ATV

Category: Lajme

  • Shefi i NATO-s në Kiev, teksa Rumania i dërgon një sistem Patriot Ukrainës

    Shefi i NATO-s në Kiev, teksa Rumania i dërgon një sistem Patriot Ukrainës

    Një sistem i mbrojtjes ajrore, Patriot, i dhuruar nga anëtarja e NATO-s, Rumania u dërgua në Ukrainë më 3 tetor, teksa sekretari i ri i Përgjithshëm i aleancës ushtarake perëndimore, Mark Rutte, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.

    Këtë vizitë në kryeqendrën ukrainase, Rutte e zhvilloi dy ditë pasi mori udhëheqjen e NATO-s.

    Rusia sulmoi me dronë dhe raketa Kievin dhe rajonet e tjera ukrainase mëngjesin e 3 tetorit, dhe teksa Rutte u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më vonë gjatë ditës, në Kiev u lëshuan dy herë sirenat paralajmëruese për sulme ajrore.

    “E falënderoj çdo shtet që na ndihmon ne me mbrojtje ajrore. Një falënderim të veçantë për Rumaninë për sistemin Patriot. Së bashku mund të arrijmë efikasitet më të madh, ne mund t’i japim fund terrorit rus, duke rrëzuar bashkërisht dronët Shahed dhe raketat”, shkroi në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa Ministria rumune e Mbrojtjes konfirmoi për Radion Evropa e Lirës e sistemi Patriot është dërguar në Ukrainë.

    Pas takimit me Zelenskyn, Rutte u zotua se do të ndihmojë në rritjen e mbështetjes perëndimore për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

    “Ukraina është më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha ai.

    Duke vënë në pah rrezikun ndaj anëtarëve të NATO-s, sikurse është Rumania, e cila gjendet në kufi me Ukrainën, dronët rusë sërish sulmuan portin ukrainas të Izmajilit, duke nxitur Bukureshtin që të aktivizonte avionët luftarakë F-16 për të monitoruar situatën në orët e vona të 2 tetorit.

    “Mund të konfirmojmë se sistemi Patriot është dërguar në Ukrainë”, tha Constantin Spinu, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Rumanisë, pasi Qeveria në Bukuresht muajin e kaluar miratoi një projektligj për të mundësuar dërgimin e këtij sistemi në Kiev.

    Sipas projektligjit, Rumania i jep të drejtën Ukrainës që të përdorë këtë sistem kundërajror.

    Kievi po u kërkon aleatëve perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë armë moderne dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qiellin mbi Ukrainë, por edhe po kërkon që t’i lejohet që të sulmojë caqet ushtarake thellë brenda Rusisë. Ukraina ka argumentuar se duke sulmuar thellë brenda Rusisë do të parandalonte Moskën që të sulmojë nga distanca të largëta.

  • BE-ja e çon Hungarinë në gjykatë për shkak të ligjit kundër ndikimit të huaj

    BE-ja e çon Hungarinë në gjykatë për shkak të ligjit kundër ndikimit të huaj

    Komisioni Evropian ka vendosur që ta dërgojë Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë pasi vlerëson se ligji i saj kombëtar për “mbrojtjen e sovranitetit” shkel ligjin e Bashkimit Evropian. Ky ligj synon të luftojë ndikimin e huaj.

    Sipas KE-së, ky ligj themelon Zyrën për mbrojtje të sovranitetit që ka për detyrë të hetojë aktivitete specifike që thuhet se kryhen në interes të një shteti tjetër apo trupi të huaj, organizate apo personi, aktivitete që “supozohet se shkelin apo kërcënojnë sovranitetin e Hungarisë”.

    Në njoftim u tha se KE-ja e kishte njoftuar në shkurt të këtij viti Hungarinë për shqetësimet rreth ligjit. Por, pasi përgjigja e Hungarisë ndaj shqetësimeve të bllokut nuk ishte e pakënaqshme, në maj Komisioni dërgoi një opinion duke përsëritur shqetësimet lidhur me shkeljen e Kartës së BE-së për të drejtat themelore, liritë themelore të tregut të brendshëm dhe legjislacionin e BE-së për mbrojtjen e të dhënave.

    “Në përgjigje të këtij opinioni, Hungaria pretendoi se ligji për mbrojtjen e sovranitetit nuk e cenon ligjin e BE-së dhe shqetësimet e ngritura ishin të pabaza”, tha KE-ja.

    Por, KE-ja tha se shumica e shqetësimeve që ka ngritur për këtë çështje ende nuk janë adresuar.

    Më 12 dhjetor 2023, Asambleja Kombëtare hungareze miratoi ligjin për mbrojtjen e sovranitetit, që i jep fuqi Zyrës për mbrojtje të sovranitetit për të kryer hetime.

    Kjo zyrë mund të hetojë “çdo aktivitet që financohet nga jashtë e që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, vullnetin e votuesve apo mbështet aktivitete të tilla”.

    Në preambulë thuhet se ligji është miratuar në përgjigje të “sulmeve të paligjshme ndaj sovranitetit të Hungarisë nga organizata të huaja dhe individë që synojnë të mbrojnë interesat e tyre në Hungari dhe të kundërshtojnë interesat dhe rregullat hungareze”.

    Ligji parasheh që të bëhen publike gjetjet e hetimeve. Po ashtu, parashihen pasoja negative për entitetet që janë subjekt i hetimit.

    BE-ja dhe Budapesti në të kaluarën janë përplasur për shkak të sundimit të ligjit në Hungari dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT.

  • Kadrijaj i reagon Aliut, për rrugën Deçan-Plavë: Kthjellu ministër

    Kadrijaj i reagon Aliut, për rrugën Deçan-Plavë: Kthjellu ministër

    Nënkryetarja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka pyetur ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, nëse ka qenë ndonjëherë për të vizituar rrugën Deçan-Plavë.

    Përmes një postimi në Facebook, Kadrijaj ka thënë se jo vetëm se nuk ka përfunduar rruga, por punimet që janë kryer qysh në kohën e qeverisjes së Haradinajt, janë duke u dëmtuar.

    “Ministër Liburn, nuk më besohet që ti mendon se rruga Deçan- Plavë është përfunduar. A ke qenë ndonjëherë në atë vend, ministër. Lëre që nuk është përfunduar rruga , por edhe ato punime që janë kryer në qeverinë Haradinaj, sot janë duke u dëmtuar dhe kthyer në pikën zero, e kjo do të thotë kosto shtesë për buxhetin, e që kap shifra milionëshe.

    Kthjellu, ministër, se nuk mbulohet dielli me shoshë” shkroi Kadrijaj në Facebook.

  • Reforma e arsimit në Prishtinë, Abdixhiku e deputeti gjerman hanë drekë në njërën nga shkollat me mësim-gjithëditor

    Reforma e arsimit në Prishtinë, Abdixhiku e deputeti gjerman hanë drekë në njërën nga shkollat me mësim-gjithëditor

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bashkë me deputetin gjerman të Bundestagut, Peter Beyer, kanë qenë sot në njërën nga shkollat me mësim gjithëditor në Prishtinë.

    Sipas Abdixhiku, Beyer tha se në atë shkollë pa një sistem me standarde sikurse në Gjermani.

    “Aty pamë nga afër transformimin e vërtetë nga një sistem edukimi me vështirësi, tek një sistem me standarde – në fjalë të Peter – sikurse në Gjermani. Dhe ashtu ishte!”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai tha se fëmijet ushqehen me shujta të ngrohta, klasët janë me tabela digjitale dhe ka rafte për çantat e rënda.

    “Fëmijë që ushqehen me shujta të ngrohta – të cilat ishin shumë të shijshme; kuzhina moderne, klasë me tabela digjitale, rafte për çantat e rënda, detyra të shtëpisë në shkollë, e aktivitete fizike për fëmijët që rrijnë tani 8 orë në shkollë! Mbi të gjitha një kolektiv arsimor që angazhohet me kaq përkushtim nën drejtimin e Liridonit.”

    Abdixhiku tha se këtë model do ta implementojnë në Kosovë.

    “Aty pamë nga afër transformimin e vërtetë nga një sistem edukimi me vështirësi, tek një sistem me standarde – në fjalë të Peter – sikurse në Gjermani. Dhe ashtu ishte!”, ka shkruar Abdixhiku. Ai tha se fëmijet ushqehen me shujta të ngrohta, klasët janë me tabela digjitale dhe ka rafte për çantat e rënda. “Fëmijë që ushqehen me shujta të ngrohta – të cilat ishin shumë të shijshme; kuzhina moderne, klasë me tabela digjitale, rafte për çantat e rënda, detyra të shtëpisë në shkollë, e aktivitete fizike për fëmijët që rrijnë tani 8 orë në shkollë! Mbi të gjitha një kolektiv arsimor që angazhohet me kaq përkushtim nën drejtimin e Liridonit.” Abdixhiku tha se këtë model do ta implementojnë në Kosovë.

  • KEK do të furnizojë shkollat e dy komunave me thëngjill

    KEK do të furnizojë shkollat e dy komunave me thëngjill

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se bordi i saj ka miratuar propozimin e menaxhmentit për furnizimin e shkollave në komunat Obiliq dhe Fushë Kosovë me thëngjill.

    Në njoftimin e lëshuar ky vendim është një tregues i bashkëpunimit të ngushtë mes KEK-ut dhe këtyre dy komunave, me fokus të veçantë në angazhimin e KEK për mbështetje ndaj komunitetit dhe përmirësimin e kushteve arsimore në zonat përreth operimeve të korporatës.

    “Sipas këtij vendimi, KEK do të ndajë 1320 ton thëngjill për të ndihmuar institucionet arsimore, duke siguruar ngrohjen e shkollave gjatë sezonit dimëror. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një ambienti më të mirë për nxënësit dhe mësimdhënësit”.

    “Bordi ka marrë këtë vendim pas sigurimeve nga menaxhmenti se sasia e thëngjillit nuk do të ndikojë në furnizimin e dy termocentraleve. KEK mbetet e angazhuar për të forcuar marrëdhëniet me komunitetin dhe për të ofruar zgjidhje që përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët”, thuhet në njoftim.

  • ​Përurohet Ortopedia e re: Pacientët do të marrin shërbime moderne

    ​Përurohet Ortopedia e re: Pacientët do të marrin shërbime moderne

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot është përuruar Klinika e re e Ortopedisë, për të cilën u tha se është me kushte moderne dhe ndikon në uljen e listës së pritjes për pacientët.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kjo klinikë bashkëkohore ka gjithsej 22 dhoma e 44 shtretër dhe tani e tutje qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbimet më moderne mjekësore.

    Vitia theksoi se kostoja e ndërtimit të këtij objekti është rreth 2.8 milionë euro.

    “Një klinikë moderne me rreth 3 mijë 500 metra katror e me 22 dhoma e 44 shtretër që do të thotë se kemi nga dy pacientë në një dhomë, dhoma me klimatizim e mekanizëm të thirrjes për infermierë dhe mjekë, dhoma për regjistrim të secilit mjekë dhe infermierëve që vjen në kontroll pas thirrjes së pacientëve…Jam jashtëzakonisht i lumtur që kjo klinikë moderne me gjithë këto investime që diku janë rreth 2.8 milionë euro tash po hapet dhe është në shërbim të pacientëve që do t’i marrin këto shërbime në këto kushte moderne”, tha ai.

    Ministri, Vitia potencoi se investimet në këtë klinikë do të ndikojnë të ketë ulje në listën e pritjes, për çka u zotua se shumë shpejtë do të nis ofrimi i shërbimeve ortopedike edhe në spitalet regjionale.

    “Janë katër salla operative ku tri nga to do të përdoren vazhdimisht, ndërsa njëra nga sallat do të përdoret ekskluzivisht për operacionet elektive për të zvogëluar listën e pritjes dhe natyrisht ky investim përveç shërbimit shumë më të mira, më moderne dhe më korrekte që do të marrin qytetarët e Kosovës do të mundësoj edhe uljen e listës së pritjes një problem tashmë që shumë vite në Klinikën e Ortopedisë për këtë lloj operacionesh dhe me punën e vazhdueshme që do ta bëjë Klinika e Ortopedisë tani me investimet që jemi duke i bërë edhe në spitalet regjionale për aktivizimin e këtyre operacioneve në spitale regjionale ne jemi të bindur që shumë shpejtë kjo listë e pritjes do të pësoj një rënie shumë substanciale. Shumë shpejtë do të fillojmë edhe me këso investimesh edhe në spitalet regjionale në mënyrë që edhe pacientët nga viset tjera nga Kosova të kenë mundësi të njëjtat shërbime t’i marrin edhe afër qyteteve të tyre”, tha ai.

    Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavid Gashi u shpreh se pacientët e repartit të Ortopedisë që janë në Klinikën e Kirurgjisë nga java e ardhshme do të zhvendosen në ambientet e reja të kësaj klinike.

    Ai u shpreh optimistë se në vitin e ardhshëm do të rinovohet edhe Klinika Ortopedike ku aktualisht është funksionale dhe në shërbim të pacientëve.

    “Në bllokun operativ ka vazhduar gjithnjë, ndërsa zhvendosja e pacientëve sepse e kemi një pjesë në klinikat e vjetra tek Klinika e Kirurgjisë zhvendosja e pacientëve bëhet prej javës tjetër sepse janë në proces programet operative të tyre që të mos pengohet puna në pjesën operative prej javës tjetër pacientët do të zhvendosën këtu”, theksoi ai.

    E sa i takon pjesës së vjetër ku deri më sot ka qenë duke operuar Klinika Ortopedike sipas ministrisë të Shëndetësisë, Arben Vitia do të shfrytëzohet për vendosjen e pacientëve të klinikave që do të rinovohen në vijim.

    “Do të mbetet e zbrazët po them kushtimisht do të investimet dhe problemet që i kemi pasur gjatë investimeve, transformimeve dhe punimeve në disa reparte e klinika që i keni parë gjatë këtij viti ku ka qenë një sfidë jashtëzakonisht se nuk kemi pas ku t’i zhvendosim derisa janë bërë këto transformime ajo do të jetë një pjesë ku pastaj pacientët në klinikat e ardhshme që do të transformohen do ta kenë mundësinë që do të zhvendosën në atë pjesë”, u shpreh Vitia.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se me veprimet që po marrin deri në fund të vitit do të jetësohet shërbimi IFV në sektorin publik shëndetësor.

    “Pajisjet e IFV-së janë duke u montuar.. Ka ardhur për përditësimin e ri ku do të futen edhe barnat për IVF për barna në listën esenciale dhe kjo e përmbyll komplet ciklin që deri në fund të vitit ky shërbim kaq i nevojshëm për qiftet edhe gratë në Kosovë të merret edhe në shëndetësinë publike”, theksoi ministria Vitia.

    Lidhur me konferencën e Federatës Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, që është paralajmëruar për sot e ku pritet të paraqiten pakënaqësitë e punëtorëve shëndetësorë, kreu i këtij dikasteri theksoi se si Qeveri kanë bërë hapa pozitivë si në rritjen e pagës ashtu edhe tek krijimi i kushteve më të mira të punës.

    “Në aspektin e rritjes së pagave përmirësim të kushteve, aparaturës dhe infrastrukturës ne mendojë që kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë aq sa duhet. A janë bërë të gjitha natyrisht jo kishte me qenë arrogancë nëse them se janë bërë të gjitha, mirëpo e mira është se se të gjitha këto janë në plane dhe të gjitha këto janë duke u realizuar”, u shpreh ministri i Shëndetësisë./kp

  • KPM miraton Planin e Veprimit për monitorimin e fushatës zgjedhore

    KPM miraton Planin e Veprimit për monitorimin e fushatës zgjedhore

    Komisioni i Pavarur i Mediave ka miratuar Planin e Veprimit për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të vitit të ardhshëm, plan i cili paraqet aktivitetet që KPM-ja planifikon t’i ndërmerr në bazë të mandatit ligjor të përcaktuar me Ligjin e KPM-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Ky plan i veprimit sipas KPM-së është i ndarë në tri pjesë që përfshinë aktivitetet e planifikuara para fillimit të fushatës zgjedhore, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.

    “Periudha para fushatës zgjedhore përfshinë aktivitetet e KPM-së në hartimin e Rregullores për sjelljen e mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore, si obligim i paraparë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo periudhë përfshinë edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me komunikimin dhe sensibilizimin e të licencuarve të KPM-së me qëllim të njoftimit rreth obligimeve të mediave gjatë këtij procesi”, thuhet ndër të tjera në njoftimit e nxjerrë nga KPM-ja.

    Aktivitet tjetër sipas tyre në këtë periudhë është edhe ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Zyrës së KPM-së.

    Ndërkohë siç bëhet e ditur periudha gjatë fushatës zgjedhore deri në mbylljen e vendvotimeve do të përfshijë monitorimin dhe vlerësimin e pajtueshmërisë së të licencuarve të KPM-së me legjislacionin në fuqi, si dhe vendimmarrjen e shpejtë në rast të shkeljeve të identifikuara.

    Ndërsa, periudha pas zgjedhore siç ka njoftuar KPM-ja do të fokusohet në prezantimin e të gjeturave nga monitorimi i të licencuarve gjatë periudhës zgjedhore.

    “Në përgjithësi, zbatimi i Planit të Veprimit do të bëhet brenda një periudhe shtatë mujore, shtator 2024 – mars 2025”, thuhet tutje në njoftim.

    Ndërkohë objektivat e KPM-së mbi procesin zgjedhor përfshijnë krijimin e akteve nënligjore të bazuara në ligj dhe konsultim publik, udhëzimin e mediave të licencuara për një qasje të drejtë dhe të paanshme gjatë fushatës zgjedhore, sigurimin e kushteve të barabarta dhe mos diskriminuese për qasjen e subjekteve politike të certifikuara në mediat e licencuara, informimin dhe sensibilizimin e duhur te subjekteve të licencuara, krijimin e kushteve të favorshme teknike për monitorim intensiv gjatë fushatës zgjedhore si dhe vendimmarrjen e shpejtë të masave proporcionale në rast të shkeljes së legjislacionit në fuqi.

  • Kosova në prag të rikthimit të mallrave nga Serbia, pas presionit të Gjermanisë

    Kosova në prag të rikthimit të mallrave nga Serbia, pas presionit të Gjermanisë

    “Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

    Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.

    Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.

    Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

    Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

    Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.

    Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.

    Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.

    BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.

    “Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.

    Ekspertët mbështesin heqjen e masave që ndalojnë importet nga Serbia

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia është marrë për arsye sigurie më shumë se një vit më parë dhe se është koha që të shqyrtohet seriozisht shfuqizimi i tij.

    Ai thotë se ky vendim rrezikon jo vetëm punën e CEFTA-s, por edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord në vitin 2020.

    “Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj, është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat, jo vetëm nga Kosova… Ne kemi probleme edhe me eksportimin e mallrave në Serbi, sepse ajo nuk e njeh dokumentacionin fitosanitar të Kosovës”, thotë Rafuna.

    Me të pajtohet edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të “eksperimentojë” në bashkëpunim ekonomik rajonal.

    Sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e integrimit ekonomik evropian dhe ajo nuk e ka “luksin” ta bllokojë bashkëpunimin rajonal me vendime politike.

    Rafuna: Investitorët e shohin rajonin si një treg

    Rafuna, i cili është edhe kryetar i bordit drejtues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se të gjitha nismat rajonale janë të rëndësishme, andaj çdo pengesë që ndikon në funksionimin e tyre, duhet të hiqet.

    “Ne jemi një vend i vogël, jemi një treg i vogël dhe të gjithë investitorët e shohin rajonin si një treg. Është e rëndësishme që mes nesh të mos ketë pengesa. Ato nuk janë mesazh i mirë për investitorët”, vlerëson ai.

    Tregu në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rreth 18 milionë banorë.

    Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe ekonomisti Gërxhaliu, i cili shton se CEFTA ka një rëndësi të madhe për biznesmenët, për shkak të përfitimeve doganore dhe plasimit të mallrave.

    Ai nënvizon se edhe Procesi i Berlinit është një iniciativë e rëndësishme, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë që të përjashtohet.

    “Nuk mund të presim investime të huaja nëse nuk ka stabilitet politik. Ai stabilitet politik nuk mund të arrihet nëse nuk kemi pjesëmarrje aktive në të gjitha nismat rajonale”, thotë Gërxhaliu.

    Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 në Berlin, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një kontribut në perspektivën e zgjerimit të BE-së.

    Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e Procesit të Berlinit: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria.

    Disa nga marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë: marrëveshja për njohjen reciproke të kartave të identitetit, të diplomave universitare, të kualifikimeve profesionale, pastaj bashkëpunimi në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, digjitalizimit dhe në roaming.

    Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

    Sarrazin i tha Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve – BIRN, më 23 shtator, se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi këtë javë Gjermaninë, ku kërkoi mbështetjen e këtij vendi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja.

    Përmes një postimi në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë. /Radio Evropa e Lirë

  • Hargreaves: Jemi krenarë për rolin tonë në FSK për progresin e saj drejt të qenit profesionale

    Hargreaves: Jemi krenarë për rolin tonë në FSK për progresin e saj drejt të qenit profesionale

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se vendi i tij është krenar për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për rolin që ajo ka dhënë për këtë.

    Ai tha se FSK është profesionale, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse.

    “Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin që ka pasë në progresin e FSK-së drejt të qenit e aftë, profesionale, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse. Dje e përgëzova FSK-në për mbledhjen vjetore të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të përkushtuar në aspiratën e FSK-së për të ofruar siguri në Kosovë dhe Europë”.

    Ministria e Mbrojtjes dhe FSK dje mbajtën konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”.

    Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe atashetë ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Republikës së Kosovës.

  • Arrestohet një 22 vjeçar në Prishtinë, dyshohet për 27 vepra penale të mashtrimit

    Arrestohet një 22 vjeçar në Prishtinë, dyshohet për 27 vepra penale të mashtrimit

    Është arrestuar dje një 22 vjeçar në Prishtinë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe shpërdorimit të pasurisë së huaj.

    Sipas njoftimit ai dyshohet për 27 vepra penale (mashtrime dhe shpërdorime të pasurisë së huaj)

    “Puna disa mujore e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar: D.M, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë. Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se i arrestuari dyshohet të ketë marrë nga ankuesit ( numri më i madh i ankuesve janë taksistë), shuma të ndryshme të parave duke i mashtruar gjatë kryerjes së pagesave për shërbime dhe blerje”, thuhet në njoftim.