ATV

Category: Lajme

  • Rreziku kimik dhe radiologjik, ekipi italian i KFOR-it kryen kontrolle në një fabrikë në Pejë

    Rreziku kimik dhe radiologjik, ekipi italian i KFOR-it kryen kontrolle në një fabrikë në Pejë

    Një ekip i specializuar italian në fushën e CBRN (Nukleare, Biologjike, Kimike dhe Radiologjike), pjesë e Batalionit të Mbështetjes së Komandës Rajonale Perëndimore të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, realizoi një aktivitet kontrolli në fabrikën e hedhjes së mbetjeve Eurosteel në komunën e Pejës.

    Sipas njoftimit ky aktivitet është një procedurë rutinë që KFOR realizon për të mbështetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mënyrë që të monitorohet gjendja e vendeve industriale dhe të mbështeten autoritetet lokale për realizimin e operacioneve të reduktimit të rrezikut kimik dhe radiologjik.

    “Këto aktivitete realizohen gjithmonë në bashkëpunim me ekipet CBRN nga kontingjentet e tjera të KFOR dhe me mbështetje nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Vdes një gjashtëvjeçar në spitalin e Lushnjës, kishte gati një javë që po mjekohej në kushte shtëpie

    Vdes një gjashtëvjeçar në spitalin e Lushnjës, kishte gati një javë që po mjekohej në kushte shtëpie

    Një fëmijë ka humbur jetën mbrëmjen e së shtunës në spitalin e Lushnjës. Fëmija i moshës 6-vjeçare u dërgua në spitalin e Lushnjes rreth orës 14:00 me autoambulancë nga qendra shëndetësore Divjakë.

    Sipas informacioneve të marra nga drejtori i spitalit, fëmija kishte rreth 6 ditë që mjekohej në kushte e shtëpisë ku për të kujdesej gjyshi pasi prindërit i kishte të divorcuar, shkruan A2 CNN.

    Duke parë gjendjen e rënduar të fëmijës është dërguar në qendrën shëndetësore Divjakë dhe më pas në spitalin e Lushnjes.

    Menjëherë, nga stafi i mjekëve të pediatrisë është ndjekur protokolli ligjor mjekësore ku janë bërë të gjitha analizat dhe procedurat ligjore. Sipas drejtorisë së spitalit fëmija vuante nga bronkopneumonia bilaterale. Duke parë gjendjen e rënduar të fëmijes stafi i mjekëve vendosin t’a dërgojnë fëmijën për mjekim të specializuara drejt Tiranës, por fëmija ka humbur jetën sapo ka hipur në autoambulancë. Sipas mjekëve, fëmija ka humbur jetën nga arresti kardiak si pasojë e sëmundjes së mëparshme.

    Të pranishëm në këto momente ka qenë nëna dhe gjyshi të cilët nuk kanë pranuar bërjen e autopsisë se fëmijës duke e mare në shtëpinë e tyre për të bërë nderimet e fundit.

    Për këtë rast, drejtoria e spitalit Lushnje shprehet se do të jetë Ministria e Shëndetësisë, e cila do të japë më shumë sqarime për rastin. Ndërsa bëhet me dije se edhe nga policia e Lushnjës janë kryer procedurat dhe i janë dërguar Prokurorisë për të vlerësuar rastin e vdekjes së fëmijës 6-vjeçar.

  • 49 emigrantë nisen nga Italia për në Shqipëri

    49 emigrantë nisen nga Italia për në Shqipëri

    Marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve është aktivizuar përsëri, pas një ndërprerje mbi dymujore.

    49 emigrantë hipën në bordin e anijes Cassiopea të marinës për t’u transferuar në qendrat në Shqipëri ku do të nisin procedurat e pritjes, ndalimit dhe vlerësimit për rastet individuale, transmeton Klankosova.tv.

    53 emigrantë të tjerë paraqitën spontanisht pasaportat e tyre për të shmangur transferimin.

    Sipas burimeve të Euronews Albania, emigrantët në bord janë egjiptianë dhe bangladeshas ndësa do mbërrijnë në Portin e Shëngjinit rreth mëngjesit të së martës.

    Anija “Cassiopea” u nis nga Lampeduza dhe po përdoret për transferimin e tretë të azilkërkuesve në Shqipëri, pas dy të parëve në tetor dhe nëntor në bazë të marrëveshjes Meloni-Rama.

  • PZAP-ja shqipton sërish gjoba ndaj partive politike për shkeljet gjatë fushatës

    PZAP-ja shqipton sërish gjoba ndaj partive politike për shkeljet gjatë fushatës

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka publikuar vendime të reja për gjobitejn e partive politike për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore.

    PZAP publikoi 13 vendime që i mori më 25 janar 2025, në disa prej tyre janë shqiptuar gjoba, disa ankesa janë refuzuar e të tjera janë hudhur poshtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Përmes një vendimi të marrë më 25 janar, është hudhur si e pasafatshme ankesa e parashtruar nga Kosova Demokratik Turk Partisi- KDTP, kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e dizajnit dhe broshurës për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

    PZAP ka pranuar ankesën e organizatës joqeveritare “CEL Kosova dhe Dylberizmi”, duke e gjobitur me 5 mijë euro Koalicionin për Familje për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

    OJQ e lartpërmendur kishte dorëzuar ankesë më 23 janar 2025 pas postimit të bërë në Facebook nga kandidati i kësaj partie Jeton Haxhimustafa, i cili kishte shkruar në Facebook se “A po e kuptoni se këtu kemi të bëjmë me ideologji dhe kemi shumë arsye për t’u përgjigjur masovikisht këtyre bojkotimeve që po i bëhen Koalicionit për Familje, fillimisht përmes RTK-së dhe tani përmes PZAP-së vetëm që të na detyrojnë të heshtim përballë degjenerimit. Përkundrazi, s’ka pushtet që i nënshtrohemi apo na pengon t’i themi jo martesës burrë me burrë e grua me grua. PIKË!”.

    Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 4 mijë euro pas ankesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Shkak i kësaj gjobe, PZAP thotë se ishte një video e postuar në TikTok nga kandidati për deputet Valon Ramadani, ku përdorë gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse ndaj partive kundërshtare.

    Kurse, një tjetër ankesë e PDK-së ndaj LVV-së është refuzuar si e pabazuar. PZAP gjithashtu ka refuzuar një ankesë të LVV-së ndaj PDK-së e tri tjera ndaj LDK-së, po ashtu për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

    Në një rast, PDK-ja është gjobitur me 3 mijë euro pas ankesës së LVV-së se kandidati për deputet i PDK-së, Faruk Bojaxhi postoi foto me tekst shoqërues të realizuar në Bashkësinë Islame dhe Ipeshkvinë e Prizrenit, në kundërshtim me dispozitat ligjore.

    Edhe në rastin e dytë, PDK-ja u gjobit me 3 mijë euro pas ankesës së LVV-së, për vendosje të banerave nëpër rrugë, hapësira publike dhe shtylla ndriçuese në Suharekë.

    E Partia e Serbëve të Kosovës është gjobitur me 3 mijë e 500 euro për vendosje të banerave e posterëve në hapësira publike në Mitrovicë të Veriut. Gjoba u shqiptua pas ankesës së LVV-së. Por, është hudhur si e palejuar ankesa e LVV-së ndaj subjektit politik Demokracia Serbe.

    Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur me 4 mijë euro pas ankesës së LVV-së për vendosje të banerave në hapësira publike në Suharekë.

  • 25 vjet më parë UÇPMB nisi përpjekjet për liri, Haradinaj: I përhershëm kujtimi për të rënët

    25 vjet më parë UÇPMB nisi përpjekjet për liri, Haradinaj: I përhershëm kujtimi për të rënët

    25 vjet më parë, UÇPMB-ja nisi përpjekjet e saj për liri, duke u bërë kështu dëshmi e pathyeshmërisë së shqiptarëve për të mbrojtur vendin e tyre.

    Kështu të paktën shprehet kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Ai thotë se shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë janë në të drejtën e tyre, në tokën e stërgjyshërve, teksa shton se kujtimi për të rënët është i përhershëm.

    “UÇPMB, që sot njëzetepesë vjet nisi përpjekjen për liri, është dëshmi e pathyeshmërisë së shqiptarëve, për të mbrojtur vendin e qenësinë e tyre. Shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë janë në të drejtën e tyre, në tokën e stërgjyshërve. I përhershëm kujtimi për të rënët”, ka shkruar Haradinaj në Facebook”.

  • Për shkak të mjegullës, u anuluan disa fluturime në Aeroportin e Shkupit

    Për shkak të mjegullës, u anuluan disa fluturime në Aeroportin e Shkupit

    Për shkak të mjegullës, mbrëmë janë anuluar një pjesë e fluturimeve në Aeroportin e Shkupit.

    Sipas informatave në uebfaqen e Aeroportit të Shkupit, një pjesë e fluturimeve janë anuluar ose riorientuar.

    Dukshmëria është 200 metra, dhe për këtë arsye trafiku ajror është i pezulluar.

    Kujtojmë se këtë muaj ka pasur anulime të shpeshta të fluturimeve për shkak të mjegullës së dendur.

    Raste të tilla kanë ndodhur dhe në aeroportet në vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën.

  • AUV me kontrolle të jashtëzakonshme në Qendrat Turistike

    AUV me kontrolle të jashtëzakonshme në Qendrat Turistike

    Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari në një komunikatë për media kanë njoftuar se kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në Qendrat turistike.

    Nga AUV bëjnë të ditur se janë kontrolluar 18 operatorë ushqimorë në Qendrat e Skijimit edhe atë në Kodër të Diellit, Mavrovë, Ponikva, Krushevë, Pelister dhe në Mihajlovo.

    AUV njofton se inspektorët e Agjencisë kanë vërejtur parregullsi vetëm të një operator, i cili siç thonë, nuk ka qenë i regjistruar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari si operator ushqimor, me të cilën i është shqiptuar gjobë dhe i është dhënë urdhër për regjistrim të menjëhershëm.

  • Grenell protestuesve në Serbi: Nëse s’ju pëlqen një ligj apo lider punoni ta ndërroni, por mos e përdorni dhunën

    Grenell protestuesve në Serbi: Nëse s’ju pëlqen një ligj apo lider punoni ta ndërroni, por mos e përdorni dhunën

    I dërguari presidencial amerikan për misione speciale, Richard Grenell i ka komentuar protestat në Serbi që u nxitën nga revolta e studentëve, një nga më të mëdhatë në dekadat e fundit.

    Ai kërkoi që dhuna të dënohet dhe demonstratat të jenë paqësore.

    “Është gjithmonë e rëndësishme të ngrini zërin dhe të dëgjoni. Por të gjithë duhet ta dënojnë dhunën dhe t’i përmbahen demonstratave paqësore. Procesi demokratik duhet të respektohet”, shkroi Grenell të shtunën në një postim në X.

    Protestuesve u kërkoi që “të mos përdorin dhunë” nëse duan ndryshimin e një ligji apo lideri.

    “Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose që i marrin me forcë ndërtesat qeveritare.
    Nëse nuk ju pëlqen një ligj apo një lider, atëherë punoni për ta ndryshuar atë – por mos e përdorni dhunën”, shtoi i dërguari amerikan.

  • Prishtina renditet e 24-ta në botë për ndotje të ajrit

    Prishtina renditet e 24-ta në botë për ndotje të ajrit

    Prishtina këtë të diel po renditet e 24-ta në botë sa i përket ndotjes së ajrit.

    Kjo sipas të dhënave të “IQ Air”.

    Sipas kësaj platforme, vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM është 103.

    Ky nivel i grimcave është i dëmshëm për grupet sensitive të njerëzve.

  • “Dëbimi masiv më i madh në histori”, qindra emigrantë largohen nga Shtetet e Bashkuara

    “Dëbimi masiv më i madh në histori”, qindra emigrantë largohen nga Shtetet e Bashkuara

    Disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump mori detyrën, autoritetet amerikane arrestuan më shumë se 530 emigrantë të paligjshëm dhe “deportuan qindra prej tyre”.

    Kjo u njoftua nga zëdhënësja e Trumpit, Caroline Leavitt për shërbimin online X. Administrata Trump ka arrestuar “538 emigrantë të paligjshëm” dhe “qindra” prej tyre janë dëbuar me avionët e ushtrisë. “Dëbimi masiv më i madh në histori është duke u zhvilluar”, vazhdoi Leavitt.

    Megjithatë, shifrat nuk janë domosdoshmërisht më të larta se ato të së kaluarës së afërt. Shërbimi i imigracionit ICE ka njoftuar më shumë se 170.000 arrestime për vitin 2023, mesatarisht 467 në ditë.

    Qëllimi i Trumpit, i shpallur tashmë gjatë fushatës zgjedhore, është të zvogëlojë në mënyrë drastike numrin e emigrantëve pa dokumente në SHBA, të vlerësuar në rreth njëmbëdhjetë milionë vetë. Në marrjen e detyrës të hënën, Trumpi njoftoi se donte të dëbonte “miliona e miliona” emigrantë të paligjshëm. Ai gjithashtu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën dhe njoftoi dërgimin e trupave shtesë amerikane në zonë. Kongresi amerikan i udhëhequr nga republikanët miratoi gjithashtu një projektligj këtë javë për të zgjeruar paraburgimin për të dyshuarit e huaj pa dokumente të vlefshme qëndrimi.

    Ndërkohë, Meksika po përgatitet për dëbime masive nga fqinji i saj verior. Qeveria meksikane kishte njoftuar ngritjen e dymbëdhjetë kampeve të pritjes për migrantët e dëbuar nga SHBA: nëntë për qytetarët meksikanë dhe tre për njerëzit e kombësive të tjera. Programi i mirëseardhjes quhet “Meksika të përqafon”.

    Heqja e parimit të vendit të lindjes?

    Ndërkohë, Trumpi pësoi humbjen e tij të parë gjyqësore për planin e tij për të hequr shtetësinë amerikane të dhënë për emigrantët e paligjshëm të lindur në SHBA. Një gjykatës federal në shtetin e bregut perëndimor të Uashingtonit të enjten bllokoi urdhrin ekzekutiv në fjalë, duke e konsideruar atë “në mënyrë flagrante jokushtetuese”. Gjykatësi iu referua faktit se e drejta e shtetësisë amerikane kur lind në territorin e SHBA është parashikuar në një amendament të Kushtetutës. Trumpi njoftoi menjëherë se do të apelonte vendimin e gjyqtarit.

    Urdhri i nënshkruar nga republikani disa orë pasi ai u betua të hënën do t’i ndalonte autoritetet të lëshojnë pasaporta dhe çertifikata nënshtetësie për fëmijët, nënat e të cilëve banojnë ilegalisht ose përkohësisht në SHBA dhe baballarët e të cilëve nuk kanë pasaporta amerikane dhe as një kartë të gjelbër (Green Card).

    Shumë ekspertë ligjorë pajtohen se parimi i shtetësisë së të drejtës së lindjes i Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së vitit 1868 nuk mund të shfuqizohet me një dekret të thjeshtë, për këtë do të ishte i nevojshëm një ndryshim i kushtetutës. Por pengesat për ndryshimin e Kushtetutës janë të mëdha: kërkohet një shumicë prej dy të tretash në të dy dhomat e Kongresit dhe ratifikimi nga tre të katërtat e të 50 shteteve.

    Tani, 22 shtete amerikane kanë paraqitur tashmë një ankesë kundër dekretit, duke përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun, të cilat qeverisen nga demokratët dhe kanë një popullsi veçanërisht të madhe. Dy qytete dhe organizata të shumta të të drejtave civile ngritën gjithashtu padi.