ATV

Category: Lajme

  • Kongresi amerikan shqyrton mundësinë e ndalimit të tregtimit të dronëve kinezë

    Kongresi amerikan shqyrton mundësinë e ndalimit të tregtimit të dronëve kinezë

    Rivaliteti ekonomik dhe teknologjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës tashmë është shfaqur edhe tek tregu i dronëve, ku markat kineze janë dominuese.

    Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të tregtisë së mëtejshme të dronëve nga dy kompani kineze, me argumentet se pajisjet mund të përdoren për të spiunuar amerikanët dhe se modelet me kosto të ulët po dëmtojnë industrinë amerikane të dronëve.

    Një projektligj për mbrojtjen, i miratuar nga Kongresi javën e kaluar, synon ndalimin e tregtisë së dronëve të prodhuar nga firmat “DJI Technology” dhe “Autel Robotics”, nëse përfundimet e një hulumtimi tregojnë se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare amerikane.

    Por përdoruesit amerikanë, që nga punonjësit e rendit, fermerët, topografët, industria e filmit, varen nga dronët e prodhuar në Kinë, kryesisht të firmës DJI.

  • Përurohet shërbimi për Fertilizim të Asistuar Mjekësor në QKUK

    Përurohet shërbimi për Fertilizim të Asistuar Mjekësor në QKUK

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë përuruar shërbimin e ri të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

    Për këto produkte, është thënë se deri më tani qytetarët kanë shpenzuar 1 mijë deri në 1 mijë e 500 euro në sektorin privat, ndërsa tani do t’i marrin falas.

    Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës, në mungesë të votave.

    Institucionet private shëndetësore ofrojnë këtë shërbim për vite të tëra, të cilat janë licencuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 06/2013 për frytnimin e asistuar mjekësor.

  • “Erë tradhtie”, protestë në Sllovaki pas vizitës së kryeministrit Fico në Rusi

    “Erë tradhtie”, protestë në Sllovaki pas vizitës së kryeministrit Fico në Rusi

    Një protestë u zhvillua para ndërtesës së qeverisë sllovake në Bratislavë të hënën, në përgjigje të udhëtimit të kryeministrit Robert Fico në Moskë, ku ai u takua me presidentin rus Vladimir Putin.

    “Kjo erë tradhtie”, shkruhej në një pankartë ndërsa shumë të tjera tregonin mbështetje për Ukrainën dhe kritikonin Ficon.

    Kryeministri i Sllovakisë vizitoi Rusinë të dielën, duke u bërë kështu lideri i tretë perëndimor që takohet me kreun e Kremlinit që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë që nisi rreth 3 vite më parë.

    Fico, një kritik i zëshëm i BE-së mbi mbështetjen që unioni 27 anëtarësh i jep Ukrainës deklaroi se kishte diskutuar me Putinin furnizimin e Sllovakisë me gaz rus, pasi Bratislava vijon të ketë varësi nga Moska mbi çështjet energjetike.

  • Perëndimi shpreh shqetësim për moscertifikimin e Listës Serbe: Këto veprime minojnë parimet themelore demokratike

    Perëndimi shpreh shqetësim për moscertifikimin e Listës Serbe: Këto veprime minojnë parimet themelore demokratike

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

    “Jemi të shqetësuar nga përfshirja e dukshme e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kryer nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Veprime të tilla minojnë parimet themelore demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe i hapin derën ndikimit politik subjektiv për procesin zgjedhor”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka thënë se ndjen keqardhje për vendimin e KQZ-së, duke vlerësuar që të gjithë kandidatët duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta.

    “Procesi i certifikimit duhet të bëhet mbi baza të standardeve ligjore dhe procedurave në përputhje me ligjet, dhe jo në bazë shqyrtimesh politike”.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se ndan shqetësimet e njëjta me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për moscertifikim e Listës Serbe.

    “Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është procedurë formale që nuk duhet të politizohet”, ka thënë ai përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.

    SHBA-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive që nuk janë të kënaqura me vendimet e KQZ-së, që t’iu drejtohen mekanizmave adekuatë, sikurse Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    “KQZ-ja ka rol të rëndësishëm në mbikëqyrje të zgjedhjeve, që të garantojë se ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Përgjegjësitë e saj duhet të jenë thellësisht të bazuara në procedura ligjore dhe jo në shqyrtime politike”, është thënë mes tjerash në reagimin e Ambasadës amerikane.

    Lists Serbe e ka quajtur vendimin e KQZ-së si të kundërligjshëm dhe ka thënë se deklaratën kryesore do ta bëjë kryetari i partisë, Zllatan Ellek, në paraditen e së martës.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.

    Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

    Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

  • Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleancës

    Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleancës

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aktualisht nuk sheh rrezik të ndonjë sulmi rus në territorin e aleancës, mirëpo e sheh të ardhmen me shqetësim.

    “Nuk ka vend për frikë tani”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve dpa, i pyetur nëse vendet e NATO-s duhet të frikësohen nga Rusia, mirëpo ka shtuar se “nëse nuk shpenzojmë më shumë dhe nuk prodhojmë më shumë, do të kemi problem serioz në katër, pesë vjet”.

    Rusia e ka zgjeruar në masë të madhe prodhimin për qëllime të mbrojtjes, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

    Sipas Ruttes, aleatët e NATO-s nuk janë duke bërë shumë për ta luftuar këtë gjë.

    “Na duhet ta rrisim prodhimin për mbrojtje, bazën industriale të mbrojtjes”, ka thënë ai.

    “Duhet krijuar linja të reja prodhimi, ndërrime shtesë, sepse nuk jemi duke prodhuar mjaftueshëm pajisje ushtarake për t’u mbrojtur në afat të gjatë”.

    Rutte pret edhe presion prej presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili ka kërcënuar me tërheqje prej NATO-s përgjatë mandatit të parë, nëse aleatët nuk shpenzojnë për mbrojtje 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

    “Ai do të kërkojë që të bëjmë më shumë. Dhe ka të drejtë. Duhet të bëjmë më shumë”, ka thënë Rutte.

    “Aleatët e NATO-s janë të përkushtuar që të investojnë 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje. Dhe shumë vende evropiane tani e kanë arritur atë synim”, ka thënë Rutte.

    Megjithatë, ai ka thënë se sheh problem në mbrojtje kundër Rusisë, nëse nuk rriten shpenzimet edhe më shumë.

    Rutte nuk ka thënë nëse aleatët e NATO-s duhet të shpenzojmë 3 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, apo edhe më shumë.

    Vendimi për shpenzime pritet të merret në samitin e radhës të aleancës, që do të mbahet në qershor.

    Përgjatë fushatës zgjedhore në SHBA, Trump pati thënë se e konsideron të domosdoshme që vendet anëtare të aleancës të shpenzojnë 3 për qind të buxhetit të tyre.

    Ka raportime që Trump mund ta rrisë kërkesën në 5 për qind./REL

  • Vuçiq: Kurti po përpiqet të eliminojë të vetmin kundërshtar politik në Kosovë, që është Lista Serbe

    Vuçiq: Kurti po përpiqet të eliminojë të vetmin kundërshtar politik në Kosovë, që është Lista Serbe

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përpiqet të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në listën e serbëve të Kosovës.

    “Albin Kurti në fakt po tenton të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë, që është Lista Serbe. Kurti, me ndihmën e aleatëve të tij, dëshiron të shfaros popullin serb nga krahina jugore”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

    Siç shtoi ai, populli serb është në një situatë gjithnjë e më të vështirë në Republikën Srpska, prandaj edhe Parlamenti i Serbisë do të jetë në seancë nesër.

    “Nëse Zoti është me ju, nga çfarë keni frikë? Nëse jo, për çfarë po shpresoni? Gjithashtu, pres që në shtatë ditët e ardhshme të zbulohen sanksionet amerikane kundër NIS. Kur kësaj i shtohen edhe sulmet e ashpra të grupeve të ndryshme të presionit brenda vendit, është e qartë për të gjithë se qëllimi përfundimtar është kolapsi i Serbisë. Serbinë nuk ia japim askujt dhe Serbia nuk ndalet! Nuk ka dorëzim”, tha presidenti i Serbisë.

  • ​Nënshkruhet marrëveshja për certifikimin e produkteve

    ​Nënshkruhet marrëveshja për certifikimin e produkteve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë nënshkrimin e marrëveshjeve për certifikim të produkteve. Kjo marrëveshje kap vlerën e 300 mijë eurove për fazën e dytë, që ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit, përmirësimin e bilancit tregtar përmes rritjes së eksportit apo rritjes së pjesëmarrjes së produkteve vendore në tregun ndërkombëtar.

    Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari ka theksuar se kanë për qëllim strategjik zhvillimin e sektorit privat, pasi siç tha ajo, është premtues për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

    Ndërsa ka shtuar se deri në vitin 2030 industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë.

    Ndërsa, ka thënë se kjo është faza e dytë me qëllim që të mbështeten ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për certifikim.

    “KIESA pas gjitha këtyre analizave, pas politikes industriale me orientim strategjik ka lansuar thirrjen publike për skemën e granteve që është thirrja e dytë publike vetëm për certifikim të produkteve. Kjo është faza e dytë me qëllim që të mbështeten ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për certifikim. Kjo skemë ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit, përmirësimin e bilancit tregtar përmes rritjes së eksportit, rritjes së investimeve dhe punësimit duke përfshirë edhe nxitjen e bizneseve që të kontribuojnë dhe përfitojnë përmes ekonomisë qarkore…Kjo thirrje është vetëm 300 mijë euro për fazën e dytë, ku loti 1 ka pasur ndërmarrjet mikro, të punësuara deri në nëntë punëtorë, loti 2 ndërmarrjet e vogla, që punësojnë 10 deri në 49 punëtorë dhe loti 3 që i ka pas në synim ndërmarrjet e mesëm që ka të punësuar 50 deri në 249 punëtorë. Gjithsej janë 16 biznese përfituese që kanë përfituar dhe do të punësojnë rreth 70 punëtorë siç është planifikuar nga këto biznese përfituese”, tha Hajdari.

    Në anën tjetër, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Zef Dedaj ka thënë se viti 2024 po përmbyllet me 308 biznese prodhuese, përpunuese të ndryshme përfituese në këtë drejtim.

    “Po e përmbyllim vitin me 308 biznese prodhuese përpunuese të ndryshme përfituese. Sot jemi këtu në fazën e dytë që në total kanë qenë diku rreth gjysmë milioni euro. Kemi pas një fazë paraprakisht gjatë këtij viti kanë tepruar mjete kemi vazhduar me fazën e dytë dhe sot jemi këtu për nënshkrimin e marrëveshjeve për certifikimin, i kemi 17 kompani do ti kemi prezent 16 sepse njëra është pranuar në listën e ankesave”, tha Dedaj. /kp

  • 37 të dënuarve me vdekje në SHBA iu falet jeta nga Joe Biden

    37 të dënuarve me vdekje në SHBA iu falet jeta nga Joe Biden

    Presidenti amerikan në largim, Joe Biden, u ka falur jetën 37 nga 40 të dënuarve federalë me vdekje në Shtetet e Bashkuara.

    Kur ka mbetur më pak se një muaj nga përfundimi i mandatit, kreu i Shtëpisë së Bardhë shfrytëzoi faljet presidenciale për të plotësuar dhe këtë kërkesë të aktivistëve që kundërshtojnë dënimin kapital në SHBA.

    “Këto falje janë në një linjë me moratoriumin që administrata ime vendosi mbi ekzekutimet federale, përjashtuar rastet e terrorizmit apo vrasjet masive me bazë urrejtjen”, thekson presidenti në një deklaratë.

    Mes atyre që përfituan ka të dënuar për vrasje të të burgosurve të tjerë, për vrasje gjatë grabitjeve në bankë dhe për vrasjen e një roje burgu. “Mos u gaboni, i dënoj këta vrasës dhe qaj për viktimat duke ndarë dhimbjen e familjeve që kanë përjetuar humbje të pakthyeshme”, shton Biden. Në fund sqaron se qëndrimi i tij është për ta hequr nga ligji dënimin me vdekje.

  • Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të caktohet deri më 29 dhjetor

    Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të caktohet deri më 29 dhjetor

    Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili i ka bërë thirrje partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, mike e Moskës, që të caktojë një datë për zgjedhjet e reja parlamentare deri më 29 dhjetor, mes trazirave mbi votimin e fundit dhe vendimit të njëanshëm të partisë për të shtyrë negociatat me Bashkimin Evropian.

    Zurabishvili ka qenë e bllokuar në një përplasje me partinë që kur fitoi zgjedhjet parlamentare të tetorit, të mbizotëruara nga akuzat për mashtrime zgjedhore.

    Opozita ka refuzuar të njohë votimin, duke akuzuar Ëndrrën Gjeorgjiane për manipulim të votave për të marrë pushtetin.

    Në një fjalim vonë më 22 dhjetor, ajo ftoi miliarderin miqësor me Rusinë, Bidzina Ivanishvili, një ish-kryeministër dhe themelues i Ëndrrës Gjeorgjiane, në pallatin presidencial për bisedime mbi caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Ëndrra Gjeorgjiane ka mohuar çdo keqbërje në zgjedhje dhe ka refuzuar të marrë në konsideratë zgjedhje të reja pavarësisht protestave pothuajse të përditshme për fitoren e saj dhe vendimit të saj pasues për të ndërprerë bisedimet me BE-në deri në vitin 2028.

    “Ivanishvili duhet të vijë në pallat dhe unë jam gati të ulem dhe të mendoj se si duhet të caktohen zgjedhjet. Data e zgjedhjeve duhet të bihet dakord deri më 29 dhjetor,” tha Zurabishvili në një tubim në Tbilis, vendi i protestave të panumërta gjeorgjiane.

    Për shkak të problemeve teknike gjatë fjalimit, Zurabishvili tha se do të publikonte një mesazh të ri me video më 23 dhjetor.

    Gjeorgjia mori statusin e kandidatit në BE në dhjetor të vitit të kaluar, por lidhjet me Brukselin kanë qenë të tensionuara muajt e fundit pas miratimit në maj të një ligji të diskutueshëm për “agjentët e huaj” të shtyrë në parlament nga Ëndrra Gjeorgjiane, e cila ka qeverisur që nga viti 2012.

    Kritikët thonë se legjislacioni kërcënon mediat dhe grupet e shoqërisë civile dhe pasqyron një ligj të ngjashëm rus të përdorur nga Kremlini për të mbytur kundërshtarët politikë dhe shoqërinë civile.

    Ndërsa fillimisht e miratuar nga Ëndrra Gjeorgjiane për kandidimin e saj të suksesshëm presidencial në vitin 2018, Zurabishvili ka qenë një gjemb për partinë në pushtet.

    Edhe pse zyrtarisht një presidente jopartiake e kufizuar në një rol ceremonial, Zurabishvili ka kritikuar ëndrrën Gjeorgjiane për qëndrimin e saj gjithnjë e më autoritar.

    Në fillim të këtij muaji, një kolegj zgjedhor i dominuar nga Ëndrra Gjeorgjiane zgjodhi Mikheil Kavelashvili, një ish-futbollist 53-vjeçar dhe populist i krahut të djathtë, si presidentin e ardhshëm të Gjeorgjisë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Inaugurimi i tij supozohet të bëhet më 29 dhjetor, megjithëse 72-vjeçarja Zurabishvili, mandati i së cilës përfundon këtë vit, ka thënë se nuk do të shkojë askund.

    Pasi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane shpalli fitoren në zgjedhjet e 26 tetorit, protestat rifilluan dhe u intensifikuan pasi qeveria tha se po pezullonte bisedimet me Brukselin mbi ofertën e Tbilisit për t’u bashkuar me BE-në, donatori më i madh i Gjeorgjisë, tregu më i madh ekonomik dhe shtëpi për shumicën e diasporës së saj.

    Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tha në raportin e saj përfundimtar mbi zgjedhjet të cilin e publikoi më 20 dhjetor tha se shumë çështje “ndikuan negativisht” në zgjedhje dhe gërryen besimin e publikut.

    Raporti i referohet miratimit të ligjit për “agjentët e huaj”, të modeluar sipas një ligji të ngjashëm rus, duke thënë se zgjedhjet u zhvilluan mes “shqetësimeve serioze për ndikimin e legjislacionit të miratuar së fundmi mbi liritë themelore dhe shoqërinë civile”.

    Ligji, i cili urdhëron që organizatat që marrin fonde të konsiderueshme të huaja të regjistrohen si agjentë të huaj, hyri në fuqi më 1 gusht, duke shkaktuar reagime të konsiderueshme nga aktorët ndërkombëtarë dhe vendas.

    Qeveria javën e kaluar u zotua të amendojë ligjin, megjithëse nuk dha detaje për ndryshimet që do të miratonte./REL

  • ​Qytetarët raportojnë për kolona të gjata në Muçibabë

    ​Qytetarët raportojnë për kolona të gjata në Muçibabë

    Fluksi i kolonave të gjata për të hyrë në Kosovë nga pikat kufitare po vazhdon.

    Qytetarët kanë raportuar se në pikën kufitare në Muçibabë për të hyrë në Kosovë kolona është e gjatë.

    Qytetarët poashtu kanë dërguar video nga kjo pikë kufitare duke thënë se ka disa minuta që janë duke pritur për të hyrë në Kosovë.

    Edhe në përditësimin e të dhënave në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, thuhet se në pikën kufitare në Muçibabë pritjet për të hyrë në Kosovë janë 40 minuta ndërsa për dalje 05 minuta.

    Sipas këtij përditësimi, në pikën kufitare te Dheu i bardhë pritjet janë edhe më të gjata. Për hyrje pritjet janë 60 minuta derisa për dalje 05 minuta.