ATV

Category: Lajme

  • Eksperti i komunikacionit për aksidentin me fatalitet në Vushtrri: Kompanitë që aplikojnë për tenderë, me vete e kanë vetëm një fletë A4 për sigurinë në rrugë

    Eksperti i komunikacionit për aksidentin me fatalitet në Vushtrri: Kompanitë që aplikojnë për tenderë, me vete e kanë vetëm një fletë A4 për sigurinë në rrugë

    Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit, në emisionin COMPASS në ATV, lidhur me rastin tragjik në komunën e Vushtrrisë, ku një i ri humbi jetën në aksident, për të cilin u raportua se kishte mungesë të sinjalistikës në rrugë, tha se secila kompani që aplikon për tender, e vetëm një fletë të formatit A4 për sigurinë rrugore.

    “Më vjen keq, por unë e dëgjova edhe zëvendësministrin kur foli edhe më erdh shumë rëndë për shkak se secila kompani që merret me ndërtimin e rrugës, në kuadër të dokumentacionit për aplikimin për tender, e kanë vetëm një fletë A4 si projekt të sigurisë rrugore”, tha Dedaj.

    Ai tha se hetimi për aksidentin duhet të zhvillohet në dy pista, duke e pasur parasysh edhe kohën kur ka ndodhur aksidenti, që ishte me dukshmëri të kufizuar, apo natën.

    “Nëse flasim për aksidentin që ka ndodh, me sa kam parë unë dhe me kanë ardhë edhe disa video, atëherë këtu janë dy pista të hulumtimit që duhet me pasë kujdes gjatë hulumtimit secili ekspert që ta marrë në dorë, është së pari faktori rrugë, pra elementet e sinjalizimit, të cilat kanë ndikuar drejtë si shkaktarë të aksidentit edhe e dyta është faktori njeri, në qoftëse konstatohet se drejtuesi i automjetit e ka zhvilluar një shpejtësi më të madhe se sa shpejtësia e sigurisë në rastin konkret. Por, megjithatë kur flasim edhe për shpejtësinë, duhet me u shtri hulumtimi kah elemntete e faktorit rrugor sa ka pasur mundësi teknike që drejtuesi i automjetit të ketë informacione lidhur me punimet në rrugë dhe lidhur me sinjalizimin meqenëse si duket aksidenti ka ndodhur në kohën me dukshmëri të kufizuar ose natën”, tha Dedaj.

    Intervistën e tij të plotë në emisionin COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahmani: Jemi dëshmu se e kemi kauzë mbrojtjen e familjes, Kodin Civil nuk e kam votu as në opozitë, e as në pozitë

    Rrahmani: Jemi dëshmu se e kemi kauzë mbrojtjen e familjes, Kodin Civil nuk e kam votu as në opozitë, e as në pozitë

    Eman Rrahmani nga “Lista për Familjen”, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kjo listë edhe identifikohet me kauzën në mbrojtje të familjes, në krahasim me partitë e tjera të cilat këtë po e përdorin vetëm për fushatë.

    “Në fushatë për mua është normale, mirëpo kësaj radhe e kam parë që kanë filluar me i futë edhe në programe të tyre politike edhe me e shpeshtu më shumë këtë gjuhën për marrjen e kësaj votës, por mendoj që neve si organizim më i veçantë edhe identifikim pikërisht me këtë kauzë ka me qenë shumë më e lehtë për shkak që ne e kemi dëshmu gjatë këtyre katër viteve që jemi të vetmit që i kemi mbrojë dhe i mbrojmë këto vlera dhe nuk ndryshojmë pavarësisht pozicionit, qëndrimet qoftë kur kemi qenë në pushtet, qoftë në opozitë. Unë kodin Civil sa kam qenë në Vetëvendosje nuk e kam votu në mandatin e kalum duke qenë në opozitë bashkë me Vetëvendosjen, por nuk e kam votu në pozitë përkundër Vetëvendosjes këtë mandat”, tha Rrahmani.

    Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni ën videon më poshtë:

  • Muja me projeksionet e tij, jep shifra befasuese për zgjedhjet

    Muja me projeksionet e tij, jep shifra befasuese për zgjedhjet

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se sondazhet e besueshme në dy vitet e fundit e kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje afër 50 për qind.

    “Unë e di me siguri që në dy vitet e fundit, çdo sondazh i besueshëm e ka nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje ndërmjet 49.3 dhe 49.8 për qind brenda vendit, duke përfshirë edhe sondazhin e fundit, i cili është 49.8 për qind,” tha Muja.

    Ai shtoi se LV-ja do ta ketë edhe një mandat tjetër, duke theksuar se sipas tij, Qeveria do të jetë stabile dhe nuk do të varet nga ndonjë koalicion.

    “Unë jam më se i bindur që populli i Kosovës do ta vazhdojë edhe një mandat tjetër dhe do t’ia ofrojë Qeverisë Kurti edhe një mandat për të kompletuar të gjitha reformat dhe synimet tona strategjike. Unë jam i bindur për këtë dhe më e mira do të ishte një Qeveri që është stabile dhe që nuk varet nga asnjë konjukturë politike, e cila në të kaluarën u ka shërbyer grupeve të interesit,” tha Muja.

  • “Je kah spekulon, lidhje s’ki”, përplasje e ashpër për rrymën në veri mes deputetit Armend Muja dhe moderatorit Leart Hoxha

    “Je kah spekulon, lidhje s’ki”, përplasje e ashpër për rrymën në veri mes deputetit Armend Muja dhe moderatorit Leart Hoxha

    Një debat i ashpër u zhvillua sonte në emisionin CONTEXT në ATV, ku drejtuesi i emisionit, Leart Hoxha, pati përplasje me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

    Debati nisi kur Hoxha e pyeti Mujën për shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës gjatë periudhës kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në pushtet.

    Hoxha nguli këmbë të dinte shumën e saktë të shpenzuar, por Muja u përpoq ta shmangte përgjigjen duke thënë se kostoja e saktë e shpenzimeve duhet të vlerësohet nga profesionistët.

    “Je kah spekulon, lidhje s’ki,” i tha Hoxha, duke e sfiduar deputetin që të jepte të dhëna më të sakta.

    “Nëse po thu 400 milionë janë shpenzu, kah e ka prejardhjen kjo shifër?”, insistoi Hoxha.

    “Jo, ti je kah spekulon, edhe lidhje s’ki”, ia ktheu Muja, ndërsa Hoxha ia ktheu: “Qe, demantom, e ke mundësinë”.

  • Muja për zgjedhjen e Trump: Kosova dhe SHBA janë në harmoni të plotë në politikën e jashtme, pavarësisht administratës në pushtet

    Muja për zgjedhjen e Trump: Kosova dhe SHBA janë në harmoni të plotë në politikën e jashtme, pavarësisht administratës në pushtet

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për fitoren e Donald Trumpt në SHBA, tha se Kosova dhe SHBA-ja kanë harmoni të plotë në politikë të jashtme, pa marrë parasysh se cila administratë është në pushtet, qoftë Republikanë apo Demokratë.

    “Besoj që Kosova ka qenë gjithmonë partner 100 për qind e strategjisë, sigurisë së SHBA-së dhe 100 për qind e pikave prioritare në politikën e jashtme të SHBA-së qoftë nga Republikan apo Demokratë, ne kemi harmi të plotë me politikën e jashtme të SHBA-së, në fakt e kundërta është nga Serbia dhe besoj që edhe administrata Trump ta ketë një përqendrim më të madh që të sigurojë që përfundimisht Serbia të tërhiqet nga orbita e influencës kineze dhe ruse”, tha Muja.

    Ai tha se prioritetet e administratës Trump janë edhe prioritete të Kosovës.

    “Pa marrë parasysh sa kemi se kush qeverisë në SHBA apo ka qeverisur në Kosovë, aleanca strategjike me SHBA-të mbetet prioritet dhe do të mbetet prioritet për gjeneratat që vinë. Mendoj që kjo është një udhërrëfim për gjithë skenën politike në Kosovë dhe normalisht ka qenë udhërrëfim edhe për ne. E dyta është sa i përket ndryshimit në administratë, unë besoj që edhe tek administrata Trump kishte shume mesazhe të cilat edhe për ne si Kosovë kanë rëndësi. Prioritizimi ose përqendrimi i administratës Trump ose mesazhi i tyre, përpjekja për t hequr influencën e Kinës dhe Rusisë nga Evropa në përgjithësi, po edhe nga Ballkani është edhe prioritet i joni strategjik. Përpjekja e administratës Trump që të sigurojë që sidomos teknologjia e avancuar 5G të mos depërtojë në Evropë, ka qenë edhe prioritet i joni, të cilin e kemi zbatu mjerisht kjo nuk është respektuar në Serbi”, tha Muja.

  • Abdixhiku nga tubimi në Prishtinë: LDK shpresa e parë dhe e fundit të Republikës së Kosovës

    Abdixhiku nga tubimi në Prishtinë: LDK shpresa e parë dhe e fundit të Republikës së Kosovës

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur Turneun e Ndryshimit në Prishtinë e që do të vazhdojë edhe në 10 qytete tjera të Kosovës si dhe në diasporë.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdxhiku tha se ky turne e këto tubime, nuk janë vetëm manifestim i fuqisë elektorale të LDK-së, por edhe thirrje e afrimit e përbashkimit me secilin qytetarë të Republikës së Kosovës.

    “Më e madhe është kjo kënaqësi, kur takohemi kështu, kaq shumë, në një vend, si vulë e momentumit tonë të mirë, si një frymë e pandalshme për ndryshim! Sepse, LDK është e popullit. Sepse LDK i takon qytetarëve të Kosovës”, tha Abdixhiku para anëtarëve të 5 degëve të Prishtinës.

    Ai tha se sa herë që gjërat shkojnë keq e mbrapshtë, qytetarët kanë një adresë të vetme për të zgjidhur këto probleme.

    “Kanë një shtëpi dhe një shtëpi të vetme, kanë Lidhjen Demokratike të Kosovës – shpresën e parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës. Këtë LDK, që e kërkojnë tash e sa kohë, tashmë e kanë. Këtë LDK, që kërkon, përbashkon, që ngritet mbi çdo sfidë, tashmë e kanë”, tha Abdixhiku.

    Abdixhiku tha se LDK si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e ka për obligim të shtrijë dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës.
    “Kur LDK ngritët në këmbë bashkë, s’ka asgjë që e ndanë, s’ka asgjë që e ndalë! Kjo rrugë s’bëhet pa ne! Këtë rrugë na takon ta bëjmë ne”, tha Abdixhiku.

  • ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron Donald Trump

    ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron Donald Trump

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka përgëzuar Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

    Në deklaratë, KASH po ashtu përgëzon popullin amerikan për një tjetër shembull të shkëlqyer të ushtrimit të demokracisë, që frymëzon botën dhe rikujton vlerat e lirisë dhe drejtësisë.

    “KASH mbetet i bindur se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të thellohen mbi bazën e vlerave tona të përbashkëta dhe interesave strategjike për zhvillim dhe siguri, si aleatë në NATO. Besojmë se mbështetja e SHBA-së për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët do të forcohet më tej, duke kontribuar në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhmen e gjithë rajonin tonë”, thuhet në deklaratë.

  • “B2” jashtë funksionit, Kosova po importon 1.5 milion euro rrymë në ditë

    “B2” jashtë funksionit, Kosova po importon 1.5 milion euro rrymë në ditë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Korporata Energjetike e Kosovës e ka ndalur prodhimin në njësinë B2 të termocentralit Kosova B, të mërkurën mbrëma, për shkak të problemeve teknike.

    ATV-ja ka mësuar se shkak për këtë ishte një rrjedhje e brendshme dhe deri më tani nuk ka një afat për rikthimin e saj në funksion.

    Aktualisht, sipas zëdhënësit të KEDS-it, Lulzim Krasniqi, prodhimi vendor mbulon vetëm gjysmën e nevojës për konsum.

    “Së fundmi është rëndu situata për shkak të konsumit nga konsumatorët tanë, por edhe rritjes së çmimit të energjisë në bezhën ndërkombëtare. Aktualisht, kemi një prodhim vendor prej rreth 450 megavat për orë, ndërkaq në anën tjetër konsumi u rrit për 18 %, se deri në 900 megavat në kohën e pikut të kërkesës së konsumit të saj”, tha Krasniqi.

    Në këto rrethana, sipas Krasniqit, furnizimi i pandërprerë me energji elektrike është i varur nga importi me çmime të larta.

    “Kemi rritje të çmimit, është paguar deri në 700 euro për megavat në orë ndërkaq pritet të importohen 1.5 milion euro në ditë”, tha Krasniqi.

    Rrjedhimisht, sipas tij, edhe faturat e energjisë elektrike pritet të jenë më të larta se zakonisht.

    Sipas programit për zbatimin e strategjisë së energjisë, këtë vit, për rehabilitimin e thellë të dy njësive prodhuese në termocentralet Kosova A dhe B, do të duhej të investoheshin rreth 200 milionë euro, por asnjëri nga dy projektet nuk ka nisur.

    Për këtë gjendje, sipas Kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, fajin e ka qeverisja aktuale.

    “Krejt kjo po pason në xhepin e qytetarëve, ata që po dëmtohen financiarisht janë qytetarët, vjetërsia e tyre dihet, defekte të tilla janë të pritshme, kjo qeveri ka dështuar në realizimin e mirëmbajtjes apo investimeve në termocentrale…”, tha Shala.

    Megjithatë, të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, KEK-u nuk dha detaje për arsyet e ndaljes së prodhimit e as se kur pritet të kthehet në prodhim njësia B2.

  • Asnjë rast i dhunës në familje s’u dënua maksimalisht në Kosovë

    Asnjë rast i dhunës në familje s’u dënua maksimalisht në Kosovë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kodi penal parasheh dënimin maksimal prej 3 vjetësh për ata që ushtrojnë dhunë në familje.

    Por, deri më tani në Kosovë asnjë rast i tillë nuk është dënuar me kaq vjet burgim.

    Bazuar në këtë, në drejtim të institucioneve të drejtësisë u adresuan disa kritika e kërkesa.

    “Edhe sot më duhet me zë të lartë të thërras institucionet që të adresojnë përgjegjësitë që kanë, të mos i neglizhojnë rastet e dhunës në familje dhe që të marrin veprimet në përputhje me legjislacionin në fuqi, në raport me këto raste”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ndërkohë, derisa foli për programin kombëtar për kryerësit e Dhunës ndaj Grave të hartuar nga MD-ja, Haxhiu theksoi se janë trajnuar 15 profesionistë, ndërkaq ky program mori lëvdata nga zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.

    “Mangësi që është vërejtur gjatë pilotimit është kohëzgjatja e ulët e dënimeve, pra dënimet e ulëta kanë bërë që gjatë kohës sa të dënuarit kanë qenë duke e ndjekur këtë program, kanë përfunduar dënimet e tyre dhe mendoj se kjo ka sjellë situatën që ata është dashur ta ndërpresin këtë program. Programi kombëtar për kryesit e dhunës ndaj grave nuk është përgjegjësi të zbatohet vetëm nga MD-ja. Fillimi i zbatimit efektiv nis pikërisht atëherë kur prokurori ose gjyqtari e integrojnë programin si pjesë të dënimit dhe kryesve të dhunës, duke e mbajtur përgjegjës për krimin e bërë dhe duke i dhënë dënimin e merituar”, tha Haxhiu.

    “Është një program psiko-social që i mban kryesit përgjegjës për krimet që kanë kryer dhe i mëson ata që t’i ndalin këto sjellje të dhunshme dhe të ndërtojnë raporte të respektit të ndërsjellët. E shoh përkushtim tuaj për vlerat tona të përbashkëta dhe luftën kundër dhunës gjinore dhe grave dhe është privilegj të punojmë për ju…”, tha Tabkut Soykan, zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës.

    Në nëntor të vitit 2023, ministria e Drejtësisë ka lansuar “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili u pilotua në Qendrën Korrektuese në Dubravë për 6 muaj.

  • Dyshohet se pranuan ryshfet për paisje me patentë shofer, arrestohen nënë e bir

    Dyshohet se pranuan ryshfet për paisje me patentë shofer, arrestohen nënë e bir

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nënë e bir, dyshohet se pranuan ryshfet nga dy kandidatë të cilët deshën të pajisen me leje të kategorisë B dhe C, pa iu nënshtruar fare testit teorik e as atij të vozitjes, për çka u arrestuan nga Policia e Kosovës.

    Si rrjedhojë autoshkolla, me pronarë të Kaçanikut që operon edhe në Komunën e Hanit të Elezit, u mbyll, por, njësoj nuk u veprua me selinë kryesore.

    Dy të arrestuarit dyshohen për dy vepra penale “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”.

    Ndërsa, me qëllim që të zbardhet rasti, policia mblodhi edhe dëshmi të tjera.

    “Dy (2) telefona mobilë; Regjistratorë-libra – gjithsej pesë (5); Fletore regjistrimi; fletore interne dhe xhepi – gjithsej shtatë (7); Gjashtëdhjetekatër (64) dosje origjinale të kandidatëve; Njëzetenjë (21) certifikata mjekësore të shoferëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    E arrestuara H. S. është drejtoreshë e Kulturës në komunën e Kaçanikut dhe deri në një vendim të gjykatës, Komuna nuk do të ndërmarrë masa.