ATV

Category: Lajme

  • Bastisja në Leposaviq: Sekuestrohen afër 6 milionë dinarë, 57 mijë dollarë e 10 mijë euro

    Bastisja në Leposaviq: Sekuestrohen afër 6 milionë dinarë, 57 mijë dollarë e 10 mijë euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar se pas bastisjeve që ka kryer në një bankë dhe në degën e Thesarit të Serbisë gjatë ditës së djeshme në Leposaviq janë sekuestruar miliona dinarë e dhjetëra mijëra dollarë dhe euro.

    “Lidhur me rastin, më 12.09.2024 njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serbë, 57,626.00-dollarë amerikanë, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Në rastin që është cilësuar si shpëlarje e parasë dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike po ashtu thuhet se janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që theksohet se dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve.

  • Hapet valixhja e dyshimtë te Komuna e Mitrovicës, brenda kishte rroba

    Hapet valixhja e dyshimtë te Komuna e Mitrovicës, brenda kishte rroba

    Specialët e Policisë së Kosovës kanë hapur valixhen e dyshimtë në oborrin e Komunës së Mitrovicës.

    Brenda saj rezultoi të kishte vetëm rroba.

    Në foton e siguruar nga ‘Jepi Zë’ shihet një anëtar i njësisë speciale duke bërë kontrollin e valixhes e cila fillimisht alarmoi policinë duke vendosur shiritin përreth objektit të Komunës.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë se policia ka marr të gjitha veprimet e nevojshme dhe se ajo valigje nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të dyshimtë.

    “Pas informatës së pranuar, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme si dhe kontrollin e detajuar të valixhes që i është bërë nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se në valixhe nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të dyshuar”, shtoi Zahiti.

    Pas përfundimit të ekzaminimit rruga është liruar për qarkullim.

  • Pse CEFTA është e rëndësishme për Kosovën?

    Pse CEFTA është e rëndësishme për Kosovën?

    “Nga një industri e brishtë dhe relativisht e pazhvilluar prodhuese, Kosova sot është burim i produkteve cilësore, të cilat plasohen jo vetëm në tregjet e vendeve të CEFTA-s, por edhe më gjerë, në Bashkimin Evropian, në Shtetet e Bashkuara dhe në shtete të tjera”.

    Kështu shprehet Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, sipas të cilit të qenët pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), i ka ndihmuar Kosovës të përmirësojë cilësinë e prodhimeve.

    Palë të Marrëveshjes, e cila synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve, janë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Moldavia, që prej vitit 2006.

    Nënshkrueset e mëparshme dhe themeluese të CEFTA-s janë larguar prej saj, pas anëtarësimit të tyre në BE. Zbatimi i Marrëveshjes është parakusht edhe për vendet e tjera që synojnë integrimin në bllokun evropian, shkruan Radio Evropa e Lire.

    Si u aktualizua CEFTA?
    Emri i saj është përmendur shpesh ditëve të fundit, pas kërkesës që iu bë Kosovës nga i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për heqje të ndalesës ndaj mallrave të prodhuara në Serbi, sepse një gjë e tillë është kundër parimeve të CEFTA-s.

    Në këmbim, diplomati gjerman ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë, dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është bindur.

    Qeveria kosovare i ka ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-tës, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë në vend.

    Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk kanë dalë asnjëherë me ndonjë raport vlerësues se si ka ndikuar kjo masë në nivelin e sigurisë.

    Për Zekën, kjo masë ka goditur interesat komerciale të partnerëve të Kosovës.

    “E kemi konsideruar masë paradoksale, duke marrë parasysh që të njëjtën kohë vijon importi i gjysmë-produkteve dhe lëndëve të para, ndërsa në anën tjetër, mallrat përfundimtare, të cilat në masë të madhe prodhohen nga ndërmarrjet që janë në pronësi të huaj në Serbi – po flasim për kapital amerikan dhe kapital evropian – nuk lejohet të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës”, konsideron Zeka.

    Ai, po ashtu, thotë se përfitimet e Kosovës nga CEFTA janë shumëdimensionale, teksa përmend:

    Përmirësimin e ofertës, ose rritjen e atraktivitetit të Kosovës në sytë e investitorëve të huaj;

    Ndjekjen e reformave ekonomike;

    Ndryshimin radikal në strukturën e eksporteve, në llojet e produkteve dhe në llojet e mallrave.

    Si Zeka, ashtu edhe Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, thonë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet ta shfuqizojë sa më shpejt ndalesën për importet nga Serbia.

    “Kosova duhet t’i heqë këto masa dhe duhet të sillet si një aktore kryesore, si një aktore e rëndësishme dhe e drejtë, dhe e besueshme në tregtinë e përbashkët rajonale”, shprehet Rashiti.

    Në vend të ndalesës, Zeka e Rashiti besojnë se Kosova duhet t’i shfrytëzojë mekanizmat ligjorë të paraparë nga CEFTA, për t’u ankuar për barrierat tregtare që i vendosen asaj nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

    Për ndalimin e importeve nga Serbia, Kosova është kritikuar edhe në raportin e sivjetmë të Departamentit amerikan të Shtetit për klimën e të bërit biznes në Kosovë.

    Aty është thënë se “ndalesa ka shkaktuar konfuzion të madh tek importuesit dhe ka ndikuar negativisht te kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë, për shkak të ndërprerjes në zinxhirin e furnizimit”.

    Në Raportin e Progresit për Kosovën, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka thënë se ndalesa është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që përbën marrëveshjen e vetme kontraktuale të Kosovës me BE-në.

    Pse kërkesa po përsëritet tash?

    Rashiti beson se insistimi gjerman qëndron te përgatitjet për takimin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit – platformë formale e politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit – dhe për marrëveshjet e reja rajonale që synohet të arrihen aty.

    Procesi i Berlinit ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit dhe në përgatitjen e tij për anëtarësim në bllokun evropian.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se nëse është e nevojshme, vendet e Ballkanit do të ecin përpara drejt bashkëpunimit rajonal edhe pa Kosovën.

    Rashiti thotë se këtë skenar e dëshirojnë disa vende të Ballkanit – Serbia, Bosnja dhe disa elementë brenda Malit të Zi – andaj Kosova nuk duhet të lejojë diçka të tillë.

    “Procesi i Berlinit dhe të gjitha organizatat që kanë rrjedhur nga ai, apo i janë bashkuar rolit të Procesit të Berlinit, janë i vetmi instrument ku Kosova ulet e barabartë me vendet tjera. Kosova duhet, me çdo kusht, të bëjë më të mirën për të ruajtur vendin e saj dhe për t’i shtyrë agjendat e saj”, vlerëson Rashiti.

    Për më shumë, sipas tij, ndonjë dështim eventual i Procesit të Berlinit ndihmon në shfaqjen apo ringjalljen e iniciativave tjera, si Ballkani i Hapur, që është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova.

    Zeka frikësohet për “pasoja të paparashikuara” nga një izolim i tillë ekonomiko-politik i Kosovës, por nuk sheh gatishmëri të Qeverisë për heqje të bllokadës, duke marrë parasysh se zgjedhjet e ardhshme janë afër.

  • Trump refuzon një tjetër debat presidencial me Harris

    Trump refuzon një tjetër debat presidencial me Harris

    Donald Trump ka refuzuar të marrë pjesë në një debat të dytë presidencial me Kamala Harrisin përpara zgjedhjeve të nëntorit, raporton BBC.
    Ai deklaroi të enjten, pas përballjes së parë mes tyre në Filadelfia, se Harris kërkon një rishfaqje vetëm sepse ai e kishte fituar qartësisht debatin.

    Sondazhet e para treguan se publiku mendonte që Harris kishte performuar më mirë se Trump, megjithatë, ish-presidenti i kërkoi Harrisit të fokusohej te puna si nënkryetare.

    Ndërkohë, Harris në një miting në Karolinën e Veriut theksoi se qytetarët meritojnë një debat të dytë, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme.

    Të dy kandidatët pretenduan fitoren pas debatit, por Trump akuzoi moderatorët për favorizim të Harrisit.

    Edhe pse kishte diskutime për një debat të dytë më 25 shtator, Trump deklaroi se nuk është e nevojshme një përballje tjetër.

  • Gashi: Kjo Qeveri është shembulli më i keq i kujdesit ndaj të moshuarve

    Gashi: Kjo Qeveri është shembulli më i keq i kujdesit ndaj të moshuarve

    Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi ka deklaruar se për tri vite e gjysmë të kësaj qeverie, atyre nuk ju është ofruar asgjë dhe se pensionistë janë lënë në gjendje të mjerueshme.

    Për këtë ai ka thënë se qeveria aktuale është shembulli më i keq i kujdesit ndaj të moshuarve, duke bërë thirrje që VV-ja më mos të votohet.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Gashi ka thënë se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, krahas premtimeve nuk është ndërmarrë asgjë për pensionistët.

    “Ajo që ka ofruar Qeveria, do të thotë është një periudhë katër vjeçare që nuk ka ndërmarrë asgjë për çështjen e pensioneve, gjë që në aspektin ligjor e ka pasur obligim çdo vit me bë vlerësimin e kostos së inflacionet dhe në bazë të kostos jetësore me i ngrit pensionet, por një gjë të tillë nuk e ka bërë. Pensionistët momentalisht janë në gjendje të mjerueshme”, ka thënë Gashi.

    Sipas tij, Qeveria ka shkelur tri kategoritë më fragjile të shoqërisë, duke shtuar se nuk ka bërë asgjë për fëmijët, rininë dhe pensionistët.

    “Unë nuk ka shpjegim, nëse ata e kanë bërë me ndonjë paramendim, ajo është shumë më keq, vetëm mund të them zot falja mëkatet sepse nuk janë duke e ditur se çfarë po bëjnë. Ata kanë ardhur në pozitë me udhëhequr shtetin e Kosovës dhe sa i përket premtimeve të skemave sociale që i kanë premtuar gjatë fushatës, pikërisht këto skema i kanë shkelur tri kategoritë më fragjile të shoqërisë sonë. Për fëmijë nuk kanë bërë asgjë dhe jemi populli me shtimin më të ulët në Ballkan dhe në Evropë, pastaj nuk kanë bërë për rininë që po na dalin në vazhdimësi dhe për pensionistët që i ka lënë në gjendje të mjerueshme”, deklaroi ai.

    Ai foli edhe për mjetet e ndara për pensionistët, ku sipas tij, ato janë si lloj dhurate e “babadimërit”, që nuk paraqesin asgjë.

    Gashi theksoi se pensioni prej 100 euro është i papërballueshëm për jetesën në Kosovë.

    “Ato janë si lloj dhurate për babadimërit, ato nuk paraqesin asgjë, ajo duhet të rregullohet në bazë ligjore dhe me vendim të Kuvendit dhe të ngrisin pensionet sepse ajo nuk është asgjë. Nuk ka mundësi po e shihni se inflacioni na shkuar deri në 200 për qind dhe nëse diçka kemi blerë para tre vitesh me një euro sot e blen me tre euro dhe nuk ka shanc dhe nuk ka mundësi, por falë solidaritetit mes gjeneratave që e bëjnë në baza tradicionale sepse përndryshe kishin me vdekur njerëzit rrugëve”, theksoi Gashi.

    Gashi ka thënë se duke marr parasysh mos kujdesin e qeverise ndaj tyre, populli nuk duhet që ta votoj këtë qeveri, sipas tij, kjo Qeveri është shembulli më i keq sa i përket kujdesit të moshuarit.

    Pensioni ideal për pensionistët, sipas Gashit është për ata me përgatitje të mesme shkollore duhet me qenë diku 400-450 euro. Kurse ata me fakultet me qenë 500-600 euro.

    “Pensioni më i mirë do të kishte me qenë për ata me përgatitje të mesme shkollore me qenë diku 400-450 euro. Kurse ata me fakultet me qenë 500-600 euro. Jo me këtë qeveri nuk realizohet nuk ka shance, Qeveria tani është para fushatës zgjedhore tani më nuk i kemi as pesë muaj deri në kohën e zgjedhjeve, kështu që unë e thërras popullin mos ta votojnë më këtë Qeveri, sepse janë shembulli më i keq sa i përket kujdesit të moshuarit”, përfundoi ai.

  • Rohde uron Osmanin për çmimin që mori në Gjermani: Të ruhet liria e medias

    Rohde uron Osmanin për çmimin që mori në Gjermani: Të ruhet liria e medias

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar Presidenten Vjosa Osmani për çmimin “M100 Media Award” me të cilin u nderua dje në Potsdam të Gjermanisë.

    Rohde ka thënë se ky çmim njeh përkushtimin e Osmanit ndaj lirisë së mediave, por thekson edhe pritshmërinë e fortë për angazhimin e vazhdueshëm në ruajtjen e saj, raporton Express.

    “Urime për Presidente Vjosa Osmani për marrjen e çmimit M100 Media në Potsdam 🇩🇪! Ky çmim jo vetëm që njeh përkushtimin tuaj ndaj lirisë së medias – një shtyllë kyçe e çdo demokracie – por gjithashtu thekson pritshmërinë e fortë për angazhim të vazhdueshëm në ruajtjen e saj!”, ka shkruar Osmani.

    Pas marrjes së çmimit, Osmani ka thënë se demokracia, sundimi i ligjit, integrimi i Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike, janë dhe do të jenë gjithnjë udhërrëfyes në rrugën përpara.

  • ​Hidhen me dron telefona dhe drogë brenda burgut të Peqinit

    ​Hidhen me dron telefona dhe drogë brenda burgut të Peqinit

    Katër grupe të forcave speciale kanë realizuar kontrolle brenda ambienteve të sigurisë së lartë të burgut të Peqinit të Shqipërisë.

    Sipas raportimeve, një dron në fluturim është konstatuar brenda burgut.

    Droni ose dronët (ende nuk dihet sa janë), kanë hedhur katër pako me telefonë, 8 karikues dhe doza me drogë dhe janë zbuluar nga kullat më të larta të vrojtimit që kanë dhënë alarmin.

    Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose ka urdhëruat gatishmëri dhe kontrolle të rrepta në qeli.

    Kanë qenë policët e rrethimit të jashtëm që kanë dëgjuar zhurmën e dronit dhe kanë dhënë alarmim.

    Ky është droni i dytë brenda pak ditësht pas atij të burgut të sigurisë së lartë në Burrel./TCh/

  • ​Ten Hag për kritikat e Ronaldos: Nuk i dëgjoj zhurmat nga jashtë

    ​Ten Hag për kritikat e Ronaldos: Nuk i dëgjoj zhurmat nga jashtë

    Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka hedhur poshtë kritikat e fundit të Cristiano Ronaldos duke thënë se zhurma e jashtme rreth klubit nuk e shqetëson atë.

    Duke folur me ish-bashkëlojtarin e United, Rio Ferdinand në një podcast, Ronaldo tha se Ten Hag kishte gabuar kur tha në një intervistë para-sezonale se klubi ishte “shumë larg” nga fitimi i Premierligës.

    Edhe pse Ronaldo vazhdoi të thoshte se ai gjithashtu mendonte se klubi i tij i vjetër nuk mund ta fitonte kampionatin, ai ndjeu, se trajneri Ten Hag po dërgonte mesazhin e gabuar.

    I pyetur për komentet e sulmuesit veteran Ten Hag tha se Ronaldo kishte thënë të njëjtën gjë, përcjellë KosovaPress.

    “Jo, ai tha këtë, nëse e lexoni shumë mirë artikullin,” tha Ten Hag. Ai ka të drejtë për mendimin e tij. Është në rregull. Ai është shumë larg në Saudi, shumë larg Mançesterit.”

    Pas humbjeve të njëpasnjëshme nga Brighton dhe Liverpool, United shkon në Southampton duke e ditur se humbja do t’i dënojë ata me fillimin e tyre më të keq që nga viti 1986-87, kur Ron Atkinson u shkarkua dhe u zëvendësua nga Sir Alex Ferguson.

  • ​SHBA shënon deficit buxhetor prej 380 miliardë dollarësh në gusht

    ​SHBA shënon deficit buxhetor prej 380 miliardë dollarësh në gusht

    SHBA shënoi një deficit buxhetor federal prej 380 miliardë dollarësh në gusht, sipas shifrave të publikuara dje nga Departamenti i Thesarit.

    Për muajin gusht, të ardhurat totale ose të ardhurat, ishin rreth 307 miliardë dollarë kundrejt shpenzimeve ose shpenzimeve totale prej 687 miliardë dollarësh.

    Për faturat, sigurimet shoqërore dhe pensioni ishin 131 miliardë dollarë, ndërsa taksat mbi të ardhurat individuale arritën në 137 miliardë dollarë.

    Për shpenzimet, sigurimet shoqërore ishin 124 miliardë dollarë, ndërsa shëndetësore ishte 129 miliardë dollarë.

    Për vitin fiskal 2024, i cili zgjat nga 1 tetori 2023 deri më 30 shtator 2024, deficiti buxhetor qëndron në pothuajse 1.9 trilionë dollarë, me afro 4.4 trilionë dollarë të ardhura kundrejt shpenzimeve pak se 6.3 trilionë dollarë. (AA)

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, vranësirat në pjesën e dytë të ditës vende-vende parashihen të shoqërohen me riga shiu.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-26 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-5m/s. Kushtet agrometeorologjike do të jenë në përmirësim e sipër, duke përfshirë edhe kushtet hidrike”, thuhet në njoftim.