ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

    ​Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali e cila po zhvillon vizitën e parë zyrtare që nga marrja e detyrës së re.

    Kryeministri Kurti tha se së bashku kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm, duke theksuar edhe atë ndërmjet dy kuvendeve të Kosovës e Shqipërisë.

    “Mbështetja e Shqipërisë është përherë e nevojshme dhe e rëndësishme për Republikën e Kosovës, e sidomos kur kjo ndërlidhet me proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku Shqipëria është një zë i fuqishëm krah interesave të vendit tonë. Trashëgimia e bashkëpunimit tonë është produktive dhe me rezultate pozitive, përkrahja e ndërsjellë dhe zhvillimi i përbashkët, për më shumë prosperitet dhe në të mirë të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

    Gjatë ditës Spiropali është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

    Spiropali pas takimit me Konjufcën u shpreh se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, për çka shtoi se do të ketë dritë në fund të tunelit për Kosovën në procesin e dialogut.

    Derisa Konjufca tha se qytetarët e Kosovës nuk e shohin Shqipërinë si shtet fqinj, por si shtet amë.

  • Byroja Shtetërore, Kukaj: ‘Pacientët’ e parë të saj do të jenë zyrtarët e VV-së

    Byroja Shtetërore, Kukaj: ‘Pacientët’ e parë të saj do të jenë zyrtarët e VV-së

    Kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës në Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Diellza Kukaj ka thënë se sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se disa nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

    Sipas saj, natyrisht, ekspertët ligjorë do të vlerësojnë nëse ndryshimet janë në përputhje me legjislacionin. Megjithatë, ajo ka shkruar në Facebook se ‘kur flasim për pasuritë e zyrtarëve të Vetëvendosjes-Guxo dhe familjarëve të tyre, të krijuara përmes tenderave njëburimorë dhe kontratave të klasifikuara, gjasat janë shumë të mëdha që kjo Byro të funksionalizohet në Qeverinë e ardhshme – dhe ‘pacientët’ e parë të saj do të jenë pikërisht zyrtarët e VV-së’.

    “Sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se disa nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Natyrisht, ekspertët ligjorë do të vlerësojnë nëse ndryshimet janë në përputhje me legjislacionin. Megjithatë, kur flasim për pasuritë e zyrtarëve të Vetëvendosjes-Guxo dhe familjarëve të tyre, të krijuara përmes tenderave njëburimorë dhe kontratave të klasifikuara, gjasat janë shumë të mëdha që kjo Byro të funksionalizohet në Qeverinë e ardhshme – dhe ‘pacientët’ e parë të saj do të jenë pikërisht zyrtarët e VV-së”, shkruan ajo.

    Ndërsa, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.

  • ​Protestuesi “paqësor” Aleksandër Arsenijeviq me “maskat” ku u sulmua KFOR-i

    ​Protestuesi “paqësor” Aleksandër Arsenijeviq me “maskat” ku u sulmua KFOR-i

    Aktivistja e shoqërisë civile, Kaltrina Kamberi, ka thënë se politikani serb, Aleksandër Arsenijeviq duhet të mbahet përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj KFOR-it, meqë i njëjti është parë me pjesëtarë të maskuar të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në Zveçan, kur janë sulmuar trupat paqeruajtëse.

    Kamberi përmes një shkrimi në “X” ka publikuar edhe një fotografi, ku shihet Arsenijeviq me persona të maskuar.

    “Aleksandar Arsenijeviq është parë me pjesëtarë të maskuar të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’ në Zveçan më 29.05.2023, ditën kur janë sulmuar trupat e KFOR-it. Shumë nga këta persona të maskuar ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjska më 24.09.2023”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj, nevojiten veprime të menjëhershme për ta mbajtur atë përgjegjës.

    “Përfshirja e tij në orkestrimin e dhunës dhe trazirave është evidente dhe duhet dënuar. Nevojiten veprime të menjëhershme për ta mbajtur atë përgjegjës”, ka përfunduar ajo.

    Arsenijeviq njihet për veprime provokuese, për cka edhe është arrestuar disa herë nga Policia e Kosovës.

  • Franca do të formojë Qeverinë e re javën e ardhshme

    Franca do të formojë Qeverinë e re javën e ardhshme

    Franca do të ketë Qeveri të re “javën e ardhshme”, tha kryeministri konservator i zgjedhur së fundi, Michel Barnier, teksa ai po përzgjedh personat që do të jenë ministra në kabinetin që do të udhëheqë.

    “Ne do t’i bëjë gjërat në mënyrë metodike dhe serioze”, tha Barnier për gazetarët, duke shtuar se ai do të dëgjojë “të gjithë” në skenën politike, që është e ndarë në tri kampe, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në korrik.

    “Ne do të emërojmë një Qeveri javën e ardhshme”, tha ai.

    Barnier ka shërbyer si ministër i Mjedisit, i Bujqësisë dhe i Punëve të Jashtme, ka qenë edhe ish-kryenegociatori i Bashkimit Evropian gjatë Brexit-it. Javën e kaluar presidenti francez, Emmanuel Macron, e emëroi atë si zgjedhje kompromisi për të udhëhequr me ekzekutivin e ri.

    Në Parlamentin francez nuk ka shumicë të qartë, pas vendimit të Macronit për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare.

    Asambleja është gjerësisht e ndarë mes mbështetësve centristë të Macronit, që tashmë kanë bërë aleancë me partinë konservatore të Barnierit dhe aleanca e krahut të majtë, NFP dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë.

    NFP-ja ka thënë se do të ngrehë mocion të mosbesimit ndaj çdo ekzekutivi që nuk udhëhiqet nga ta, por kjo aleancë nuk ka arritur të krijojë shumicën në Parlament.

    Deri më 1 tetor është afati kur Qeveria duhet të paraqesë një draft-buxhet për vitin 2025 dhe Barnier është nën presion që ta krijojë kabinetin qeverisës./REL

  • Shaban Tërstena, kampioni i parë olimpik shqiptar, publikon letrën refuzuese që e mori nga Shqipëria

    Shaban Tërstena, kampioni i parë olimpik shqiptar, publikon letrën refuzuese që e mori nga Shqipëria

    Shaban Tërstena ishte 19 vjeç kur e fitoi medaljen e artë historike në Lojërat Olimpike në Los Angeles. Prej kur kanë filluar lojërat e tilla olimpike (moderne) në vitin 1896 e deri më sot, ai është ende mundësi më i ri që ka fituar një medalje të tillë!

    Për rrugën drejt suksesit, në mes sfidave e vështirësive, Shaban Tërstena pas 24 vitesh në një emision jo sportiv, zgjodhi “LIBERO-n” për t’u rrëfyer!

    Si një nga momentet jo të mira që Tërstena përjetoi, ishte kur u detyrua të garojë nga një ekip i Ligës së parë gjermane, megjithatë Federatës Shqiptare të Mundjes (më 1992) ua dërgoi një letër!

    “…Vështirë është për një sportist kur e vret ndjenja se shteti i tij amë s’është në mesin e pjesëmarrëve të tjerë. Edhe më vështirë është për një njeri, për një shqiptar, siç jam unë, të qëndrosh në mes të arenës, duke pritur që të ngritet dora e fituesit olimpik, e përballë të ngritet flamuri i huaj dhe tingujt e himnit të huaj, i cili të ‘vret’ kokën, kraharorin dhe mendjen…”, shkruhej ndër tjera në letrën e tij drejtuar Federatës Shqiptare të Mundjes.

    Për këtë moment në emisionin “LIBERO”, ai tha se dëshira e tij ishte e madhe që të garonte nga shteti i tij (e jo nga Gjermania) në lojërat olimpike në Barcelonë, por ata nuk kishin  vullnet për këtë gjë.

    “…Ata nuk kishin interes. Në muajin e tetë (u përgjigjën)… në atë muaj fillojnë lojërat olimpike. Gjermanët për një muaj ma dhanë nënshtetësinë dhe më dhanë të drejtën që unë të marrë pjesë…”, tha Tërstena.

    Vlen të theksohet se Shaban Tërstena, letër i shkroi edhe Edi Ramës në vitin 2014, por nga ai nuk mori asnjë përgjigje.

    Intervistën e plotë të Shaban Tërstenës, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

  • Banimi i përballueshëm social, ministri Aliu: Kemi nënshkruar marrëveshjet me 4 komuna, 13 tjera në proces

    Banimi i përballueshëm social, ministri Aliu: Kemi nënshkruar marrëveshjet me 4 komuna, 13 tjera në proces

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se dje dhe sot kanë nënshkruar marrëveshjet me katër komuna për banimin e përballueshëm social.

    Deri tash, marrëveshjet janë nënshkruar me Komunën e Gjilanit, Podujevës, Pejës e Kamenicës, derisa 13 komuna të tjera janë në process të nënshkrimit.

    “Po ashtu, për komunat që nuk kanë aplikuar shumë shpejt do të hapim edhe thirrjen e dytë. Hap pas hapi drejt realizimit të edhe një prej zotimeve tona”, ka shkruar Aliu.

    Në maj të këtij viti, kur ishte votuar Projektligji, Aliu kishte dhënë detaje rreth këtij projekti.

    Aliu kishte thënë se janë kategoritë sociale ato që përfitojnë, derisa tha se përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të këtyre banesave, por përfitojnë vetëm në kohën sa janë kategori sociale.

    “Kur flasim për banimin social, janë kategoritë sociale ato që përfitojnë. Banimi social është përherë në pronësi të shtetit dhe menaxhojnë komunat me banimin social dhe monitorohen nga niveli qendror. Varësisht prej kategorive sociale, janë edhe përfituesit e banesave. Përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të banesave sociale, por përfitojnë në periudhën sa janë kategori sociale, Në momentin që ata dalin nga kategoria sociale, ata më nuk mund të jenë përfitues të banimit social”, kishte deklaruar Aliu.

    Kishte folur edhe për kategoritë që përfitojnë.

    “Janë pesë kategori: Kategoria shumë e varfër, kategoria e varfër dhe e cënueshme, me të hyra të ulëta, me të hyra të ulëta mesatare dhe të hyra mesatare. Kur folëm për shpërndarjen e banimit, janë komunat ato që aplikojnë me lokacione konkrete brenda zonave urbane dhe analizohen marrëdhëniet e këtyre lokacioneve me zonat rreth me infrastukturën që kanë”, tha Aliu.

  • Gërvalla për mediat turke për Urën e Ibrit: Nuk po e hapim tani, po bëhemi gati ta bëjmë kur është e përshtatshme

    Gërvalla për mediat turke për Urën e Ibrit: Nuk po e hapim tani, po bëhemi gati ta bëjmë kur është e përshtatshme

    Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dhënë një intervistë për mediumin turk në gjuhën angleze “TRT World”, ku ka folur për shumë tema të dialogut, përfshirë çështjen e Urës së Ibrit. Në këtë intervistë, Gërvalla ka thënë se ura nuk po hapet tani, duke shtuar se vetëm po “përgatitet situata”.

    Gërvalla vlerësoi se nuk ka asgjë të keqe që të hapet ura dhe se ura është një nga simbolet e fundit në Kosovë të Sllobodan Millosheviqit, ish-president autoritar i Jugosllavisë dhe ish i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, që gjerësisht njihet si “Kasapi i Ballkanit”.

    Gërvalla u pyet pse atëherë të hapet kjo urë tani. Kryediplomatja kosovare tha se janë duke u kryer disa përgatitje “për ta hapur atë në një moment të përshtatshëm”.

    “Nuk po e hapim tani. Ne jemi duke u bërë gati për të hapur në një moment kur është e përshtatshme për qytetin, qytetarët dhe për vendin tonë. Pra derisa po përgatitemi, ne jemi duke i bërë të gjitha çështjet teknike që janë të nevojshme, sepse kjo urë nuk është përdorur për një kohë për automjete dhe ne jemi duke i bërë të gjithë hapat teknikë. Ne jemi duke u përgatitur në takimin me qytetarët në të dy pjesët e qytetit përmes kryetarëve dhe politikanë të tjerë. Pra ne jemi duke e përgatitur situatën që hapja e urës të jetë një ditë hareje për të gjithë”, tha Gërvalla.

  • Konjufca e Spiropali bëjnë nderime pranë memorialit “Heroinat”

    Konjufca e Spiropali bëjnë nderime pranë memorialit “Heroinat”

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, kanë bërë nderime pranë memorialit “Heroinat”, raporton EO.

    Kujtojmë që kryeparlamentarja Spiropali po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë. Fillimisht, ajo është pritur nga homologu i saj kosovar, Glauk Konjufca me ç’rast mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për media. Më pastaj, Spiropali është pritur në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

  • Themelohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Pyjeve

    Themelohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Pyjeve

    Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Komisionit Ad-hoc të Pranimit për pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Pyjore të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, raporton Ekonomia Online.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se formimi i këtij Komisioni është një hap thelbësor për të garantuar që kjo agjenci të drejtohet nga një individ me integritet të lartë.

    “Është institucion kryesor që merret me zbatimin e politikave për pyjet e Kosovës. Për një zhvillim të qëndrueshëm që tashmë qeveria ka dhënë dëshmi, detyrat kryesore do të përfshinë vlerësimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të përshtatshëm, realizimin e testeve për kandidatët. Formimi i këtij komisioni është një hap thelbësor për të garantuar që kjo agjenci të drejtohet nga një individ me integritet të lartë”, ka thënë Peci.

  • Rritje alarmante e kafshimeve nga qentë endacakë, 112 raste të raportuara deri më tani

    Rritje alarmante e kafshimeve nga qentë endacakë, 112 raste të raportuara deri më tani

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka raportuar rritje të numrit të rasteve që kërkojnë trajtim mjekësor pas kafshimeve nga qentë endacakë.

    Sipas statistikave të Klinikës Emergjente, që nga 1 janari e deri më tani, janë regjistruar 112 raste të pacientëve me lëndime trupore të shkaktuara nga kafshimet, disa prej të cilave kanë qenë të rënda dhe kanë kërkuar spitalizim në Klinikën Infektive.

    “Numri i rasteve është në rritje krahasuar me vitin e kaluar, kur kishim regjistruar 84 raste të tilla. Disa prej pacientëve kanë pasur lëndime që rrezikojnë jetën,” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

    Institucioni apelon tek Komuna e Prishtinës dhe institucionet e tjera përgjegjëse për një zgjidhje të shpejtë, duke theksuar se QKUK është institucion shëndetësor dhe nuk duhet të shndërrohet në një vend ku rrezikohet jeta e qytetarëve për shkak të kafshimeve nga qentë endacakë.

    “QKUK është institucion që kujdeset dhe ofron shërbime shëndetësore, andaj nuk duhet të rrezikohet jeta e pacientëve, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë,” thekson SHSKUK.