ATV

Category: Lajme

  • Izrael, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti përgjegjës për Gazën njoftojnë dorëheqje

    Izrael, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti përgjegjës për Gazën njoftojnë dorëheqje

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Izraelit, Herzi Halevi, njoftoi dorëheqjen e tij nga detyra e cila do të hyjë në fuqi më 6 mars, duke deklaruar se ai “e ka ndierë çdo ditë përgjegjësinë për dështimin katastrofik” në sulmet nga Gaza më 7 tetor 2023, transmeton Anadolu.

    Sipas lajmeve në median izraelite, Halevi ia dorëzoi dorëheqjen kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz.

    Në letrën e tij të dorëheqjes, Halevi ka deklaruar se “ushtria izraelite nën komandën e tij nuk ka mundur të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur qytetarët” gjatë sulmit të kryer nga Brigadat Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, nga Gaza më 7 tetor 2023 dhe se “përgjegjësinë për këtë dështim katastrofik e ka ndjerë çdo ditë që nga dita e parë”.

    Duke mbrojtur idenë se ushtria izraelite me sulmet e sa që kanë vazhduar për një vit e tre muaj i ka dhënë “goditje të rënda krahut të armatosur të Hamasit, e ka zmbrapsur Hezbollahun në veri në një mënyrë të paparë deri më sot dhe ka dobësuar Iranin dhe aktivitetet e tij rajonale”, Halevi tha se kanë arritur suksese të tilla ti “vendosja e ushtrisë në lartësitë e pushtuara të Golanit, eliminimin i aftësive të ushtrisë së Sirisë dhe rritje të aktiviteteve në Bregun Perëndimor të pushtuar”.

    Në anën tjetër, komandanti i Frontit Jugor të Ushtrisë izraelite, përgjegjës për Gazën dhe rrethinat e saj, gjeneralmajor Yaron Finkelman, njoftoi se kishte dorëzuar dorëheqjen, duke deklaruar se nuk kishte arritur të mbronte qytetarët që jetonin përreth Gazës.

    Finkelman tha se ai do të vazhdojë përgjegjësitë e tij brenda ushtrisë derisa t’i dorëzojë detyrën paraardhësit të tij të ardhshëm.

    Ishte zbuluar se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Herzi Halevi, kishte mospajtime me kryeministrin Netanyahu dhe qeverinë në lidhje me sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe rajonit më 7 tetor 2023. Në Izrael, partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të Netanyahut kanë bërë deklarata që shënjestrojnë drejtpërdrejt Halevin.

  • Vuçiq e Lajçak diskutojnë “për të ardhmen e dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë

    Vuçiq e Lajçak diskutojnë “për të ardhmen e dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë

    Presidenti i Serbisë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së zhvillojnë diskutimeve në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicës.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar në llogarinë e tij në Instagram se ka pasur një “bisedë të hapur” për “sfidat e sigurisë me të cilat përballet populli serb” në Kosovë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicës.

    “Një bisedë e hapur me Lajçakun për situatën në rajon, veçanërisht për sfidat e sigurisë me të cilat përballet populli ynë në Kosovë, si dhe për të ardhmen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar presidenti serb të martën, duke shtuar së pret nga shtetet anëtare të BE-së “të forcojnë angazhimin dhe ndikimin e tyre” në Kosovë.

    Lajçaku do të mbajë postin e mediatorit deri në fund të janarit 2025. Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të zgjedhë diplomatin danez, Peter Sorensen, në postin e e emisarit special për dialogun Prishtinë-Beograd.

    Ndryshe, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2023, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër, dhe përkundër insistimit të diplomatëve perëndimorë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma, derisa tensionet mes dy fqinjëve vazhdojnë të rriten.

  • ​Këto janë subjektet politike me më së shumti vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit

    ​Këto janë subjektet politike me më së shumti vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 18 mijë e 163 vëzhgues të 21 subjekteve të ndryshme politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Në mbledhjen e radhës të KQZ-së u bë e ditur se dy subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë aplikuar me numrin më të madh të vëzhguesve, me mbi 4 mijë.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tregoi numrin e aplikuesve për vëzhgues nga 21 subjekte politike.

    “Janë gjithsej 21 subjekte politike. Numri i vëzhguesve të subjekteve politike në total është 18 mijë e 163. Po filloj me Lidhjen Demokratike të Kosovës me gjithsej 3 mijë e 693 vëzhgues. Kosova Demokratik Turk Partisi me 257 vëzhgues…Serbska Lista me 290 vëzhgues. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate me 3 mijë e 571 vëzhgues. Koalicioni për Familje me 253 vëzhgues… Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar me gjithsej 4 mijë e 356 vëzhgues, të cilët nuk janë kandidatë përpos zgjedhor në Kosovë dhe të gjithë vëzhguesit janë në listën përfundimtare të votuesve…Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar me gjithsej 3 mijë e 939 vëzhgues, janë të grupit të dytë. Nëse përfshihen edhe vëzhguesit e grupit të parë, që kanë qenë 95. Në total janë 4 mijë e 34 vëzhgues”, tha Buzhala.

    Përveç kësaj, ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe miratimi i rekomandimit të sekretariatit për shfrytëzimin e hapësirave të institucionit të Avokatit të Popullit për vlerësimin dhe pranimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës.

    Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani tha se janë paraparë të gjitha masat e sigurisë në raport me policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera për shfrytëzimin e kësaj hapësire.

    “Këshilli për Operacione Zgjedhore ka shqyrtuar rekomandimin e sekretariatit për shfrytëzimin e hapësirave të institucionit të avokatit të popullit. Për vlerësimin dhe pranimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për zarfe dhe fletëvotimet. Ky proces do të fillojë me pranimin e pakove postare, në këtë rast që arrijnë në Kosovë. Përmes postës të trajtohen, të vlerësohen dhe të pranohen në ambientet e mësipërme. Nevojitet që të lëshohet një vendim. Janë paraparë të gjitha masat e sigurisë në raport me policinë e Kosovë dhe të tjerat”, tha Elshani.

    Po ashtu, anëtarët e KQZ-së miratuan pikën sipas të cilës transporti i materialit zgjedhor nga qendrat komunave drejt këshillave të vendvotimit të bëhet përmes kombibusëve dhe kamionëve, e jo me mjete private të kryesuesve.

    “Ne në rregullat zgjedhore kemi paraparë që transportimi i materialeve zgjedhore, i kutive të bëhet nga kryesuesit bashkë me Policinë e Kosovës. Por të bëhet me automjetet e tyre private. Duke parë vështirësitë që kanë në raport me gjetjet e këtyre, ka raste kryesuesi ose anëtarët e Këshillit të vendvotimit nuk kanë vetura ose nuk dëshirojnë të shfrytëzojnë veturën e tyre për këtë. Kemi vendosur t’i rikthemi asaj praktikës së mëhershme, që të mundësohet gjetja e kombibusëve dhe kamionëve të cilët do të mundësojë shërbimin e transportit të materialit zgjedhor nga qendra komunale e drejt këshillave të vendvotimit dhe anasjelltas”, potencoi Elshani.

    Ndër të tjera, u aprovuan kërkesat që të bëhet zëvendësimi i anëtarit të komisionit komunal të zgjedhjeve në komunën e Deçanit, Isuf Mehemetaj me Lirije Turkaj Bufaj.

    Gjithashtu, KQZ miratoi ndërrimin e lokacionit të qendrës komunale të numërimit për komunën e Gjilanit dhe të Skenderajt.

    Në Gjilan u vendos që të zhvendoset në palestrën sportive “Bashkim Selishta”. Ndërkaq në Skenderaj u miratua që të zhvendoset në sallën e Edukatës Fizike në Shkollën e Mesme Teknike “Anton Çeta”. Zgjedhjet parlamentar në Kosovë mbahen më 9 shkurt. /kp

  • KQZ-ja akrediton mbi 18 mijë vëzhgues për ditën e zgjedhjeve

    KQZ-ja akrediton mbi 18 mijë vëzhgues për ditën e zgjedhjeve

    Gjatë ditës se sotme, është mbajtur mbledhja e radhës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku janë akredituar gjithsej 18 mijë e 163 vëzhgues nga partitë politike. Lëvizja Vetëvendosje prinë me numrin me të madh të vëzhguesve, gjithsej 4 mijë e 536 vëzhgues.

    Partia Demokratike e Kosovës do të ketë gjithsej 3 mijë e 939 vëzhgues, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do te ketë 3 mijë e 693 vëzhgues. Koalicioni AAK-Nisma do të ketë 3 mijë e 590 vëzhgues, ndërsa Koalicioni për Familjen do ta ketë 253 vëzhgues, raporton KP.

  • KFOR njofton se ushtarët e aviacionit amerikan po mirëmbajnë helikopterët UH-60 Black Hawk

    KFOR njofton se ushtarët e aviacionit amerikan po mirëmbajnë helikopterët UH-60 Black Hawk

    KFOR ka bërë të ditur se ushtarët e aviacionit amerikan kanë kryer kontrolle të përditshme të mirëmbajtjes dhe shërbime rutinë për helikopterët e tyre UH-60 Black Hawk për të siguruar funksionimin e duhur dhe të besueshëm.

    Nga KFOR është thënë se këto veprime bëjnë pjesë në misionin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    Postimi i plotë:

    Ushtarët e aviacionit amerikan të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit #KFOR të udhëhequr nga #NATO kryejnë kontrolle të përditshme të mirëmbajtjes dhe shërbime rutinë për helikopterët e tyre UH-60 Black Hawk për të siguruar funksionimin e duhur dhe të besueshëm.

    Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Kurti udhëton për në Zvicër, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kurti udhëton për në Zvicër, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot për në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

    “Në Davos do të nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s (Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë). Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n. Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona vendore dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet vendit tonë dhe Norvegjisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Islandës si shtete anëtare të EFTA-s”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

    Gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti gjithashtu do të ketë takime me përfaqësues shtetërorë të vendeve mike e partnere dhe me investitorë potencialë, si dhe do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me titull “Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit” dhe panelin “Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: inovacioni etik në epokën e Inteligjencës”. Të dy këto panele do të mbahen në Shtëpinë e Kosovës (House of Kosova) në Davos e cila është hapur për herë të parë.

    Në Forumin Ekonomik në Davos marrin pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos ka nisur dje dhe zgjatë deri më 24 janar.

    Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Forumit Ekonomik Botëror thuhet se takimi vjetor 2025 mbledh liderët globalë për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.

  • Osmani për tragjedinë në Turqi: Në këtë kohë të vështirë, solidariteti ynë është me popullin turk

    Osmani për tragjedinë në Turqi: Në këtë kohë të vështirë, solidariteti ynë është me popullin turk

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur e pikëlluar pas tragjedisë që ndodhi në Bolu të Turqisë, ku u mbytën 66 njerëz nga zjarri në një hotel.

    E para e vendit u ka shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.

    Osmani ka thënë se në këtë kohë të vështirë, mendimet dhe solidariteti i Kosovës është me presidentin Erdogan dhe popullin e Turqisë.

    “E pikëlluar thellësisht nga aksidenti tragjik në Bolu të Turqisë. Në emër të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet tona më të thella familjeve që mbajnë zi për këtë humbje të madhe. Ne jemi me reaguesit e guximshëm që punojnë pa u lodhur për të shpëtuar jetë dhe për të ndihmuar ata në nevojë. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë. Në këtë kohë të vështirë, mendimet dhe solidariteti ynë janë me Presidentin Recep Tayipp Erdogan dhe popullin e Turqisë”, ka shkruar presidentja në platformën “X”.

  • Opozita malazeze bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit

    Opozita malazeze bllokon seancën e Kuvendit dhe miratimin e buxhetit

    Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e bllokoi seancën e 21 janarit në Kuvend, ku në rend dite ishte diskutimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025.

    Pasi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, hapi seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe dolën para tij.

    “Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Kuvendit po vihet në pikëpyetje”, tha Mandiq.

    Ai paralajmëroi se deputetët që u ngritën nga vendet e tyre, do të marrin masa ndëshkuese me shkrim.

    Mandiq nuk specifikoi se kur do të vazhdojë seanca.

    Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, i marrë po atë muaj, raporton REL.

    Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm

  • Presidentja Osmani viziton familjen Rugova

    Presidentja Osmani viziton familjen Rugova

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë sot vizitë tek familja e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, Osmani thotë se kujtimi për të nuk është vetëm histori.

    ”Kujtimi për presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova, nuk është vetëm histori, por busulla jonë nacionale.

    Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vizitova familjen e tij, në të cilën edhe më shumë e kuptojmë madhështinë dhe urtësinë me të cilën ai ndërtoi vizionin që na frymëzoi ne dhe do t’i frymëzojë brezat që vijnë për dashurinë e pakusht ndaj Kosovës”.

     

  • Kurti: Rugova la pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore

    Kurti: Rugova la pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore

    Kryeministri i Kosovës. Albin Kurti ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

    Kurti tha se Rugova la pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore.

    ”Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore”, ka shkruar Kurti.

    Më tutje Kurti tha se Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90.

    ”Si kryetari i parë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90. Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, shkroi Kurti.

    Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë, shtoi Kurti.