ATV

Category: Lajme

  • Ngecin kërkimet për të zhdukurit gjatë luftës, Serbia mban peng arkivat

    Ngecin kërkimet për të zhdukurit gjatë luftës, Serbia mban peng arkivat

    Serbia vazhdon të refuzoj që të dorëzoj te Kosova të dhënat nga arkivat që do të ndihmonin në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës nga forcat serbe.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, kritikoi mungesën e gatishmërisë së palës serbe për të ofruar të dhëna nga arkivat, duke penguar përparimin e kërkimeve.

    “Përkundër sfidave të mëdha, e që mbi të gjitha edhe gjatë këtij viti puna dhe angazhimi ynë është sfiduar me mungesën e informacioneve të besueshme , që ndërlidhet, si rezultat edhe i një politizimi të skajshëm të këtij procesi nga institucionet e Serbisë, me mungesën e gatishmërisë së palës serbe, për të vë në dispozicion të dhënat nga arkivat e tyre, si dhe duke prolonguar e pamundësuar vazhdimin e vlerësimeve apo fillimin e gërmimeve në lokacionet tanimë të shënjuara brenda territorit të Serbisë”, ka thënë Gara.

    Megjithatë, ai vlerëson se përmes bashkëpunimit të pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare, mbështetjen institucionale dhe përkrahjen nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përkushtim të stafit e secilit zyrtar të institucioneve të angazhuar në këtë proces, janë bërë hapa domethënës drejt drejtësisë dhe të vërtetës, drejt respektimit të një të drejtë elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur.

    Gara thekson se Komisioni ka bërë hapa të rëndësishëm për drejtësinë dhe të vërtetën përmes bashkëpunimit me familjet e të zhdukurve dhe partnerët ndërkombëtarë.

    Në vitin 2024, janë realizuar mbi 33 operacione dhe aktivitete në terren, duke përfshirë 23 lokacione në Kosovë. Koordinimi i vazhdueshëm me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe sektorin për personat e zhdukur, sipas tij ka mundësuar përparim në vlerësimet dhe kërkimet.

    “Me qëllim të një koordinimi më të mirë dhe funksionimit si një ekip, krahas takimeve të KQPZH-së, kemi vazhduar me praktikën e takimeve të rregullta me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Sektorit për Persona të Zhdukur kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në veçanti në adresimin e informatave dhe realizimin e vlerësimeve të nevojshme në terren. Gjatë vitit 2024, janë realizuar më shumë se 33 operacione apo aktivitete fushore. Përfshirë 23 lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kuptim të gërmimit vlerësues, që ndërlidhen me procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur”, tha Gara për Ekonomia Online.

    Të gjitha lokacionet e adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues, paraprakisht sipas tij nënkuptojnë një sërë aktivitete të ndjekura, në respektim të legjislacionit në fuqi, përfshirë këtu edhe sigurimin dhe trajtimin e informatave, vizitat e nevojshme në terren, shënjimi i lokacionit, sigurimi i urdhëresave nga gjykata kompetente, përmes prokurorëve për krime lufte.

    “Nga 23 lokacionet në fjalë, vetëm 9 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore. Sipas ekspertëve mjekoligjor nga këto lokacione janë zhvarrosur 13 individë, megjithatë kjo e dhënë mund të konfirmohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme të ekzaminimit mjekoligjor përfshirë edhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”, theksoi ai.

    Tutje, ai shtoi se në vitin 2024, janë realizuar vlerësimet e nevojshme në lokacionet brenda Kosovës, ndërsa në Serbi, përkundër dakordimeve, nuk ka pasur ftesë për vlerësime në Batajnicë dhe Kozarevë.

    “Përderisa në lokacionet brenda territorit të Republikës së Kosovës, janë kryer vlerësimet e nevojshme, në lokacionet brenda territorit të Serbisë përkundër dakordimeve nuk ka pasur ftesë për vlerësim në lokacionet në Batajnicë dhe Kozarevë, në këtë lokacion përjashto një vizitë të përbashkët e realizuar më 18 tetor 2023. Ndërsa në lokacionin në Kozhle, në afërsi të një ‘deponie’, janë realizuar aktivitetet me qëllim të pastrimit apo përgatitjes së terrenit dhe në kohën kur pritej datat e fillimit të vlerësimeve, edhe ky rast/lokacion është bartur në vitin 2025 nga pala serbe”, shtoi Gara.

    Ai theksoi se në Kozhle janë realizuar aktivitete për pastrimin e terrenit, por edhe ky lokacion është shtyrë për në vitin 2025 nga pala serbe.

    Gjatë dy takimeve, delegacioni ka paraqitur rreth 20 kërkesa për prioritetizimin e rasteve dhe lokacioneve, duke përfshirë kërkesa për qasje në arkiva dhe vazhdimin e vlerësimeve në lokacione si Batajnica, Bajna Bashta, Surdulica, Kozareva dhe rastet e zhdukjes si Masakra e Tërnjes dhe rasti i Intelektualëve.

    “Delegacioni gjatë dy takimeve , ka prezantuar rreth 20 raste- lokacione në formë të kërkesave me qëllim të prioritizimit , si kërkesa për qasje në arkivat (Arkivat e Brigadës së Motorizuara 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave ; arkivat e Brigadës së Motorizuar 549 të ish-Ushtrisë Jugosllave), rikthimi në lokacionet e konfirmuara si varre masive në territorin e Serbisë, si Batajnica, Bajna Bashta, Petrovosello, vazhdimi i vlerësimeve apo fillimi i vlerësimeve në disa lokacione, si Surdulica, Kozareva, Banja, Kozhle, Jallovishta, çështja e furrnaltave si Bor, Mackatica, Trepca, Ferronikeli, rastet e zhdukjes në grup që nuk ka asnjë identifikim Rasti i Intelektualëve, Masakra e Tërnjes, dhe Pokleku i Ri , rastet individuale profesor Ukshin Hoti, Dr Hafir Shala, z Xhavit Haziri, Sahide Metushi-Masakra e Recakut, Albion Kumnova , dhe rastet e fëmijëve të zhdukur”, tha ai.

    Krahas bashkëpunimit mes institucioneve, si dhe me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur , Gara deklaroi se edhe gjatë vitit 2024 ka vazhduar bashkëpunim i rregullt me organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare, me ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare.

    “Në këtë rast mund të theksohet kontributit të rëndësishëm i EULEX-it, gjegjësisht mbështetjes përmes ekspertëve në Institutit e Mjekësisë Ligjore, bashkëpunimi me Kryqin e Kuq të Kosovës në shënimin e datave të veçanta dhe në rastin e angazhimit të dy hulumtuesve, si dhe një sërë angazhimesh e aktivitetesh në kuptim të mbështetjes nga ambasadat si Ambasada Zvicerane, Ambasada Britanike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, dhe organizatat si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, UNDP dhe Zyra e BE-së”, tha ai për Ekonomia Online.

    Nga 38 identifikimet e reja, ai tha se përfshihen 26 identifikime të viktimave që ishin, gjatë vitit 2024, në Listën e Personave të Zhdukur.

  • Kushtet atmosferike, LDK e shtyn prezantimin e programit për Qendrën e Skijimit në Brezovicë

    Kushtet atmosferike, LDK e shtyn prezantimin e programit për Qendrën e Skijimit në Brezovicë

    Për shkak të kushteve atmosferike, LDK ka njoftuar se e ka shtyrë për një ditë prezantimin e programit për Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

    “Për shkak të kushteve të vështira atmosferike në rrugën për Brezovicë, shtyhet për një ditë tjetër aktiviteti i sotëm në orën 10:00, për prezantimin e programit tonë për Qendrën e Skijimit në Brezovicë.”

    LDK ka thënë se aktivitetet tjera vazhdojnë sipas agjendës:

    16:00 Tubim elektoral në Kacanik

    Vendi: Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj”

    18:00 Tubim elektoral në Hani Elezit

    Vendi: Qendra e Kulturës “Imri Curri”

    19:00, Takim me qytetarë Gadime

    Vendi: Shkolla fillore “Zenel Hajdini”, në Gadime

    20:15, Takim me qytetarë në Obiliq

    Vendi: Shkolla fillore “Pandeli Sotiri” (Rruga Obiliq – Milloshevë)

  • Kritikohet Qeveria e Kosovës për neglizhencë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së të arrestuar nga Serbia

    Kritikohet Qeveria e Kosovës për neglizhencë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së të arrestuar nga Serbia

    Qeveria e Kosovës nuk e ka pasur qasjen e duhur ndaj arrestimeve të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Serbia, vlerësojnë njohës të çështjeve të drejtësisë, si dhe përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut, raporton Ekonomia Online.

    Ata theksojnë nevojën e krijimit të një fondi shtetëror për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes, si dhe kërkojnë që çështja e arrestimeve të shqiptarëve nga Serbia të trajtohet seriozisht në negociatat ndërkombëtare dhe të sigurohet që të drejtat e tyre të respektohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.

    Avokati Xhevdet Smakiqi, i cili për gati një vit ka përfaqësuar familjen e Hasan Dakajt, i liruar kohët e fundit nga paraburgimi në Serbi, ka akuzuar qeverinë për mungesë veprimi dhe mbështetjeje.

    Ai tha se përveç deklaratave publike dhe postimeve në rrjete sociale, Qeveria e Kosovës ka qenë “indiferente, spektatore dhe aspak mbështetëse” në rastin Dakaj dhe raste e tjera.

    “Unë jam i involvuar direkt në rastin e Hasan Dakajt i cili tashmë është liruar nga paraburgimi në Serbi dhe rrafsh për një vit kam qenë përfaqësues i familjes Dakaj edhe kam komunikuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme me të ngarkuarin me punë Jetish Jashari. Përveç deklaratave publike, postimeve në Facebook, qeveria e Kosovës ka qenë indiferente, spektatore dhe aspak mbështetëse në rastin Dakaj. Por, shihet që është edhe në raste të tjera, përkundrazi është e detyruar qeveria e Kosovës, sepse të arrestuarit ish pjesëtarët e UÇK-së nuk ndiqen për vepra penale ordinere. Si për shembull trafikim droge, apo vrasje të civileve, por ata ndiqen për shkak të aktivitetit të tyre për çlirimin e Kosovës. Po të krahasojmë të akuzuarit që i bënë Prokuroria Speciale e Kosovës për serbët lokal këtu në gjykatat tona, janë në dijeni dhe kam prova se Serbia ju paguan avokatët dhe unë kam bërë disa herë kërkesë që qeveria e Kosovës të akordoj një buxhet për t’i mbuluar qoftë shpenzimet e vizitave të familjareve, qoftë edhe shpenzimet e ushqimit për shembull për fëmijët e Hasan Dakajt, që kanë mbetur në solidaritetin e familjareve”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Smakiqi tha se një qeveri serioze dhe e përgjegjshme duhet të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar ndjekjet dhe arrestimet e padrejta ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke kërkuar që ndërkombëtarët të bëjnë presion më të madh ndaj Serbisë që ajo të ndaloj këtë praktik.

    Ai shtoi se duke marr parasysh që Qeveria aktuale “është anti-UÇK” dhe nuk është duke ju dal në ndihmë të arrestuarve, Serbia po vazhdon arrestimet ndaj tyre.

    “Dhe e dhimbshmja është se ish pjesëtarët e UÇK-së kur ndiqen nga Serbia për vepra patriotike për çlirimin e Kosovës ata nuk e kanë shtetin e Kosovës prapa dhe ndoshta Serbia duke parë një qeveri anti-UÇK është duke gjetur hapësirë për t’i ndaluar e arrestuar kudo që i ka. Do të ishte imediate në negociatat në Bruksel, të cilat i kemi parë që ka dështuar komplet qeveria e Kosovës, sepse kjo ka të bëje më një liri fondamentale, themelore, lëvizja e lirë e njerëzve. Prandaj, sikur të kishim një qeveri serioze do të ngritje kjo çështje dhe me ndërmjetës ndërkombëtar do të siguroheshim se pjesëtaret e UÇK-së nuk do të ndiqeshin, edhe pse kanë fletarrestim edhe në shtete e tjera, e keni parë edhe në Maqedoni ka qenë një rast. Dhe pjesëtarët e UÇK-së po përndiqen në mungesë të një qeverie që do të jetë aktive e përgjegjshme, këta që janë arrestuar nga Serbia edhe nuk i mbështetet me asnjë fond edhe nuk i mbështet me trysni ndërkombëtare për të krijuar monitorim nga organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ai.

    Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), theksoi se Serbia po përdor arrestimet si hakmarrje për ngritjen e aktakuzave ndaj serbëve për krime lufte në Kosovë.

    Ai bëri thirrje që ish-ushtarët e UÇK-së të shmangin udhëtimet nëpër Serbi për të parandaluar arrestimet arbitrare.

    “Ne kemi reaguar me një kërkesë për të gjithë ata të cilët kanë qenë ushtarët e UÇK-së mos të udhëtojnë nëpër Serbi, ka rrugë alternative. Serbia ka pasur raste që nuk i ka arrestuar për herë të parë i ka lënë një herë apo dy herë me kaluar, por me ngritjen e aktakuzave ndaj serbëve për krime lufte dhe arrestimet e serbëve ne Kosovë, atëherë Serbia në një farë mënyre është duke u hakmarrë edhe është duke i arrestuar shtetasit shqiptarë. Nuk do të thotë nëse dikush ka qenë ushtari i UÇK-së të ketë kryer ndonjë krim ndaj serbëve ose ndaj kujt tjetër, nuk është arsye që kanë qenë ushtar të UÇK të arrestohen. Sepse po të ishte ashtu 99 për qind e serbëve që janë në Kosovë do të duhej që të arrestoheshin sepse gjithë kanë qenë në shërbim të Serbisë, para lufte, gjatë luftuese e pas luftës”, ka thënë Shala për Ekonomia Online.

    Ai shton se Kosova ka obligim ndaj çdo shtetasi të Kosovës, i cili arrestohet në një vend tjetër që t’i siguroj mbrojtje ligjore dhe ndihma të tjera nëse ka nevojë, por që sipas tij në këtë drejtim Kosova ka mbetur prapa duke mos treguar interesim.

    “Shteti i Kosovës nuk po mund të bëjë asgjë për shkak të raporteve që ka me Serbinë, nuk ka bashkëpunim në fushën e drejtësisë dhe e tëra që mund të bëjë është që të reagoj përmes zyrës ndërlidhëse përmes ndërkombëtareve dhe të kërkoj që trajtim ndaj tyre të bëhet në përputhje me të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare. Në anën tjetër shteti ka obligim ndaj çdo shtetasi të Kosovës i cili arrestohet në një vend tjetër që ti siguroj mbrojtje ligjore dhe ndihma të tjera nëse ka nevojë, po në këtë drejtim Kosova ka mbetur prapa dhe e kemi parë që shumica e tyre që kanë qenë të arrestuar dhe që janë liruar nuk kanë fjalë të mira për shtetin e Kosovës sepse nuk kanë treguar ndonjë interesim apo nuk ka vepruar në përputhje me obligimin ligjor që e ka”, ka thënë Shala për Ekonomia Online.

  • Mali i Zi del me paralajmërim: Kujdes qytetarë, na presin erëra deri në 100km/h

    Mali i Zi del me paralajmërim: Kujdes qytetarë, na presin erëra deri në 100km/h

    Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka paralajmëruar se sonte priten të fryjnë erëra me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.

    Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme e këtij vendi ka dërguar një paralajmërim për të gjithë pjesëmarrësit në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe ka theksuar nevojën për ngritjen e gatishmërisë operacionale.

    Paralajmërimi erdhi bazuar në të dhënat e Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi, njoftoi radio “Antena M” me qendër në Podgoricë.

    Sipas parashikimit, sonte dhe në dy deri në tre ditët e ardhshme, në Mal të Zi priten erëra të forta veriore dhe verilindore me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.

    Priten reshje kryesisht të dobëta deri në mesatare, me borë në shumicën e rajoneve kontinentale të Malit të Zi, dhe shi në bregdet.

  • Sali Berisha: Do të bëjmë koalicion me partinë e Ilir Metës dhe forca të tjera

    Sali Berisha: Do të bëjmë koalicion me partinë e Ilir Metës dhe forca të tjera

    Berisha tha se ky front duhet të jetë i hapur dhe i fuqishëm, për të sfiduar dhe mundur qeverisjen aktuale, e cila, sipas tij, ka dështuar të përmbushë angazhimet ndaj qytetarëve dhe ka sjellë një klimë të pasigurisë dhe mungesës së mundësive për zhvillim.

    Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, konfirmoi se PD-ja do të krijojë një koalicion me Partinë e Lirisë dhe me parti të tjera për të siguruar – sipas tij – një fitore të sigurt.

    Ai theksoi se ky koalicion do të japë një rezultat pozitiv, ndërsa shtoi se radhën përfundimtare të koalicionit do ta përcaktojnë negociatat ndërmjet palëve.

    Kështu të paktën deklaroi ai gjatë një takimi me aktivistë dhe urbanistë të qytetit të Pogradecit, ku Berisha ngriti shqetësimin e tij për “agresionin mafioz” që po kërcënon identitetin e qytetit.

    Ai tha se projekti për ndërtimin e kullave në Pogradec është vetëm një nga disa investime që po mbështeten nga organizata kriminale shumë të rrezikshme nga Evropa dhe bota.

    Sipas Berishës, këto projekte, edhe pse janë promovuar si iniciativa moderne dhe pozitive, janë në fakt një kërcënim për trashëgiminë kulturore dhe historike të qytetit, përfshirë vlerësimet e UNESCO-s. Ai theksoi se Pogradeci, një qytet i njohur për bukurinë dhe historinë e tij, tani rrezikon të shndërrohet në një qytet të betonuara, ku identiteti i tij humbet përfundimisht.

    Berisha akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për mbështetje të këtyre projekteve dhe për rolin e tij në “fshehjen” e ndikimeve negative që këto projekte do të kenë mbi qytetin dhe mbi zhvillimin e tij të qëndrueshëm.

    Ai po ashtu theksoi se nuk ka asnjë transparencë për ndarjen e lejeve të ndërtimit dhe për shpronësimet që lidhen me këto projekte, duke theksuar se Rama ka përfshirë në këtë proces aktorë të ndryshëm që, sipas tij, nuk janë të interesuar për zhvillimin afatgjatë të qytetit, por vetëm për përfitime të menjëhershme.

    Në një prononcim tjetër, Berisha theksoi se Partia Demokratike ka qenë gjithmonë një forcë udhëheqëse për zhvillimin e Shqipërisë.

    Ai foli me entuziazëm për historinë e partisë dhe për faktin se ajo ka luajtur një rol kyç në nxjerrjen e Shqipërisë nga izolimi dhe në integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare.

    Ish-kryeministri nënvizoi se PD gjithmonë ka mbrojtur lirinë, dinjitetin dhe interesat kombëtare të shqiptarëve dhe se do të vazhdojë të jetë një forcë e fuqishme që punon për të mirën e qytetarëve.

    Përvjetori i 34-të i themelimit të Partisë Demokratike është një moment reflektimi, ku Berisha e konsideroi si një mundësi për të nderuar ata që ishin të parët që firmosën për krijimin e partisë.

    Ai u shpreh gjithashtu për nevojën e krijimit të një fronti më të gjerë opozitar, që do të bashkonte të gjitha partitë që synojnë ndryshimin dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri.

    Berisha tha se ky front duhet të jetë i hapur dhe i fuqishëm, për të sfiduar dhe mundur qeverisjen aktuale, e cila, sipas tij, ka dështuar të përmbushë angazhimet ndaj qytetarëve dhe ka sjellë një klimë të pasigurisë dhe mungesës së mundësive për zhvillim.

    Në përfundim, Berisha e mbylli fjalën e tij duke u shprehur se Partia Demokratike do të vazhdojë të mbrojë interesat e shqiptarëve dhe do të punojë për një Shqipëri më të fortë dhe të bashkuar, duke kërkuar mbështetje për koalicionin që do të krijohet për zgjedhjet e ardhshme.

  • Lista Serbe nis fushatën zgjedhore në Ranillug

    Lista Serbe nis fushatën zgjedhore në Ranillug

    Partia e serbëve të Kosovës, por që funksionon nën direktiva të Beogradit zyrtar, Lista Serbe, e ka nisur fushatën zgjedhore nga Ranillugu.

    Në fjalën e tij, presidenti i kësaj partie, Zllatan Ellek, tha se situata në Kosovë për serbët është e rëndë, por se zgjedhjet e 9 shkurtit janë mundësi që kjo situatë të ndryshojë.

    Fajtor për gjendjen, sipas tij të rëndë të serbëve në Kosovë, është kryeministrit Albin Kurti i cili “tenton të fitojë poenë të lirë politikë, duke kryer represion ndaj popullit serb”.

    Ai tha po ashtu se Kurti nuk mundet t’i manipulojë kandidatët e Listës Serbe për deputetë, sepse ata, sipas tij, “asnjëherë nuk do të jenë dorë e zgjatur e tij, si disa serbë tjerë”.

    Elek tha se Lista Serbe është e vetmja parti serbe të cilën e mbështet Serbia dhe Beogradi.

  • Kurti publikon foto duke ngrënë drekë me nënën Ferdonije

    Kurti publikon foto duke ngrënë drekë me nënën Ferdonije

    Kryeministri Albin Kurti po qëndron sot në Gjakovë ku do të hap sot zyrtarisht fushatën zgjedhore.

    Ai ka takuar Nënë Ferdonijen ku ka publikuar foto duke ngrënë drekë me të.

    “Drekë me nënën Ferdonije”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • KQZ funksionalizon platformën online për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhje

    KQZ funksionalizon platformën online për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhje

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Për të lehtësuar aplikimin, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://apliko.kqz-ks.org

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë:

    Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org .

    Hapi i dytë:

    Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

    Informacione shtesë:

    Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontatoni në Zyrë përmes e-mailit [email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

    Afatet për aplikim:

    Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 15 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt 2025;

    • Afati për dorëzimn e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25 janar 2025.

    Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025 dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

  • DASH për deklaratën e Vuçiqit për sanksionet ndaj NIS: Nuk ka biznes të zakonshëm me Rusinë

    DASH për deklaratën e Vuçiqit për sanksionet ndaj NIS: Nuk ka biznes të zakonshëm me Rusinë

    Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.

    Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

    Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

    “Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiq.

    DASH-i tha për REL-in se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

    “Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.

    Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.

    NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

    Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

    NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari./REL/

  • Rama: Ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht, por reshjet pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën

    Rama: Ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht, por reshjet pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ekipet përgjegjëse janë angazhuar që rrugët të jenë të kalueshme pas reshjeve të borës.

    Ai tha se situata po vështirësohet për shkak të borës që po bie pa ndërprerje.

    “Të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme! Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren”.

    Ai ka bërë thirrje te qytetarët për kujdes të shtuar në trafik dhe që të dalin me mjete të përshtatshme për këto kushte.

    “Lusim qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të përdorin mjetet e përshtatshme për kushtet atmosferike dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve kompetente”, tha Rama.

    Më herët, edhe Policia e Kosovës bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë vozitjes.