ATV

Category: Lajme

  • Komisioni i Përbashkët për të Pagjeturit mblidhet për herë të parë të mërkurën në Bruksel, Hoti jep detaje

    Komisioni i Përbashkët për të Pagjeturit mblidhet për herë të parë të mërkurën në Bruksel, Hoti jep detaje

    Më 15 janar në Bruskel do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët me emisarin special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në lidhje me të pagjeturit e luftës.

    E kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti tha se ky takim ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur

    ”Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për qështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”, ka shkruar Hoti.

    Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023, ka shtuar më tutje Hoti.

    Lajçak njofton se këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria ka edhe 72 dëshmitarë

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria ka edhe 72 dëshmitarë

    Ekipi i prokurorëve në rastin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçit, dhe të tjerëve të akuzuar për bashkëveprim në krime lufte ka në listë edhe 72 dëshmitarë për të përmbyllur çështjen e saj. Megjithatë në mars do të vendoset nëse prokuroria do të shtojë dëshmitarë të rinj në listën e saj fillestare prej më shumë se 320.

    Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara pritet të vendos në mars nëse do të thërras dëshmitarë shtesë, në rastin e ish-krerëve të lartë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të akuzuar për bashkëveprim në krime lufte.

    Për 72 dëshmitarët e mbetur, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Grip, i ka thënë Radio Kosovës se në konferencat e ardhshme statusore do të vendoset se sa prova do të pranohen me shkrim dhe sa dëshmitarë duhet të paraqiten në gjykatë, përderisa avokati i viktimave gjithashtu do të paraqes rastet e tyre.

    “Prokurori specialist, natyrisht, mund të vendosë edhe heqjen e dëshmive shtesë. Së pari, dhe më kryesorja, ekipet e mbrojtjes do të pyeten nëse duan të paraqesin një kërkesë për heqjen e disa ose të gjitha akuzave”, ka thënë Griep.

    Avokati, Lluka Misetic, që kryeson ekipin e mbrojtës së ish presidentit, Hashim Thaçi, i ka thënë Radio Kosovës se nuk kanë paraqitur ende listën e dëshmitarëve që duhet të hiqen dhe as dëshmitarëve të mbrojtjes. Në këtë pikë, palët ende janë të fokusuara të sigurohen se prokuroria të mund ta mbyllë çështjen e saj brenda afatit të rënë dakord në prillit të këtij viti.

    Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë kishte paraqitur një listë të dëshmitarëve të prokurorisë me 323 dëshmitarë nga të cilët deri më tani kanë dëshmuar, 110 persona në sallën e gjykatës apo kanë qenë në dispozicion për t’u marrë në pyetje. Gjithashtu 86 dëshmi janë pranuar vetëm në formë të shkruar, përderisa 55 dëshmitarë të tjerë janë hequr nga lista fillestare./rtk

  • Suedia i bashkohet operacionit të NATOS-s në Detin Baltik

    Suedia i bashkohet operacionit të NATOS-s në Detin Baltik

    Suedia do të marrë pjesë në një operacion të NATO-s në Detin Baltik për të mbrojtur kabllot nëndetëse, njoftoi kryeministri suedez Ulf Kristersson në një konferencë.

    “Suedia, anëtarja e re e NATO-s do të kontribuojë në operacion me tre anije luftarake dhe një avion vëzhgimi”, tha Kristersson.

    NATO po rrit përpjekjet e saj për të mbrojtur infrastrukturën në Detin Baltik pasi disa kabllo nënujore u dëmtuan kohët e fundit, për të cilat aleatët dyshojnë se mund të jenë akte sabotimi.

    Një total prej 10 anijesh do të marrin pjesë në operacionin e ri për mbrojtjen e kabllove.

    Fillimisht nuk pati asnjë informacion zyrtar për operacionin nga selia e NATO-s në Bruksel.

    “Fakti që gjëra të çuditshme vazhdojnë të ndodhin në Detin Baltik nënkupton qëllime armiqësore që nuk mund të përjashtohen”, tha Kristersson

    “Suedia dhe fqinjët e saj nuk do ta toleronin më këtë”, shtoi ai.

    Një kabllo energjie nëndetëse që kalonte midis Finlandës dhe Estonisë dhe disa kabllo të tjera komunikimi u dëmtuan në Gjirin e Finlandës në fund të dhjetorit.

    Hetuesit finlandezë dyshojnë se anija-cisterna Eagle S, që lundronte me flamurin e Ishujve Kuk, e ka shkaktuar dëmin qëllimisht – dhe për këtë arsye po hetohet për një sabotim të mundshëm.

  • Ministri izraelit: Ka përparim në bisedimet e armëpushimit, Izraeli dëshiron një marrëveshje pengjesh

    Ministri izraelit: Ka përparim në bisedimet e armëpushimit, Izraeli dëshiron një marrëveshje pengjesh

    Ministri i jashtëm izraelit, Gideon Saar thotë se është bërë përparim në negociatat në vazhdim në Katar për të arritur një marrëveshje armëpushimi, sipas The Times of Israel.

    Saar, i cili po fliste në një konferencë në Jerusalem së bashku me homologun e tij danez, Lars Lokke Rasmussen, u citua nga gazeta të thoshte: “U bë përparim. Ne shohim një përparim në negociatat… Izraeli dëshiron një marrëveshje pengjesh. Izraeli po punon me miqtë tanë amerikanë për të arritur një marrëveshje pengjesh dhe së shpejti do të dimë nëse pala tjetër dëshiron të njëjtën gjë“.

    I pyetur për një afat kohor për një marrëveshje të mundshme pengjesh, Sa’ar u përgjigj:

    “Ka progres, thashë se duket shumë më mirë se më parë… por nuk dua të them më shumë se kaq, sepse e kuptoj se ka familje që janë të ndjeshme ndaj çdo fjale dhe çdo fjalie”, tha ai.

  • KQZ-ja njofton se po vazhdon regjistrimi online i votuesve me nevoja të veçanta për votim përmes ekipeve mobile

    KQZ-ja njofton se po vazhdon regjistrimi online i votuesve me nevoja të veçanta për votim përmes ekipeve mobile

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se është duke u zhvilluar periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur, për të mundësuar votimin e personave të regjistruar si votues me nevoja të veçanta, KQZ do të angazhojë ekipet mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës, më 9 shkurt 2025.

    Procesi i regjistrimit të këtyre votuesve ka filluar më 4 janar dhe do të përfundojë më 5 shkurt 2025.

    Me qëllim të lehtësimit të regjistrimit të këtyre votuesve, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://vpnv.kqz-ks.org/

    “Votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë këto kategori:

    Personat me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia;

    Personat me lëvizje të kufizuar në institucione, si: spitale, shtëpi për të moshuarit dhe strehimore; dhe

    Personat në rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkaqe sigurie apo janë në arrest shtëpiak”, thuhet në njoftim.

  • Klinika e Kirurgjisë Abdominale ka referuar tre pacientë për shërim jashtë vendit

    Klinika e Kirurgjisë Abdominale ka referuar tre pacientë për shërim jashtë vendit

    Në mungesë të stafit të trajnuar për ofrimin e disa shërbimeve shëndetësore specifike, Klinika e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit të kaluar ka referuar tre pacientë për shërim jashtë vendit.

    Për referimet e pacientëve jashtë Kosovës, drejtori i kësaj klinike, Enver Fekaj thekson se nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht për trajtimin kirurgjik, por për procedura shtesë, që siç thotë ai nuk realizohen nga kirurgët abdominal.

    “Prej Kirurgjisë Abdominale numri i referimeve ka qenë jashtëzakonisht i vogël këtë vit. Janë referuar tri raste, për dallim nga viti i kaluar që janë referuar shtatë raste. Janë referuar këto tri raste për shkak se përveç intervenimit kirurgjik, kanë pasur nevojë edhe për procedura të tjera të cilat aktualisht nuk janë implementuar ose nuk janë funksionale në klinikën tonë. Jo ekskluzivisht për trajtimin kirurgjik.

    Njëri prej tyre ishte inkontinencë anale, pa mundësi për kontrollim defekimit. Procedurë kirurgjike që realizohet edhe tek ne. Mirëpo, një procedurë shtesë në rastin konkret është neurostimulimi i nervave sakral që realisht neurostimulimi nuk bëhet në klinikën tonë aktualisht…Nuk është procedurë që realizohet prej kirurgëve abdominal. Është procedurë që realizohet nga staf shtesë i trajnuar për këto neurostimulime. Meqenëse nuk ishte funksional është dashur që të rekomandojmë për trajtim jashtë vendit”, thotë Fekaj.

    Fekaj thotë për KosovaPress se gjatë vitit të kaluar janë kryer rreth 2 mijë e 300 intervenime kirurgjike.

    Ai flet edhe për realizimin e operacioneve që nuk kryhen në spitalet private në Kosovë e që jashtë vendit kanë kosto mijëra euro.

    ” Mund t’i përmend dy intervenime që konsiderohen si intervenime kulmore në kuadër të kirurgjisë abdominale, e ato janë operacioni sipas Whipple-it (Uipllit), është emër i një autori. Realizohen përmes një intervenimi që është modifikim i Whipple-it (Uipllit), quhet si intervenimi Traverso-Longmire dhe këto intervenime realizohen kur kemi të bëjmë me karcinomat e kokës së pankreasit. Janë intervenime shumë të vështira dhe shumë komplekse.

    Në klinikën tonë, gjatë këtij viti (2024) intervenime të tilla janë realizuar gjithsej dhjetë, që është një numër më i lartë se viteve paraprake. Një intervenim tjetër kirurgjik i cili është shumë kompleks dhe i vështirë, që mund të shoqërohet edhe me komplikime intraoperatore të hershme, pasoperatore është edhe ezofagektomia trans’hiatale.

    Është një intervenim që realizohet tek kanceret e ezofagut. Intervenime të tilla janë realizuar dy…Edhe operacioni sipas Whipple edhe operacioni tjetër ezofagektomia trans’hiatale kanë çmime të ndryshme, nëse përkthejmë në vlerë monetare. Por, realisht mesatarja e çmimeve secili prej tyre kushton mesatarisht rreth 50 mijë euro. Në Kosovë nuk realizohet në spital private”, “, tregon Fekaj.

    Për KosovaPress, Fekaj tregon edhe për numrin e vizitave të kryera gjatë vitit të kaluar në ambulanten specialistike dhe në qendrën emergjente të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale.

    “Përafërsisht gjatë këtij viti [2024] janë realizuar gjithsej 2 mijë e 300 intervenime kirurgjike. Janë realizuar edhe intervenime minimale invazive ose endoskopike. Afërsisht rreth 380 ERCP. Po ashtu, janë realizuar afërsisht rreth 200 gastroskopi. Janë realizuar afërsisht 100 kolonoskopi. Janë bërë afërsisht mbi 5 mijë vizita në ambulanten specialistike dhe diku mbi 10 mijë vizitën në qendrën emergjente nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale”, tregon Fekaj.

    Ndër të tjera, drejtori i Kirurgjisë Abdominale thekson se me zgjerimin e spektrit te operacioneve, rritet nevoja për shtim të infermierëve.

    “Intensa jonë është ta zgjerojmë edhe spektrin e operacioneve. Mendojmë që në repartin e laparoskopisë të aktivizohet edhe një sallë operatore. Kështu që padyshim që me zgjerimin e aktivitetit profesional kemi nevojë edhe për shtim të stafit të mesëm”, thekson Fekaj.

  • Belgjika në grevë: Anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

    Belgjika në grevë: Anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

    Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të pensioneve.

    Rreth 40 për qind e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit – më i madhi i Belgjikës – u anuluan, pasi bartësit e bagazheve, stafi i sigurisë dhe personeli tjetër ndërprenë punën.

    Kompania ajrore, Brussels Airlines, tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta.

    Operatori i aeroportit Charleroi – që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair – tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.

    Transporti hekurudhor pësoi gjithashtu – dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha, nuk funksionojnë.

    Shërbimi i trenave u ndërpre edhe në Bruksel, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri sindikatat kryesore të Belgjikës për të protestuar kundër reformave në pensione, që mund të miratohen nga qeveria e ardhshme.

    Partitë belge janë ende në bisedime për të formuar një administratë të re federale, pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor.

    Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm, sipas sindikatës CSC.

    Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel gjatë ditës./REL

  • Vrasja e Liridona Ademajt, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të mërkurën mban konferencë për media

    Vrasja e Liridona Ademajt, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të mërkurën mban konferencë për media

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërkurën do të mbajë konferencë për media nga ora 10:00.

    Në njoftim thuhet se kjo konferencë lidhet me rastin e Liridona Ademajt që u vra në nëntor të vitit 2023.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet me datë 15.01.2025 me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Ndryshe, më 27 dhjetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.
    Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

    Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D./BetimipërDrejtësi

  • ​Moti i keq në gjithë Shqipërinë, këto janë zonat dhe akset më problematike

    ​Moti i keq në gjithë Shqipërinë, këto janë zonat dhe akset më problematike

    Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka treguar zonat dhe akset më problematike, pas reshjeve së borës, ku janë disa rrugë janë të pakalueshme.

    Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë:

    Akset rrugore

    – Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme në Qafë Murriz, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

    – Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

    – Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.

    – Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

    – Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.

    – Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz ka qenë e bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore. Ditën e sotme qarkullimi kryhet normalisht.

    – Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

    – Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka patur prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës ne aksin Qafë Thane – Pogradec.

    Qarkullimi kryhet me goma dimri.

    – Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi behet me goma dimri.

    – Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

    – Në aksin rrugor Vuno – Himarë, në vendin e quajtur ura e Vishës ka rënë një masiv shkëmbor. Rruga është e kalueshme në një sens lëvizje dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër.

    – Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për tu kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.

    – Në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka patur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

    – Në segmentin Fresku – Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

    – Në bashkinë Vlorë, situata është e qetë. Nuk ka prezencë uji në qytet.

    Gjatë ditës së sotme po punohet me borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e qarkullueshme dhe për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora.

    Ekipet e OSSHE janë duke punuarpër rikthimin sa më parë të energjisë elektrike në disa zona të thella.

    Lumenjtë dhe rezervuarët

    Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik, përveç se në fshatin Murqinë, njësia administrative Bubq, bashkia Krujë, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur një sipërfaqe prej 20 Ha tokë bujqësore.

    Në Qafën e Murrizit (Rruga e Arbrit) u bllokua nga dëbora një automjet me 3 persona. Sot në orët e para të mëngjesit është nisur një automjet tip “Buldozer” dhe një autoambulancë. Ekipet e emergjencës po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e bllokuar.

    Parashikimi motit në vijim

    Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare dhe të dendura, megjithatë nuk do të mungojnë intervale të herëpasherëshme afatshkurtra me kthjellime kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore. Reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, dhe lokalisht shtrëngata afatshkurtra të izoluara deri në mesditë. Pas orëve të mesditës gradualisht ulje të intensitetit të reshjeve të shiut. Në relievet malore verilindje-lindje-jug në lartësitë mbi 400-600 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në mënyrë të izoluar, në periudha afatshkurtra në Alpe dhe relievet e larta malore reshjet e dëborës parashikohen në formën e stuhive të dëborës. Mjegull e dendur/mjegullinë për shkak të reshjeve të dëborës dhe shiut. Ngrica të forta përgjatë akseve rrugore, kryesisht në relievet malore.

    Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Lindje me shpejtësi mesatare 4-14 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi 16-26 m/s.

    Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

    Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C.

    Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në -2°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

    Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 4°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

    Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është duke ndjekur nga afër situatën në veri dhe Vlorë si dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile për çdo situatë emergjente që mund të krijohet si pasojë e kushteve atmosferike./TCh/

  • Maqedonia e Veriut në mesin e vendeve me vdekshmëri të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit

    Maqedonia e Veriut në mesin e vendeve me vdekshmëri të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit

    Sipas raporteve të Komisionit Evropian (KE) dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maqedonia e Veriut së bashku me Serbinë shënon shkallë të lartë të vdekshmërisë si pasojë e ndotjes së ajrit, shkruan Euronews.

    Nga vendet fqinje, Shqipëria, Bullgaria dhe Mali i Zi matin gjithashtu nivele të larta ndotjeje.

    Ekspozimi ndaj grimcave PM2.5 shkaktoi rreth 239,000 vdekje të parakohshme në Evropë në vitin 2021, ndërsa 48,000 njerëz vdiqën si rezultat i ekspozimit ndaj dioksidit të azotit, sipas raporteve nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.