ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një burrë në Komoran, rrahu një person për shkak të borxhit

    Arrestohet një burrë në Komoran, rrahu një person për shkak të borxhit

    Ai dyshohet se të enjten më 23 janar e kishte rrahur një person për shkak të borxhit.

    Sipas policisë i njëjti dyshohet se gjatë sulmit kishte nxjerr një pistoletë dhe e kishte drejtuar nga viktima.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po hetohet nga organet e rendit.

  • Ekonomistët: Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik, pengesë për investime të huaja

    Ekonomistët: Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik, pengesë për investime të huaja

    Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha për të tërhequr investime të huaja direkte, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike, si dhe mungesës së reformave në sektorët strategjikë, thonë ekspertët ekonomikë, raporton EO.

    Sipas ekspertëve, qëndrueshmëria energjetike dhe reformat e thella në këtë sektor janë të domosdoshme për të siguruar një mjedis tërheqës për investitorët.

    Ekonomisti, Besnik Avdija për Ekonomia Online ka thënë se mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik paraqet pengesa serioze për investitorët e huaj, duke shtuar se pa garanci për kthimin dhe sigurinë e investimeve, shumë kompani hezitojnë të vendosin kapitalin e tyre në Kosovë.

    “Kosova përgjegjësisht paraqet një treg jo stabil edhe në aspektin politik edhe në aspektin ekonomikë. Prandaj kur e shohim një situatë të tillë veçanërisht në vitet e fundit për investitorët e huaj do të ishte shumë problematike që kur faktorizojnë këto aspektet në ato formulat edhe planifikimet e tyre të investimeve dhe kthimi te investimeve, sigurisë së investimeve, qëndrueshmërisë afatgjate të investimeve të tyre. Është shumë e vështirë që të bëjnë një planifikim të mirëfillte edhe të sigurt për të vendosur me një po solide në drejtim të një vendimi të madh për investime që kur të themi të huaja ato nuk janë me dhjetëra-mijëra por janë qindra mira madje edhe në me miliona euro brenda një viti”, ka thënë ai.

    Ai pranoi se është bërë progres në krijimin e një kornize legjislative për mbështetjen e investimeve, por theksoi nevojën për përmirësime të vazhdueshme të infrastrukturës dhe shtetit ligjor.

    “Në disa drejtime kemi bërë progres si vend në aspektin e kornizës legjislative për përkrahjen e investimeve të huaja direket dhe jo vetëm. Edhe për hapjen e degëve edhe për sektor të ndryshëm për ti fuqizuar ato me qëllim që ti sigurojmë investimet e vazhdueshëm që na vijën nga jashtë. Pavarësisht një bazë solide ka nevojë për përmirësime të vazhdueshëm për shkak se teknologjia, industria, trendët e tregut të ekonomisë nuk duhet që të varen vetëm nga një udhëzim administrativë nga një rregullore ose nga një ligj i cili është miratuar vite më herët, kur e shohim se si po ndërrojnë gjërat brenda ditës me vendime madhore edhe nga shtet e tjera që i kanalizojnë politikat zhvillimore ekonomike ne drejtime të caktuar. Duhet të përmirësojmë shtetin ligjor në kuptimin e sigurisë së këtyre investimeve më shumë se gjithçka tjetër”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Avdija theksoi faktorët që ndikojnë në vendimin e investitorëve për të ardhur në Kosovë, përfshirë faktorët demografikë, tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe kapacitetin energjetik të vendit.

    Për këtë të fundit ai theksoj se është një problem që mund të krijojë një mesazh të gabuar për investitorët e mundshëm, të cilët mund të hezitojnë të investojnë në Kosovë për shkak të pasigurisë në furnizimin me energji.

    ‘Kjo hynë të ajo pjesa ekonomikë për shkak se kur një biznes vendos që të bëjë një investim në vendin tonë merr parasysh shumë faktor, qoftë faktorin demografik, faktorin e potencialit të tregut, faktorin e potencialit të eksporteve, pra sa është mirë e integruara Kosova në tregje rajonale dhe evropiane. Megjithatë këto futen detyrimisht edhe kostot e punës, fuqia punëtore, qëndrueshmëria energjetike, kapacitetet energjetik për furnizim për shkak se ka biznese që kanë konsum shumë të lartë energjetik. Nëse i shohim linjat e prodhimit të fabrikave të veturave, është shumë e vështirë që të ju sigurohet në mënyrë të qëndrueshëm një lloj sigurie e atij investimi. Për shkak se nëse një investitor vjen në Kosovë edhe veç pse vendi jonë ka vendosur që të mos investoj mjaftueshëm në qëndrueshmëri energjetike ti ndalet rryma atje te trafoja kryesore, çka mund të pritet kur humbjet e tij mund të jenë në ditë në qindra mijëra euro. Kjo përqon edhe një mesazh shumë të gabuar edhe të investitorët e tjerë potencial”, ka thënë ai.

    Ekonomisti, Jakup Bellaqa vlerëson se mungesa e investimeve në sektorët strategjikë, veçanërisht energjinë, është një pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.

    Ai shtoi se ambienti politik dhe mungesa e sigurisë në veri të Kosovës vazhdojnë të ndikojnë negativisht te investitorët potencialë.

    “Është e vërtet që nuk ka pasur investime aq në nivelin e duhur dhe në sektorët strategjikë. Jo vetëm në këtë mandat por edhe në të kaluarën nuk ka pasur investime direket në nivelin e dukur edhe në sektorët strategjikë. Vlen të theksohet se të mungesa e këtyre investimeve, pika kryesore është reformat e thella energjetike që duhet të bëhen. Po ta marrim në mënyrë kalendarike, që nga dhjetori i viti 1999 deri në dhjetor 2024, me ato qindra miliona apo miliarda të cilat janë investuar në energjinë elektrike, po të ishin ndërtuar tre termocentrale energjetik Kosova do të kishte rrymë edhe për të eksportonte jashtë Kosovës. Pastaj ka ndikuar edhe ambienti politik e veriu i Kosovës që ka qenë një pikë e ndjeshme që ende është një pik e pa sigurt për shkak të pasigurisë pulitke”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Bellaqa theksoi se Kosova ka nevojë për reforma të thella energjetike dhe përmirësime të infrastrukturës për të tërhequr investime në sektorët strategjikë.

    “Duhet të përmirësohet më shumë ambienti i të bërit biznes, duhet që të ketë më shumë lehtësira tatimore, fiskale, të krijohet ambient i përshtatshëm dhe tërheqës që të investojnë në sektor strategjikë, Kosova ka burime natyrore që mund të shfrytëzohen”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

  • Mbi 200 mijë armë pa leje, njohësit e sigurisë kërkojnë strategji afatgjate për sekuestrimin e tyre

    Mbi 200 mijë armë pa leje, njohësit e sigurisë kërkojnë strategji afatgjate për sekuestrimin e tyre

    Viti 2024 ka shënuar një rënie të ndjeshme të krimeve të dhunshme në Kosovë, sipas statistikave të publikuara nga Policia e Kosovës, raporton EO.

    Krimet, si vrasjet, vjedhjet dhe grabitjet kanë regjistruar ulje të konsiderueshme, duke pasqyruar një përmirësim të dukshëm në situatën e sigurisë. Megjithatë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ende mbeten sfida dhe nevoja për një strategji më të qartë për të adresuar shqetësimet e sigurisë në të ardhmen.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala për Ekonomia Online ka thënë se ulja e numrit të vrasjeve lidhet me disa faktorë, përfshirë përmbylljen e disa proceseve në sistemin gjyqësor dhe arritjen e marrëveshjeve mes palëve në konflikt.

    Sipas tij, mungesa e efikasitetit të sistemit prokurorial dhe gjyqësor shpesh ka shtyrë qytetarët të marrin drejtësinë në duart e tyre.

    “Sa i përket çështjes së numrit të vrasjeve, një ulje të tillë mund të jetë një nga shumë faktorët çështja e përmbylljes së disa proceseve në pjesët e sistemit gjyqësor, sepse kryesisht mos efikasiteti i sistemit prokurorial e gjyqësor ka ndikuar që qytetarët të marrin drejtuesin në duart e tyre. Një element tjetër mbetet edhe çështja e marrëveshjeve që mund të arrijnë palët të cilat janë në konflikt e sipër dhe kjo ka ndikuar që të reflektoj në kontekstin e asaj që mos të ketë rritje të aktivitete të veprave penale vrasje, por të ketë një ulje të tillë. Por ne duhet që të reflektojmë dhe do të duhet të shikojmë që mundësi ekuivalente me vepra penale që mund të jenë vrasje të jetë minimale dhe për këtë gjë ne do të duhet që të bashkëpunojmë që sistemi policor, prokurorial dhe gjyqësor të kenë një harmoni dhe të ketë një funksionalitet të duhur për të minimizuar një aktivitete të tillë”, ka thënë ai.

    Lidhur me konfiskimin e armëve, Shala vlerësoi punën e Policisë së Kosovës për reduktimin e armëve ilegale, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një plani strategjik afatgjatë.

    “Për konfiskimin e armeve, Kosova ngadalë është duke u pastruar nga armët të cilat kanë qenë si relikt i luftërave të viteve të 90-ta dhe kjo është një tregues i mirë që policia e Kosovës ka ndikuar që të ketë një aktivitet të shtuar në rastet e konfiskimeve të armëve dhe municioneve, por ne do të duhet që të mendojmë një plan strategjikë afatgjatë i cili plan pa dyshim do të duhet që të jetë një kampanjë e re, që i nxit qytetarët e Kosovë që kanë armë të tyre ilegale në shtëpitë e tyre t’i dorëzojnë pa u ndjekur penalisht. Kjo ngritje është tregues që policia kryen punët operacionale, ndërsa ne duhet që të mendojmë një hap tutje që 250 mijë armë që konsiderohen që janë në duart e qytetarëve të Kosovës, t’i dorëzojnë përmes formave dhe kampanjave të caktuara që minimizohet rreziku i përgjithshëm nga armët të cilat janë në duart e qytetareve”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami tha se Kosova, si vend i dal nga lufta, përballet ende me një numër të madh armësh ilegale, përfshirë armë luftarake dhe sportive.

    Islami thekson nevojën që institucionet e Kosovës të gjejnë formë dhe mënyrë që t’i joshin ata që posedojnë armë ilegale që t’i dorëzojnë ato.

    “Kosova është një vend i dal nga lufta dhe kur merret parasysh që konsiderohet që është një numër i madh i armeve, qoftë armë luftarake por edhe armë rekreative, sportive të cilat mund të legalizohen dhe të pajisen me leje, numri është shumë i lartë i këtyre armëve. Krahasuar me vendet e rajonit Kosova nuk qëndron me armëmbajtje pa leje në raport me vendet e tjera siç është Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e të tjera. Mirëpo, pa marrë parasysh, edhe duke mos u bërë krahasime me vendet e tjera, ky numër aq i madh i armeve pavarësisht që janë dorëzuar disa, e disa janë pajisur me leje, prapë është numri i madh dhe institucionet e Kosovës duhet të gjejnë formë dhe mënyrë që të joshen të gjithë ata të cilët kanë armë luftarake, të dorëzohen, apo të subvencionohen individ që kanë këto armë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Ai thekson se faktorët socio-ekonomikë luajnë një rol të rëndësishëm në rastet e dhunës.

    “Një ndër faktorët është kjo, por ka edhe faktorë të tjerë e ndër faktorët kryesor janë faktorët socio-ekonomik sepse në rastin më së shumti që kemi plagosje ose vrasje janë për mos marrëveshje pronësore për motive të ulëta, madje edhe për plaçkitje. E kur të jetë parasysh gjithë këta faktor atëherë një mirëqenie socio ekonomike më e mirë e qytetareve do të jetë më pak e interesuar që të ketë probleme”, ka thënë ai.

    Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës numri i vrasjeve ka pësuar një ulje prej 41.38%, duke kaluar nga 29 raste në vitin 2023 në 17 raste për vitin 2024 që e lamë pas.

    Përveç vrasjeve, edhe disa vepra të tjera penale kanë pësuar ulje të konsiderueshme.

    Vjedhjet kanë rënë me 11.03%, nga 3844 raste në 3420.

    Vjedhjet e rënda kanë pësuar një ulje prej 23.37%, nga 2555 raste në 1958.

    Grabitjet janë ulur me 13.58%, nga 81 raste në 70.

    Po ashtu gjatë vitit 2024 është rritur me 23.3 për qind numri i armëve të konfiskuara, ku janë konfiskuar 1586 armë, ndërsa municione të konfiskuara ishin 28,859.

  • Betohet sekretari i ri i Mbrojtjes së ShBA-së

    Betohet sekretari i ri i Mbrojtjes së ShBA-së

    ekretari i ri i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pete Hegseth, është betuar zyrtarisht të shtunën.

    Ai betimin e bëri para zëvendëspresidentit JD Vance.

    Konfirmimi i tij si sekretar i 29-të i ShBA-së erdhi pak orë pasi Vance, votoi pro Hegseth për ta thyer barazimin në senat që ishte 50 me 50, transmeton Klankosova.tv

    Sekretari i ri mbajti edhe një fjalim të shkurtër para senatit.

    Në fjalën e tij, ai paraqiti parimet e tij që do ta udhëheqin në punë.

    “Rikthimin e frymës luftarake në gjithçka që bëjmë, rindërtimin e ushtrisë dhe rivendosjen e fuqisë parandaluese. Ne nuk dëshirojmë luftëra, ne duam t’i parandalojmë ato… dhe duam t’u japim fund me përgjegjshmëri. Por nëse do na duhet të luftojmë, do ta bëjmë me forcë të jashtëzakonshme dhe të vendosur do ta shkatërrojmë armikun dhe do t’i rikthejmë djemtë tanë në atdhe”, tha Hegseth.

    Pete Hegseth, e falënderoi presidentin Donald Trump, për mbështetjen dhe u zotua se do të përqendrohej në “vendosjen e Amerikës të parën” si dhe rindërtimin e ushtrisë amerikane.

    Në një mesazh dërguar ushtarakëve amerikanë nëpërmjet postës elektronike, zoti Hegseth shkruante se “do të vazhdojmë të jemi forca më e fuqishme dhe më vdekjeprurëse në botë” duke përmendur në veçanti nevojën “për të parandaluar agresionin nga Kina komuniste në rajonin e Indo-Paqësorit… si dhe për t’u riorientuar drejt rreziqeve kryesore. Do t’u gjendemi krah aleatëve dhe armiqtë tanë e kanë marrë mesazhin”, tha ai, shkruan Zëri i Amerikës.

  • KQZ-ja emëron 414 anëtarë të Këshillave të Vendvotimit për përfaqësitë diplomatike në 19 shtete

    KQZ-ja emëron 414 anëtarë të Këshillave të Vendvotimit për përfaqësitë diplomatike në 19 shtete

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka emëruar 414 persona që do të angazhohen drejtpërdrejt në procesin e votimit që do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ky votim, që organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por vendvotimet me stemën e Republikës së Kosovës dhe logon e KQZ-së, do të hapen edhe në Amerikë, Kanada dhe Australi.

    Ky lajm është bërë i ditur për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se në numrin e përgjithshëm të anëtarëve të emëruar përfshihen edhe 184 anëtarët rezervë.

    Sipas KQZ-së, përbërja e Këshillave të Vendvotimit në përfaqësi diplomatike është një çështje e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, pra që duhet të reflektojë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, që iu kanë nënshtruar pragut zgjedhor, që janë certifikuar për të garuar në zgjedhje dhe një zyrtar nga përfaqësia diplomatike.

    “Sipas vendimit të KQZ-së, Këshillat e Vendvotimeve në një qendër votimi në përfaqësi diplomatike do të përbëhen nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve përfaqësojnë subjektet politike parlamentare që i janë nënshtruar pragut zgjedhor dhe 1 tjetër është përfaqësues nga përfaqësia diplomatike. Pra, në përgjithësi, numri i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që do të angazhohen në ditën e votimi më 8 shkurt, është 230 anëtarë, prej të cilëve 184 përfaqësojnë subjektet politike dhe 46 të tjerë përfaqësitë diplomatike. Ndërkaq, numri i anëtarëve rezervë është 184”, tha Elezi për Ekonomia Online.

    Elezi ka treguar se për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësi diplomatike të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në ShBA, Kanada dhe Australinë e largët.

    “Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë kryesisht të vendosura në shtete evropiane. Votimi do të organizohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ambasadën e Kosovës në Uashington, në konsullatën e Nju Jorukut dhe Iowas, në ambasadën dhe konsullatën e Kosovës në Kanada dhe në ambasadën e Kosovës në Australi. Pra, sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në gjithsej 46 vendvotime në kuadër të 17 ambasadave dhe 15 konsullatave të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës”, tha Elezi për Ekonomia Online.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi në përfaqësitë diplomatike do të organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra në këtë rast më 8 shkurt 2025.

    Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës prej 104,924, për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike janë regjistruar 20,399 shtetas të Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër janë regjistruar për të votuar përmes postës.

    Aktualisht është duke u zhvilluar periudha e votimit për rreth 85 mijë shtetas të Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës.

    Përfaqësitë diplomatike në të clat do të organizohet procesi i votimit më 8 shkurt 2025 janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë; Iowa – konsullatë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë); dhe Australi (Kanbera – ambasadë).

  • Moti sot, me diell dhe vranësira, temperaturat deri në 11 gradë Celsius

    Moti sot, me diell dhe vranësira, temperaturat deri në 11 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se të dielen mbi vendin tonë do të mbajë mot parashikohet me vranesira të shpërndara dhe me intervale me diell.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të jenë ndërmjet një dhe tre gradë Celsius, derisa ato maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet shtatë dhe 11 gradë Celsius.

    Era do të fryjë nga jugperendimi me shpejtësi një deri në dy metër për sekond.

  • Osmani takohet me shefat e misioneve diplomatike

    Osmani takohet me shefat e misioneve diplomatike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur gjatë ditës së premte, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë të cilët janë të angazhuar në fushën e drejtësisë.

    Sipas një njoftimi nga ana e Presidencës, në këtë takim u diskutua rreth përgatitjeve për procesin e themelimit të Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale.

    “Nisma për themelimin i këtij Komisioni buron nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e të pranishmëve ndaj këtij procesi, si dhe njoftoi se gjatë javëve në vijim do të vazhdojnë takimet edhe me përfaqësues të tjerë nga organizatat përfaqësuese të viktimave, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, me qëllim të finalizimit të fillimit sa më të shpejtë të punës së këtij komisioni”, thuhet tutje në këtë njoftim.

  • Luftiu ftohet nga Prokuroria në Serbi për protestën e gushtit në Bujanoc

    Luftiu ftohet nga Prokuroria në Serbi për protestën e gushtit në Bujanoc

    Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar të shtunën se ka marrë ftesë nga Prokuroria e Shtetit në Serbi për vendosjen e billbordeve për protestën e organizuar në Bujanoc në gusht të vitit të kaluar.

    Në një shkrim në Facebook, ai ka bërë të ditur se më 25 dhjetor ishte ftuar të paraqitej në stacionin policor në Bujanoc, e se aty kishte kuptuar për nisjen e procedurave ndaj tij me pretekstin se s’ka pasur leje për organizim të protestës.

    Ka thënë se ka refuzuar përgjigjen në stacion policor për shkak të mosrespektimit të procedurës së thirrjes dhe se tani është ftuar direkt nga Prokuroria për paraqitje për intervistë më 14 shkurt.

    “Protesta jonë është parë me llupë, ndërsa thirrjet e huliganëve për të na likuiduar nuk i bëjnë përshtypje sistemit të drejtësisë. Kjo përndjekje nuk më demotivon aspak, përkundrazi më motivon që të vazhdoj rrugën e qëndresës dhe organizimit”, ka shkruar ai.

    Shqiptarët në Luginë të Preshevës i kanë zhvilluar disa protesta, duke kërkuar që të mos diskriminohen nga autoritetet e Serbisë.

  • OVL e UÇK-së zgjedh Kryesinë: Misioni do të jetë lufta kundër Gjykatës Speciale

    OVL e UÇK-së zgjedh Kryesinë: Misioni do të jetë lufta kundër Gjykatës Speciale

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se ka zgjedhur Kryesinë e re të kësaj organizate.

    Përmes një njoftimi në Facebook, OVL e UÇK-së ka publikuar emrat e anëtarëve.

    Tutje, kjo organizatë ka treguar edhe misionin e saj.

    “Të vetëdijshëm për punën dhe detyrat që presin kryesinë e OVL – UÇK-së, të gjithë u zotuan për angazhimin, bashkëpunimin për mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani kur lufta e drejtë e UÇK-së po përballet më procese gjygjësore të padrejta, çdo herë misoni i OVL – UÇK-së do jetë mbrojtja dhe lufta kundër Gjykates Speciale dhe këtyre gjygjeve të montuar, të padrejta dhe politike”, thuhet në njoftim.

  • Vrasja pas një fjalosje, Apeli vërteton dënimin me 39 vite e gjashtë muaj burgim për tre të akuzuarit

    Vrasja pas një fjalosje, Apeli vërteton dënimin me 39 vite e gjashtë muaj burgim për tre të akuzuarit

    Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku Shukri dhe Rexhep Rexhepi ishin dënuar se, në bashkëkryerje, pas një fjalosjeje, kishin vrarë B.M. në Baks të Skenderajt në vitin 2022, ndërsa Fiton Musliu ishte dënuar për vrasje të mbetur në tentativë.

    Më 24 korrik 2024, Shukri Rexhepi ishte dënuar me 23 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Rexhep Rexhep me 13 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë, dhe Fiton Musliun me 3 vjet e 6 muaj burgim për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

    Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit thekson se Prokuroria Themelore kishte apeluar aktgjykimin e Themelores, duke pretenduar se ka pasur gabime në vërtetimin e gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit Penal, dhe kërkon ndryshimin e aktgjykimit me dënim më të lartë për të akuzuarit.

    Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Amir Bunjaku kishte mbështetur ankesën e Prokurorisë për dënimin dhe kërkon një dënim më të lartë për të akuzuarit, duke kundërshtuar ricilësimin e veprës penale të Rexhep Rexhepit, pasi sipas tij, vrasja e B.M është kryer në bashkëkryerje.

    Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi, avokati Mahmut Halimi kishte paraqitur ankesë për shkelje të procedurës penale dhe kërkon anulimin e aktgjykimit, lirimin e të akuzuarit nga akuza e vrasjes dhe dënim më të butë për armëmbajtje pa leje.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla kishte paraqitur ankesë për shkelje të procedurës penale, duke kërkuar ndryshimin ose rivendosjen e aktgjykimit dhe lirimin e të akuzuarit nga akuza, ose shqipton dënim më të butë nëse Apeli konstaton veprim të drejtë nga Themelorja.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha kishte paraqitur ankesë për gabime në vërtetimin e gjendjes faktike, duke kërkuar ndryshimin e aktgjykimit për të shpallur të akuzuarin fajtor për vrasje në gjendje tronditjeje mendore dhe dënim më të butë.

    Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështjeje penale, dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesa gjeti se ankesat nuk janë të bazuara.

    Sipas vendimit të Apelit, kolegji i gjyqtarëve ka gjetur se Themelorja me rastin e marrjes së aktgjykimit nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

    Apeli po ashtu ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është në harmoni me vetveten, me një arsyetim të kuptueshëm dhe të qartë duke përfshirë të gjitha faktet vendimtare që karakterizojnë veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit.

    Në vendimin e Apelit, thuhet se Themelorja vlerësimin e provave e ka bërë në pajtim me dispozitat ligjore, duke dhënë arsye të qarta dhe konkrete për vendin, kohën dhe mënyrën se si ka ardhur deri të kryerja e veprave penale nga ana e të akuzuarve.

    Lidhur me ankesën e Prokurorisë për ricilësimin juridik të bërë nga Themelorja nga vepra penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” në veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë” për të akuzuarin Rexhep Rexhepi, sipas Apeli një ricilësim i tillë ka qenë i drejtë dhe i bazuar në prova të administruara gjatë këtij procesi gjyqësorë.

    Ndërsa, aty thuhet se nuk është vërtetuar se i akuzuari Rexhep Rexhepi e ka ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

    Apeli ka vlerësuar se Gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë e ka vërtetuar gjendjen faktike dhe në këtë çështje penale nuk ka mbetur pa u vërtetuar asnjë fakt vendimtar.

    Tutje, Apeli ka theksuar se Themelorja ka vendosur drejtë lidhur me lartësinë e dënimit me burgim pasi që me një dënim të tillë të tjerët dhe të akuzuarit do të parandalohen nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.

    “Prandaj, kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nga ana e Gjykatës së shkallës së parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale të kryera dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve, intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit i nxjerr më 15 janar 2024, nga kolegji i përbërë nga
    gjyqtarët Hashim Çollaku, kryetar i kolegjit, Kadrije Goga Lubishtani dhe Valbona M Selimaj, anëtarë të kolegjit.

    Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

    Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.