ATV

Category: Lajme

  • Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba vetëm gjatë 24-orëve të fundit

    Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba vetëm gjatë 24-orëve të fundit

    Mos respektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka njoftuar se 1 mijë e 846 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, janë raportuar gjithsejt 71 aksidente, 26 prej tyre me persona të lënduar, ndërsa 45 prej tyre vetëm me dëme materiale.

  • Qytetarët e RMV-së mund ta padisin shtetin shkaku i ajrit të ndotur

    Qytetarët e RMV-së mund ta padisin shtetin shkaku i ajrit të ndotur

    Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, në procedurën para Gjykatës Administrative, mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen t’i miratojnë të gjitha dokumentet e nevojshme nga Ligji për cilësinë e ajrit ambiental dhe ta padisin në procedurë administrative nëse shëndeti i tyre është i rrezikuar.

    Kështu ka vendosur Gjykata Supreme në një seancë publike, gjatë javës, ku gjyqtarët diskutuan në lidhje me iniciativën e paraqitur nga Shoqata e Avokatëve nga Ohri, nëse shteti siguron ose jo kushte për realizimin e të drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Në vendimin parimor thuhet se “konform rregullativës kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti është i detyruar të sigurojë një mjedis të shëndetshëm, përfshirë të drejtën për ajër të pastër, si një të drejtë individuale të qytetarëve, të cilët si palë në procedurë administrative mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen të miratojnë dokumentet themelore të planifikimit nga neni 23 i Ligjit për cilësinë e ajrit ambiental, si akte të përgjithshme”.

    “Për realizimin e të drejtës për mjedis të shëndetshëm zbatohen dispozitat e Ligjit për mosmarrëveshjet administrative, të cilat sigurojnë mbrojtje gjyqësore nga aktet dhe veprimet e paligjshme, me të cilat cenohen të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, kur kjo mbrojtje konkrete gjyqësore nuk është parashikuar nga Kushtetutë dhe ligjet e tjera”, thuhet në qëndrimin parimor.

    Ky qëndrim i Gjykatës Supreme u mor pasi Gjykata Administrative disa herë ka refuzuar paditë e qytetarëve se Maqedonia e Veriut nuk merr masa për mbrojtjen e mjedisit. Me këtë qëndrim parimor, ngarkohet Gjykata Administrative që të veprojë ndryshe nga praktika e deritashme.

  • PDK-ja e AAK-ja thonë se rritja e pensioneve është bërë për ta larguar vëmendjen nga heqja e masës së produkteve serbe

    PDK-ja e AAK-ja thonë se rritja e pensioneve është bërë për ta larguar vëmendjen nga heqja e masës së produkteve serbe

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë prej 20 për qind, ka qenë një vendim për ta larguar vëmendjen qytetarëve nga largimi i masës së sigurisë ndaj produkteve serbe, raporton Ekonomia Online.

    Ata kanë shtuar se të gjitha këto veprime të qeverisë lidhen me fushatën elektorale në mënyrë që të mos u humbasin votuesit e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

    Deputeti i PDK-së Ardian Kastrati, ka thënë për Ekonomia Online se vendimi i qeverisë së Kosovës në lidhje me vendosjen e masës së sigurisë ndaj Serbisë ka qenë “manipulim dhe ka shkaktuar vetëm dëme ekonomisë së Kosovës”, teksa përmend edhe tensionimin e aleatëve ndërkombëtar.

    Ai ka theksuar se për të tërhequr vëmendjen, siç ka thënë nga skandalet që ka bërë qeveria në pushtet me veprimet e saj, së fundi ka marr vendim që t’i rris pensionet për 20 për qind.

    “Është një nga manipulimet e Albin Kurtit, se ne nuk jemi të sigurt se çafër masash të sigurisë kanë qenë këto. E kemi parë reagimin e Odës Ekonomike Amerikanë që kjo masa i ka lënduar bizneset tona të cilat kanë marr edhe lëndë të para edhe nga BE-ja përmes Serbisë. Kur vie para presionit që të përjashtohet nga CEFTA, prapë u tërheq dhe i tërhoqi këto masa. I bie se këto masa nuk kanë pasur kurrfarë efekti për një vit e gjysme përveç së dëme ekonomisë së Kosovës dhe tensionim me altet ndërkombëtar. U mundua që të fsheh edhe çështjen e tërheqjes së masave dhe të gjitha skandalet që kanë ndodhur këtyre ditëve. Për ti fshehur këto skandale natyrisht se ky duhet që të ndërmerr disa vendime siç është 20 për qindëshi rritje për pensionistë”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se rritja e pensioneve për 20 për qind është një ofendim për pensionistet pasi nuk përputhet me rritjen e çmimeve dhe inflacionin.

    “Është ofendim për ta sepse po ti shihni para katër viteve inflacioni dhe çmimi ju e shihni se vlera e euros është zbritur jashtëzakonisht shumë dhe për tu rikthyer para katër viteve në të njëjtin standard si kanë jetuar me atë lloj pension, do të duhej që së paku 35 deri 40 për qind të ngritshin pensionet”, ka thënë ai.

    Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, ka thënë se e kanë pritur tërheqjen e qeverisë nga vendimi për masën ndaj Serbisë, kjo pasi sipas saj, kryeministri Albin Kurti gjithmonë nuk i ka mbajtur qëndrimet e tij, edhe pse ka shkaktuar dëme Kosovës.

    “Po as që e kam pritur që do e mbajnë këtë qëndrim se këta as një herë, as një veprim që e kanë nisur pa koordinim që është bërë me aleatët tanë ndërkombëtar, por qoftë edhe me opozitën nuk e kanë mbajtur. Gjithmonë Albini është kthyer prapa njëjtë sikurse për targat, sikur se për krejt veprimet e terja të cilat në fakt e kanë sjellë Kosovën në kaos dhe ky kryeministër ka punuar në drejtimin që të punoj për vota, për partin politike, për LVV-në. Qoftë edhe nëse dëmtohet interesi i Kosovës”, ka thënë ajo.

    Ajo ka thënë se rritja e pensione për 20 për qind është vetëm veprim elektoral dhe se kjo është një rritje e vogël që nuk ka ndikim në mirëqenie e pensionistëve.

    “Efekt elektoral, do të thotë veprime elektorale. Ka qenë rritje e vogël që nuk e besoj që do të ndikoj në mirëqenie  e pensionistëve kjo rritje e vogle prej 20 eurove. Po do të mundohet tash me veprime të tilla sa do të vogla që janë, veprim elektorale që ti ruaj pozicion qeveritare. Ne jo nuk do të kemi koalicion, një mendimi i imi personal që koalicion të kenë partitë opozitare që janë sot dhe ta kemi një qeveri stabile. Sepse një qeveri që nuk i ka sjellë as një njohje Kosovës, as një anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare, jemi shtet i sanksionuar, me masa nga BE-ja dhe që kemi humbur aleatet tanë”, ka thënë ajo.

  • Policia e arreston shoferin e kamionit që shkaktoi aksidentin me 11 të lënduar në Veternik

    Policia e arreston shoferin e kamionit që shkaktoi aksidentin me 11 të lënduar në Veternik

    Dje në mesditë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në Veternik të Prishtinës, ku një kamion del nga korsia e tij, thyen anësoret e rrugës dhe godet 11 vetura, raporton Sinjali.

    Si pasojë e këtij aksidenti 11 persona kanë mbetur të lënduar, ku gjashtë nga ta po trajtohen në QKUK.

    Sinjali ka mësuar ekskluzivisht edhe emrin e shoferit që shkaktoi aksidentin e rëndë e që bëhet fjalë për E.M. – që tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.

    Lajmin për aksidentin e rëndë e konfirmoi edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ku tha se 11 vetura u përfshinë e u lëndua 11 persona.

    “Sot rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se në Veternik ka ndodhë një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 11 persona”, ka thënë ajo për Sinjalin.

    Ndërkaq, si shkak i këtij aksidenti rruga për Veternik mbeti e bllokuar me orë të tëra nga kolanat që u krijuan.

  • Ymeri: Qeveria po investon në propagandën për veriun, tri institucionet në duar të Kurtit

    Ymeri: Qeveria po investon në propagandën për veriun, tri institucionet në duar të Kurtit

    Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë për Ekonomia Online, se Kosova rrezikon të izolohet edhe më shumë si shkak i përplasjeve me partnerët ndërkombëtar.

    Ymeri ka thënë se si shkak i veprimeve të qeverisë Kurti, Kosova është rrezikuar të largohen edhe nga Procesi i Berlinit, forum i vetëm rajonal me të cilën Kosova është e pranishme me të gjitha simbolet e veta.

    Ish-kreu i VV-së ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po investon në propagandën e vet në keqkuptim të qëllimshëm për situatën në veri të vendit, ndërsa thekson se Qeveria, Kuvendi e Presidenca janë në duar të Albin Kurtit.

    “Problemi është se ne mund të shkojmë po ku të shkojmë, sepse ne me këtë rrugë filluam të shkojmë nga izolimi dhe kjo është rrugëtim. Neve na u tërhoq vërejtja seriozisht me përjashtim nga Procesi i Berlinit. Është forumi i vetëm rajonal në të cilën Republika e Kosovës është e pranishme si Republikë me të gjitha simbolet e veta. U rrezikuam të përjashtohemi edhe nga tregu i përbashkët rajonal, si pjesë e Procesit të Berlinit. Në të cilën Kosova do të kishte me pësuar ekonomikisht, sepse do të kishte me qenë gati si një izolim i plotë ekonomik i Kosovës, meqë natyrisht marrëdhëniet tona ekonomike veçanërisht tregtare më së shumti zhvillohen me vendet e rajonit. Pra kjo rrugë e kjo politikë që po e ndjekë kryeministri Kurti e përplasjes ndërkombëtarë asnjë nuk sjellë rezultatet e premtuara dhe ndërkohë po na prish marrëdhëniet tona me ndërkombëtarë duke ua pranuar kompromiset. Deri tani ne nuk e kemi një politikë të Republikës dhe Kosovës e cila nuk e ka pranuar kompromisin pavarësisht. Të gjitha kompromise të cilat kanë thënë që nuk i pranon i ka pranuar”, ka thënë Ymeri.

    Ymeri ka thënë se si shkak i këtyre veprimeve të kryeministrit Albin Kurti, Kosova nuk po gjen përkrahje as për kërkesat e saja legjitime.

    “Sot ka vullnet thuajse zero tek shtetet të cilat e kanë ndihmuar Kosovën historikisht prej ShBA-së, Gjermanisë, Britania e Madhe e kështu me radhë. Sot ne kemi parë edhe kërkesat të cilat janë legjitime të Qeverisë së Kosovës nuk gjen të interesuar në Perëndim. Nëse ne vazhdojmë me kësi lloj politike dhe me një kryeministër i cili vazhdimisht tensionon situatën, i prish marrëdhëniet dhe nuk është konstruktiv. Është kundër kompromisit kjo prishje e marrëdhënieve natyrisht që do të rezulton gradualisht edhe në prishjet me marrëdhëniet me Kosovën”, ka thënë Ymeri.

    Sipas Ymerit, çështja e veriut përdorët politikisht nga kryeministri Albin Kurti, pasi “sovraniteti është i këndshëm për veshin e qytetarit”. Ka thënë se Qeveria po investon në propagandën e saj për t’u dukur se vërtetë në veri po ndodh revolucion.

    “Natyrisht që zotëri Kurti nuk është naiv dhe natyrisht e dinë këtë por ai ka dy interesa të ndryshme, e para është interesi elektoral. Ai po dëshiron që të ketë sukses elektoral i cili ka një lidhje të shkurtër në mes të diskutimit dhe diskursit publik dhe mënyrën se si e kuptojnë qytetarët. Tema për të cilën po flasim sovraniteti këto janë tema të cilat janë të këndshme për veshin e qytetarit, por nëse nuk hymë të shpjegojmë me detaje këto munden të keqkuptohen thellë. Mendoj që Qeveria e Kosovës po investon në propagandën e vet në keqkuptim të qëllimshëm. Kjo është e qëllimshme dhe është e projektuar qëllimisht në mënyrë që të duhet se atje me të vërtetë po ndodh revolucioni”, ka deklaruar Ymeri.

    Ymeri i cili udhëheq me institutin “Mousine Kokolari”, thekson se partitë opozitare maksimalisht po punojnë për ta shfrenuar “keqqeverisjen e Albin Kurti”. Si shembull merr dërgimin e Projektligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe “moslejimin e kapjes” së institucioneve të pavarura.

    “Ne nuk mundemi me krahasuar katërvjeçarin e qeverisjes së Kurtit me të cilëndo prej etapave të mëhershme të cilësdo prej qeverive. Së pari, e ke pas një Qeveri me 50 për qind asnjëherë nuk e kemi pas këtë rast, e dyta kjo Qeveri e ka pasur edhe Presidencën sepse presidentja Osmani ka qenë praktikisht një lloj zgjatimi i kryeministrit Kurti, tash së fundi po shihen disa qarje, mirëpo këto janë duke u parë vetëm muajt e fundit, ndërkohë që ne e kujtojmë që katërvjeçari i kaluar ka qenë një simbiozë gati se e pakëputshme, pra e ke pasur Qeverinë-Parlamentin dhe Presidencën”, u shpreh Ymeri, duke thënë se si shkak i shumicës që ka kryeministri Albin Kurti, është e pamundur për partitë opozitare.

    “Tri institucionet kryesore në duar të një njeriu, dhe veprimet në këto rrethana për një opozitë cilado qoftë ajo, nuk është i lehtë. PDK, LDK dhe AAK, secila në vete mendoj që ka bërë të jashtëzakonshme, veçanërisht në parandalimin e kapjes gati absolute të institucioneve të pavarura dhe autonome, siç është gjyqësori e të tjerat. Me të gjitha ato ligje që i kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe që i kanë fituar rastet”, u shpreh Ymeri.

  • Bideni i kërkon Izraelit të mos godasë paqeruajtësit e OKB-së

    Bideni i kërkon Izraelit të mos godasë paqeruajtësit e OKB-së

    Presidenti amerikan Joe Biden, thotë se ai po i kërkon Izraelit të mos godasë paqeruajtësit e OKB-së ndërsa kryen operacione kundër Hezbollahut në Libanin jugor.

    Kur Bideni u pyet nga një gazetar në Shtëpinë e Bardhë nëse po e bënë këtë, ai u përgjigj “absolutisht”.

    Misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban (Unifil) tha sot se selia e tij në Naqoura u prek nga shpërthimet për herë të dytë në 48 orë – me katër paqeruajtës të plagosur gjatë të dy ditëve.

    Ushtria izraelite tha më herët se kishte goditur një bazë Unifil të premten kur “trupat identifikuan një kërcënim të menjëhershëm kundër tyre aty pranë dhe hapën zjarr”.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Mot me më shumë diell pritet të ketë gjatë kësaj fundjave në vend, derisa temperaturat do të zbresin rreth vlerave mesatare.

    Vransirat që dominojnë vendin orëve të mëngjesit, deri nga mesdita fillojnë të shpërndahen, e më pas do të ketë intervale më të gjata me diell.

    Orëve të mbrëmjes kalojnë vransira, por pa kushte për të reshura. Temperaturat minimale zbresin në 9C e 13C, e ato maksimale shkojnë deri në 18C e 20C.  Frynë erë e lehtë dhe mesatare veriore 4-9m/s.

  • Vizita dyditore e emisarit amerikan, këto janë mesazhet që dha për Kosovën

    Vizita dyditore e emisarit amerikan, këto janë mesazhet që dha për Kosovën

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

    Kasanof, zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet për një grup gazetarësh në Prishtinë, në fund të vizitës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

    “Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.

    “Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.

    Kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës është përballur shpesh me kritika nga SHBA-ja dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të disa veprimeve që ato i kanë cilësuar si të njëanshme – përfshirë heqjen nga përdorimi të dinarit serb dhe mbylljen e strukturave paralele serbe.

    Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë ambasadorin në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kanë thënë se këto veprime ndikojnë në cilësinë e marrëdhënieve SHBA-Qeveri e Kosovës.

    Kasanof theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara “mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik”.

    “Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.

    Sipas tij, SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij.

    Kjo, siç tha ai, përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

    Kasanof tha, gjithashtu, se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të angazhohet edhe me pjesëtarët e komuniteteve pakicë.

    “Zgjedhjet në SHBA s’mund ta ndryshojnë në mënyrë dramatike politikën ndaj Kosovës”

    I pyetur nëse zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen më 5 nëntor, mund të ndikojnë në çfarëdo mënyre në qasjen e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi ose në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kasanof tha:

    “Politika e jashtme e SHBA-së bazohet në interesat tona kombëtare dhe nuk ka gjasa që interesat tona kombëtare të ndryshojnë në një shkallë të tillë që do ta ndikonte llogaritjen apo politikën në mënyrë dramatike, kur bëhet fjalë për Kosovën”.

    Ai vuri në dukje se vizita e tij e parë në Kosovë ishte “kryesisht një vizitë dëgjimore” dhe “për të mësuar më shumë për çështjet”.

    “Kam mësuar shumë dhe ato informacione do t’i transmetoj kur të kthehem në Uashington”, tha Kasanof.

    Kasanof qëndroi në Prishtinë pas vizitave që bëri këtë javë në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

    Ky ishte turneu i tij i parë në rajon prej se mori detyrën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor në korrik të këtij viti.

  • Deputetja Fjolla Ujkani zhvillon një takim të rëndësishëm në kuadër të Procesit të Berlinit

    Deputetja Fjolla Ujkani zhvillon një takim të rëndësishëm në kuadër të Procesit të Berlinit

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Në një darkë pune, ajo u takua me Manuel Sarrazin, Përfaqësues Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, dhe Anna Lührman, Ministre e Shtetit në Zyrën për Punë të Jashtme të Federatës Gjermane.

    Përmes një postimi në Facebook, Ujkani theksoi se Gjermania mbetet një aleate e fuqishme e Kosovës, duke kontribuar në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

  • Qarkullimi i tregtisë me pakicë dhe numri i të punësuarve, ky sektor shënon rënie

    Qarkullimi i tregtisë me pakicë dhe numri i të punësuarve, ky sektor shënon rënie

    Në muajin korrik të këtij viti, indeksi i qarkullimit të tregtisë me pakicë përveç tregtisë së automjeteve dhe motoçikletave kishte rritje më të madhe te tregtia me pakicë jo në dyqane, (Përmes postës apo internetit) 194.23%; Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 92.98%. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rënie kishte te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara -60.58%; Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuar -30.41%, krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Korrik 2023).

    “Ndërsa, indeksi i numrit të të punësuarve kishte rritje më të madhe te: Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara 43.45%; Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 37.31%; Ndërsa rënie kishte te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara -60.58%; Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuar -30.41% krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Korrik 2023)”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

    Kurse, sa i përket indeksit të fondit të pagave dhe mëditjeve në muajin korrik indeksi i fondit të pagave dhe mëditjeve kishte rritje me te madhe te Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 61.32%; Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara 46.7%; Ndërsa rënie kishte te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara -28.73%; Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara -5.05% krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Korrik 2023).