ATV

Category: Lajme

  • Dështon mbledhja e jashtëzakonshme për buxhetin në kuvendin komunal të Gjilanit

    Dështon mbledhja e jashtëzakonshme për buxhetin në kuvendin komunal të Gjilanit

    Mbledhja e jashtëzakonshme e planifikuar në Komunën e Gjilanit, ku pritej të diskutohej mbi buxhetin, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, raporton ATV.

    Nga 35 asambleistë të ftuar, 21 munguan, duke e pamundësuar vazhdimin e seancës. Në mbledhje ishin të pranishëm vetëm 14 asambleistë, çka e bëri të pamundur vazhdimin e seancës.

    Arsyeja e dështimit të kësaj mbledhjeje është bojkoti nga ana e LDK-së dhe PDK-së, që ndikoi direkt në mungesën e numrit të nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes. /atvlive.tv

  • Rama viziton dy familje strehuese: Çdo fëmijë meriton një shtëpi të ngrohtë

    Rama viziton dy familje strehuese: Çdo fëmijë meriton një shtëpi të ngrohtë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar dy familje strehuese në kryeqytet, raporton EO.

    Rama ka thënë se çdo fëmijë meriton një shtëpi të ngrohtë, si dhe dikë që përkujdeset për të.

    “Në mungesë të familjes biologjike, për rrethana e shkaktarë të ndryshëm, këtë ngrohtësi e ofrojnë familjet strehuese. Sot, Kryetari Përparim Rama, bashkë me drejtoreshën për Mirëqenie Sociale Adelina Sahiti, takuan dy familjet strehuese të kryeqytetit dhe të atyre jashtë Prishtinës që kujdesën për fëmijë tanë”, tha Rama.

    “Ata shprehën mirënjohje të thellë për humanitetin e tyre dhe me vëmendje dëgjuan se cilat janë sfidat e tyre të përditshme. Si Kryeqytet jemi të përkushtuar për ta fuqizuar dhe më tej këtë formë të mbrojtjes sociale. Faleminderit partnerit tonë Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP për punën e palodhshme ndër vite. Bashkë për fëmijët tanë”, ka shkruar Rama në rrjetin e tij social Facebook.

  • ​Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, diskutohet mes Osmanit dhe kryeministrit të Estonisë

    ​Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, diskutohet mes Osmanit dhe kryeministrit të Estonisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e ri të Estonisë, Kristen Michal.

    Osmani tha se në Kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, kanë diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e poashtu edhe për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

    “Ishte kënaqësi të takoj Kryeministrin e ri të Estonisë, z.Kristen Michal. Në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, diskutuam për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, si dhe për shtyrjen përpara të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE. Falënderuese për mbështetjen e fuqishme të Estonisë!”, ka shkruar Osmani.

  • Kurti takon mërgatën në Oslo

    Kurti takon mërgatën në Oslo

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nesër do të takojë mërgatën në Oslo të Norvegjisë, me fillim nga ora 20:00.

    Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se kryeministri Kurti do të jetë i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    “Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherazi Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të takojnë mërgatën në Oslo, Norvegji. Takimi fillon në orën 20:00 në adresën Stortingsgata Konferanse, 20 Stortingsgata, 0161 Oslo. Ky takim është pjesë e një serie takimesh që Kryeministri po zhvillon me diasporën për të forcuar lidhjet dhe për të diskutuar rolin e rëndësishëm që ka diaspora për zhvillimet në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • ​Rama: Shqipëria merr stafetën e mikpritësit të Komunitetit Politik Europian

    ​Rama: Shqipëria merr stafetën e mikpritësit të Komunitetit Politik Europian

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë një ditë më parë në Budapest, Hungari, në takimin e pestë të Komunitetit politik Europian, së bashku me 47 kryetarë shtetesh e qeverish nga e gjithë Evropa.

    Liderët pjesëmarrës diskutuan mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, në seancën plenare, e cila u pasua nga katër sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike.

    Kryeministri Rama ndau foto nga takimet e mbajtura, teksa Shqipëria sipas Ramës mori stafetën e mikpritësit të Komunitetit Politik Evropian në gjysmën e parë të 2025.

    “Fotoalbumi i një tjetër dite domethënëse të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ku vendi ynë mori stafetën e mikpritësit të Komunitetit Politik Europian në gjysmën e parë të 2025”, u shpreh Rama./ATSH/

  • KQZ sot paralajmëron mbledhje, këto janë temat që do të trajtohen

    KQZ sot paralajmëron mbledhje, këto janë temat që do të trajtohen

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e paralajmëruar për sot do të trajtojë disa pika të rendit të ditës.

    Sipas njoftimit të KQZ-së sot do të shqyrtohet rekomandimi për regjistrimin e partisë politike Bashkimi Demokratik.

    Poashtu në këtë mbledhje do të raportohet për aktivitetet e Sekretariatit të KQZ-së dhe do të ketë raport të Këshillave të KQZ-së.

    Rendi i ditës:

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së

    2. Procesverbali i mbledhjes së KQZ Nr.58 dhe 59/2024

    3 Aktivitetet e Sekretariatit të KQZ

    4.Aktivitetet e Zyrës

    4.1 Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për regjistrimin e partisë politik BASHKIMI DEMOKRATIK

    5. Raport i Këshillave të KQZ

    5.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    5.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Listës së Qendrave të Votimit

    5.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i Specifikave teknike për shtypjen e distinktivëve për procesin e Votimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025 dhe Zgjedhjet Lokale 2025

    5.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i projektit- Fushatë ndërgjegjësuese për promovimin e barazisë gjinore në proceset zgjedhore

    5.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të aktiviteteve për edukim dhe informim dhe materialeve të tjera

    5.1.5. Formimin i Këshillit për Informim Publik

    5.2. Këshilli për Personel

    5.2.1. Njoftim lidhur me procesin realizimit te rekrutimit për pozitat e përhershme dhe te përkohshme

    5.2.2. Shqyrtimi dhe aprovimi i listës se kandidateve potencial për pozitën: Udhëheqësi I Njësisë për Regjistrim dhe Certifikim të Subjekteve Politike në ZRCKFSP

    5.2.3. Rekomandim për themelimin e grupit punues për sistemim dhe digjitalizim të arkivës së KQZ-së

    5.2.4. Shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ 02/2015 për Arkivin dhe Lëndët

    Arkivore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

    5.3. Këshilli për Çështje Ligjore

    5.3.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për zëvendësimin e anëtari të kuvendit komunal në Pejë

    5.4. Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë

    5.4.1. Shqyrtimi dhe miratimi i pjesëmarrjes së KQZ-së në konferencën “Informimi dhe angazhimi i votuesve – një perspektivë rajonale mbi sfidat dhe mundësitë për të rritur pjesëmarrjen në votime”, në Varshavë, Poloni

    5.4.2. Shqyrtimi dhe miratimi i pjesëmarrjes së KQZ-së në takimin e Rrjetit Zgjedhor të Rezistencës Kibernetike dhe Informacionit (CIREN), në Pragë, Çeki

    5.6. Këshilli për Buxhet dhe Financa

    5.6.1. Shqyrtimi dhe miratimi i raportit të shpenzimeve të derivateve për veturat e KQZ-së, për periudhën janar – shtator 2024

    5.6.2. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për blerjen e inventarit për KQZ-në

    6. Të ndryshme

  • ​83 vjet nga formimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë

    ​83 vjet nga formimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë

    Më 8 nëntor 1941, disa anëtarë të grupeve komuniste të Shkodrës, Korçës dhe Tiranës, që ushtronin aktivitetin e tyre ilegal qe nga mesi i viteve ’30, u mblodhën në një shtëpi tiranase dhe shpallën krijimin e Partisë Komuniste.

    Në formimin e PKSH-së nuk u zgjodh udhëheqësi i saj, por koordinator i degëve të partisë u caktua Enver Hoxha, i cili ishte sekretar i partisë në Tiranë, por në mars 1943 në Konferencën e Vendit Enver Hoxha u zgjodh kryetar partie.

    Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania, PKSH-ja merr pushtetin në dorë dhe Enver Hoxha në këtë periudhë luante rolin e kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme, ministrit të Mbrojtjes dhe udhëhiqte ushtrinë e vendit.

    Periudha 40-vjeçare e sundimit të Enver Hoxhës, u karakterizua edhe nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.

    Gjithashtu, diktatura komuniste, u karakterizua nga metodat staliniste të asgjësimit të bashkëpunëtorëve të tij, që kërcënonin pushtetin e tij personal.

    Komunizmi në Shqipëri pësoi rënie në vitin 1989.

  • Haradinaj sot prezanton kandidatët për deputetë nga dega e Rahovecit

    Haradinaj sot prezanton kandidatët për deputetë nga dega e Rahovecit

    Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, sot pritet do të bëjë prezantimi i kandidatëve për deputetë nga dega e Rahovecit.

    Ai paraprakisht pritet të mbajë takim me strukturat udhëheqëse të degës së Aleancës në qytetin e lartcekur.

    Ngjarja është paraparë të fillojë nga ora 18:30.

  • Mëngjesi i ftohtë, gjatë ditës kryesisht me diell

    Mëngjesi i ftohtë, gjatë ditës kryesisht me diell

    Kthjellimet dhe diellosja e gjatë do të karakterizojnë motin ditën e premtë.

    Vransira të pakta të larta kalojnë herë herë mbi vend. Përgjatë ultësirave paraqiten kushte për mjegull apo mjegullinë, orëve të mëngjesit, si dhe ngrica të dobëta me temperatura minimale prej -3C deri 0C, njofton Prishtina Weather.

    Dominojnë më shumë qetësitë, ndërsa ditën do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga jugu e lindja 1-5m/s. Temperaturat maksimale mbesin të larta për këtë periudhë kohore dhe shkojnë deri në 15C e 16C.

    Kushte stabile vijojnë edhe përgjatë fundjave, mirëpo nga dita e diel parashihet rënie e temperaturave në 10C, e të hënën në 8C e 9C. Minimalet zbresin në -2C e -4C. Vransirat pritet të shtohen ditën e martë, e krejt më vonë në mbrëmje apo me kalimin në ditën e mërkurë mund të priten kushte për të reshura shiu.

  • Isufi: Kjo Qeveri po e përfundon mandatin pa rezultate dhe me zhgënjim të madh të qytetarëve

    Isufi: Kjo Qeveri po e përfundon mandatin pa rezultate dhe me zhgënjim të madh të qytetarëve

    Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, në emisionin COMPASS në ATV, tha se kjo qeveri po e përfundon mandatin pa rezultate dhe me një zhgënjim të madh të qytetarëve.

    “Ne gjatë tërë kohës si opozitë, kemi vepruar në terren, kemi mbajtë strukturat AAK-së, kemi komuniku me qytetarë dhe tani jemi duke e bërë edhe promovimin e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës e që është një angazhim i yni permanent sepse shqetësimet e qytetarëve janë në shumë fusha, e kjo qeverisje për katër vjet, veç duke e përfunduar mandatin po del pa rezultate dhe me një zhgënjim të madh të qytetarëve të Kosovës, sepse kanë pritur shumë më shumë, madje jemi befasuar edhe ne si opozitë sepse kemi menduar se do të marrin shembull nga puna e mirë që kanë mund të bëjnë në të kaluarën qeveritë, nga gabimet e tyre të mësojnë e të mos bëjnë gabime, e përkundrazi, ne kemi vërejtje shumë në politikën e brendshme, e cila është zhvilluar në Kosovë për këtë kohë”, tha Isufi.

    Intervistën e tij të plotë në COMPASS e gjeni ën videon më poshtë: