ATV

Category: Lajme

  • “Trepça” merr licencë për punë edhe për dy vjetët e ardhshëm, vendimi vlerësohet i kundërligjshëm

    “Trepça” merr licencë për punë edhe për dy vjetët e ardhshëm, vendimi vlerësohet i kundërligjshëm

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Për dy vjetët e ardhshëm, ndërmarrjes publike “Trepça” i është dhënë licenca për shfrytëzimin e resurseve minerale.

    Burimet i kanë thënë ATV-së se Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale vendimin e mori në një mbledhje të mbajtur me 29 gusht, dokument të cilin e posedon ATV.

    Por, me këtë vendim KPMM-ja ka shkelur njërin prej neneve të Ligjit për Miniera dhe Minerale, respektivisht atë që ndalon licencën për ndërmarrjet me borxhe.

    Gjiganti i dikurshëm metalurgjik pikërisht këtij komisioni, për shfrytëzimin në xehet e plumbit dhe zinkut, në veri e në jug të Kosovës i ka borxh rreth 24.8 milionë euro.

    Për mospërfillje të ligjit, KPMM-ja nuk ktheu përgjigje në pyetjet e ATV-së.
    Ndërkaq, sipas ish-drejtorit të Trepçës, tani deputet i Partisë Demokratike, Ferat Shala, ndërmarrja nuk është dashur të pajiset me licencë.

    Për këtë ndërmarrje, sipas tij, nevojitet zgjidhje e përhershme.

    Qeveria viteve të fundit, shpenzoi miliona euro, për t’i mbuluar shpenzimet operative të ndërmarrjes. E në gjysmën e parë të këtij viti, Ministria e Ekonomisë pagoi mbi 3 milionë euro për shpenzime që do të duhej t’i mbulonte vetë ndërmarrja, teksa u konfirmua se Trepça operon me humbje./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ministria e Arsimit nuk ka koment për “Prindi 1 “dhe “Prindi 2”

    Ministria e Arsimit nuk ka koment për “Prindi 1 “dhe “Prindi 2”

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Kaluan disa ditë prejse është publikuar një dokument nëpër shkollat e kryeqytetit me emër “Marrëveshja e shkollës me Prindërit”, në të cilin figuronin emërtimet prindi 1 dhe prindi 2.
    Por as pas kësaj kohe, Ministria e Arsimit nuk ka reaguar ndaj dokumentit që ngjalli shumë debat në opinionin publik.

    Reagime për tërheqjen apo jo të dokumentit nuk pati as nga Drejtoria Komunale e Arsimit, edhe pse ATV-ja adresoi pyetje te zyra për informim në Komunën e Prishtinës.

    Sidoqoftë, një sqarim për dokumentin Drejtoria e Arsimit ua dha prindërve.

    “Nga DKA na është thënë, se ka pasë hezitime se cili me kanë i pari e cili i dyti, por konsideroj që Kodi Civil është e rregulluar kjo, ku shkruhet amësia pra e para nëna e atësia e dyta, babai”, tha Fisnik Dërguti nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë.

    Megjithatë, kërkesa mbetet e pandryshuar.

    “Drejtoreshës së Arsimit ia kam komentuar reagimin e prindërve dhe iu kam kërkuar që të tërhiqet dokumenti, në mënyrë që ta përmirësojnë”, deklaroi tutje Dërguti.

    Dokumenti në fjalë përmban vetëm rregullat e shkollës, përfshirë kodin e sjelljes, sigurinë dhe ruajtjen e inventarit dhe nuk i referohet familjes në asnjë formë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • AUV-i asgjësoi tona të tërë produkte ushqimore përgjatë gjashtë muajve

    AUV-i asgjësoi tona të tërë produkte ushqimore përgjatë gjashtë muajve

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Ky produkt me origjinë nga Spanja, me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë u asgjësua.

    Mbi 21 tonë peshk të llojit Merluc nuk arriti të hyjë fare në tregun kosovar për shkak se, sipas analizave, në të pati prani të parazitëve.

    Por kjo nuk është sasia e vetme e asgjësuar nga AUV-i në 6 muajt e fundit. Sipas raportit të punës të gjashtëmujorit të parë, që nga fillimi i vitit ka kaluar shifra prej gjysmë milionë kilogramë të produkteve të asgjësuara.

    “Nuk janë asgjësime vetëm falë kontrolleve tona, por ka edhe asgjësime nga vetë operatorët ekonomikë janë lajmëruar në autoritete për arsye të ndryshme. Sigurisht kur vetë palët raportojnë as nuk ndiqen penalisht. Ka pasur pije, produkte mishi, produkte qumështi…”, deklaroi zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

    Megjithatë, nga organizata “Konsumatori” thonë se inspektimet nuk janë të mjaftueshme.

    Sipas Selatin Kaçanikut, kryetar i organizatës “Konsumatori”, qytetarët hasin në shumë parregullsi gjatë blerjeve.

    Ndonëse nuk e tregoi numrin e saktë të inspektorëve, zëdhënësi i AUV-it thotë se niveli i kontrolleve është i kënaqshëm.

    “Kemi shumë pak inspektorë. Si autoritet komplet inspektimet i kemi të bazuara në plane nacionale për kontroll përmes frekuencës e kemi në bazë të kapaciteteve që i kemi. Kjo praktikë na ndihmon të kemi kontrolle të mira. Sigurisht kur rritet trupa e inspektorëve rritet edhe frekuenca e inspektimit”, tha mes tjerash zëdhënësi i AUV-it.

    Muajin e kaluar Agjencia e Ushqimit ka asgjësuar mbi 26 tonë mish të shkrirë me origjinë nga Brazili, pasi nuk ishte ruajtur në temperaturën e caktuar -18 gradë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Dejona Mihali intervistohet në Prokurorinë Speciale për disa çështje penale

    Dejona Mihali intervistohet në Prokurorinë Speciale për disa çështje penale

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Mëngjesin e së premtes, koordinatorja për komitete e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, nuk e nisi në zyrën e partisë, por në Prokurorinë Speciale.

    Intervistimi i saj në cilësinë e dëshmitares filloi në orën 09:30.

    Derisa zyrtarja e partisë në pushtet po përgjigjej në pyetjet e hetuesve, nga ky institucion deklaruan se intervistimi ka të bëjë me disa çështje penale të cilat po hetohen.

    “Prokuroria Speciale informon se Dejona Mihali është paraqitur në Prokurorinë Speciale, me ftesë të kësaj Prokurorie. Mihali është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo Prokurori i ka në hetim”, deklaruan nga PSRK-ja.

    Pas afro katër orëve, Mihali doli. Në pyetjet nëse intervistimi kishte të bënte me Nagip Krasniqin, i cili po hetohet nga ky institucion, refuzoi të përgjigjej.

    Por, në largim e sipër, fare shkurt tha se thirrjes së Prokurorisë i është përgjigjur me qëllimin që të zbardhet e vërteta.

    “Kam ardhur për zbardhjen e së vërtetës. Punë të mbarë…”, deklaroi shkurt ajo.

    Së fundmi, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar gjykimi ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, parti në të cilën Mihali që nga viti 2016 e ushtron pozitën e koordinatores për komitete./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pjetër Shala ankohet për përkthimin: Nuk e di si jam dënuar

    Pjetër Shala ankohet për përkthimin: Nuk e di si jam dënuar

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Me dënimin e shkallës së parë prej 18 vjetësh burgim, Pjetër Shala i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale, nuk po pajtohet.

    Megjithatë, në seancën e Apelit, Shala deklaroi se e ka të pamundur t’i shprehë kundërshtimet lidhur me vendimin dënues, meqë ende nuk e ka pranuar aktgjykimin në gjuhën shqipe.

    “Tani unë akoma nuk e kam as aktvendimin e përkthyer. Unë nuk e di si do të ankohemi, bëjmë ankesën kur unë nuk e di se në çfarë mënyrë dënohem. Më jepet aktvendimi, dënohem për vrasje që nuk kam vra kurrë në jetën time. Ma shpjegojnë avokatët e unë nuk muj me besu përderisa nuk e kam zyrtarisht në mënyrë zyrtare, para vetes ta lexoj dhe kuptoj se për çka jam i dënuar dhe nuk e di si kam mundësi që të punoj me avokatët dhe të bëjmë ankesa kur akoma nuk e kam të përkthyer”, tha Shala.

    Përveç kësaj, ish-komandanti i UÇK-së, që në luftë njihej me nofkën Ujku, shtoi se në transkriptimin e 16 korrikut ditës kur edhe u dënua, ka gjetur fjali që i janë ndryshuar, sipas tij, me qëllim.

    “Vetëm për tri ditë gjetëm mbi 213 fjalë të ndryshuara, jo gabimisht të përkthyera, por të ndryshuara. Dhe unë nuk e kam akoma në gjuhën shqipe rrjedhën si ka rrjedhë gjykimi im, prej fillimi deri në ato tri ditët e fundit. Nuk e kam pasur vëmendjen se nuk ma ka marrë mendja se bëhen gabime të tilla, që të ndryshohet fjala. Mirëpo, me 15, 16 dhe 17 e keni të vërtetuar se ka 230 gabime, ndryshime, fjalë se nuk janë gabime, por ndryshime të fjalive që ia humb të gjithë kuptimin e gjithçkafit”, shtoi tutje ai.

    Sidoqoftë, avokati i Shalës paralajmëroi edhe ankesë andaj aktgjykimit dhe urdhrit për zhdëmtim të viktimave.

    “Sa i përket çështjes së urdhrit për zhdëmtim dhe një Apel të mundshëm lidhur me këtë çështje, ju e dini që trupi gjykues e ka dënuar z. Shala në shkallë të parë dhe ka mbajtur juridiksionin, lidhur me çështjen e urdhrit për zhdëmtimin që pritet në javët dhe muajt në vazhdim. Ne, po tregojmë që nuk jemi dakord me këtë aktgjykim dhe do të ngremë Apel edhe ndaj urdhrit për zhdëmtim. Ligji edhe Rregullorja na kanë bërë të mundur dhe do të dëshironim që ju z. Gjykatës të na konfirmoni apo jo se mënyra se si interpretojmë ligjin, nenin 44 të tij, ajo sugjeron që çështjet e zhdëmtimit është e ngjashme apo pjesë e dhënies së masës për caktimin e masës së dënimit”, foli avokati i Shalës.

    Por, kjo kërkesë sipas kryetares së apelit po bëhet para kohe, meqë, sipas saj, ende nuk ka urdhër për zhdëmtim. Me këtë deklarim të kryetares, u pajtua edhe mbrojtësi i viktimave, i cili sugjeroi që kërkesa të bëhet me shkrim.

    Pjetër Shala më 16 korrik është shpallur fajtor për krime lufte dhe u dënua me 18 vjet burgim. Ai akuzohet se në një fabrikë metalike në Kukës gjatë luftës, mes 17 majit dhe 5 qershorit të 1999, kreu veprat penale të ndalimit arbitrar, torturës dhe atë të vrasjes së paligjshme.

    Pikërisht Gjykata e Apelit në të cilën Shala do t’i deponojë ankesat, Salih Mustafës ia ka ulur dënimin e shkallës së parë nga 26 në 15 vjet burgim./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Shkaku i asfaltimit, rruga Prizren-Prevallë mbyllet për dy ditë

    Shkaku i asfaltimit, rruga Prizren-Prevallë mbyllet për dy ditë

    Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se rruga rajonale R-115, konkretisht segmenti Prizren-Prevallë, do të jetë e mbyllur me rastin e asfaltimit të saj.

    Mbyllja do të përfshijë lokacionin nga dalja e Prizrenit, lagjja Marashi, deri tek tunel i parë i rrugës për Llokvicë.

    Mbyllja e rrugës për qarkullimin e automjeteve do të bëhet nga 23-25 shtator 2024, në intervalin kohor nga ora 9.00 deri në 17.00.

  • Hezbollahu e godet veriun e Izraelit me 140 raketa

    Hezbollahu e godet veriun e Izraelit me 140 raketa

    Hezbollah – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – e ka goditur veriun e Izraelit me 140 raketa të premten, thanë ushtria izraelite dhe grupi militant.

    Ky sulm u krye një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të telekomunikimit në Liban këtë javë.

    Ushtria izraelite tha se kishte tri valë sulmesh me raketa të premten pasdite dhe se shënjestër e tyre ishin zonat përgjatë kufirit të rrënuar me Libanin.

    Hezbollahu tha se i goditi disa zona përgjatë kufirit me Izraelit duke përdorur raketa Katyusha, si dhe bazat e mbrojtjes ajrore dhe selinë e një brigade të blinduar izraelite.

    Grupi militant tha se sulmi raketor ishte hakmarrje për sulmet e Izraelit në fshatra dhe shtëpi në jug të Libanit.

    Hezbollahu edhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Megjithatë, sulmi raketor i së premtes ishte më i madh se zakonisht.

    Nasrallah u zotua të enjten për vazhdimin e sulmeve të përditshme ndaj Izraelit, pavarësisht sulmit vdekjeprurës të kësaj jave në pajisjet e komunikimit të anëtarëve të saj.

    Së paku 37 njerëz u vranë dhe më shumë se 3.000 të tjerë u plagosën kur shpërthyen së pari pejxherët dhe pastaj radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e Hezbollahut në dy valë sulmesh të martën dhe të mërkurën.

    Libani dhe Hezbollahu e akuzojnë Izraelin për kryerjen e këtyre sulmeve, por Izraeli nuk ka pranuar e as mohuar përfshirjen./REL

  • Vdes një i burgosur 78-vjeçar, po trajtohej në Spitalin e Gjilanit

    Vdes një i burgosur 78-vjeçar, po trajtohej në Spitalin e Gjilanit

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar për vdekjen e një të burgosuri me inicialet J.I.

    Sipas njoftimit, i burgosuri ka qenë një 78-vjeçar i cili për shkak të problemeve shëndetësore që nga caktimi i masës së paraburgimit, ishte duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

    “Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

    Njoftimi i plotë:

    Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ka ndërruar jetë i burgosuri J.I, i lindur në vitin 1946.

    I ndjeri, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore, që nga caktimi i masës së paraburgimit, ishte duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në Njësinë Koronare, nën kujdesin e mjekëve të kësaj qendre.

    Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

  • Të dielën mbyllen për qarkullim disa rrugë në Podujevë, kjo është arsyeja

    Të dielën mbyllen për qarkullim disa rrugë në Podujevë, kjo është arsyeja

    Në kuadër të Ditës Botërore pa Makina, të dielën në Podujevë do të shënohet një aktivitet me biçikleta, i cili do të mbahet nga ora 12:00 deri në 13:00, shkruan Gazeta Sinjali.

    Për shkak të këtij aktiviteti, do të mbyllen disa rrugë, me ç’rast Komuna e Podujevës iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë për qarkullim rrugët tjera alternative.

    “Gjatë kësaj periudhe, do të mbyllen për qarkullim të automjeteve rrugët “Zahir Pajaziti” deri në kryqëzimin me “Vëllezërit Frashëri”, pastaj rruga “Fazli Fetahu”, “Xhafer Meta”, “Met Podujeva” dhe një pjesë e rrugës “Xhemajl Mustafa” (nga rrethi deri të Sheshi). Lusim qytetarët që gjatë kësaj periudhe kohore, për qarkullim me automjete t’i shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

  • Kurti në Bruksel, takohet me drejtorin për zgjerim të Bashkimit Evropian

    Kurti në Bruksel, takohet me drejtorin për zgjerim të Bashkimit Evropian

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në Bruksel nga drejtori i përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, me të cilin diskutoi aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian.

    Në takim u trajtuan edhe çështje të tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit.

    Kryeministri Kurti tha se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit dhe shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet evropiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

    Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë.

    Në takim, po ashtu, u diskutua edhe fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Evropian i krijuar për t’i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

    Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që është proces i ndarë por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi. Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar.

    Kosova, me këtë, riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara. Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së, tha kryeministri Kurti.

    Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm Koopman porositi se përkushtimi i institucioneve evropiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian, një gjë që është dëshmuar edhe me qëndrimet e shprehura nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në drekën e djeshme me liderët e Ballkanit Perëndimor.