ATV

Category: Lajme

  • Dyshohet se sulmoi zyrtarin policor, arrestohet një burrë në Mitrovicë

    Dyshohet se sulmoi zyrtarin policor, arrestohet një burrë në Mitrovicë

    Një person është arrestuar në Mitrovicë nën dyshimin se ka sulmuar një zyrtar policor.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 13:35 dhe është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

    “Rr. Shemsi Ahmeti, Mitrovicë Jugu / 30.12.2024 – 13:35. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti ka sulmuar zyrtarin policor. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Kurti tha se s’shkoi në Hagë për vizitë për shkak të plotësimit të formularëve, Çitaku: Tallje pa kripë

    Kurti tha se s’shkoi në Hagë për vizitë për shkak të plotësimit të formularëve, Çitaku: Tallje pa kripë

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti për deklaratën që e dha mbrëmë se e ka menduar që të shkojë në Hagë për vizitë, por se “u ndal” për shkak të nënshkrimit e plotësimit të formularëve.

    “Unë e kam menduar vizitën në Hagë dhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është që duhej plotësuar shumë dokumente, formularë ku t’i nënshkruaj në dokumentet e Gjykatës Speciale. Unë nuk kam dashur ta bëj atë gjë, unë kam konsideruar e edhe sot mendoj që është gabim ajo”, tha Kurti në mediumin publik.

    Por, këtë Çitaku e pa si “tallje pa kripë” me ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

    “Mes shumë “perlave” të shprehura mbrëmë, Kryeministri paska deklaruar se nuk i ka vizituar luftëtarët e UÇK-së në Hagë, sepse, sipas tij, “priton të mbushë formularët”. Zot na ruaj! Ndoshta kjo shpjegon edhe mungesën e vizitave të tij në SHBA – ndoshta edhe për vizë amerikane është po i njëjti problem, “formularët”. Çfarë tallje pa kripë, çfarë përbuzje dhe mungese e plotë empatie ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë tonë. Turp”, ka shkruar sot Çitaku.

  • Gjendet i masakruar me thikë në trup dhe fytyrë 82-vjeçari në Durrës

    Gjendet i masakruar me thikë në trup dhe fytyrë 82-vjeçari në Durrës

    Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Durrësit mbrëmjen e së hënës, ku një i moshuar është gjetur i masakruar në banesën e tij. Viktima është identifikuar si Paulin Gina, 82 vjeç.

    Sipas informacioneve paraprake, familjarët që jetojnë në Itali kishin tentuar ta kontaktonin me telefon, por nuk kishin marrë përgjigje. Pas shqetësimit të tyre, autoritetet janë njoftuar dhe kanë shkuar në banesën e të moshuarit në lagjen nr. 16, ku ai është gjetur pa shenja jete.

    Grupi hetimor dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë kryer këqyrjen paraprake të trupit dhe kanë konstatuar se viktima është goditur disa herë me thikë në pjesën e bustit dhe të fytyrës. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së së hënës.

    Policia dhe Prokuroria e Durrësit po punojnë intensivisht për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të mundshëm./euronews

  • Mitrovicë, arrestohet një person pasi dyshohet që nën ndikim të alkoolit sulmoi gruan me të cilën bashkëjeton

    Mitrovicë, arrestohet një person pasi dyshohet që nën ndikim të alkoolit sulmoi gruan me të cilën bashkëjeton

    Një burrë në Mitrovicë është arrestuar në veri pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht shtetasen e huaj, me të cilën bashkëjeton.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën pas mesnatës dhe është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

    ”Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht viktimën femër shtetase e huaj me të cilën bashkëjeton. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Scholz: Migrantët janë pjesë e suksesit të Gjermanisë

    Scholz: Migrantët janë pjesë e suksesit të Gjermanisë

    Në fjalimin e tij tradicional në prag të Vitit të Ri, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje rolin e rëndësishëm të të huajve për ekonominë gjermane.

    “Ne jemi 84 milionë – vetëm një për qind e popullsisë botërore! Dhe megjithatë, ne jemi fuqia e tretë më e madhe ekonomike në botë. Sepse jemi të zellshëm,” tha politikani socialdemokrat në fjalimin e regjistruar, teksa fliste për sfidat ekonomike që e presin Gjermaninë në vitin 2025: “Në mesin tonë janë edhe shumë të huaj që ndihmojnë dhe janë pjesë e historisë së suksesit të Gjermanisë. Nuk duhet të lejojmë që askush të na ndajë!”, shtoi ai, shkruan DW.

    Scholz bëri thirrje për përgjegjësi dhe pjesëmarrje aktive në zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen më 23 shkurt 2025. “Se si do të vazhdojë Gjermania, këtë e vendosni ju – qytetaret dhe qytetarët,” tha Scholz.

    “Jo ata që zotërojnë mediat sociale,” shtoi ai, pa përmendur me emër pronarin e platformës X, Elon Musk. Miliarderi amerikan së fundmi kishte mbështetur partinë AfD në një opinion të botuar nga gazeta gjermane Die Welt, gjë që kishte shkaktuar kritika.

    Në fjalimin e tij, Scholz vuri theksin edhe te sfidat e Gjermanisë, duke përmendur ekonominë, inflacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në përballjen me agresionin rus. Kancelari tha se të gjitha këto sfida mund të kalohen duke qëndruar së bashku

    “Me respekt ndaj njëri-tjetrit, me besim dhe me angazhim për njëri-tjetrin, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha bashkërisht.”

  • Gjykata e Koresë së Jugut lëshon fletarrestim për presidentin Yoon

    Gjykata e Koresë së Jugut lëshon fletarrestim për presidentin Yoon

    Një gjykatë në Korenë e Jugut ka lëshuar të martën urdhër për arrestimin e presidentit të vendit, Yoon Suk Yeol, dhe për bastisjen e rezidencës dhe zyrës së tij, për dyshimet për kryengritje në lidhje me shpalljen jetëshkurtër të ligjit ushtarak.

    Kjo është hera e parë që lëshohet fletarrestim për një president në detyrë në Korenë e Jugut. Megjithatë, ekspertët thonë se ka pak gjasa për arrestim apo bastisje, nëse Yoon nuk shkarkohet nga detyra fillimisht.

    Gjykata e Qarkut në Seul dha urdhrin për arrestimin e Yoonit dhe për bastisjen e zyrës presidenciale dhe rezidencës së tij në qendër të Seulit, sipas një komunikate nga Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, e cila po e udhëheq hetimin bashkë me policinë dhe autoritetet ushtarake.

    Ajo thotë se po kryen hetim për të parë nëse shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon më 3 dhjetor përbën kryengritje.

    Sipas ligjit koreanojugor, lideri i një kryengritjeje mund të përballet me dënim me vdekje apo me burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor.

  • Zhduket një vajzë 16-vjeçare nga Prishtinë, nëna kërkon nga Policia ndihmë për gjetjen e saj

    Zhduket një vajzë 16-vjeçare nga Prishtinë, nëna kërkon nga Policia ndihmë për gjetjen e saj

    Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

    Ndihmën e Policisë e ka kërkuar një grua nga Prishtina, e cila ka raportuar se e bija 16-vjeçare është zhdukur dhe nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saj.

    Sinjali mëson se nëna ka deklaruar se vajza kishte dalë nga shtëpia më 28 dhjetor dhe më nuk është kthyer.

    Përballë kësaj situate, ajo vendosi që ta njoftojë Policinë.

    Denoncimi i saj ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

  • Nënshkruhet kontrata për renovimin e palestrës së sporteve në Gjilan

    Nënshkruhet kontrata për renovimin e palestrës së sporteve në Gjilan

    Është nënshkruar kontrata në vlerë 2.7 milionë euro, për renovimin e Palestrës së Sporteve në Gjilan.

    Me këtë sipas kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, sportistët do të kenë kushte më të mira për të kryer aktivitete e tyre.

    “Kemi nënshkruar kontratën me vlerë prej rreth 2.7 milionë euro, po rinovojmë Palestrën e Sporteve, duke u ofruar sportistëve tanë kushte të shkëlqyera për t’u stërvitur, për të shkëlqyer dhe për të na bërë krenarë”, tha Hyseni.

  • Parashikimi i motit për sot: Me diell e vranësira të pakta

    Parashikimi i motit për sot: Me diell e vranësira të pakta

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se këtë të martë, 31 dhjetor do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, më shumë për gjatë relievit malor.

    IHMK-ja njofton se në mëngjes do të ketë ngrica dhe kushte për mjegull.

    Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -6 deri -3°C, ndërsa ato maksimale 2-6°C.

  • Sulmi në Ibër-Lepenc, Kurti: Partnerët tanë nuk po duan ta fajësojnë Serbinë

    Sulmi në Ibër-Lepenc, Kurti: Partnerët tanë nuk po duan ta fajësojnë Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për qeverisjen e tij katërvjeçare. Për herë të parë kryeministri Kurti foli për Gjykatën Speciale, duke dhënë edhe arsyet se pse nuk shkoi t`i vizitojë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente formularë, ku ti nënshkruan në Gjykatën Speciale”, tha Kurti në një intervistë për emisionin RTK Prime.

    Kurse sa i takon sulmit në Varagë të Zubin Potokut, në kanalin Ibër-Lepenc, ai tha se po i duket se gjithçka qon në atë që “partnerët tanë ndërkombëtar nuk po duan ta fajësojnë Serbinë, e neve për sherr në ato qaste nuk patëm një dronë përmbi kanal”.
    Ai foli edhe për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe shtroi pyetjen pse kur tre liderët kryesor të shtetit nuk janë dakord që ky person të bëhet Kryeprokuror, pse insiston ai?

    Ndërsa i pyetur për shumë rastet e hapura, si ai i ambalazhuesve të ujit, afera e vajit dhe grurit, rasti i KEK-ut, të zotit Krasniqi, e raste të tjera Kurti tha se Krasniqi i ka sjell KEK-ut 105 milionë euro.
    “Drejtori, kryeshefi Krasniqi i solli 105 milion fitim KEK-ut për vitin 2022. Ky i ka çmendur kundërshtarët tanë, një pjesë e të cilëve janë në prokurori, dhe ky sulëm është bërë ndaj suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij”, tha ai
    Kryeministri foli edhe për të arriturat e vendit gjatë qeverisjes së tij.

    “Kemi pasë rritje ekonomike impresive në këto 4 vjet, mesatarja ka qene 6 për qind e bruto prodhimit vendor dhe në të njëjtën kohë kemi të hyra rekord tatimore, që më bënë jashtëzakonisht të lumtur, sepse tregon besimin e qytetarëve në institucione dhe njëkohësisht rritjen e ekonomisë tonë nëpërmjet të lulëzimit tonë privat”.