ATV

Category: Lajme

  • Osmani takohet me deputetin e Bundestagut, flasin për ekonominë e çështjet e sigurisë

    Osmani takohet me deputetin e Bundestagut, flasin për ekonominë e çështjet e sigurisë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim deputetin e Bundestagut, Volkmar Klein.

    Gjatë takimit, bëhet e ditur se u diskutua mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë, me fokus në fuqizimin dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë zhvillimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë.

    “Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për z. Klein, duke e falënderuar për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën”.

    “Në takim u riafirmua rëndësia e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe vullneti i përbashkët për avancimin e prioriteteve të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e presidencës.

  • Haradinaj takon Serwer: Kosova të rikthehet në partneritetin strategjik me aleatë

    Haradinaj takon Serwer: Kosova të rikthehet në partneritetin strategjik me aleatë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka takuar profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme Amerikane Daniel Serwer.

    Ai ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë e gjatë dhe përmbajtësore me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme Amerikane, Daniel Serwer.

    “Diskutuam për proceset dhe sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Kosova. Angazhimi me dekada i Prof. Serwer në Kosovë dhe Ballkan dhe memoria institucionalë si ish diplomat në Ballkan janë shumë me vlerë për rrugën dhe përcaktimet e Kosovës dhe prioritetet që garantojnë paqen dhe sigurinë në Ballkan. E ftova z. Serwer që të vijë në Kosovë për të ndarë pikëpamjet dhe për të ofruar ndihmën e tij, që Kosova të rikthehet në partneritetin strategjik me aleatë, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Haradinaj.

  • Costa: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE, erdhi koha t’i mbajmë premtimet

    Costa: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE, erdhi koha t’i mbajmë premtimet

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, është shprehur se “nuk ka dyshim” se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë është në BE.

    Ai po ashtu ka potencuar se është koha që BE-ja të përmbushë premtimet e saj ndaj këtyre vendeve.

    Në fjalimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian, Costa theksoi se zgjerimi i BE-së ishte një nga mesazhet kryesore të takimit të mbajtur më 19 dhjetor dhe se BE-ja është plotësisht e përkushtuar për zgjerimin si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë të popullit evropian dhe të kontinentit.

    “Së dyti, për zgjerimin. Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj zgjerimit si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë, për popullin tonë dhe kontinentin tonë. Kjo ishte gjithashtu një temë qendrore në samitin e Ballkanit Perëndimor që unë kryesova një ditë përpara Këshillit Evropian.

    Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia po punojnë shumë për të përmbushur angazhimet e tyre. Nuk ka dyshim se e ardhmja e këtyre vendeve është në Bashkimin tonë. Është koha që ne t’i zbatojmë premtimet tona ashtu siç ata i përmbushin të tyret”, ka thënë Costa.

    Costa qysh pas marrjes së detyrës kishte premtuar se zgjerimin do ta ketë prioritet gjatë mandatit të tij në krye të Këshillit të BE-së.

  • Itali: Foshnja e porsalindur rrëmbehet nga një çift në spital, prindërit përjetojnë tmerrin

    Itali: Foshnja e porsalindur rrëmbehet nga një çift në spital, prindërit përjetojnë tmerrin

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur një familje në zonën e Kozencës, në Itali, ku një grua ka rrëmbyer në maternitet një foshnje të porsalindur, duke iu prezantuar nënës së re, si infermiere.

    Foshnja është rrëmbyer në maternitetin e klinikës “Sacro Cuore” në Cosenza të Italisë.

    Pasi u rrëmbye nga çifti, Rosa Vespa 53-vjeç dhe Aqua Moses, 43 senegalez, vajza e vogël është gjetur tre orë më vonë.

    Në pamjet e siguruara nga mediat italiane, duket një grua me maskë në fytyrë duke hyrë në dhomën e spitalit të nënës së re duke u shtirur si infermiere.

    Ajo mori vajzën e vogël dhe tha se duhej të shihej nga pediatri.

    Pas gjysmë ore, nëna dhe gjyshet, duke mos parë vogëlushen të kthehej në dhomë, kanë ngritur alarmin, i cili i është dërguar të gjitha forcave të policisë.

    Sipas medias italiane, vajza e vogël kishte veshur një rrobë rozë me Minnie Mouse.

    Pas tre orësh ankthi, vajza e vogël u gjet nga policia në një makinë së bashku me gruan dhe burrin që e morën nga klinika.

    Të dy u ndaluan dhe u dërguan në komisariat.

  • Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Ka qenë e qartë se Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike

    Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Ka qenë e qartë se Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike

    Ish-këshilltari i UNMIK-ut në Kosovë, Hansjeorg Strohmeyer, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se për atë ka qenë gjithmonë e qartë se Hashim Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike.

    “Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që zoti Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike apo kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e Policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti”, tha dëshmitari.

    Përpara kësaj, sipas gjyqtarit Guénaël Metraux, gjenerali i UNMIK-ut, Mike Jackson kishte thënë se sipas asaj që ai kishte kuptuar, roli dhe pushteti i Thaçit ishte i krahasueshëm me atë të kryekomandantit.

    Gjyqtari tha se Jackson e kishte përshkruar Agim Çekun si ushtarakun më të lartë në UÇK në atë kohë dhe si vartës i Thaçit.

    “Besoj që e kam deklaruar më parë dhe e pash në dokumente që zoti Thaçi kishte nënshkruar angazhimin si kryekomandant. Pra, nga ndërveprimet tona nga ana civile me të, ne nuk e kemi konsideruar zoti Thaçin si kryekomandant-kryekomandant ushtarak. Zoti Jackson kishte një bisedë tjetër dhe një realitet tjetër që ishte në një mjedis ushtarak dhe mund të jetë ky aspekti që Thaçi paraqitej në këtë mënyrë para Jackson. Për neve ishte gjithmonë e qartë. Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që zoti Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike apo kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti. Zoti Thaçi ishte personi tek i cili duhej të adresoheshim dhe drejtoheshim”, tha Strohmeyer.

    Në anën tjetër, për Agim Çekun, dëshmitari shtoi se nga pikëpamja funksionale ai ishte ushtaraku më i lartë me të cilin kishin kontaktuar për aspekte teknike.

    “Sa i takon zotit Çeku, ishte e qartë që nga pikëpamja funksionale ashtu siç u përshkrua, ishte ushtaraku më i lartë, ishte personi me të cilin kontaktonim sa i takon aspekteve teknike. Do të thotë, ai ishte personi me të cilin komunikonte gjenerali Jackson”, tha ai.

    Ndërsa, në një takim që pretendohet se është bërë në korrik të 1999-ës lidhur me forcën policore, Strohmeyer tha që Thaçi iu kishte thënë që Agim Çeku ishte personi tek i cili duhej të drejtoheshin.

    “Ajo që kuptova pra që ‘lidhur me këto çështje merruni me këtë person’, që përforconte perceptimin që ky ishte udhëheqësi në këto rrethana… dhe pastaj ishte ai personi që merrej me këto çështjet teknike apo me çështjet më të specializuara të kësaj çështje”, tha dëshmitari.

    Strohmeyer theksoi se nuk e di se kush e emëroi Agim Çekun si shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për atë kohë. Po ashtu, tha se nuk ka qenë në dijeni që ka pasur shenja rebelimi brenda udhëheqjes së UÇK-së gjatë periudhës së Rambujesë.

    Ish-këshilltari i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës më 1999 nuk kishte ekzistencë nga pikëpamja ligjore.

    Këtë gjë, Strohmeyer e pohoi duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitari gjithashtu theksoi se ata nuk i kanë konsideruar fare dekretet apo vendimet e marra nga kjo Qeveri. Pra, sipas tij, ato nuk kishin vlerë nga pikëpamja ligjore. Madje, pohoi se kjo vlente edhe për emërimet e bëra nga kjo Qeveri.

    Strohmeyer tha se është e saktë të thuhet që ata nuk iu kanë drejtuar Thaçit dhe Agim Çekut në bazë të pozitës që kanë mundur ta mbajnë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës

    Në seancën e së mërkurës, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit, viktima gratë

    Gjashtë raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit, viktima gratë

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Prishtinë, Graçanicë, Gjakovë e Skenderaj.

    Në të gjitha këto raste të dhunës në familje, viktima ishin gratë.

    Rastet e raportuara:

    Prishtinë 21.01.2025–10:00. Viktima femër kosovare raporton se kishte mosmarrëveshje me të dyshuarin m/k e cila kishte jetuar disa vite me të dhe kishte vendosur që të ndahet nga i dyshuari dhe të jeton me djalin e saj. Sipas viktimës i dyshuari e kërcënon përmes telefonit dhe i shkon ne vendin e saj te punës dhe i pengon . Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

    Graçanicë 21.01.2025, 15:00. Dyshohet se djali i viktimës f/k, i dyshuari m/k nën ndikim të alkoolit dhe me probleme psikike e kishte sulmuar si dhe e kishte ofenduar me fjalë të ndryshme. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 19.01.2025-14:00. Dyshohet se i dyshuari m/k bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës f/k dhe e ka larguar nga shtëpia së bashku me fëmijët e saj. I dyshuari, po ashtu dyshohej se posedonte një armë. Njësiti policor gjatë kontrollit armën e ka konfiskuar. Lidhur me rastin viktima ndihet e rrezikuar nga i dyshuari dhe ka kërkuar të paraqes kërkese për urdhër mbrojtës. Me vendim të prokurorit rasti iniciohet si më lartë, dhe i dyshuari të vendoset në stop listë. Rasti është duke u hetuar.

    Gjakovë 21.01.2025– 07:00. Është arrestuar një i dyshuar m/k pasi që i njëjti dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë 21.01.2025, 20:10. Dyshohet se bashkëshorti i viktimës f/k, i dyshuari mashkull nën ndikim të alkoolit e kishte sulmuar fizikisht. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Skenderaj 20.01.2025, 22:30. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

     

  • Vetura e policisë përfshihet në një aksident në Drenas, lëndohen tre persona

    Vetura e policisë përfshihet në një aksident në Drenas, lëndohen tre persona

    Një veturë e Policisë së Kosovës është përfshirë në një aksident trafiku me një veturë tjetër në Drenas, ku si pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 06:00 kemi pranuar informatën se në Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, ka thënë Ahmeti.

  • Konfiskohen rreth 25 kg lëndë narkotike, armë e municion, arrestohen 4 persona

    Konfiskohen rreth 25 kg lëndë narkotike, armë e municion, arrestohen 4 persona

    Një operacioni policor i koduar ‘Starti’, i zbatuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prishtinë, kanë goditur një grup kriminal trafikantësh.

    Gjatë këtij aksioni janë arrestuar katër të dyshuar dhe janë sekuestruar mbi 25 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin.

    Në njoftimin e policisë thuhet se ‘Starti’, ka filluar me trajtimin e informatave, mbledhjen e dëshmive në teren dhe në koordinim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë realizuar katër kontrolle në lokacione të ndryshme në Prishtinë.

    Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu edhe një veturë, dy pushkë, dy revole, shtatë fishekë kalibrash të ndryshëm, gjashtë telefona celular dhe 350 euro.

    Policia ka njoftuar se të dyshuarit, me aktvendim nga prokurori dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.

  • FSK forcon aftësitë taktike në ushtrimin “Winter EX 2025” në Turqi

    FSK forcon aftësitë taktike në ushtrimin “Winter EX 2025” në Turqi

    Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i është bashkuar forcave partnere në ushtrimin ndërkombëtar “Winter EX 2025” që udhëhiqet nga Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë.

    Ushtrimi Fushor “Winter EX 2025” është një aktivitet shumëpalësh me pjesëmarrje të gjerë nga vendet partnere, agjencitë e sigurisë, organizatat qeveritare dhe joqeveritare të Turqisë, e që fokus ka aspektin operacional dhe taktik në kushte të motit ekstrem dhe brenda kufijve territorial të Turqisë.

    Pjesëmarrja e FSK-së, në ushtrim ka për qëllim ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve operacionale dhe profesionale të njësive, si dhe ngritjen e ndërveprueshmërisë në operacionet e përbashkëta me partnerët, njofton FSK.

  • Prokuroria e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori

    Prokuroria e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me koordinatoren nacionale për zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, kanë mbajtur takim të martën me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në Kosovë.

    Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane në Kosovë si dhe menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, në kuadër të sistemit prokurorial, Besim Kusari.

    Në këtë takim u diskutua për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Në këtë takim iu bë thirrje qytetarëve se nëse ndodh ndonjë rast i cenimi të votës ta raportojnë në polici apo prokurori.

    Në lidhje me dy raste të dyshuara në drejtim të veprës penale, cenimi i fshehtësisë së votimit, në takim thuhet se Prokuroria e Prishtinës është duke i zhvilluar hetimet.