ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj: Nëse Kurti i mbërrin 25 për qind të votave, i lumi ai për veti

    Haradinaj: Nëse Kurti i mbërrin 25 për qind të votave, i lumi ai për veti

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në “Paradoks” është shprehur i bindur se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i marrin 25 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.

    “Kuk e shoh Kurtin që i kalon najherë 30 për qind në zgjedhje. Edhe 25 kur e mbërrin, i lumi ai për veti. Nuk po them se do të jetë partia e parë”, ka thënë Haradinaj.

    Sipas tij, këtë do t’ia pamundësojë keqqeverisja e tij në katër vjetët e fundit.

    “Sepse filluan që të gjithë t’ia kuptojnë mashtrimin dhe do t’ia dhënë për fytyre. I dolën dy deputetë, një degë në Drenas. Ne jemi në proces të rritjes sonë, mundemi edhe ne të jemi fitues. Por nuk besoj se Kurti do t’i fitojë zgjedhjet. E shihni sa me gëzim po thonë ata po luftojnë për vend të dytë”, ka thënë ai.

  • Deputeti i VV-së: Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kaluar përmasat e një subjekti politik

    Deputeti i VV-së: Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kaluar përmasat e një subjekti politik

    Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, subjektin politik të cilit i takon e krahason me Lidhjen Demokratike të Kosovës të kohës së Ibrahim Rugovës të fillim e viteve 90-ta dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të fundviteve të 90-ta.

    ‘’ VV i ka kaluar përmasat e një subjekti politik. VV sot është Lëvizje gjithëpopullore me krahasua me LDK-në e fillim viteve të 90’ta dhe UÇK-në e fund viteve 90-ta dhe VV nuk është më thjeshtë subjekt politik, por lëvizje gjithë popullore që po kërkon dhe po dëshiron edhe po e zbaton ligjshmërinë në gjithë territorin e Kosovës’’, deklaron deputeti Thaçi.

  • Kurti për AP: Fitorja e Rusisë në Ukrainë do ta trimëronte Serbinë ekspansioniste

    Kurti për AP: Fitorja e Rusisë në Ukrainë do ta trimëronte Serbinë ekspansioniste

    Kryeministri i Kosovës tha të enjten se rajoni i Ballkanit ka gëzuar shkallën më të madhe të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të fundit, por se kjo mund të ndryshohet nëse Rusia fiton në Ukrainë dhe inkurajon ekspansionizmin serb.

    Albin Kurti, i cili ka shërbyer si lider i Kosovës që nga viti 2021, tha se ishte e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus.

    Në një intervistë me Associated Press, Kurti argumentoi se një Rusi më e fortë do të trimëronte Serbinë – dhe se jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja, Mali i Zi dhe “ndoshta Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.

    “Këto 25 vite në këtë shekull, ky ka qenë një çerek shekulli me shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, tha Kurti.

    Bisedën, Kurti me AP-në e zhvilloi në misionin diplomatik të Kosovës në Varshavë. Misioni u hap pasi Polonia dhe Kosova vendosën marrëdhënie konsullore në vitin 2022.

    I pyetur se çfarë do të thoshte për Kosovën dhe Ballkanin nëse Rusia do të fitonte në Ukrainë, Kurti tha se “me Serbinë si një hegjemon rajonal dhe përfaqësues rus, këto 25 vite paqeje, lirie dhe demokracie në Ballkan, të paprecedentë në histori, janë sërish në rrezik”.

    “Presidenti despotik Putin do të inkurajohej të vazhdojë më tej me përpjekjet e tij për destabilizimin, aq më tepër nëse ai ndihet i suksesshëm në Ukrainë”, tha Kurti. “Me të vërtetë nuk dua të besoj se ai mund të fitojë teorikisht. Por vetë të menduarit e tij se (ai) mund të fitojë është mjaft problematike”.

    Kurti vizitoi Poloninë ndërsa kombi i Evropës Qendrore përgatitet të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian 27-anëtarësh në janarin e ardhshëm. Një nga qëllimet e tij është që Kosova të anëtarësohet në BE, por pesë nga anëtarët e BE-së ende nuk e njohin Kosovën – Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

    Kurti vuri në dukje se Spanja në fillim të këtij viti njohu pasaportat e Kosovës për ata që e vizitojnë vendin.

    “Pra, ka këto hapa të vegjël”, tha ai. “Por ju e dini, këta hapa të vegjël nuk bëjnë një hap të madh të domosdoshëm, që është njohja”.

  • Rritet niveli i manganit në Badoc, IKSHP rekomandon që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije

    Rritet niveli i manganit në Badoc, IKSHP rekomandon që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se ditën e djeshme ekipet e tyre kanë marrë 16 mostra nga një zonë që furunizohet me ujë nga Liqeni i Badocit, pas njoftimit për ngritje të vlerave të manganit, ku prej tyre 15 kanë rezultuar me tejkalim të standardit të lejuar manganit.

    Nga IKSHP kanë rekomanduar që për këtë periudhë uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret vetëm për higjienë personale dhe ambientale.

    Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L.

    “Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet ne njoftim.

    Sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.

    Bazuar në këto rezultate, IKSHP ka dalë me disa rekomandime për Ujësjellësin “Prishtina”:

    Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;

    Të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;

    Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;

    Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;

    Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;

    Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.

    “IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu””, thuhet në fund të njoftimit.

    Me një situatë të tillë, Kosova është përballur edhe vitin e kaluar.

    Paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndrrimit të stinëve. IKSHP ka thene se kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni.

    Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç.

  • Izraeli sinjalizon për zgjerimin e ofensivës në Liban

    Izraeli sinjalizon për zgjerimin e ofensivës në Liban

    Ushtria izraelite ka paralajmëruar banorët që të evakuohen nga komunitete në jug të Libanit që janë jashtë zonës të shpallur neutrale nga Kombet e Bashkuara, duke sinjalizuar se do të zgjerojë ofensivën tokësore të nisur më herët gjatë kësaj jave kundër Hezbollahut, grupit militant që është edhe parti politike dhe që kontrollon shumicën e Libanit jugor.

    Forcat izraelite thanë se kanë goditur rreth 200 caqe të Hezbollahut në mbarë Libanin, përfshirë depo të armëve dhe pika të kontrollit. Sulmet ajrore kanë vazhduar gjatë natës dhe ka pasur një seri shpërthimesh masive në periferi të Bejrutit.

    Luftimet kanë detyruar pothuajse 1.2 milion persona të largohen nga shtëpitë e tyre në Liban, sipas zyrtarëve në Liban.

    Të paktën nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë përleshjeve me militantët e Hezbollahut në jug të Libanit, ku Izraeli nisi më herët gjatë kësaj jave atë që tha se ishte një ofensivë e kufizuar tokësore.

    Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se “më shumë se 10 sulme të njëpasnjëshme” kanë goditur caqe në periferi të Bejrutit, duke thënë se sulmet e fundit ishin “ndër më të fuqishmet” që kur Izraeli ka nisur ofensivën në Liban.

    Ushtria izraelite nuk ka komentuar lidhur me cakun e sulmeve, por disa media dhe analistë kanë spekuluar se vendndodhja dhe madhësia e sulmit kanë lënë të kuptohet se personi i shënjestruar mund të ketë qenë Hashem Safieddine, i cili gjerësisht konsiderohet si personi që mund ta marrë udhëheqjen e Hezbollahut.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    Në javët e fundit, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë udhëheqësin e Hezbollahut Hassan Nasrallah, dhe disa komandantë të lartë. Qindra sulme të tjera ajrore në pjesë të ndryshme të Libanit të kryera që nga mesi i shtatorit kanë vrarë të paktën 1.276 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit.

    Pothuajse 2.000 persona janë vrarë dhe më shumë se 9.000 janë plagosur në Liban që kur nisën luftimet pothuajse një vit më parë.

    Shumica e sulmeve izraelite janë kryer në zonat ku Hezbollahu ka prani të madhe.

    Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore në zonën kufitare që nga tetori i vitit të kaluar, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

    Frika është rritur se konflikti mund të zgjerohet, teksa Irani, armiku i përbetuar i Izraelit, më herët gjatë javës gjuajti pothuajse 200 raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut./REL

  • Qytetarëve serbë në veri u shkojnë paralajmërime për ndërprerje të rrymës, 15 ditë afat t’i shlyejnë borxhet

    Qytetarëve serbë në veri u shkojnë paralajmërime për ndërprerje të rrymës, 15 ditë afat t’i shlyejnë borxhet

    Qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës janë duke marrë ditëve të fundit paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të borxheve të papaguara.

    Paralajmërimet, që i pa Radio Evropa e Lirë, jepen nga kompania serbe, Elektrosever, e krijuar në bazë të Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Afati për shlyerjen e borxheve për rrymën e konsumuar është 15 ditë.

    Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila monitoron punën e kompanisë Elektrosever, konfirmon se një numër i madh i qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

    “Energjia elektrike llogaritet nga subjekti i autorizuar [Elektrosever], faturat shpërndahen, por niveli i pagesës së faturave nga qytetarët është ende i ulët”, thonë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Megjithatë, në përgjigjen e tyre nuk specifikohet saktësisht se sa qytetarë nuk i paguajnë faturat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    “Në bazë të raportit që kemi marrë së voni nga Elektroseveri, llogaritet se në veri janë rreth 23 mijë konsumatorë. Sipas legjislacionit aktual dhe licencave të lëshuara, është përgjegjësi e Elektroseverit që t’i marrë të gjitha masat për pagesën e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.

    Kompania Elektrosever mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa, në fillim të këtij viti nisi dërgimin e faturave të para te konsumatorët.

    Ata nuk e paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta në Kosovë, më 1999.

    Si funksionon kompania Elektrosever?

    Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.

    Ajo buron nga Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Në faqen e internetit të kompanisë Elektrosever thuhet se, në bazë të licencës së marrë në Kosovë, ajo ka të drejtë të blejë dhe të shesë rrymë në tregun e energjisë elektrike, t’i rishesë kapacitetet e tepërta me çmime të dakorduara, si dhe të importojë dhe eksportojë energji elektrike.

    Pse qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike?

    Predragu nga Mitrovica e Veriut nuk i paguan faturat e rrymës, sepse beson se njehsori i tij është i vjetër dhe se faturat për shpenzimet e tij janë joreale.

    Ai thotë se faturat i merr rregullisht, por se e ka paguar vetëm të parën, të cilën e ka marrë në shkurt të këtij viti. Të tjerat thotë se nuk do t’i paguajë, sepse janë “anormale”.

    “Njehsori është i vjetër, i paraluftës… Askush nuk ka ardhur ta shikojë. Vijnë disa fatura anormale, nga 90 deri në 200 apo 250 euro”, thotë Predragu.

    Ai shton se pret që në periudhën e ardhshme ta ndërrojë njehsorin, që do ta lexonte bilancin e ri dhe në bazë të të cilit do t’i paguante faturat.

    Në fund të prillit, Elektroseveri nisi ndërrimin e njehsorëve të vjetër dhe vendosjen e të rinjve në objektet e reja që nuk kishin, por ky proces është ende në zhvillim e sipër.

    Njehsor të vjetër të rrymës ka edhe Nenadi, por ai thotë se i paguan rregullisht faturat.

    Ai tregon se, gjatë periudhës së verës, ka paguar mesatarisht 10 euro në muaj dhe thotë se mban rregullisht evidencë për rrymën e shpenzuar.

    “Unë paguaj [rregullisht] që të mos më grumbullohen faturat. Rryma duhet paguar. Një vendim i tillë është marrë dhe zyrtarët [e Elektroseverit] më kanë thënë se [faturat] duhet të paguhen”, thotë Nenadi.

    Aleksandra nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka dashur t’i paguajë faturat për rrymën e shpenzuar, kur ka filluar shpërndarja e tyre në fillim të vitit, por se, ndërkohë, ka ndërruar mendje.

    “Kam paguar faturën e parë… e cila ishte si një paradhënie. Më pas, kam bërë një pauzë të gjatë, por tani i kam shlyer të gjitha faturat”, thotë Aleksandra.

    Sipas saj, njehsorët e energjisë elektrike në veri të Kosovës e llogaritin vetëm rrymën e shtrenjtë dhe kjo është arsyeja përse disa amvisëri kanë fatura të larta.

    Çfarë thonë nga Elektroseveri?

    Kompania Elektrosever nuk iu përgjigj pyetjeve nëse qytetarët e komunave në veri të Kosovës i paguajnë rregullisht faturat, sa konsumatorë ka, çfarë masash do të merren ndaj atyre që nuk paguajnë dhe të ngjashme.

    Por, më 23 shtator, kjo kompani e njoftoi opinionin se paralajmërimi për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike do t’u dërgohet të gjithë konsumatorëve, borxhi i prapambetur i të cilëve është mbi 100 euro.

    Kompania, gjithashtu, u bëri thirrje qytetarëve që t’i mundësojnë qasjen në njehsorë, në mënyrë që të regjistrohet konsumi, dhe i ftoi sërish ata që të lidhin kontrata me Elektroseverin për furnizimin me energji elektrike.

    Nga Elektroseveri i kanë thënë më herët REL-it se ata që nuk kanë paguar faturën e parë preliminare dhe nuk kanë nënshkruar kontratë me ta, automatikisht bëhen konsumatorë të Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO).

    Por, në njoftimin e fundit thanë se Elektroseveri ka të drejtë ligjore që t’ua pezullojë furnizimin me energji elektrike konsumatorëve që nuk kanë kontratë me ta, si dhe atyre që nuk kanë mundësuar qasjen në njehsorë.

    “Furnizimi i sigurt dhe i qëndrueshëm me energji elektrike arrihet me shlyerjen e rregullt të faturave”, thuhet në njoftim.

    Në KESCO nuk iu përgjigjën pyetjes nëse kanë konsumatorë në komunat në veri të Kosovës.

    Në qershor të vitit 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila u arrit në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Pas kësaj, në fillim të dhjetorit të vitit 2023, BE-ja njoftoi se kompania serbe, Elektrosever, ka nënshkruar një kontratë komerciale me Kompaninë Kosovare të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS).

  • Nëntë ish-ministra sot intervistohen nga Komisioni hetimor për tekste mësimore

    Nëntë ish-ministra sot intervistohen nga Komisioni hetimor për tekste mësimore

    Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore sot do të mbajë mbledhjen e radhës.

    Në këtë mbledhje pritet që të intervistohen ish-ministrat e Arsimit dhe Financave: Hykmete Bajrami, Ramë Likaj, Shyqeri Bytyçi, Arsim Bajrami, Ramë Buja, Enver Hoxhaj, Bedri Hamza, Besim Beqaj dhe Avdullah Hoti.

    Mbledhja e këtij komisioni pritet që t137 filloj në ora 13:30.

  • Moti i vranët, priten reshje shiu

    Moti i vranët, priten reshje shiu

    Sot në Kosovë, pritet të mbizotërojë mot i vranët e me shi.

    Kjo sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ku thuhet gjithashtu se temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 19 gradë Celsius.

    “Mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu të intensitetit mesatar deri të lartë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-11gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-19gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-7 m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Mungesa e kontratës kolektive, në dëm të profesionistëve shëndetësor – FSSHK-ja me kritika në drejtim të Qeverisë

    Mungesa e kontratës kolektive, në dëm të profesionistëve shëndetësor – FSSHK-ja me kritika në drejtim të Qeverisë

    Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka paraqitur shqetësimet dhe pakënaqësitë e punëtorëve shëndetësor në vend, pasi Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka “dështuar ta nënshkruajnë kontratën kolektive”, raporton EO.

    Kryetarja e kësaj Sindikate Tevide Imeri, ka thënë se dialogun social me Qeverinë dhe Ministrin e Shëndetësisë është i mbyllur dhe si sindikatë janë të përjashtuar nga çdo instancë institucionale.

    Imeri ka theksuar me shkëputjen e kësaj kontrate kanë pësuar profesionistët shëndetësor, duke shtuar se tani kanë probleme me rrezikshmërinë, me kujdestarinë e çështje të tjera.

    Ajo ka theksuar se janë 9 mijë infermierë që janë larguar nga vendi e punojnë në Gjermani, teksa nuk i përjashtojnë veprimet sindikale, duke përfshirë grevat dhe protestat.

    “Kemi vendos këtë konferencë që të ju tregojmë problemet, hallet dhe piken se ku kemi ardhë dhe çfarë gjendje te mjerueshëm kjo Qeveri dhe Ministri (e Shëndetësisë) i ka sjelle punëtorin shëndetësor, institucionet shëndetësore por ka sjell edhe federatën ku e ka degraduar ku nuk ka ku të shkojë më. Me qeverinë aktuale kemi pasur takim, jemi betuar dhe zotuar që do t’i hapim rrugë dialogut social për ti zgjidh problemet me dialog dhe jo me mjete te cilat i lejon edhe ligji. Me krejt insistimin tonë për të vazhduar dialogun social ministria një anshme e ka mbyll dialogun social, pas qindra mesazheve zyrtare që i kam përcjelle nuk duan që t’i diskutojnë, jemi të përjashtuar me çdo instancë, në çdo instancë. Duke filluar me kontratën kolektive të cilën e kanë shkëputur një anshëm me premtimin në takim se do të startojmë menjëherë me kontratën e re. Ne nuk jemi pajtuar që të shkëputet, sepse ajo kontrata ka pasur pasuesin dhe duhet të vazhdoj kjo kontrata deri sa të nxjerrët e reja obligim ligjor e kanë me i nxjerr çdo tri vite kontrata. Arsyetimi ka qenë se po i ndërprenë të gjitha kontratat sektoriale kolektive për arsye se po bien ndesh me ligjin e pagave”.

    “Doli që nuk është ashtu, doli se humben benifite punëtorët shëndetësor prej asaj kontrate të shkëputur. E kemi proceduar në Gjykate nuk kemi marr as një përgjigje nga gjykata. Pas shtatë muaj hezitime për tu takuar marrim përgjigje se nuk do të bëhet kontrata kolektive prej ministrit se qeveria nuk po lejon. Cila është arsyeja sepse po dëshirojnë që të bëjnë kontrata të përgjithshme, kontrata e përgjithshme nuk duket fare në horizont, nuk ka as draft e as vullnet për të nënshkruar dhe besoni që krejt kjo kontratë kolektive ju ka shkaktuar më shumë probleme”, u shpreh ai.

    “Në Gjermani janë 9 mijë infermieri, fatkeqësia është se nga institucionet janë duke ikur, nga puna janë duke e lëshuar dhe kjo është e dhimbshme, do të vije një kohë që do të mbesim edhe pa infermierë edhe pa mjek nëse vazhdojnë që të trajtohen në këtë formë”, ka thënë ajo.

    Nënkryetari i Sindikatës Blerim Delija, ka thënë se me shkëputjen e kontratës kolektive qeveria ka bërë veprim kundërligjor, të cilën e kanë dërguar në gjykate, po tash e dy vite nuk ka një aktgjykim për këtë çështje.

    “Ata kanë bërë një veprim kundërligjor i cili ne e kemi dërguar në gjykate po gjykata që dy vite nuk po nxjerr vendim. Resurset humane janë të degraduara neper spitale kanë premtuar se nuk do të mbyllen reparte, kanë filluar që të mbyllen. Para tri dite në Mitrovice reparti infektiv po mbyllet me statutin i cili gjendet ne Gjykatë Kushtetuese që nuk i ka dhënë ende epilog gjykata këta janë duke vepruar. Janë duke ikur mjekët, me të madhe, janë duke ikur infermierët, është duke u degraduar shëndetësia e Kosovës”, ka thënë ai.

  • I akuzuari për krime lufte kërkon t’i ndërpritet paraburgimi: Nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova

    I akuzuari për krime lufte kërkon t’i ndërpritet paraburgimi: Nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova

    Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm sërish i akuzuari për krime lufte, Sladan Trajkoviq.

    Duke qenë se kishte ndryshime në trupin gjykues, i akuzuari Trajkoviq është pyetur sërish në lidhje me fajësinë e tij për të cilën është deklaruar i pafajshëm, ndërsa aktakuza duke qenë se është lexuar edhe më parë është konsideruar e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi e të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiç, në fjalën e tij hyrëse ka kërkuar nga trupi gjykues që të ndërrohet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me një masë më të lehtë.

    Sipas tij, gjykata nuk e ka dhënë asnjë arsyetim tjetër se përse i mbrojturi i tij po i vazhdohet masa e paraburgimit përpos arsyetimit se i njëjti ka dy nënshtetësi, dhe se ekziston rreziku i arratisjes.

    Kërkesën e mbrojtjes së tij e ka mbështetur edhe i akuzuari Trajkoviq.

    “Unë nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova, asgjë nuk kam në Serbi, të gjithën që e kam, atë që më vlen shpirtërisht e materialisht është këtu në Kosovë”, tha i akuzuari Trajkoviq.

    Tutje, në këtë seancë është dëgjuar edhe fjala hyrëse e prokurores speciale, Florie Shamolli e cila deklaroi se nga provat e marra e deklaratat e dëgjuara i akuzuari do të gjendet fajtor për veprën që i ngarkohet.

    Ajo gjithashtu i bëri kërkesë gjykatës që dëshmitë e marra të dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, kjo për shkaqe ekonomizimi të procedurës dhe eliminimi të zvarritjes së saj.

    Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, mori aktvendim përmes të cilit aprovoi kërkesën e prokurores Shamolli që dëshmitë e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, ndërkaq lidhur me kërkesën e mbrojtjes që të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit njoftoi se trupi gjykues do vendosin jashtë seancës dhe për të njëjtën kërkesë do të nxjerrin aktvendim në formë të shkruar.

    Duke qenë se mungonte prezenca e dëshmitarëve të padëgjuar, seanca është ndërprerë për të vazhduar në një datë tjetër.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

    Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

    Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.