ATV

Category: Lajme

  • “Mandarinat me pesticide”, AUV-i fillon testimin e çdo ngarkese

    “Mandarinat me pesticide”, AUV-i fillon testimin e çdo ngarkese

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Mandarina ka ende me bollëk, por interesimi për t’i blerë ka rënë.

    Qytetarët janë të shqetësuar se disa ngarkesa me mandarina klementinë të kultivuara në Fier e Berat të Shqipërisë, shtet prej ku edhe Kosova e importon këtë frutë, janë kthyer pas nga disa shtete të BE-së, pasi rezultuan me vlera të larta të pesticideve.

    Pas informatës, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari menjëherë ka filluar marrjen e mostrave. Sipas zëdhënësit Lamir Thaçi, çdo ngarkesë që mbërrin në Kosovë do të qëndrojë në Pikat e Kontrollit Kufitar deri në marrjen e rezultateve të analizave laboratorike.

    “Përveç Shqipërisë janë edhe Greqia e Turqia, prej secilës i kemi marrë mostrat I kemi dorëzua në laborator për me i pa rezultatet se a janë njësoj edhe mandarinat të cilat janë importuar në Kosovë”, tha Thaçi.

    Përveç masave të brendshme, AUV ka theksuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare.

    Rrezik për jetë jo por nëse vlera e pesticideve në mandarina rezulton mbi mesataren, shkaktohen disa probleme shëndetësore te konsumuesit.

    “Kur e kemi një sasi te larte të konsumit kemi me pas komplikacione akute e kronike, dhimbje marramendje, helmim barkqitje, bujqit duhet të kenë kontroll në dozimin e frutave me pesticideve, disa prej tyre paraqiten gradualisht e disa menjëherë”, tha Flora Hajrizi, nutriciste.

    Derisa rasti i mandarinave po trajtohet qytetarët duan inspektime edhe te produkteve tjera.

    E kjo s’është hera e parë që frutat e importuara dyshohen për vlera të larta të pesticideve.

    Nëntë vjet më parë, 23 tonë limonë me origjinë nga Turqia, ishin asgjësuar pasi vlera e pesticideve rezultoi dy herë më e lartë se mesatarja.

  • ​Mundësitë për investimet e huaja, Kurti takon delegacionin e bizneseve nga Izraeli

    ​Mundësitë për investimet e huaja, Kurti takon delegacionin e bizneseve nga Izraeli

    Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim një delegacion të bizneseve nga Izraeli të profilizuara në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, teknologjisë dhe prodhimit.

    Ai me këtë rast informoi përfaqësuesit e kompanive me ofertën që vendi ynë ka për investitorë të huaj, leverditë e kornizës ligjore, përparësitë e fuqisë punëtore, dhe progresin ekonomik në katër vjetët e fundit.

    Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e hapura në Kosovë për investime të huaja. Kryeministri veçoi planet dhe investimet që vendi po bën në infrastrukturë, me theks në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, ku dje u hap ankandi i ri për energji të erës me kapacitet 100MW.

    Ndryshe, delegacioni izraelit në takimin me kryeministrin Kurti udhëhiqej nga Eyal Waldman, konsull nderi i Kosovës në Izrael.

  • ​Mësohet vlera e dëmit të shkaktuar nga sulmi terrorist në Ibër-Lepenc

    ​Mësohet vlera e dëmit të shkaktuar nga sulmi terrorist në Ibër-Lepenc

    Rreth 400 mijë euro është dëmi i shkaktuar nga sulmi terrorist më 29 nëntor 2024 në kanalin Ibër-Lepenc, teksa dëmi i synuar ishte rreth 2.5 milionë euro.

    Kjo u bë e ditur sot gjatë një vizite që kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishin në ndërmarrjen Ibër-Lepenci në Prishtinë.

    Ministrja Rizvanolli tha se pas sulmit terrorist, falë angazhimit të institucioneve është arritur që termocentralet të mos ndalin punën.

    “Dëmi i synuar që do të ndodhte sikur të arrihej ndërprerja e furnizimit, siç ka qenë e planifikuar, do të ishte rreth 2.5 milionë euro vetëm në import të energjisë elektrike, të mos flasim për paralizimin e aktivitetit ekonomik, të ngrohjes së qytetarëve, të furnizimit me ujë dhe shumë shërbime të tjera. Andaj është shumë me rëndësi për të gjithë akterët që ta kemi parasysh kur flasim për këtë çështje që fokusi kryesor dhe mesazhi kryesor është se u evitua një dëm i madh, jo pse qëllimi i sulmit ka qenë i parëndësishëm, por sepse nuk e ka arritur qëllimin e vet edhe falë reagimit të shpejtë dhe të duhur të institucioneve, veçanërisht Ibër-Lepencit”, deklaroi Rizvanolli.

    Derisa u pyet për dëmin e shkaktuar nga ky sulm terrorist, ministrja Rizvanolli tha se “kjo është çështje teknike”. Ndërkaq, kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka theksoi se në takim me kryeministrin Kurti kanë diskutuar për sulmin terrorist të 29 nëntorit në Varagë të Zubin Potokut.

    “Ne e kemi bërë një analizë të përafërt, dëmi, riparimi dhe renovimi do të na kushtojë diku rreth 400 mijë euro, por kjo do të bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore, me të cilët edhe jemi duke e realizuar projektin e riparimit të kanalit Ibër-Lepenc, i cili pritet të përfundojë më 30 qershor të vitit të ardhshëm… Dëmi do të përfundojë sa më shpejt që është e mundshme, por projekti i Bankës Botërore do të përfundojë vitin e ardhshëm…Punimet do të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur, unë besoj që brenda dy-tri javëve maksimumi do të jetë funksional”, u shpreh ai.

    Mujka është pyetur edhe për “tokat e uzurpuara rreth kanalit të Ibër-Lepencit.

    “Neve nuk na është kujtuar vonë, por unë besoj që edhe ju jeni të vetëdijshëm që qasja e institucioneve tona ka qenë shumë e kufizuar më parë atje, falë Zotit dhe qeverisjes së suksesshme, qasja edhe në pronat tona në veri tani është shumë më e lehtë”, tha Mujka.

    Paraprakisht, ministrja Rizvanolli dhe kryeministri Kurti vizituan ndërmarrjen KRU Prishtina.

    “Nga humbja për tre nga katër vjetët paraprakë, në vitin 2022 ka pasur një fitim mbi 300 mijë euro, ndërsa sivjet pritet të tejkalojë 600 mijë euro. Sigurisht që si kompani publike ne nuk presim nga kompanitë tona, nuk e kanë mision parësor fitimin financiar. Mirëpo, për ne është një shenjë që pasuria publike po menaxhohet me zell dhe ndershmëri. Kjo krijon kushte për më shumë investime. Një aspekt tjetër që dua ta cek për përmirësimet në KRU Prishtina është që kompaninë e kemi gjetur me opinion të kundër të auditorit, me pasqyra financiare që nuk konsiderohen të besueshme. Ndërsa, në dy vjetët e fundit kjo është përmirësuar në opinion të kualifikuar”, deklaroi Rizvanolli.

    Edhe kryeshefi i KRU Prishtina, Arsim Fetahu foli mbi të arriturat e kompanisë dhe projektin për ujëra të ndotura.

    “Është e vërtetë që viteve të fundit po fillojmë nga shkalla e inkasimit, një ngritje të shkallës së inkasimit në vlerën mbi 100 për qind. Po arkëtojmë edhe borxhet e kaluara. Jemi shumë në fazë të mirë të realizimit të projekteve të investimeve kapitale në sferën e ujit të pijshëm, por edhe në pjesën e ujërave të ndotura. Një projekt, i cili pritet të jetë zgjidhje për ujërat e ndotura të Prishtinës, Graçanicën e Fushë Kosovën, Obiliqit, vlera e tij kalon vlerën 230 milionë euro”, u shpreh ai.

    Në mbrëmjen e 29 nëntorit në Varage ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi.

    Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

    “Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Kryeministri Kurti tha se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar.

    Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës. Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike.

    Sulmin e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it. /kp

  • ​Forcimi i aftësisë mbrojtëse të aleatëve, Radev bisedë telefonike me Rutte

    ​Forcimi i aftësisë mbrojtëse të aleatëve, Radev bisedë telefonike me Rutte

    Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev kishte sot një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për mjedisin e sigurisë dhe sfidat, njofton Sekretariati i Presidencës për shtyp.

    Rutte po viziton zonën e trajnimit Novo Selo në Bullgari ku u njoh me aktivitetet e grupit shumëkombësh të betejave me Italinë si vend kuadër dhe Bullgarinë si vend pritës.

    Të dy liderët diskutuan mbi sfidat që lidhen me mjedisin e ndërlikuar të sigurisë në Evropën Lindore dhe nevojën për të forcuar aftësitë mbrojtëse të aleatëve.

    Kreu i shtetit bullgar nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Bullgaria për modernizimin e forcave të armatosura, dhe tha se parlamenti dhe qeveria e re pritet ta çojnë përpara këtë proces.

    Ai bëri thirrje gjithashtu për ndërtimin e shpejtë të një tubacioni nafte të NATO-s në Evropën Lindore, i cili do të rrisë sigurinë e furnizimeve me energji në rajon.

    Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi kontributin e Bullgarisë në sistemin e sigurisë kolektive dhe rëndësinë e modernizimit të forcave të armatosura bullgare.

    Duke marrë parasysh sfidat serioze gjeopolitike me të cilat përballet NATO, Rutte u kërkoi vendeve anëtare të synojnë objektiva më të larta të shpenzimeve për modernizimin e mbrojtjes dhe rritjen e aftësive mbrojtëse. /BTA

  • Abdixhiku mbledh nesër 150 bizneset më të mëdha në Kosovë, prezanton projektet kryesore

    Abdixhiku mbledh nesër 150 bizneset më të mëdha në Kosovë, prezanton projektet kryesore

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të mbajë nesër një takim me 150 bizneset më të mëdha në Kosovë – gjë që deri më tash asnjë partitë tjera në Kosovë nuk e ka bërë.

    Ai pritet t’ua prezantojë atyre projektet kryesore që LDK do të zhvillojë në vitet në vazhdim. Abdixhiku po ashtu do të shpalosë planin e LDK-së për përmirësimin e klimës së biznesit, mbështetje për sektorin privat dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

    “Bizneset në Kosovë kanë nevojë për përkrahje jo për burokraci. LDK do të reduktojë burokracinë për biznese, në mënyrë që të zhvillohen pa pengesa nga shteti. Programi ynë parasheh që ndihmojë ato kompani që kanë nevojë për të arritur standardet e kërkuara të cilësisë që kanë potencial për eksport. Qeveria aktuale ka ngulfatur bizneset dhe nuk ka ofruar përkrahje për to”, kishte thënë Abdixhiku më herët.

    Edhe vitin e kaluar, kreu i LDK-së kishte takuar bizneset kryesore të Kosovës dhe ua kishte prezantuar programin “Rruga e Re”.

  • ​Osmani drekë pune me Musar

    ​Osmani drekë pune me Musar

    Presidentja Vjosa Osmani priti sot në një drekë pune homologen e saj sllovene Natasha Pirc Musar, me të cilën bisedoi mbi zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik, si dhe për thellim të vazhdueshëm të raporteve me Slloveninë.

    Osmani ka potencuar se Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngushtë të Kosovës, mbështetja e vazhdueshme e së cilës ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë.

    Ajo po ashtu ka shprehur mirënjohjen e thellë në emër të qytetarëve të Kosovës për trupat sllovene që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, të cilët presidentja Musar i ka vizituar mbrëmë me rastin e festave të fund-vitit.

  • Kjo komunë ka dyfishuar numrin e banorëve, derisa një tjetër shënon rënie

    Kjo komunë ka dyfishuar numrin e banorëve, derisa një tjetër shënon rënie

    Për dyfish më shumë Komuna e Fushë-Kosovës ka rritur numrin e banorëve. Sipas rezultateve para përfundimtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të publikuara sot, kjo komunë regjistron 63 mijë e 949 ose dyfish më shumë krahasuar me rezultatet e regjistrimit të vitit 2011, kur kjo komunë kishte 34 mijë 827.

    Për dallim nga Fushë-Kosova, në rezultatet e ASK-së vërehet se disa komuna të vendit kanë shënuar rënie të popullsisë, siç është rasti i Komunës së Klinës, e cila krahasuar me vitin 2011 del se ka 8 mijë banorë më pak. Pra, sipas rezultateve të fundit numëron gjithsej 30 mijë e 503 banorë, derisa në 2011 kishte regjistruar 38 mijë 496 banorë.

    Sipas ASK-së, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë. Numër ky që ka shënuar rënie krahasuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2011. Në atë vit Kosova kishte 1 milion e 739 mijë e 825 banorë.

  • Haradinaj: Hovenier ka qenë shumë më shumë se sa ambasador, e jashtëzakonshme ka qenë ndihma e tij

    Haradinaj: Hovenier ka qenë shumë më shumë se sa ambasador, e jashtëzakonshme ka qenë ndihma e tij

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Amerikës, Jeffrey Hovenier.

    Haradinaj ka thënë se ambasadori Hovenier ishte i pari që vizitoi shtëpinë e re të AAK-së.

    “I pari që ka ardhur në shtëpinë e re të Aleancës, ka qenë miku i madh dhe aleati i Kosovës, Ambasadori Amerikan, Jeffrey Hovenier. Po në këtë shtëpi, sot e pritëm në takimin lamtumirës të tij si ambasador e si mik”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se Hovenier ishte më shumë se sa ambasador i Kosovës.

    “Jeffrey Hovenier, ka qenë shumë më shumë se sa Ambasador. Ai ishte mik, partner e kontribuues i jashtëzakonshëm i afrimit të Kosovës me Amerikën dhe Amerikës me Kosovën. E jashtëzakonshme ka qenë ndihma e tij edhe në kapërcimin e sfidave me të cilat jemi përballur gjithë këto vite si dhe në forcimin e demokracisë në vend”, është shprehur Haradinaj.

    I pari i AAK-së i ka ndarë mirënjohjen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet.

    “Për kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë midis popullit të Kosovës dhe atij amerikan, Ambasadorit Hovenier, sot i kam ndarë mirënjohjen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Ismet Bahtijari pranon fajësinë për frikësim të dëshmitarit dhe pengim të drejtësisë

    Ismet Bahtijari pranon fajësinë për frikësim të dëshmitarit dhe pengim të drejtësisë

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Bahtijari, e ka pranuar fajësinë para Dhomave të Specializuara në Hagë dhe është pajtuar me një dënim deri në dy vjet burgim.

    Bahtijari e bëri këtë nëpërmjet një marrëveshjeje për pranim të fajësisë që e arriti me Prokurorinë e Specializuar.

    Ai akuzohet se, së bashku me Haxhi Shalën dhe Sabit Jonuzin, kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar për të mos dëshmuar para Gjykatës Speciale.

    Deri më tani, nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhet fjalë apo në cilin rast ka qenë e paraparë të dëshmojë ai.

    “Fajtor”, tha Bahtijari para panelit gjyqësor kur u pyet se si deklarohet për akuzat ndaj tij, në seancën e datës 19 dhjetor.

    Me këtë marrëveshje, ndër tjera, Bahtijari u pajtua që në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apelimi ndaj këtij vendimi.

    Një ditë më parë, edhe Shala e Jonuzi e pranuan fajësinë në gjykatë pas marrëveshjeve që arritën veç e veç me Prokurorinë./REL

  • ​KQZ: Të gjithë kandidatët certifikohen për zgjedhje, sipas KGJK-së

    ​KQZ: Të gjithë kandidatët certifikohen për zgjedhje, sipas KGJK-së

    Asnjërit nga kandidatët e subjekteve politike nuk do t’i pamundësohet certifikimi si kandidat për deputet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    Një mijë e 280 kandidatë për deputetë nga 28 subjekte politike i janë nënshtruar verifikimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse ndonjëri pre tyre “është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.

    Elezi tregoi se pas përfundimit të periudhës së aplikimit për certifikim, KQZ-ja ka përcjellur në disa institucione listat e kandidatëve për deputetë me qëllim të verifikimit nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Në mesin e këtyre institucioneve prej të cilave KQZ ka kërkuar verifikim është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

    “Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër tjerash parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili ‘është dënuar në tri [3] vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv’, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, tha Elezi.

    Sipas KQZ-së, gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280.

    Deri më tani, KQZ-ja ka certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputetë, ndërsa janë në pritje edhe 17 subjekte politike me 674 kandidatë.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Deri më tani, KQZ ka marrë vendime të veçanta për certifikimin grupit të pare prej 11 subjekteve politike me gjithsej 606 kandidatë për deputetë. Për pjesën e mbetur të subjekteve politike dhe kandidatëve, janë duke u shqyrtuar të gjitha aplikimet edhe në raport me aspektet tjera të ligjit dhe shumë shpejt do të përgatiten rekomandimet, të cilat do të prezantohen në mbledhjen e KQZ-së”, tha Elezi.