ATV

Category: Lajme

  • Me fushatën zgjedhore nisin edhe pritjet e qytetarëve për ndryshime

    Me fushatën zgjedhore nisin edhe pritjet e qytetarëve për ndryshime

    Investimet, puna, arsimi… Këto pak fjalë mund të dëgjoheshin nga tri gra që ecnin në një shesh të zhurmshëm të Prishtinës, këtë fillim-janar.

    Me t’iu afruar mikrofonin e Radios Evropa e Lirë, ato nuk hezituan të tregonin se po flisnin për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Një e ardhme më e mirë për vendin”, thanë se është dëshira e përbashkët e tyre.

    E kjo, sipas njërës prej tyre, do të mund të arrihej vetëm me ringjalljen e industrisë.

    “Të gjitha fabrikat janë mbyllur. Pajisjet në to kanë qenë të vjetruara, por me kohë kanë mundur të modernizohen dhe të krijohen mundësi punësimi për brezat e rinj”, u shpreh Hikmete Xharra, profesoreshë në pension e Gjuhës Angleze.

    Kosova, me mbi 2 milionë votues të regjistruar brenda dhe jashtë vendit, mban zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt.

    Në garë janë mbi 1.200 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit, dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti i Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Fushata e tyre për t’i bindur qytetarët që të votojnë, nisi zyrtarisht më 11 janar.

    Për Nazmije Kaçin, kushdo që të fitojë, do të duhej të angazhohej më shumë për tërheqjen e investimeve të huaja në ndërmarrje të ndryshme të Kosovës.

    Si inxhiniere e fizikës, ajo tregoi se ka punuar me vite në Minierën e Kishnicës, e cila deri në vitet ’90 ishte një prej motorëve të ekonomisë së Kosovës, por edhe të Jugosllavisë së atëhershme në përgjithësi.

    Sot, kjo minierë, e cila gjendet në magjistralen Prishtinë-Gjilan, punon me kapacitete të reduktuara, pikërisht për shkak të pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së investimeve.

    Nazmija beson se, viteve të fundit, janë krijuar kushte më të mira të sigurisë për investime të huaja.

    “Veriu [zonë e banuar me shumicë serbe] është më i sigurt. Investitorët e huaj e kanë më lehtë të investojnë, por nevojitet angazhim i institucioneve”, sipas saj.

    Vetë pensioniste, ajo nuk e lë pa përmendur as këtë kategori të shoqërisë, përfitimet mujore të së cilës variojnë – 120 euro janë pensionet e moshës dhe 218 deri në 318 euro janë pensionet për kontrbutpaguesit.

    “Pensionet duhet të rriten deri në 500 euro në muaj. Kjo shumë do të siguronte një mirëqenie më të mirë për pensionistët. Shuma që marrim tash, është shumë e vogël”, sipas Nazmijes.

    Në bisedë u përfshi edhe shoqja e tyre.

    “Kosova nuk ka ende Shtëpi të Operës dhe Baletit”, tha shkurtimisht ajo.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit janë të parat të rregullta që do të mbahen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.

    Kushdo që i fiton ato, sipas Florim Gashit, do të duhej ta kishte prioritet arsimin.

    “Arsimi është ai trungu që shpërndan gjithçka”, sipas tij.

    Vetë mësimdhënës për më shumë se dy dekada në qytetin e Podujevës, ai ankohet për cilësinë e ulët në arsim, e cila shpesh është përmendur edhe në raporte dhe vlerësime të ndryshme ndërkombëtare.

    “Duhet të bëhen reforma dhe në qendër të jetë mësuesi, e jo dikush tjetër… sepse në pozita udhëheqëse po vijnë njerëz politikë dhe jo profesionalë”, u shpreh ai.

    Një tjetër çështje me rëndësi, sipas tij, është edhe siguria në çdo anë të Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku shpesh ka trazira.

    “Shih sa bukur është në sheshin e Prishtinës. Liria e lëvizjes është e rëndësishme për qytetarët”, u shpreh mësimdhënësi.

    Në sheshin ku po shëtiste ai, REL-i takoi edhe Artan Gjimnicën, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, por po vizitonte Kosovën për festat e fundvitit.

    Ai tha se është regjistruar për të votuar me postë nga SHBA-ja.

    Për Artanin, askush nuk duhet të bëjë premtime boshe, por të sigurojë zhvillim të vërtetë të vendit.

    Partia që ka vendosur ta votojë ai, tha se “e ka treguar veten” dhe prej saj tani pret që të bëjë më shumë në luftimin e korrupsionit dhe rritjen e punësimit.

    Kosova, me 1.6 milion banorë të regjistruar, ka shkallën e papunësisë në rreth 10 për qind.

    Paga mesatare në vend është 570 euro.

    Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, rritja ekonomike këtë vit do të jetë më pak se 4 për qind.

    Shumë parti politike dhe kandidatë të tyre ka kohë që kanë nisur të bëjnë fushatë, qoftë me vizita në qytete të ndryshme të Kosovës dhe jashtë saj, qoftë me paraqitje të vazhdueshme televizive.

    Ata përpiqen të fitojnë besimin e 2.075.868 votuesve të regjistruar, duke premtuar investime në arsim, shëndetësi, ekonomi, infrastrukturë, bujqësi e sport, por edhe rritje të pagave dhe pensioneve.

    Qytetarët që biseduan me REL-in, thanë se planifikojnë të votojnë, por nëse pritjet e tyre do të përmbushen, mbetet për t’u parë.

    Premtime të ngjashme, ata kanë dëgjuar edhe më herët… /REL/

  • Vendi në flakë prej ditësh, rreth 35,000 shtëpi e biznese mbesin pa energji elektrike në Los Angeles

    Vendi në flakë prej ditësh, rreth 35,000 shtëpi e biznese mbesin pa energji elektrike në Los Angeles

    34,646 shtëpi dhe biznese në Los Angeles janë tani pa energji elektrike, sipas Poweroutage.us, një monitorues i ndërprerjeve që gjurmon ndërprerjet në të gjithë SHBA-në, raporton The Guardian.

    Rreth 18,400 klientë të Edison të Kalifornisë Jugore mbeten pa energji elektrike, si dhe rreth 16,100 klientë të Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles dhe rreth 100 me Pasadena Water and Power, sipas të dhënave më të fundit.

    Në një përditësim të postuar në X disa orë më parë, Departamenti i Ujit dhe Energjisë në LA tha se që nga fillimi i zjarreve të martën ata kanë rikthyer furnizimin me energji elektrike për mbi 355,000 klientë.

  • Kurti shkon te Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, fton qytetarët ta vizitojnë me fëmijët

    Kurti shkon te Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, fton qytetarët ta vizitojnë me fëmijët

    Kryeministri Albin Kurti ka vizituar së fundmi Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar në Rashincë të Shtimës.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes disa fotografive të postuar në Instagram, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve ta vizitojnë këtë vend, sidomos me fëmijët.

    “Rashinca e Shtimes e ka vendosur vendin tonë në hartën ndërkombëtare të astronomisë me Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës. I pajisur me teleskopin më të madh solar në Evropën Lindore të kompanisë SkywatcherUSA, ai është hapësirë e frymëzim për shkencëtarët e rinj dhe vrojtuesit e apasionuar të universit të pafund. Për një përvojë të veçantë e të paharruar ju ftoj ta vizitoni të gjithë, sidomos bashkë me fëmijët tuaj. Ky projekt është mbështetur nga Komuna e Shtimes, Ministria jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe donatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një vlerë totale prej 310 mijë euro dhe është i pari dhe i vetmi në vend”, ka shkruar Kurti.

  • Jack Smith jep dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë

    Jack Smith jep dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë

    Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, pasi e ka dorëzuar raportin hetues ndaj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

    Departamenti i Drejtësisë e bëri të ditur largimin e tij të shtunën mbrëma, duke thënë se ai dha dorëheqje të premten.

    Dorëheqja e tij, 10 ditë para se Trumpi ta marrë detyrën, vjen pas përfundimit të pasuksesshëm të dy ndjekjeve penale kundër Trumpit, të cilat pushuan pasi Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor.

    Tash çështje është fati i një raporti dyvolumesh që Smithi dhe ekipi i tij e kishin përgatitur gjatë hetimit të tyre të dyfishtë për përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë humbjen e tij kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij, Mar-a-Lago.

    Departamenti i Drejtësisë pritej ta bënte publik raportin në ditët e fundit të administratës Biden, por një gjykatëse e emëruar nga Trumpi, e cila e udhëhoqi rastin e dokumenteve të klasifikuara, e pranoi kërkesën e mbrojtjes që publikimi i raportit të shtyhej të paktën përkohësisht.

    Dy nga bashkëpandehurit e Trumpit në atë rast, shërbyesi i tij personal, Walt Nauta, dhe menaxheri i pronës në Mar-a-Lago, Carlos De Oliveira, argumentuan se publikimi i raportit do të ishte padrejtësisht paragjykues, një argument që edhe ekipi ligjor i Trumpit e mbështeti.

    Departamenti u përgjigj duke thënë se do ta mbante të fshehtë nga publikimi vëllimin e dokumenteve të klasifikuara për aq kohë që proceset penale kundër Nautas dhe De Oliveiras mbeten pezull.

    Megjithatë, prokurorët thanë se e kanë ndër mend të vazhdojnë me publikimin e vëllimit që lidhet me ndërhyrjen në zgjedhje.

    Në një mocion urgjent të premten mbrëma, ata kërkuan nga Gjykata e Apelit me bazë në Atlanta që ta heqë menjëherë një ndalesë të vendosur nga gjykatësja e Qarkut Aileen Cannon, e cila kishte ndaluar publikimin e ndonjë pjese të raportit.

    Ata i thanë veçmas Cannonit të shtunën se ajo nuk ka autoritet për të ndaluar publikimin e raportit, por ajo u përgjigj me një urdhër që kërkonte nga prokurorët të dorëzonin një material shtesë deri të dielën.

    Gjykata e Apelit e hodhi poshtë të enjten një kërkesë urgjente të mbrojtjes për të bllokuar publikimin e raportit për ndërhyrjen në zgjedhje, i cili mbulon përpjekjet e Trumpit para trazirave në Kongres më 6 janar 2021 për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës. Por, gjykata e la në fuqi ndalesën e Cannonit që asnjë nga gjetjet nuk mund të publikohen deri tri ditë pas zgjidhjes së çështjes nga Gjykata e Apelit.

    Departamenti i Drejtësisë i tha Gjykatës së Apelit në mocionin e tij urgjent se urdhri i Cannonit ishte “qartësisht i gabuar”.

    Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që prokurorët e posaçëm të përpilojnë raporte në përfundim të punës së tyre, dhe është zakon që dokumente të tilla të bëhen publike pavarësisht temës së tyre.

    William Barr, prokuror i përgjithshëm gjatë mandatit të parë të Trumpit, e publikoi një raport të prokurorit të posaçëm që shqyrtonte ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, dhe lidhjet e mundshme me fushatën e Trumpit.

    Prokurori i përgjithshëm i Biden, Merrick Garland, ka publikuar gjithashtu raporte të prokurorëve të posaçëm, përfshirë ato për trajtimin e informacionit të klasifikuar nga Biden përpara se të bëhej president.

  • O’Brien: ShBA-të do t’i kushtojnë vëmendje nevojave të Kosovës

    O’Brien: ShBA-të do t’i kushtojnë vëmendje nevojave të Kosovës

    Ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka folur rreth dialogut strategjik mes ShBA-së dhe Serbisë.

    O’Brien në një intervistë për RTS-në, ka thënë se çështja e Kosovës është një nga më të ndjeshmet, pasi që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nuk pajtohen rreth kësaj teme.

    “Dialogu strategjik SHBA-Serbi është një mundësi për dy qeveritë tona për të bashkëpunuar në programe që do të jenë të përhershme. Është një shenjë e pjekurisë së marrëdhënieve tona. Presidenti Vuçiq theksoi temat e tij të rëndësishme, janë gjashtë apo shtatë tema në atë listë dhe kjo do të krijojë një mënyrë në të cilën ne mund të bashkëpunojmë në afat të gjatë”, tha ai transmeton Klankosova.tv

    Ai tha se tani ekziston një mundësi për të propozuar një vizion se si mund të jetojnë serbët në Kosovë.

    “Qëndrimi ynë është se ekziston një mundësi për të propozuar një vizion se si serbët mund të jetojnë brenda Kosovës si komunitet, por edhe si qytetarë të plotë të Kosovës. Dialogu strategjik është një mundësi për t’u siguruar se ka shumë mirëkuptim të qëndrimeve të të gjitha palëve. Vendimet do të jenë në dorën e popullit të Serbisë dhe ata do të duhet të vendosin nëse janë të gatshëm të ndërmarrin hapat që pret Evropa, pra njohjen e kufijve. Mendoj se ky dialog do të jetë një nga mjetet me të cilat do të mund të shmangim keqkuptimet”, tha O’Brien.

    Diplomati amerikan theksoi se shpesh krijohej përshtypja se puna e qeverisë nuk ishte efektive, por se ishte e nevojshme të vazhdonin bisedimet për të parë se cilat ishin problemet reale, transmeton Klankosova.tv

    Ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, ndër të tjera foli edhe për ndryshimin e administratës atje, pas mbarimit të mandatit të presidentit Joe Biden dhe ardhjes së Donald Trumpit, në krye të Shtëpisë së Bardhë.

    James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i kushtojnë vëmendje nevojave të Kosovës që të ketë sukses në aspiratat e saj, por edhe faktit që serbët në ato zona të jetojnë mirë dhe me cilësi, siç është rasti me komunitetet nëpër Evropë që jetojnë në vende ku nuk kanë lindur.

    “Nëse flasim, mund t’i zgjidhim të gjitha problemet”, tha ai.

  • Të hënën rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Të hënën rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, do të dalin përpara trupit gjykues të hënën, pasi Gjykata Speciale ishte në pushim dimëror për tri javë.

    Seancat do të rikthehen në orarin e tyre të rregullt, nga e hëna në të enjten, me fillim nga ora 09:00.

    Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të pranojnë me shkrim dëshmitë e dy dëshmitarëve.

    Ky vendim është marrë më 6 janar, ndërsa mbrojtja do të ketë mundësinë t’i marrë në pyetje dëshmitarët përkatës. Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara, theksoi gjatë konferencës së saj javore se ky vendim është pjesë e një procesi të vazhdueshëm të shqyrtimit të provave.

    “Dëshmitë e shkrimtuara do të pranohen dhe mbrojtja do të mund t’i pyet dëshmitarët. Ky është një hap i rëndësishëm në përgatitjen e gjykimit,” tha Griep, duke shtuar se po ashtu është miratuar që një dëshmitar të japë dëshmi nëpërmjet video-konferencës.

    Në të njëjtën çështje, më 20 dhjetor dhe 6 janar, trupi gjykues gjithashtu ka aprovuar disa kërkesa të Prokurorisë për paraqitjen e provave të tjera materiale dhe dëshmive të tjera shoqëruese.

    Ndërsa, më 18 dhjetor 2024, mbrojtësit e viktimave kishin kërkuar që një anëtar i familjes së një viktimë që ka ndërruar jetë, të mund të marrë pjesë në emër të saj gjatë procesit gjyqësor.

  • Rrugët drejt pikave kufitare të kalueshme, të domosdoshme pajisjet dimërore

    Rrugët drejt pikave kufitare të kalueshme, të domosdoshme pajisjet dimërore

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur gjendjen e rrugëve që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar në Kosovë.

    Sipas raportit më të fundit, të gjitha rrugët janë të kalueshme për automjete, por drejtuesit duhet të kenë pajisje dimërore, për shkak të borës në disa segmente rrugore.

    Në rrugët Mitrovicë – Bërnjak, Gjakovë – Qafë Morinë, Gjakovë – Qafë e Prushit, Gjilan – Dheu i Bardhë dhe pika të tjera, rrugët janë të mbuluara me borë, por pa prani të akullit apo pengesave si rrëshqitje dheu.

    Edhe në Mitrovicë – Jarinjë, Pejë – Kullë, Podujevë – Merdar, Prizren – Vërmicë, qarkullimi mbetet i sigurt për automjetet pavarësisht borës.

    Drejtuesit e automjeteve këshillohen që të pajisen me zinxhirë, goma dimërore dhe mjete të tjera për qarkullim të sigurt, sidomos në zonat me borë dhe kushte të tjera dimërore.

  • Arrestohet një i dyshuar për dhunë në familje në Gjakovë

    Arrestohet një i dyshuar për dhunë në familje në Gjakovë

    Një person është arrestuar në Gjakovë pë dhunë në familje.

    Ai dyshohet se ka sulmuar fizikiaht dy gra dhe ka shkaktuar dëme materiale në shtëpi.

    Ai është dërguar në mbajtje.

    “DHUNË NË FAMILJE- Gjakovë 11.01.2025-00:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje verbale i ka sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare. I dyshuari kishte shkaktuar edhe dëme materiale në shtëpi. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.”

  • Haradinaj e Limaj testojnë sot fuqinë elektorale në sallën “1 Tetori”

    Haradinaj e Limaj testojnë sot fuqinë elektorale në sallën “1 Tetori”

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Formumin Intelektual E-30, dhe Listën Ideal hapin sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Ceremonia mbahet me fillim nga ora 13:30 në Prishtinë në sallën “1 Tetori”.

    Ndërkaq dje, fushatën zgjedhore e hapën Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Koalicioni për Familjen dhe Lëvizja Vetëvendosje.

  • Moti sot kryesisht i vranët e me reshje bore në disa zona

    Moti sot kryesisht i vranët e me reshje bore në disa zona

    Moti sot në Kosovë parashihet të jetë kryesisht i vranët e me reshje të izoluara bore në disa zona, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Temperaturat minimale do të lëvizin mes minus 5 e minus 2 gradë celsius, e maksimalet mes minus 2 dhe zero gradë.

    “Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1-9 m/s”, ka njoftuar IHMK-ja.