ATV

Category: Lajme

  • Gjermania vitin e kaluar 14 për qind të konsumit elektrik e plotësoi nga energjia diellore

    Gjermania vitin e kaluar 14 për qind të konsumit elektrik e plotësoi nga energjia diellore

    Në Gjermani, vendi me konsumin më të lartë të energjisë në Evropë, energjia diellore plotësoi afërsisht 14 për qind të konsumit të energjisë elektrike të vendit gjatë vitit të kaluar, tregon raporti i Shoqatës Gjermane të Energjisë Diellore (BSW).

    Sipas raportit, kapaciteti i instaluar i Gjermanisë i bazuar në energjinë diellore është rritur me 10 për qind në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, më shumë se 1 milion sisteme të energjisë diellore me një fuqi prej më shumë se 17 gigavatësh filluan të sigurojnë energji elektrike në rrjetin e vendit.

    Përderisa kapaciteti total i instaluar i vendit i bazuar në energjinë diellore tejkaloi kufirin historik prej 100 gigavatësh për herë të parë, afërsisht 14 për qind e konsumit të energjisë elektrike në Gjermani u plotësua nga energjia diellore vitin e kaluar.

    Pjesën më të madhe në rritjen e energjisë e ka pasur tregu i instalimeve për banim, i cili është rritur me 40 për qind krahasuar me një vit më parë dhe është vënë në përdorim 6,3 gigavat energji.

    Gjermania synon të arrijë një kapacitet të instaluar prej 215 gigavatësh në energjinë diellore deri në vitin 2030.

    Kreu i BSW-së, Carsten Körnig tha se nëse rritja në tregun e energjisë diellore vazhdon në të njëjtin nivel në dy vitet e ardhshme, Gjermania do t’i afrohet objektivit të saj prej 215 gigavatësh.

    “Ndërtimi i sistemeve të energjisë diellore dhe sistemeve të ruajtjes është shumë i rëndësishëm për sigurimin e energjisë elektrike të lirë në të ardhmen dhe uljen e kostove të ndryshimeve klimatike. Prandaj, qeveria e ardhshme federale duhet të heqë barrierat e tregut dhe të sigurojë një kornizë tërheqëse investimi”, tha ai. /AnadoluAgency

  • Shkon në gjashtë numri i viktimave nga sulmi në Magdeburg

    Shkon në gjashtë numri i viktimave nga sulmi në Magdeburg

    Ka shkuar në gjashtë numri i të vdekurve pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë.

    Sipas BBC, një grua nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve të marra.

    52-vjeçarja vdiq në spital dy javë pasi makina u përplas në tregun e mbushur në Magdeburg, thanë prokurorët.

    Të paktën 299 persona u lënduan në sulmin e 20 dhjetorit, sipas shifrave të fundit nga ministria e brendshme e Saksoni-Anhalt.

    Katër gra të tjera të moshës 45 deri në 75 vjeç dhe një nëntëvjeçar humbën jetën në këtë sulm.

  • Papa Françesku emëroi gruan e parë në krye të zyrës në Vatikan

    Papa Françesku emëroi gruan e parë në krye të zyrës në Vatikan

    Papa Françesku emëroi gruan e parë në krye të një zyre të madhe në Vatikan, murgeshën italiane Simona Brambilla, si prefekte të departamentit përgjegjës për të gjitha urdhrat fetare të Kishës Katolike.

    Brambila, 59 vjeçe, është anëtare e urdhrit fetar misionar Consolata dhe ka shërbyer në departamentin e rendit fetar që nga viti i kaluar, raportoi AP.

    Ajo mori detyrën nga kardinali në pension Joao Braz de Aviz (77).

    Emërimi shënon një hap të madh në përpjekjet e Papa Françeskut për t’u dhënë grave më shumë role udhëheqëse në qeverisjen e kishës.

    Asnjëherë më parë një grua nuk është emëruar prefekte e një dikasteri ose kongregacioni të Kurisë së Selisë së Shenjtë, organi qendror drejtues i Kishës Katolike.

    Papa Françesku emëroi gjithashtu kardinalin Robert McElroy nga San Diego si kryepeshkop të Uashingtonit./abcnews.al

  • Kurti: S’pranoj që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi

    Kurti: S’pranoj që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi

    Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke “braktisur njohjen reciproke”.

    Në një intervistë për KosovaPress, Kurti thotë se nuk pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi.

    “Ai dokument [draft-statuti i Asociacionit] ka qenë i propozuar nga ndërmjetësit, i panënshkruar, dhe si i tillë ai dokument nuk ka mundur të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, prandaj besoj që duhet të përqendrohemi te marrëveshja bazike, neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, le të adresohet aty dhe neni 10 flet edhe për të gjitha marrëveshjet të cilat janë realizuar në të kaluarën e të cilat janë ligjërisht të obligueshme. Tash, nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është apo duhet të jetë Asociacioni, është njohja reciproke. Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defaco. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi”, thotë Kurti.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023, dhe Aneksit të Ohrit në mars të atij vitit, por nuk ka pasur zbatim.

    “Besoj që nëse ka dështuar diçka atëherë ka dështuar referimi mbi shkeljet e marrëveshjes, sepse Serbia e ka shkelur marrëveshjen që e ka pranuar dhe më pastaj, gjyqtarët, referët – Brukseli nuk ka reaguar. Këtu është dështimi. Nuk mund të presim zbatim të një marrëveshjeje nëse nuk ka ndëshkim për shkeljet e saj, pra përderisa një marrëveshje nuk zbatohet, ajo nuk do të duhej të shkelet dhe kjo është toleruar nga ana e Brukselit për Serbinë. Ne jemi përtej dialogut, sepse ne kemi marrëveshje. Marrëveshja bazike i ka 11 nene e 6 fjali në preambulë dhe e ka një aneks zbatimi me 12 pika. Besoj që kur flasim për dialogun duhet t’i rikthehemi marrëveshjes dhe aty ta theksojmë që Serbia nuk guxon ta shkelë marrëveshjen, duhet ta tërheqë letrën e zonjës Bernabiq si kryeministre që tha se nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës, besoj që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në kundërshtim me këtë, po ashtu edhe Bashkimi Evropian dhe përveç se ta nënshkruajmë atë marrëveshje bazike – si një siguri juridike, si një garanci për zbatim, do të duhej që sa më parë të dorëzohej Millan Radoiçiq kryekrimineli serb i cili na e vrau rreshterin policor Afrim Bunjaku, hero i Kosovës”, thotë Kurti.

    Sa i përket planit të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, Kurti thotë se nuk pritet që Beogradi zyrtar të tregojë konstruktivitet.

    “Duhet ta presim tash përfaqësuesen e re të lartë, zëvendëspresidenten Kaja Kallas dhe iniciativën e saj për rrugën përpara. Besoj që topi është te ndërmjetësi në këtë kuptim, sepse nuk mund të presim që Beogradi përnjëherë do të bëhet aktor konstruktiv dhe do të thotë po e nënshkruaj marrëveshjen edhe le ta zbatojmë me një plan sekuencimi. Destruktiviteti i tyre ka ardhur duke u rritur, andaj ne presim nga ndërmjetësit që ta ndërpresin këtë destruktivitet të palës tjetër”, thotë ai.

    Ndërkaq lidhur me masat ndëshkuese të Bahskimit Evropian ndaj Kosovës, Kurti thotë se nuk mund të jap datë se kur mund të largohen ato.

    “Tash deeskalimi në veri ka ndodhur, ne urojmë që të mos ndodh rieskalimi, ka pasur përpjekje për rieskalim, këto granatat e dorës që hidhen herë në stacion të policisë e herë në ndërtesë të komunës, ose përpjekja për ta hedhur komplet në erë kanalin Ibër-Lepenc janë përpjekje për rieskalim. Mirëpo të gjithë e dinë që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është përgjegjëse për këtë, madje edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell në mandatin e tij kur ishte i dërgoi një raport 27-ëshes së Bashkimit Evropian ku ju tha atyre hiqni masat për Kosovën, mirëpo janë disa dinamike të brendshme në Bashkimin Evropian për të cilat fatkeqësisht po e pëson Kosova. Unë punoj e uroj të hiqen s amë parë, por nuk mund të jap një datë të caktuar për këtë gjë për shkak se nuk është se ne ja kemi vënë masat vetës, ato na janë vënë padrejtësisht neve”, thotë Kurti.

    Në intervistën për KosovaPress, Kurti flet edhe për politikën e jashtme dhe mungesën e njohjeve të reja.

    “Në politikën e jashtme ne kemi qenë më shumë të përqendruar tek substance t’u themi të drejtën, sepse njohjet nga jashtë nuk po varen vetëm prej neve. Ajo çka kemi arritur është që ta dyfishojmë numrin e atasheve të mbrojtjes nëpër ambasadat e Kosovës. I kemi blerë pesë ambasada dhe nuk i paguajmë qiratë e shtrenjta më aty, në proces i kemi për t’i blerë edhe pesë ambasada të tjera dhe pasaporta e Kosovës është forcuar si asnjëherë më parë…Deri më 1 janar të vitit 2024 ju e dini shumë mirë që nuk kemi mundur të shkojmë askund, shumë pak kemi mundur të lëvizim me pasaportën tonë, ndërkaq tash u bë liberalizimi i vizave dhe unë besoj që kjo është një e arritur me të cilën nuk mund të krahasohet asnjë njohje e veçantë diku në botë. Por unë insistoj, megjithatë, të mos na krahasojnë qytetarët me premtimet e opozitarëve, njohjet kanë qenë kryefjala e tyre”, thotë Kurti./KP

  • Kurti: Grenelli ka detyra në Kore të Jugut, Venezuelë e misione të posaçme – e kaluara nuk do të ndikojë në raportet tona

    Kurti: Grenelli ka detyra në Kore të Jugut, Venezuelë e misione të posaçme – e kaluara nuk do të ndikojë në raportet tona

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për raportet që ka pasur me emisarin Grenell dhe me administratën Trump.

    Ai ka thënë se raportet e Kosovës janë të shkëlqyera me Amerikën.

    Kurti tha se Richard Grenell është emëruar me detyra në Kore të Jugut, Venezuelë e misione të posaçme. Sipas tij, e kaluara nuk do të ndikojë në raportet aktuale.

    “Në raport me Amerikën kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme, që nuk janë vetëm në diplomaci por edhe të mbrojtjes e zhvillimit. Në fushën e mbrojtjes po bëjmë më shumë blerje. Po bëjmë trajnime të ndryshme. Nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, që janë partneri ynë kryesor. Unë nuk besoj që do të ndikojnë në raportet tona. Ish-emisari Grenell ka detyrë për Korenë e Jugut, Venezuelën dhe misione të posaçme, është e rëndësishme çfarë emërime të reja do të ketë në administratë”, tha Kurti për Kosovapress.

    Kryeministri foli edhe për masat e BE-së dhe njohjet e reja.

    “Për neve kruciale janë pesë shtetet e BE-së. Në politikën e jashtme kemi qenë të përqendruar te substanca. Njohjet nuk po varen vetëm prej neve. E kemi dyfishuar numrin e atasheve të mbrojtjes, kemi blerë 5 ambasada, në proces janë edhe 5 të tjera. Pasaporta e Kosovës është forcuar si asnjëherë më parë. Njohjet kanë qenë kryefjala e opozitës, mos të na krahasojnë. Nuk mendoj që janë humbur milionat, janë bllokuar. Viktima e parë e masave të BE-së ka qenë ministri Nenad Rashiq që iu anuluan takimet në Bruksel. Nuk mund të jap një datë për këtë, masat janë vënë padrejtësisht”, tha Kurti më tutje.

    Kryeministri tha se synon që në zgjedhjet e 9 shkurtit t’i merr gjysmë milioni vota.

    Ai tha se nuk do të ketë nevojë për koalicione pas zgjedhjeve, përderisa akuzoi opozitën se nuk është reformuar.

    “Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me Guxo dhe Alternativën. Dhe i kemi përvojat e mbresat më të mira nga njëri-tjetri, partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje për dy dekada, PDK, LDK, AAK, në këto 4 vite nuk kam parë që janë reformuar, dhe kur e kemi parasysh se sidomos në muajt e fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes së mirë e demokratike, nuk shohim mundësi të kemi çfarëdo koalicioni”, tha Kurti më tutje.

    Ai tregoi premtimet kryesore për mandatin e ardhshëm.

    “Duhet të themelojmë Fondin Sovran, së shpejti do të marrim dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese. Paralelisht edhe Bankën Zhvillimore, kjo është shtyllë e rëndësishme e reformës ekonomike. Na duhet Byroja për konfiskimin e Pasurisë, na e rrëzuan, e risollëm, sërish është në Kushtetuese. Edhe kjo Byro duhet të themelohet sivjet, ta kemi edhe Vettingun për gjyqësorin ashtu që kompetenca, integriteti e efikasiteti të jenë karakteristikë e sistemit tonë të drejtësisë”, tha kryeministri Kurti.

    Kryeministri tha se rritja e çmimit të energjisë ka ardhur si rezultat i importit dhe çmimeve në bursë ndërkombëtare.

  • Foshnja 35-ditëshe vdes nga moti i ftohtë në Gaza, mijëra palestinezë të prekur nëpër strehimore

    Foshnja 35-ditëshe vdes nga moti i ftohtë në Gaza, mijëra palestinezë të prekur nëpër strehimore

    Një foshnjë 35-ditëshe ka vdekur për shkak të ekspozimit ndaj motit të ashpër të dimrit në Gaza, duke u bërë të paktën viktima e tetë e të ftohtit në dy javët e fundit, raporton Reuters.

    Moti ka prekur qindra mijëra në Gaza të zhvendosur në strehimore të improvizuara.

    Grupet e ndihmës kanë luftuar për të ofruar ushqime dhe furnizime dhe thonë se ka mungesë batanijesh, veshje të ngrohta dhe dru zjarri. Grupet e ndihmës kanë akuzuar ushtrinë izraelite për pengimin dhe madje bllokimin e dërgesave në Gaza.

    Të dielën, agjencia e ndihmës e OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa) tha se “moti i ftohtë dhe mungesa e strehimit po shkaktojnë vdekjen e të porsalindurve në Gaza”.

  • Kurti: S’ka koalicion me asnjë parti pas zgjedhjeve – nuk janë reformuar dhe na sulmuan shumë muajve të fundit

    Kurti: S’ka koalicion me asnjë parti pas zgjedhjeve – nuk janë reformuar dhe na sulmuan shumë muajve të fundit

    Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se nuk sheh mundësi koalicioni me asnjë prej partive politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Ai përmend fjalinë e njohur të tij se ‘opozita nuk është reformuar’ por jep si arsye edhe ‘sulmet e muajve të fundit që opozita i ka bërë ndaj partisë së tij’.

    “Nuk shohim mundësi të kemi koalicione paszgjedhore, prandaj i kemi bërë ato parazgjedhore, me partinë Guxo dhe me Alternativën.

    I kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri tjetri.

    Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh që sidomos muajve të fundit sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve tonë politik ndaj qeverisjes tonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin e ardhshëm, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, tha Kurti për Kosovapress.

  • Çka është virusi HMPV që po përhapet në Kinë

    Çka është virusi HMPV që po përhapet në Kinë

    Rritja e rasteve me virusin metapneumovirus (HMPV) në Kinë ka ngjallur frikë për përhapjen e këtij virusi edhe në vende të tjera.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të hënën qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues. Instituti nuk tregoi nëse në Kosovë ka raste me HMPV.

    Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është virus respirator i cili shkakton simtoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, por ai mund ta rrisë rrezikun apo të shkaktojë më shumë komplikime, si bronkiti apo pneumonia, posaçërisht tek të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

    Kjo sëmundje është e së njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe është shfaqur që nga viti 2001, kur u identifikua për herë të parë në Holandë.

    Ky virus përhapet gjatë sezoneve të ftohta.

    Pse u bë lajm HMPV-ja?

    Në Kinë është raportuar për rritjen e rasteve më virusin HMPV në javët e fundit.

    Qendra kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i ka paralajmëruar qytetarët e vet të kujdesen për higjienën dhe shëndetin.

    Ajo gjithashtu ka hedhur poshtë pretendime online se spitalet janë mbushur me pacientë dhe se ka frikë për një pandemi të ngjashme si ajo e COVID-19.

    Kush rrezikohet nga HMPV-ja?

    Simptomat e HMPV-së janë të ngjashme me ato të gripit apo ftohjes.

    Rastet e rënda mund të rezultojnë me bronkit ose pneumoni veçanërisht tek foshnjat, të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar.

    Njerëzit me kushte paraprake të mushkërive, si astma, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose emfizema janë në rrezik më të shtuar për pasoja më të rënda.

    Si përhapet?

    HMPV-ja ka shumë mundësi të përhapet nga personi i infektuar tek të tjerët përmes kollitjes dhe teshtitjes; kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve, prekja e objekteve ose sipërfaqeve që kanë virusin mbi to dhe më pas prekja e gojës, hundës ose syve.

    Si të parandalohet përhapja e HMPV-ja?

    Për të parandaluar përhapjen dhe për t’i ulur rreziqet e shkaktuara nga patogjenët respiratorë, duhet të ndiqen masa të thjeshta.

    Këto masa përfshijnë qëndrimin në shtëpi kur jeni të sëmurë, ndjekjen e këshillave mjekësore për kujdesin, mbajtjen e maskave në hapësira të mbushura me njerëz ose të ajrosura dobët, mbulimin e kollës dhe teshtitjes me pecetë ose bërryl të përthyer.

    Gjithashtu larja e rregullt e duarve, shmangia e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara ndihmojnë në parandalimin e këtij virusi.

    Aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për HMPV dhe kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik dhe virusi zakonisht kalon vetë. /REL

  • “Një nga ditët më të vështira në historinë e SHBA-së”

    “Një nga ditët më të vështira në historinë e SHBA-së”

    Katër vjet më parë më 6 Janar, mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin. Presidenti në largim Biden e kujton këtë ditë për një paralajmërim. 6 Janari 2021 nuk duhet të “rishkruhet”.

    Katër vjet pas sulmit në Kapitolin amerikan në Uashington, presidenti në largim, Joe Biden paralajmëroi se incidentet e asaj kohe nuk duhen harruar. “Unë nuk mendoj se ne duhet të pretendojmë sikur nuk ka ndodhur,” u tha presidenti demokrat gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

    Sulmi në Kapitol
    Më 6 Janar 2021, mbështetësit e republikanit Donald Trump sulmuan Kapitolin për të parandaluar certifikimin e fitores zgjedhore të Joe Biden në parlament. U shkatërruan zyra, deputetë të shumtë u fshehën nga frika për jetën e kërcënuar nga banditë. Si rezultat i trazirave humbën jetën pesë vetë, 140 policë u plagosën.

    Biden e quajti këtë “një nga ditët më të vështira në historinë amerikane”. “Demokracia jonë fjalë për fjalë u vu në provë. Dhe për fat të mirë demokracia jonë rezistoi.”

    Biden përhap besim
    Presidenti amerikan, Biden foli gjithashtu me anëtarët e sapozgjedhur demokratë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë. Duke iu drejtuar atyre, ai tha: “Tani është detyra juaj të thoni të vërtetën dhe të mbani mend atë që ndodhi. Mos lejoni që 6 Janari të rishkruhet dhe as të fshihet”.

    Lidhur me rolin e Trump, Biden tha: “Unë mendoj se ajo që ai bëri ishte një kërcënim real për demokracinë”, duke shtuar, se “jam i bindur se e kemi lenë pas këtë”.

    Donald Trump nxiti mbështetësit e tij gjatë një fjalimi në vitin 2021 duke pretenduar se atij i ishte vjedhur fitorja nga mashtrimi masiv i zgjedhjeve. Menjëherë më pas shpërthyen trazirat. Shumë nga sulmuesit tani janë dënuar – megjithëse Trump ka premtuar falje.

    Biden premtoi gjithashtu “tranzicion të qetë” të pushtetit
    Në një artikull për Washington Post, presidenti amerikan, Joe Biden pa përmendur drejtpërdrejt Trumpin, u ankua për një “përpjekje të pandalshme për të rishkruar apo edhe fshirë historinë e asaj dite”. Po bëhet një përpjekje për të “na thënë se nuk e pamë atë që pamë me sytë tanë”, shkroi Biden. “Ne nuk mund të lejojmë që e vërteta të humbasë.

    Në të njëjtën kohë, Biden iu referua përpjekjeve të tij për të siguruar një “tranzicion të qetë”. SHBA-të duhet të kthehen në një “transferim normal të pushtetit”./dw

  • Policia me plan operativ në veri me rastin e Krishtlindjes Ortodokse

    Policia me plan operativ në veri me rastin e Krishtlindjes Ortodokse

    Policia e Kosovës ka ndërmarrë plan operativ që do ta zbatojë në veri, me rastin e festimit të Krishtlindjes Ortodokse.

    Kështu ka bërë të ditur Veton Elshani, zv/drejtor i policisë për rajonin e veriut.

    “Policia e Kosovës ka marrë masa që gjatë festave të Krishtlindjeve në veri të Kosovës çdo gjë të shkojnë pa problem. Ne kemi një plan operativ si gjithmonë për festat fetare dhe festat tjera. Janë vendosur një numër i mjaftueshëm i policëve. në veri për të garantuar sigurinë”, tha Elshani për Gazetën Paparaci.

    Tutje ai uroi qytetarët e besimit ortodoks për këtë festë.

    “I urojmë Krishtlindjet dhe Krishtlindjet e ardhshme të gjithëve që e festojnë këtë festë kudo, e veçanërisht banorëve të rajonit tonë dhe përgjegjësisë. Urojmë mbi të gjitha shëndet në familje, paqe dhe të gjitha të mirat””, tha Elshani.