ATV

Category: Lajme

  • Bajrami: Për katër vjet të Qeverisë Kurti korrupsioni kapë shumën prej 273 milionë Euro

    Bajrami: Për katër vjet të Qeverisë Kurti korrupsioni kapë shumën prej 273 milionë Euro

    Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Qeverinë Kurti për korrupsion. Ajo ka thënë se për katër vjet të qeverisjes së kryeministrit Kurti, “korrupsioni kapë shumë prej 273 milionë euro”.

    Bajrami ka shtuar se Kurti nuk e lufton korrupsionin dhe sipas saj kësaj kauze nuk i beson as presidentja Osmani e “lëre më qytetarët e vendit”.

    “Për katër vjet të Qeversië Kurti korrupsioni kapë shumën prej 273 milionë Euro. Albin Kurti nuk e lufton korrupsionin, nuk e ka bërë që katër vite, kësaj kauze tanimë nuk i beson as Vjosa Osmani e lere më qytetarët e vendit.”

    Bajrami i është drejtuar kryeministrit Kurti duke i thënë se kanë nënshkruar 2123 kontrata njëburimore në vlerë prej 273 milionë euro.

    “Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik prej 21 marsit të vitit 2021, kur ju jeni bërë Kryeministër me 51% të votave deri më 1 shtator të vitit 2024 vetëm në nivelin qendror janë lidhë 2123 kontrata të nëgociuara (njëburimore) në vlerë prej 273 milionë Euro, prej tyre 134 kontrata janë kontrata për herë të parë, ndërsa 775 kontrata janë aneks-kontrata.”

    Ajo ka thënë se 273 milionë euro të buxhetit të Kosovës kanë përfunduar “te dostat”.

    Bajrami ka shtuar se “të korruptuarit kurrë nuk e luftojnë korrupsionin se ju duhet me luftu vetën”.

    “273 milionë Euro, para këto të buxhetit të Kosovës kanë përfundu te ‘dostat’, pa asnjë procedurë prokurimi siç e kërkon Ligji, janë kry negociatat në katër sy. Të korruptuarit kurrë nuk e luftojnë korrupsionin, se ju duhet me luftu vetën. Unë ju bëj thirrje organve të drejtësisë që sa më parë të merren me këto 2173 kontrata njëburimore dhe të korruptuarit ta marrin denimin e merituar.”

  • Qeveria e emëron Bekim Hoxhën, drejtor të AUV-it

    Qeveria e emëron Bekim Hoxhën, drejtor të AUV-it

    Qeveria e Kosovës e ka emëruar drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën, raporton EO.

    Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, kryeministri Albin Kurti e ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kanë lavdëruar punën e komisionit rekrutues.

    Ministri Peci ka thënë se Hoxha ka përgatitjen e duhur në nivel akademik e institucional.

    “Miratimi i këtij propozim-vendimi përbën një hap të rëndësishëm në menaxhimin dhe drejtimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinarisë, si Agjensioni kyç në implementimin e politikave të zhvillimit bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore në vendin tonë. Komisioni rekrutues ka qenë i përbërë nga ekspertë të jashtëm të cilët kanë vlerësuar kandidatin më të përgatitur për të marrë këtë pozicion dhe që është zotëri Bekim Hoxha. Zotëri Hoxha ka përgatitje të nivelit akademik si dhe në aspekt të pjesëmarrjes. Në aspektin e përgatitjes akademike e ka të përfunduar universitetin shtetëror të Zagrebit është master në zhvillimi rural. Hoxha ka ushtruar disa pozita në nivel të institucioneve”, ka thënë Peci.

  • ​Konjufca për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: Më mirë vonë se kurrë

    ​Konjufca për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: Më mirë vonë se kurrë

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka komentuar ngritjen e aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë.

    Ai tha se është lajm i mirë, teksa shtoi se “më mirë vonë se kurrë”.

    “Ky po që është një lajm i mirë dhe një lajm për të cilën nuk dua të jap kritikat. Kësaj i shkon një frazë që ‘më mirë vonë se kurrë’ dhe kështu ka ndodhur”, tha Konjufca.

    Teksa foli për procesin e dialogut, Konjufca shtoi se në këtë proces Kosova nuk është e barabartë.

    “Serbia favorizohet dukshëm në procesin e dialogut. E kemi parë gjithmonë dhe po vazhdojmë ta shohim edhe sot”, shtoi Konjufca.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sot është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

  • Abazi: Janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë e të pandehur, janë sekuestruar vetura të blinduara e mbi 1200 armë

    Abazi: Janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë e të pandehur, janë sekuestruar vetura të blinduara e mbi 1200 armë

    Prokurori i rastit “Banjska”, Naim Abazi, ka thënë se për të ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Sipas tij, si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektrike, 1266 armë e pajisje të tjera, raporton Ekonomia Online.

    Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.

    “Hetimet për këtë rast kanë qenë hetimet më komplekse që ka pasur ndonjëherë kjo Prokurori dhe ky proces ka kërkuar hetim intensiv ku janë përfshirë agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit. Kemi realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe me të pandehur, janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike, rreth 1266 armë të pajisjeve të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje. Ndër të akuzuarit kryesor është individi me pozitë kyçe si udhëheqësi i grupit Milan Radojiçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarin kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar duke përfshirë vendet e BE-së, ShBA-të dhe shtet e tjera të cilat kemi arritur ti sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa janë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit”, ka thënë ai.

    Abazi po ashtu ka thënë se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, vetura të blinduara e mbi 1200 armë.

    “Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete e mëtejshme kriminale për të goditur grupet financiare… Fondet janë transferuar përmes rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushë”, ka thënë Abazi.

  • Spiropali: Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Spiropali: Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, ndërsa ka veçuar mikpritjen që iu është bërë në Kosovë duke thënë se ndihet në shtëpinë e saj, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media së bashku me homologen e saj kosovar, Spiropali fillimisht ka kujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, duke thënë se ky shtet e Kosova ishin rreshtuar krah aleatëve strategjikë në luftën kundër terrorizmit.

    “Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, është binom stabilizues e orientues për të nesërmen tonë dhe të gjithë rajonit. Ne kemi biseduar që si kryetarë të parlamenteve t’u sugjerojmë qeverive konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, duke e bërë atë model inkurajues për bashkëpunim rajonal ndërshqiptar e më gjerë”, ka thënë Spiropali.

    Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ka thënë se duhet medoemos të ketë si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë.

    “Dialogu Kosovë – Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik SHBA-në e BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht që mundëson njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës…Është proces i gjatë por herët a vonë në fund të tunelit do të ketë medoemos një dritë, që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik – republikën më të re evropiane të Kosovës”, ka thënë Spiropali.

    Ajo ka thënë se në Tiranë është bindja e palëkundur se Kosova do ta përmbyllë këtë proces me vizion euroatlantik, si partner serioz e i fortë për partnerët strategjikë.

    “Ashtu siç është, siç është dëshmuar dhe siç d të jetë gjithmonë”, tha Spiropali.

    Ajo e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë, e po ashtu sulmet në veri ndaj KFOR-it e gazetarëve.

    “Autorët, organizatorët e nxitësit e akteve duhet të mbajnë përgjegjësi e të dalin para drejtësisë. Nuk mund të kesh të ardhme të qëndrueshme pa qortuar të shkuarën, nuk mund të kesh kapitull të ri të marrëdhënieve në rajon pa mbyllur ndershmërisht, moralisht, ligjërisht e politikisht kapitujt e dhimbshëm e tragjik të së shkuarës”, tha Spiropali.

    Ajo ka thënë se deputetët e Shqipërisë do të jenë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.

  • Kurti pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali

    Kurti pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë takim mediat janë lejuar që të marrin pamje vetëm në oborrin e Qeverisë.

    Spiropali gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

  • Sulmi në Banjskë, ngrihet aktakuzë ndaj 45 personave

    Sulmi në Banjskë, ngrihet aktakuzë ndaj 45 personave

    Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiqin, për sulmin e armatosur në Banjskë.

    Në një konferencë për media të thirrur nga PSRK-ja, të mërkurën, u bë e ditur se të përfshirët, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.

    “Prokuroria Speciale ka punuar intensivisht duke zhvilluar hetime disa mujore dhe pas përfundimit të hetimeve, pra, pas grumbullimit të të gjitha provave dhe analizimit të secilës prej tyre, duke u mbështetur në dyshimet e mirëbazuar sot kemi ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast. Për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprat që ndërlidhën me terrorizmin”, tha mes tjerash kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar, në këtë fshat të Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

  • Ministri Maqedonci: 246 raketat “Javelin” do t’i kemi në kohën e duhur

    Ministri Maqedonci: 246 raketat “Javelin” do t’i kemi në kohën e duhur

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se raketat antitank “Javelin” do të jenë në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kohën e duhur, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

    Në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Maqedonci ka thënë se deri në fund të vitit pritet të kryhet edhe pagesat e këstit të dytë.

    “Sa i përket raketave “Javelin”, Ministria është duke vazhduar me procedurat për prokurimi. Në mars të këtij viti kemi ekzekutuar këstin e parë, ndërsa deri në fund të vitit do të ekzekutojmë edhe këstin e dytë. Jemi në rrugën e duhur ta kemi këtë sistem në kohën e duhur”, ka thënë ai.

    Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.

    Departamenti Amerikan i Shtetit pati deklaruar se shitja e armëve në Kosovë mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të ShBA-së.

    Sistemi raketor që drejtohet automatikisht dhe arrin distancën deri në 4.000 metra u bë i njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë.

  • ​Qeveria miraton Projektligjin për byronë dhe Programin për mbrojtje gjithëpërfshirëse

    ​Qeveria miraton Projektligjin për byronë dhe Programin për mbrojtje gjithëpërfshirëse

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.

    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se projektligji për byronë është ndër më të rëndësishmit të ekzekutivit, derisa shtoi se pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji i njëjti do bëhet si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare

    “Pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Jetësimi i konceptit civil si zotim i yni përveç se do ta ruajë pasurinë publike dhe do t’ia kthejë shtetit atë që është përfituar jashtëligjshëm, byroja do të shërbejë si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, tha ai.

    E ndryshimet e projektligjit i paraqiti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se në Projektligjin e ri për byronë janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

    “Pas aktgjykimit të Gjykatës ne nuk kemi draftuar një projektligj të ri, pasi s’ka pas nevojë për këtë. Ne kemi adresuar vetëm katër çështje që i përmend edhe veti kryeministri që janë vlerësuar në kundërshtim me kushtetutën. Së pari adresimi i retroaktivitetit të ligjit, ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e pamundësisë objektivave si një element kyç procedural që ofron një mekanizëm mbrojtës për ata që nuk mund të ofrojnë prova për shkak të kalimit të kohës apo faktorëve të tjerë objektiv. Kjo qasje e re ndihmon në garantimin e një procesi më të drejtë dhe më të qartë për të gjitha palët e përfshira në procedurë të konfiskimit. Qartësia e periudhave kohore për verifikimin e pasurisë. Gjykata kushtetuese ka theksuar nevojën për qartësi dhe para shikueshmëri për periudhat kohore që Byroja mund të mund të verifikojë pasurinë e fituar. Ndryshimet e reja sigurojnë se përudha e verifikimit të pasurisë të lidhet me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vite pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik nëse vlerësohet se pasuria është më e lartë sesa të ardhurat e ligjshme”, tha ajo.

    Në anën tjetër, kreu qeveritar duke folur për nevojën e miratimit të Programit Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirës, tha se i njëjti synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në mënyrë që shoqëria të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.

    “Bazuar në programin tonë qeverisës, ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë dhe me qëllim të forcimit të sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar programin kombëtar për mbrojtjen gjithëpërfshirëse. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme konvencionale dhe jokonvencionale dhe ruajtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve në raste të fatkeqësisë natyrore janë interesa jetike të Republikës së Kosovës. Programi është hartuar duke marrë për bazë sisteme të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s. Ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në vendin tonë në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura. Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët ia japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK-së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”, tha kreu qeveritar.

    Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se programi nuk ndërhyn në zhvillimin e FSK-së, por mundëson që qytetarët vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë

    Sipas tij, ky program është mbështetur në shtatë shtylla: Funksionimin shtetëror në raste krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit, qëndrueshmërinë shtetërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave.

    “Ky sistem nuk ndërhynë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por njëkohësisht mundëson që qytetarët vullnetarisht të ketë rolin e tyre në sistemin tonë të mbrojtjes dhe sigurisë. Përderisa FSK-në po e zhvillojmë dhe ndërtojmë në përputhje me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, në programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse po vendosim bazën për përgatitjen dhe edukimin e qytetarëve dhe institucioneve për rolin e tyre në sistemin mbrojtës, për mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe dezinformatave dashakeqe, për të siguruar vijimësimin e funksionimit të furnizimeve dhe shërbimeve esenciale në situata krize dhe për të punuar në funksionalizimin e strehimoreve kolektive dhe aktivitete të tjera”, ka thënë Maqedonci.

    Qeveria e Kosovës po ashtu e emëroi drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën.

    Krahas këtyre, Qeveria miratoi edhe koncept-dokumentin për ndihmë juridike falas dhe Projektligjin për kontabiliteti, raportim financiar dhe auditim./KP/

  • Maqedonci: Kërcënimi i fundit nga Vuçiq s’është diçka e re, nuk i frikësohemi

    Maqedonci: Kërcënimi i fundit nga Vuçiq s’është diçka e re, nuk i frikësohemi

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kërcënimi i fundit nga Vuçiq nuk është diçka e re dhe se “nuk frikësohemi nga këto kërcënime”.

    Maqedonci ka theksuar se përderisa Kosova ka institucionet dhe strukturat e saj që punojnë për sigurinë e vendit, nuk ka arsye që kërcënimet e Serbisë të jenë shqetësuese.

    “Kërcënimi i fundit nga Vuçiq s’është diçka e re, ne nuk frikësohemi nga këto kërcënime. Jemi të përgatitur dhe asnjëherë frikësohemi duke pasur parasysh që i kemi institucionet tona që punojnë vazhdimisht në këtë drejtim”.