakë

    ​Zogaj flet për kandidaturën për deputet, punimet në rrugën A dhe qentë endacakë

    Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj në një intervistë për KosovaPress ka folur për rrjedhën e punimeve në Rrugën A, zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në kryeqytet dhe rreth kandidaturës së tij për deputet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

    Ai ka thënë se faza e parë e punimeve në Rrugën A në Prishtinë, të cilat kanë filluar tash e sa kohë, pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe se hapja e segmentit të rrugës nga Spitali Amerikan deri te barnatoret dhe lidhja me Rrugën B, synohet të realizohet gjatë këtyre muajve.

    “Rruga A është interes shumë i madh i qytetarëve të Prishtinës…Ka pasur vonesa, probleme të vazhdueshme, ka pasur problem edhe me gjykatë. E dini ju, disa herë gjykata e ka ndaluar procesin e rrugës A, pastaj është kthyer prapë në ankesa tona. Është duke ecur tutje. Po tentojmë që në fund të këtij viti ta hapim fazën e parë, që nënkupton prej Spitalit Amerikan e deri te barnatoret dhe lidhja me rrugën B. Nëse arrijmë në fund të këtij viti ta hapim për qarkullim fazën e parë, kemi bërë një punë shumë të mirë. Pastaj vazhdojmë me fazën e dytë, e cila është faza që shkon prej Kalabrisë ose banesave të Arabëve e deri te hoteli “Garden”, atje te rruga që lidhet me Fushë Kosovën”, tha Zogaj.

    Duke folur për hapjen e Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacakë në periferi të Prishtinës, nënkryetari Zogaj potencon se qytetarët shumë shpejt do t’i shohin efektet e para të zgjidhjes së këtij problemi.

    “E para, kemi shpenzuar miliona euro në atë që quhet ‘Kap, sterilizo, vaksino dhe lësho qenin prapë në vendin ku e kemi marrë’. Kemi shpenzuar shumë në vaksinim dhe sterilizim. Tash po e hapim shumë shpejt, veçse ka filluar të punojnë dhe është hapur strehimorja dhe qendra për vaksinim e sterilizim. Do të fillojmë prej këtij muaji t’i marrim qentë prej qendrës së qytetit fillimisht dhe t’i dërgojmë në strehimoren e madhe në periferi të Prishtinës…Një qendër me nivele evropiane të cilësisë. Qytetarët shpejt do t’i shohin efektet e para që qentë endacakë do të hiqen prej rrugëve të Prishtinës…Është rritur interesimi dhe shpenzojmë që qendra kur i sterilizon dhe vaksinon qentë endacakë, do të ketë interesim edhe më të madh prej familjeve të vijnë t’i marrin. Deri më tani disa qindra janë adaptuar”, tha Zogaj.

    Ai ka bërë të ditur se dega e LDK-së në Prishtinë e ka propozuar atë si kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    “Dega, ku unë kryej aktivitetin tim politik edhe ku jam kryetar i njërës prej degëve të LDK-së në Prishtinë, më ka propozuar për kandidat për deputet dhe besoj shumë që do të jem kandidat për deputet, meqenëse edhe ka shkuar propozimi im. Por, listat finale dhe kandidaturat dalin sipas afateve që i ka caktuar edhe KQZ-ja”, tregon Zogaj. /kp

  • Avokati i Popullit: Çdo veprim që ndërmerr shteti në veri duhet të ketë nën kujdesje respektimin e të drejtave të njeriut

    Avokati i Popullit: Çdo veprim që ndërmerr shteti në veri duhet të ketë nën kujdesje respektimin e të drejtave të njeriut

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë për Ekonomia Online se gjatë këtij viti ka pranuar një numër të madh të ankesave nga ana e qytetarëve serb në veri të vendit, ankesa këto që lidhen me qasjen e policisë në raport me bastisjet atje.

    Qelaj ka thënë se ai është pro hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, por që sipas tij, duhet të ekzistoj një balancë që duke ushtruar një të drejt të mos cenohen të drejtat e tjera.

    Ai ka thënë se kanë bërë thirrje që çdo veprim të ligjshëm që merr shteti duhet ta ketë nën kujdesej respektimin e të drejtave të njeriut, duke shtuar se kur veprimet të tilla janë në harmoni me respektimin e të drejtave të qytetarëve, për të është e pranueshem dhe nuk ka pse të reagoj.

    “Fakti që unë jam neutral në raport me çështjet politike e bën më të lehtë gjykimin dhe vlerësimin tim në raport me krejt ato çka po ndodh edhe në komunat e veriut të Kosovës. Unë vazhdimisht kam insistuar, kam bërë thirrje publike tek autoritetet edhe tek policia edhe tek administrata tjetër e shtetit që çdo veprim të ligjshëm që ndërmerr shteti duhet ta ketë nën kujdesje respektimin e të drejtave të njeriut dhe gjithmonë kur veprimet janë në harmoni me respektimin e të drejtave të qytetarëve, të drejtat e garantuara të njeriut për mua është e papranueshme dhe nuk kam pse me reagu. Një veprim të tillë e kam bërë edhe në situatën aktuale. Në vazhdimësi kemi provuar që të jemi në komunikim me qytetarin, organizatat e shoqërisë civile që veprojnë edhe në këto komuna”.

    “Kemi pranuar një numër të madh të ankesave sidomos në raport me përdorimin ose me qasjen e policisë në raport me qytetarët gjatë bastisjeve, gjatë arrestimeve, gjatë kontrollove dhe mbajtjes së rendit. Këto raste ne i kemi trajtuar në bashkëpunim me Inspektoratin e Policisë sepse ai është autoriteti kompetent dhe ne gjithmonë jemi kujdesur që IPK po vepron, po reagon, është i duke hetuar këto raste dhe po jep përgjigjet e duhura”, ka thënë ai.

    Avokati i Popullit ka thënë se bojkoti institucional dhe largimi i qytetarëve serb në veri ka qenë gabim, pasi sipas tij ka lënë këtë komunitet pa përfaqësim politik dhe institucional.

    “Në anën tjetër unë vazhdoj me i qëndrua fjalës publike që e kam thënë edhe në takim me qytetaret e komunitetit serb por edhe me të tjerët që bojkoti institucional dhe largimi nga përgjegjësia me i ushtruar ato funksione publike që i kanë pasur qytetarët e komunitetit serb ka qenë një gabim dhe është në dëm të qytetarëve serb. Sepse komuniteti serb në atë zonë ka lënë pa një përfaqësim politik dhe institucional. Kjo nuk e bënë situatën më të mirë të mundshme përkundër atyre deklarimeve që është thyer rendi dhe qetësia. Gjë që unë nuk dua që t’i kontestoj sepse mund të jenë ashtu. Por që qytetarët duhet që të ndihen me të trajtuar, më dinjitetshëm, në raport me marrjen e përgjegjësive, marrjen e të drejtave dhe vendimmarrjeve që ata duhet me pas në këto komuna. Kam pranuar një numër të ankesave edhe në raport me shpronësimet që kanë ndodhur në pjesën e veriut, në Leposavic dhe Zubin Potok. Edhe përkundër që ka pasur një vendim gjyqësor ne kemi trajtuar rastin vetëm nga perspektiva e respektimit të të drejtave të njeriut që lidhen me pjesën e përfshirjes së publikut në vendimmarrje. Kemi dhënë edhe vërejtjet tona, kemi dhënë edhe konstatimet tona dhe po besojmë që në këtë formë po provojmë me çdo kusht me kryer me shumë përgjegjësi dhe me ushtru mandarin që ne kemi, për mi mbrojtur qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike”, ka thënë ai.

    Qelaj ka thënë se parimisht është kundër çdo barrierë që pengon njerëzit me lëviz, në këtë rast ai ka thënë që është për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar

    “Unë parimisht jam kundër çdo barrierë që pengon njerëzit me lëviz, në këtë rast parimisht jam për hapjen e urës sepse mendoj që vetë qëllimi i ndërtimit të urave është me kaluar njerëzit, jo me krijuar kufijtë. Po tani çdo e drejtë dhe ushtrim i secilës së drejt duhet me u pa në raport me të drejtat e tjera. Gjithmonë duhet që të ekzistoj një balancë edhe një lidhje harmonike e tillë që duke ushtruar një te drejt të mos cenohet të drejtat e tjera duke krijuar një baraspeshe dhe duke e pa se cila e drejte duhet me i dhënë më shumë prioritet në momentin e caktuar duke marr parasysh krejt rrethanat dhe faktorët që munden me ndikuar. Për mua e para është siguria dhe jeta e qytetarëve, ajo duhet me u garantuara, sepse e drejta në jetë është e drejta absolute. Kur këto sigurohen atëherë duhet që të vazhdohet me punën në respektimin e drejtave të tjera që mund të jetë edhe e drejtat e lëvizjes së lirë”, ka thënë ai.

  • Osmani kujton sulmin terrorist të 11 shtatorit: Ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

    Osmani kujton sulmin terrorist të 11 shtatorit: Ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 23-vjetorin e sulmeve tragjike të 11 shtatorit, tha se tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist.

    Në një postim në Facebook, e para e vendit tutje tha se në këtë ditë, Kosova qëndron përkrah popullit amerikan, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë.

    “11 Shtatori – ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur. Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike”.

    “Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive”.

    “Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë”, ka shkruar presidentja.

    LEXONI EDHE:

    23-vjetori i sulmeve të 11 shtatorit, ngjarjes që ndryshoi botën