ATV

Category: Lajme

  • KEK-ut i shtohen 220 punëtorë të rinj

    KEK-ut i shtohen 220 punëtorë të rinj

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të 220 kontratave të punëtorëve të rinj në Korporatën Energjetike të Kosovës, në Termocentralin Kosova B.

    Fjalën e tij, kryeministri Kurti e filloi me falënderime dhe mirënjohje për të gjithë të angazhuarit pas sulmit në kanalin Ibër – Lepenc, derisa pos sfidave ai përmendi edhe sukseset, me ç’rast në dy vitet e fundit në KEK janë pranuar në punë 525 punonjës të rinj, ndërsa sot KEK-ut iu shtuan edhe 220 të rinj në Divizionin e Qymyrit.

    “Me shtimin e punonjësve në prodhim, e sigurojmë operimin e KEK-ut edhe për dy dekadat e ardhshme. E askush më mirë se ju vetë nuk e dini këtë gjë, se çfarë rëndësie ka edhe për KEK-un edhe për mbarë Kosovën, dhe se sa i rrezikuar ka qenë operimi pikërisht nga mungesa e punëtorëve në prodhim”, vazhdoi kryeministri, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, ministrja Artane Rizvanolli, deklaroi se KEK-u do të vazhdojë të luaj rol kyç në sektorin tonë energjetik dhe për këtë është tejet e rëndësishme që të kemi punonjës të cilët i operojnë këto teknologji. Ajo shprehu kënaqësinë të jetë e pranishme në këtë fillimvit, të cilin e cilësoi se do të jetë viti më i rëndësishëm për KEK-un në dy dekadat e fundit.

    Përveç rolit kyç të KEK-ut në menaxhim të krizës energjetike dhe në prodhim, kryeministri Kurti veçoi edhe disa të arritura të tjera, siç është përfundimi i dilatimit të bojlerëve në Bllokun B sipas planit (2023); nënshkrimi i kontratave për modernizim të TC Kosova B që do të fillojë në prill; bashkëpunimi me Shqipërinë: këmbimi prej 250Gwh, me ç’rast janë kursyer 50 milionë euro për Kosovën; ruajtjen e sigurisë së furnizimit – blerja e energjisë me buxhetin e ndarë nga Qeveria; si fitimi rekord në vitet e fundit prej 105.7 milionë euro.

    “Ndërkohë në këto vitet e fundit, e kishim edhe realizimin me fitim rekord prej 105.7 milionë euro, i cili mundëson investimin në rehabilitimin e TC Kosova A, dhe meqë jemi në këtë temë, menaxhmenti na ka premtuar se tenderi për rehabilitimin e bllokut A3 do të shpallet gjatë këtij muaji”, tha ai duke shtuar se në vitin 2025 nis edhe projekti i parkut solar 100 MW në KEK.

    Në fund të ceremonisë së nënshkrimit të kontratave, Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli shpërndanë kartelat për punonjësit e rinj të KEK-ut, derisa të gjithëve iu uruan një vit të mbarë.

  • Qytetarët ankohen për pagat e ulëta: Nën 1000 euro nuk mund të jetojmë

    Qytetarët ankohen për pagat e ulëta: Nën 1000 euro nuk mund të jetojmë

    Qytetarët shprehin shqetësimet e tyre për nivelin e pagave në Kosovë, sipas tyre, me pagat aktuale nuk ia dalin për të mbijetuar, raporton EO.

    Kosovarët vlerësojnë se pagë e mjaftueshme për të bërë një jetë normale e pa borxh është në vlerën prej një mijë euro.

    Sefedin Gonjufci thekson se pagat aktuale, rreth 700-800 euro, nuk janë të mjaftueshme për të jetuar mirë, duke e krahasuar me rrogat më të larta që ka pasur në të kaluarën. Ai thotë se rinia po ikën nga vendi për shkak të pagave të ulëta.

    “I kam kaluar ato, rrogat më të ulëta e më të larta, sipas mundësive, rrogë nën 700-800 euro nuk është rrogë që të jetohet, ndoshta deri diku se për të jetuar, mirë jo. Nuk kemi çka të bëjmë, pasi e ka ky në dorë, do të përmirësohet shpejtë sepse deri tani nuk kemi pasur asgjë. Po ikin të rinjtë se nuk po i paguajnë, rrogë pa pagë nuk punon askush, unë kam punuar gjithmonë në Kosovë, kam pasur rrogën që me para të sodit është 1 mijë e 200 euro, me atë rrogë kam mbajtur shtatë anëtarë. Tani secili punon për vete dhe nuk kanë boll. Nëse japin buxhet edhe populli përmirësohet pagat sepse pa dhënë populli s’ka as shteti”, ka thënë ai.

    Shala Selmon, gjithashtu kritikon pagat dhe thekson se njerëzit nuk mund të jetojnë dhe punojnë normalisht me këto kushte, duke përmendur se nevojitet më shumë punë bujqësore për të siguruar të ardhura.

    “Rroga duhet të jenë më të mira dhe me qenë gjallë, me punu, me gjallnu me punuar tokën e jo vetëm me ruajt një rrogë në muaj sepse nuk është diçka interesant. Nuk mund t’ia dalin me ato rrogat duhet me punuar me mbajt, lopën, viqin kjo është Gjermania. Duhet të merren me mbjellë tokë, me punuar unë kurrë nuk kam qenë pa para por tani jam në gjendje me pagu një kafe, kurse ata që punojnë natë e ditë dhe nuk është në gjendje. Për me fituar gjermani ka ngrënë bukë të kollomojt, e na këtu vetëm vjedhim dhe askush nuk punon”, ka theksuar ai.

    Agim Krasniqi mbështet rritjen e pensioneve dhe pagave nga Albin Kurti, duke theksuar se një rrogë prej 1000 eurosh mund të jetë e mjaftueshme për të mbijetuar, por që rritja e pagave duhet të jetë e bazuar në ekonomi reale dhe mundësi.

    “Ato i rrit vetëm Albin Kurti i cili është njeri i sinqertë dhe këto partitë tjera i kemi pasur 22 vjet, ai e rrit pensionin në bazë të ekonomisë e jo duke thënë se ta bëjë rrogën dy mijë euro e nuk mundet. E vetmja rëndësi është Albin Kurti një mijë euro është rroga e mjaftueshëm, për me mbyll muajin”, tha Krasniqi.

  • IKShPK-ja rekomandon masa kundër gripit

    IKShPK-ja rekomandon masa kundër gripit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës(IKSHPK) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, ka njoftuar sot qytetarët rreth metapneumovirusit njerëzor (hMPV), duke ofruar informacione për simptomat dhe parandalimin e përhapjes së tij, raporton Ekonomia Online.

    IKShPK-ja ka bërë të ditur se metapneumovirusi njerëzor, i cili shpesh shkakton simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm, përhapet përmes pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes, si dhe nëpërmjet kontaktit të ngushtë me individë të infektuar.

    “Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë, ndërsa për personat më të ndjeshëm si fëmijët, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, mund të shkaktojë komplikacione të rënda si bronkit apo pneumoni”, thuhet në njoftim.

    Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, Instituti rekomandon që individët të mbajnë maska në hapësira të mbushura me njerëz, të mbulojnë kollën dhe teshtitjen, të praktikojnë larjen e rregullt të duarve dhe të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë.

  • Sallahu: KQZ-ja shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

    Sallahu: KQZ-ja shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar sot ndaj KQZ-së që i ndau numrin Listës Serbe për garën zgjedhore të 9 shkurtit në Kosovë.

    “KQZ- shkelë sërish ligjin! Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë ankesë ne PZAP- kundër vendimit të KQZ-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe. Në bazë të nenit 130 të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP”, ka shkruar ai.

    Sallahu tha se KQZ ka shkelur ligjin me rastin e ndarjes së numrit për subjektin politik Lista Serbe, duke mos pritur vendimin përfundimtar të PZAP-së.

    “Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për zgjedhjet dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, thuhet në ankesën që ky subjekt politik ka deponuar në PZAP.

  • Vdes në QKUK 60-vjeçari që u përplas dje nga një veturë në Prizren

    Vdes në QKUK 60-vjeçari që u përplas dje nga një veturë në Prizren

    Ka ndërruar jetë një 60-vjeçar i cili të dielën ishte përplasur nga një veturë në Prizren.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi.

    Ai ka thënë se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda trupore për të cilat ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Ai po ashtu ka njoftuar se ngasësi i veturës me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për egzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Dyshohet se aksidenti ka ardhur deri sa ngasësi i dyshuari drejtonte veturën me targa sllovene dhe ishte duke lëvizur në rrugën “Ekrem Rexha”, në drejtimin të lagjes “Arbana”, përplas këmbësorin i cili ishte duke e kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë, jashtë vendkalimit të shënuar të këmbësorëve. Këmbësori përplaset me pasqyrën e majtë të veturës që po lëvizte në shiritin e majtë të rrugës me dy shirita në një kah. Si pasojë këmbësori pëson lëndime të rënda trupore, i cili dërgohet në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, nga ku pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm, për shkak të lëndimeve të rënda trupore. Për rastin në fjalë është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që ngasësi i dyshuar( V.S. 1987) të dergohet në mbajtje. Nga QKUK-ja rreth orës 06.01.2025 policia është informuar se viktima e rastit (S.K. 1965) ka vdekur. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë dërgohet për ekzminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

  • Vdes këmbësori që u godit nga vetura të dielën në Prizren

    Vdes këmbësori që u godit nga vetura të dielën në Prizren

    Një këmbësor i moshës 60 vjeçar ka humbur jetën gjatë një aksidenti trafiku që ka ndodhur të dielën në rrugën “Ekrem Rexha”, në drejtimin të lagjes Arbana të Prizrenit.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Nga QKUK me datën 06.01.2025 policia është informuar se viktima e rastit (S.K. 1965) ka vdekur. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.”, ka thënë ai.

    Sipas Bytyqit, për rastin në fjalë është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që ngasësi i dyshuar( V.S. 1987) të dërgohet në mbajtje.

    “Dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur deri sa ngasësi i dyshuari drejtonte veturën me targa sllovene , dhe ishte duke lëvizur në rrugën “Ekrem Rexha”, në drejtimin të lagjes Arbana, godet këmbësorin i cili ishte duke e kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë, jashtë vendkalimit të shënuar të këmbësorve. Këmbësori goditet me pasqyrën e majte të veturës që po lëvizte në shiritin e majtë të rrugës me dy shirita në një kahje”, ka njoftuar ai./

  • ​Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike, Zeqiri: Mund të përsëritet

    ​Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike, Zeqiri: Mund të përsëritet

    Numri një i Zubin Potokut Izmir Zeqiri shprehet i rezervuar për mundësinë e përsëritjes së sulmeve të ngjashme me atë të 29 nëntorit 2024 në të ardhmen, teksa gjendjen aktuale në komunën që ai e drejton e vlerëson të qetë dhe nën kontroll.

    Zeqiri në një intervistë për KosovaPress thotë se bashkëpunimi me komunitetin serb është i mirë dhe se nuk ka probleme të theksuara.

    “Sulm terrorist me metoda të diversionit… Tash sa i përket grupeve ose individëve që mund të bëjnë sërish veprime të tilla, unë nuk e shoh të pamundur, sepse ndodhin nëpër të gjitha shtetet e konsoliduar… Sa i përket sigurisë mendoj se gjithçka është nën kontroll, edhe pse ekipet e sigurisë akoma hulumtojnë ndërlidhjet me rastin që ka ndodhur (në kanalin Ibër-Lepenc), kështu që situata është nën kontroll. Besoj se është një relaksim i situatës edhe sa i përket qytetarëve, do të thotë jetohet lirshëm, qarkullohet lirshëm dhe punohet lirshëm…”, ka thënë Zeqiri.

    Sa i përket bashkëpunimit me nivelin qendror, Zeqiri thotë se nuk ka ankesa të theksuara në këtë drejtim teksa asnjëherë nuk ka kërkuar mbrojtje të afërt për çështje sigurie.

    “Sa i përket qeverisë dhe ministrive nuk mund të them se kam ndonjë ankesë të theksuar. Ani pse telashet te ne janë të mëdha, derën hapur e kemi te secila ministri… Nuk kemi diçka të themi se jemi të anashkaluar, kemi premtime shumë, ndoshta realizime më pak… Jo, nuk kam kërkuar dhe nuk kam mbrojtje të afërt… Nuk do të dëshiroja të vijmë në situata kur mua më duhet të mobilizoj forca rreth vetes për ta kryer detyrën time kushtetuese si një shërbyes ndaj qytetarit”, tha Zeqiri.

    Duke folur mbi punësimet në komunë, kryetari Zeqiri thotë se ajo është pothuajse e barabartë në aspektin ndër-etnik.

    “40 janë të punësuar në komunë nëpër detyra të ndryshme…mund të jetë përqindja e serbëve pak më e madhe, mos të them 50-50 për qind… Ne po i shqyrtojmë mundësitë dhe hapësirat e punësimit dhe jemi në trend të hapjes së konkurseve, kryesisht prioritetin si në konkurset e mëparshme, por edhe tash e kanë shumica serbe për t’u punësuar dhe shpresoj shumë se do ta plotësojmë stafin edhe në nivel të përbërjes etnike ashtu qysh shkon, 80 për qind të jetë shumica serbe dhe diku rreth 20 për qind t’i takojë komunitetit shqiptar…”, ka thënë Zeqiri.

    I pari i Zubin Potokut ka folur edhe për planet e realizimit të projekteve për 2025, por duke mos dashur të zbulojë nëse do t’i hyjë garës edhe për një mandat të dytë si kryetar i komunës.

    “Buxheti është rreth 3 milionë e gjysmë dhe në bazë të kërkesave të qytetarëve kemi planifikuar buxhetin për të investuar. Kryesisht ka kërkesa të mëdha në infrastrukturë. Komuna e Zubin Potokut është e vogël nga numri i qytetarëve, por është e katërta sa i përket terrenit dhe kemi terrene të shpërndara ku mungon infrastruktura rrugore, rrjetet e kanalizimit, elektrifikimi është në shumë vende i dëmtuar… E di që mandati është diku deri nga vjeshta… dhe kujtoj që është herët për të folur për këtë punë…”, ka thënë Zeqiri.

    Zeqiri në mesazhin e tij për qytetarët thotë se duhet të ndihen krenarë me infrastrukturën ligjore që ofron shteti i Kosovës për të gjithë, pa asnjë dallim. /KP

  • KMDLNj: Vizitat në Hagë për selfie e turizëm, Kuvendi të amandamentojë Ligj për Specialen

    KMDLNj: Vizitat në Hagë për selfie e turizëm, Kuvendi të amandamentojë Ligj për Specialen

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ashpër ndaj mungesës së transparencës dhe llogaridhënies së Gjykatës Speciale, duke theksuar se kjo gjykatë nuk i përgjigjet institucioneve të Kosovës.

    Sipas këshillit edhe trajtimi i të burgosurve është diskriminues, derisa kërkon nga Kuvendi i Kosovës amandamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për të siguruar një mekanizëm monitorimi efektiv, e jo të mbeten vetëm siç i quan ”deklarata mashtruese”.

    ”KMDLNj vazhdimisht ka këmbëngulur që Kuvendi i Kosovës, si themelues të mbajë një apo më shumë seanca ku do të kërkohej transparencë dhe llogaridhënie për trajtimin e pengjeve të Hagës e që në asnjë mënyrë nuk do të merrej si ndërhyrje në punën e kësaj Gjykate.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës të ndarë në baza partiake dhe politike nuk e kanë bërë as përpjekjen më të vogël të luajnë rolin e të zgjedhurit të popullit dhe përmbushjen e mandatit detyrues për përfaqësim dhe mbrojtje të drejtave të njeriut përkatësisht të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. KNKK nga Gjeneva nuk ka kohë të takojë të burgosurit dhe të dëgjojë shqetësimet e arsyeshme kurse Avokati i Popullit i Holandës nuk merret fare me këtë çështje dhe nuk i njehë autoritetet kosovare.

    Pengjet në Hagë janë vizituar nga deputetë të Kuvendit, nga Komisioni për të drejtat e njeriut i Kuvendit të, nga ministra, z.kryeministra dhe nga Kryetari i Kuvendit. Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës nuk e kanë treguar as interesimin më të vogël për t’i vizituar që, sipas KMDLNj-së është qasje diskriminuese.

    Edhe vizitat janë bërë selektive, për turizëm, për selfie dhe për përfitime politike dhe materiale. Sidomos materiale shkaku se përveç rrogës së majme, kanë marrë edhe mëditje për këto vizita.

    Më parë kryetari i Kuvendit kishte kërkuar një Mekanizëm monitorues dhe kjo ishte e tëra që e bëri. Ishte mashtrim ordiner.

    Një muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe para përfundimit të mandatit, ministrja e Drejtësisë kërkoi të formohet një Mekanizëm vendor a ndërkombëtar për monitorim ndonëse nuk ka lënë gurë pa lëvizur t’ua bëjë jetën sa më të rëndë dhe t’ua pakësojë mundësitë për një mbrojtje efektive. KMDLNj thekson se këto janë deklarata mashtruese, për përdorim të brendshëm, për përfitime politike dhe blerje të votave.

    KMDLNj ia përkujton opinionit se asnjë vizitë nga Kosova pavarësisht cilit institucion i përkasin nuk llogaritet si vizitë zyrtare por si vizitë private apo familjare që tregon qartë shpërfilljen që ua bënë Gjykata edhe përfaqësuesve më të lartë institucionalë.

    KMDLNj shpreson se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë më e përgjegjshme, profesionalisht dhe institucionalisht duke amandamentuar Ligjin për Gjykatën Speciale duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe afatizim të punës ose, që do të konsiderohej e përgjegjshme dhe minimalisht e ndershme të deklarojë botërisht se kjo Gjykatë nuk është, me asgjë e Kosovës”.

  • Gripi në Kosovë, Hashani: Kemi rritje të lehtë, nuk ka nevojë për shqetësim

    Gripi në Kosovë, Hashani: Kemi rritje të lehtë, nuk ka nevojë për shqetësim

    Gripi ka mbërthyer edhe Kosovën. Qendrat e Mjekësisë Familjare po vërshohen nga pacientët për kontrolle. Ndonëse, ky grip llogaritet më i vrazhdë, kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, ka thënë se nuk ka nevojë për shqetësime.

    Në një intervistë për Ekonomia Online ai tha se në javën e fundit ka një rritje të lehtë të fluksit të pacienteve.

    “Ndërsa, sa i përket gjendjeve të virozave të cilat manifestohen zakonisht në muajin dhjetor dhe janar kemi një rritje të lehtë, por simptomatologjia është pak a shumë më e rëndë se te gripat e tjerë, me qenë se shumicës së pacientëve i ordinohen edhe infuzionet, terapi parenterale me çka tregon se gjendja e këtyre pacienteve nuk përmirësohet edhe brenda dy, tri ose katër ditëve. Mirëpo, edhe këto janë sigurisht mutacione gjenetike të viruseve, edhe në kuadër të virozëve, të cilat janë të parapara ose janë të paraqitura edhe në sezonet e më hershme, nuk janë dicka risi”, tha Hashani.

    Ai u bënë apel qytetarëve se nuk ka nevojë për shqetësime, pasi sipas tij edhe terapia viroze është terapi simptomatike.

    “Njëjtë është edhe në lidhje me këtë gripin kineze që po raportohet në media, mirëpo kjo është realisht mutacion i këtyre virozave që veç i kemi pasur në këtë dekadën e fundit. Nuk ka nevojë për shqetësime, terapia viroze është terapi simptomatike, mirëpo këto po manifestohen edhe me inflamacionet të traktit sipërme-respirator ose edhe të poshtëm respirator, të cilat pastaj e komplikojnë gjendjen për shkak se nevojitet edhe marrja e terapisë me antibiotik ose trajtimi i pacientëve me antibiotik që realisht e vështirëson ose po e rrit fluksin e pacientëve për shkak të marrjes së infuzioneve të cilat ordinohen ne QKMF dhe në 17 qendrat tjera që i kemi të distribuarua në Prishtinë. Ky grip si mutacion që po paraqitet është pak më i vrazhdë por nuk ka nevojë për shqetësime”, tha Hashani.

    Ai rekomandon se pjesa më e madhe e pacientëve duhet të marrin çaj, supa, vitamina, marrje të paracetamolit për të menaxhuar temperaturën dhe dhimbjet.

    “Bazuar në simptomatologjin që i ka pacienti, por edhe ato që i kërkojmë në bazë të analizave laboratorike në qoftë se gjejmë që ka nevojë ose është rritur numri i leukociteve ose e kemi CRP e lartë atëherë orientojmë edhe terapi me antibiotik. Simpotmatologjia në qoftë se atakon organet tjera, këto po manifestohen edhe me vjellje, barkqitje, por edhe me dhimbje muskulare, në përgjithësi me plogështi. Simptomatologjia është e njëjtë por rikuperimi i pacienteve ose trajtimi i pacienteve po zgjatë jo sikurse rëndom prej gripit 3-4 ditë, por këto po zgjatin me dy e tri javë si trajtime. Kuptohet se trajtimet zgjatin për shkak të rimarrjes së organizmit, rimarrjes së imunitetit e kështu me radhë. terapia zakonisht që ordinohet me antibiotik është terapi 4-5 ditë, ndërsa pjesa tjetër merret me terapi suplumetale ose ndihmuese. Pjesën më të madhe e pacientëve që duhet me marr është çaj, supa, marrje të vitaminave, marrje të paracetamolit për të menaxhuar temperaturën dhe dhimbjet. Ndërsa pjesa tjetër që është shumë me rëndësi te gjendjet gripoze është regjimi i shtrati, duhet që të pushojnë me qëllim që të rritin imunitetin”, tha ai.

    Hashani thekson se vitin e kaluar në periudhën e njëjtë kohore me vitin e kaluar, sivjet vërehet një rritje e lehtë e rasteve të prekura me grip.

    “Në dhjetor të vitit të kaluar 4 mijë e 504 raste. Kemi një rritje të lehtë edhe këtë javë, ndërsa në raport në vitin 2024 i kemi pasur 45 mijë e 594 raste me grip ose gjendje virale. Ndërsa në vitin 2023 ka qenë diku 36 mijë raste, që në fakt nëse e krahasojmë në vitin 2023 me 2024 e kemi për 9 mijë raste me shumë të paraqitura nga virozat për vitin 2024”,tha ai.

  • Specialja edhe këtë javë në pushim, seancat fillojnë javën tjetër

    Specialja edhe këtë javë në pushim, seancat fillojnë javën tjetër

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (Specialja), me seli në Hagë, edhe këtë javë janë në pushim dimëror.

    Pushimi dimëror i Dhomave të Specializuara ka filluar më 23 dhjetor 2024 dhe do të zgjasë deri më 10 janar 2025. Seancat pritet të rifillojnë më 13 janar 2025.

    Javën e ardhshme, seancat do të vazhdojnë me çështjen Thaçi dhe të tjerët, për të cilën janë planifikuar të mbahen katër seanca gjyqësore.

    Ndërkaq, gjatë këtij muaji, në këtë rast gjyqësor pritet të mbahen gjithsej 12 seanca, sipas kalendarit të punës së Speciales.