ATV

Category: Lajme

  • Disa rajone ruse raportojnë për sulme masive ukrainase

    Disa rajone ruse raportojnë për sulme masive ukrainase

    Zyrtarët në disa rajone ruse kanë raportuar për sulme masive ukrainase me dronë gjatë natës që kanë pasur për shënjestër infrastrukturën e energjisë, përfshirë një central bërthamor. Ndërkaq, presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë këmbyer akuza lidhur me mundësinë e negociatave të paqes.

    Zyrtarët qeveritarë në rajonet e Rusisë të Smolenskut, Nizhni Novgorodit, Tverit, Kurskut, Leningradit dhe Brianskut thanë se zonat e tyre janë goditur nga dronët e Ukrainës më 28-29 janar, ndërkaq aeroportet në Kazan dhe Shën Petersburg kanë ndaluar përkohësisht operimin për shkaqe sigurie.

    “Në disa zona në rajonin e Smolenskut, objektet civile ishin subjekt i një sulmi masiv me dronë“, shkroi në Telegram guvernatori, Vasily Anokhin.

    “Sistemet e mbrojtjes ajrore dhe ato të luftës elektronike të Ministrisë ruse të Mbrojtjes janë duke i shkatërruar dronët… Një nga dronët u rrëzua gjatë përpjekjes për të sulmuar një ndërtesë me energji bërthamore. Nuk ka viktima apo dëme”, shtoi Anokhin.

    Informacione të tjera nuk u dhanë, por centrali bërthamor në Smolensk është një ndërtesë e madhe për prodhimin e energjisë që gjendet rreth 100 kilometra nga qyteti i Smolenskut.

    Ndërkaq, guvernatori i rajonit rus, Nizhni Novgorod, Gleb Nikitin, tha se një dron ra në territorin e një kompleksi të karburanteve dhe energjisë në zonën industriale të Kstovskit, por nuk raportoi për viktima apo dëme të mëdha.

    “Shërbimet speciale po punojnë në vendngjarje dhe po përdoren të gjitha mjetet e nevojshme për të lokalizuar zjarrin në një nga njësitë e rafinerisë së naftës”, tha Nikitin.

    Guvernatorët rajonalë në rajonin Briansk, në kufi me Ukrainën, dhe Tver, në afërsi të Moskës, po ashtu raportuan për sulme me dronë. Në këto dy rajone, zyrtarët nuk raportuan për viktima apo dëme.

    Autoritetet në aeroportin e Kazanit – kryeqytetit të Republikës ruse të Tatarstanit – thanë se të gjitha fluturimet janë ndërprerë për shkaqe sigurie, ndonëse nuk njoftuan nëse aeroporti ishte cak i ndonjë sulmi.

    Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, po ashtu ka raportuar se fluturimet në aeroportin Pulkovo në Shën Petersburg janë ndërprerë për shkaqe sigurie, por nuk u dhanë më shumë detaje.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar 104 dronë ukrainas në disa rajone gjatë natës. Ky pretendim i Rusisë nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

  • Qytetarët në Maqedoninë e Veriut pro bojkotit të marketeve

    Qytetarët në Maqedoninë e Veriut pro bojkotit të marketeve

    Kroatët e zgjuan rajonin, bojkot në markete për shkak të çmimeve të larta përhapet në mënyrë masive.

    Vazhdoi në Bosnjë dhe Hercegovinë, pastaj në Malin e Zi, tani edhe në Maqedoninë e Veriut, shkruajnë mediat vendase.

    Qytetarët e Maqedonisë organizohen për bojkot të marketeve të premten më 31 janar.

    Qytetarët thonë se do ta përkrahin bojkotin, se çmimet e ushqimeve janë tepër të larta.

  • New York Times për protestat në Serbi: Vuçiq “sakrifikoi” kryeministrin në përpjekje për t’i qetësuar protestuesit

    New York Times për protestat në Serbi: Vuçiq “sakrifikoi” kryeministrin në përpjekje për t’i qetësuar protestuesit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “sakrifikoi” kryeministrin e tij në një përpjekje për të qetësuar protestat që kanë përfshirë qytetet në të gjithë Serbinë, duke përbërë një sfidë të madhe për pushtetin e tij njëdekadësh, shkruan New York Times.

    Kryeministri Millosh Vuçeviq, aleat i ngushtë i Vuçiqit dhe lider nominal i Partisë Progresive Serbe, tha se po jep dorëheqjen për të “mos e ngritur më tej tensionin në shoqëri” – vetëm disa orë pasi Vuçiq kërkoi “një rindërtim urgjent dhe gjithëpërfshirës të qeverisë”.

    I aftë në manovrimin brenda politikës serbe, si dhe mes Rusisë dhe Perëndimit, Vuçiq ka një histori të gjatë të hedhjes së aleatëve të tij jashtë, të paktën për një kohë, dhe të shpërbërjes së partive opozitare.

    Kundërshtarët janë përpjekur ta sfidojnë atë në zgjedhje, por janë bashkuar me protestat që udhëhiqen nga studentët.

    Nuk është e qartë nëse largimi i kryeministrit do të qetësojë apo ndoshta madje do të eskalojë protestat në mbarë vendin, të cilat janë shtyrë nga zemërimi publik për vdekjen e 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor në Novi Sad gjatë nëntorit.

    Studentët, të cilët tashmë prej javësh bllokojnë fakultetet, u mblodhën të martën para selisë së partisë në pushtet në Novi Sad, ku mbështetës të paidentifikuar rrahën disa studentë.

    Muri i zyrave të partisë ishte mbuluar me grafite me mbishkrime si “vrasës”, “hajdutë”. Aktivistët që kundërshtojnë qeverinë vazhduan protestat edhe në Nish.

    Vuçiq premtoi të hënën se do të plotësonte një nga kërkesat kryesore të studentëve – publikimin e kontratave dhe dokumenteve të tjera lidhur me rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, të realizuar nga një kompani kineze dhe nënkontraktorët e saj.

    Shumica e kërkesave fillestare të studentëve janë plotësuar, përfshirë procesimin e përgjegjësve për katastrofën dhe shkarkimin e ministrave që mbikëqyrën projektin e rindërtimit, përfshirë ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe ministrin e Tregtisë.

    Megjithatë, ndërsa protestat janë përshkallëzuar, politikanët opozitarë kanë filluar të kërkojnë që Vuçiq të formojë një “qeveri kalimtare”.

    “Vuçiq po përpiqet të fitojë kohë, duke pritur që protestat të pushojnë”, tha Dragomir Angjellkoviq, analist politik që mbështet studentët.

    Protestat, sipas tij, do të vazhdojnë, pasi dorëheqja e kryeministrit “është vetëm një përpjekje për një mashtrim të ri”.

    Presidenca e Serbisë dikur ka qenë një pozicion kryesisht ceremonial, por që nga koha kur Vuçiq mori funksionin e presidentit pas zgjedhjeve të vitit 2017, pas një mandati si kryeministër, ajo është shndërruar në qendër dominuese të pushtetit në Serbi dhe një fokus të zemërimit të opozitës.

    Kriza politike në Serbi, ku dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, ka punuar për një marrëveshje për një hotel luksoz të Trump në qendër të Beogradit, krijon një dilemë për administratën e re amerikane.

    Nën presidentin Biden, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të tërheqin Vuçiqin, duke u munduar ta ndajnë atë nga partneriteti tradicional i Serbisë me Rusinë, ndërsa politikanët opozitarë e kanë kritikuar atë për qasjen e tij të butë ndaj presidentit të Serbisë.

    Politika e administratës Biden ka dhënë disa rezultate, përfshirë shitjen sekrete të municionit dhe armëve të Serbisë, me vlerë pothuajse një miliard dollarë, të cilat do të përdoren nga Ukraina kundër forcave ruse, si dhe mbështetje për Serbinë në rezolutat e Kombeve të Bashkuara që dënojnë invazionin rus.

    Megjithatë, Serbia ka qëndruar e palëkundur ndaj presioneve për t’u bashkuar me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka miratuar qëndrimet ruse në përgjigje të protestave, duke pretenduar se ato janë një përpjekje për të realizuar një “revolucion të ngjyrosur” nën drejtimin e “agjentëve” të Perëndimit.

    Serbia javën e kaluar deportoi pesë aktivistë nga Kroacia, të cilët u akuzuan për ndihmë për grupet serbe të përfshira në protestat.

    Serbia aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, por orientimi i saj drejt Rusisë, dyshimet mbi angazhimin e saj për demokraci dhe problemet e tjera ngadalësuan anëtarësimin.

    Disa analistë dhe diplomatë thonë se Rusia po nxit protestat për të shtuar presion ndaj Vuçiqit për të braktisur “ndjekjen e tij të herëpashershme të Perëndimit”. Veteranët serbë të luftës iu bashkuan protestave të fundit duke valëvitur flamujt rusë.

    Në vitet e fundit ka pasur protesta të shumta në Serbi kundër Vuçiqit, por këto të fundit kanë marrë mbështetje më të gjerë.

  • Ky është slogani i zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Ky është slogani i zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar dje sloganin zyrtar për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Slogani i këtij procesi zgjedhor do të jetë “Vota jote për Kosovën 2025”.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë një thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

    Ai ka deklaruar se angazhimi i KQZ-së është maksimal për të siguruar një proces zgjedhor me integritet dhe pa asnjë lloj ndikimi.

  • Haxhiu: Situata në shëndetësi është dështim, shko në Emergjencë dhe e sheh gjendjen reale

    Haxhiu: Situata në shëndetësi është dështim, shko në Emergjencë dhe e sheh gjendjen reale

    Kandidati për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu, në emisionin COMPASS në ATV, tha se shëndetësia në Kosovë është në gjendje të rëndë, dhe kjo është më së miri e dukshme nëse shkon në Emergjencës.

    Sipas Haxhiut, mungesa e furnizimit me kontraste në QKUK detyron pacientët të blejnë materiale bazike vetë, një situatë që sipas tij përfaqëson dështimin e sistemit shëndetësor.

    “Shko në Emergjencë dhe e sheh gjendjen reale në shëndetësi. Për shembull, që nga korriku, QKUK nuk është furnizuar me kontrast për radiologji apo kardiologji, dhe pacientët detyrohen t’i blejnë vetë, duke paguar deri në 72 euro,” tha Haxhiu.

    Deklaratën e plotë të Bekim Haxhiut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Tahirbegolli: Duhet të kalojmë nga një sistem shëndetësor i UNMIK-ut në një sistem evropian

    Tahirbegolli: Duhet të kalojmë nga një sistem shëndetësor i UNMIK-ut në një sistem evropian

    Kandidati për deputet nga Koalicioni për Familje, Bernard Tahirbegolli, në emisionin COMPASS në ATV, tha se vizioni i koalicionit për shëndetësinë synon transformimin nga sistemi aktual, i instaluar nga UNMIK-u, në një model evropian që vendos pacientin dhe mirëqenien e familjes në qendër.

    Sipas Tahirbegollit, përmbushja e këtij vizioni përfshin reforma strategjike, si zbatimi i mbulueshmërisë universale shëndetësore dhe krijimi i një Fondi për Sigurime Shëndetësore Publike.

    “Ideja është që të kalojmë nga sistemi i financimit të shëndetësisë që është instaluar në kohën e UNMIK-ut, në një sistem shëndetësor evropian, ku pacienti dhe familja janë në qendër dhe i shtohet mirëqenia, jo varfërimi”, tha Tahirbegolli.

    Ai tha se modernizimi i infrastrukturës dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore janë prioritete kryesore të programit të tyre.

    “Kjo përfshin renovimin e infrastrukturës aktuale, ndërtimin e objekteve të reja dhe themelimin e Agjencisë për Akreditimin e Institucioneve Shëndetësore dhe Institutit të Ekselencës Klinike, për të nivelizuar cilësinë e shërbimeve”, shtoi ai.

    Deklaratën e plotë të Bernard Tahirbegollit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Bajraktari: Kosova nuk ka sistem shëndetësor, dështim total i ministrisë aktuale

    Bajraktari: Kosova nuk ka sistem shëndetësor, dështim total i ministrisë aktuale

    Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, Gani Bajraktari, në emisionin COMPASS në ATV, e cilësoi gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë si një “katrahurë”, duke akuzuar ministrinë aktuale për dështim të plotë në menaxhim dhe reforma.

    Bajraktari tha se pavarësisht se edhe qeveritë e kaluara kanë dështuar në përmirësimin e shëndetësisë, gjendja aktuale është më e rënda që ka parë ndonjëherë.

    “Kosova është pa sistem shëndetësor. Është një katrahurë që quhet shëndetësi, një dështim total i ministrisë aktuale. Nuk ka qenë kurrë më keq se sot,” tha Bajraktari.

    Deklaratën e plotë të Gani Bajraktarit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hyseni: Besueshmëria ndaj institucioneve publike shëndetësore është në krizë

    Hyseni: Besueshmëria ndaj institucioneve publike shëndetësore është në krizë

    Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni, në emisionin COMPASS në ATV, tha se një nga problemet më serioze në sektorin e shëndetësisë është mungesa e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve publike shëndetësore.

    Sipas Hysenit, shumë qytetarë kërkojnë shërbime shëndetësore jashtë institucioneve publike dhe jashtë Kosovës, edhe kur këto shërbime mund të kryhen me cilësi brenda vendit.

    “Është shqetësuese që shumë nga shërbimet që kryhen jashtë Kosovës mund të realizohen edhe në institucionet publike shëndetësore këtu, dhe madje kryhen mirë e me dinjitet”, tha Hyseni.

    Ai theksoi se problematika kryesore buron nga Ministria e Shëndetësisë dhe mungesa e menaxhimit efektiv në nivelin më të lartë.

    “Problemet fillojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Aty ka sfida që janë shumë më të mëdha sesa vetëm infrastruktura apo orari i stafit,” shtoi Hyseni.

    Deklaratën e plotë të Ekrem Hysenit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kollçaku: Specializimet tani do të bëhen sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore

    Kollçaku: Specializimet tani do të bëhen sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore

    Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, në emisionin COMPASS në ATV, tha se procesi i specializimeve në sektorin shëndetësor do të riorganizohet, duke u bazuar në nevojat dhe kërkesat konkrete të institucioneve shëndetësore.

    Sipas Kollçakut, kjo qasje do të zëvendësojë praktikat e mëparshme, kur specializimet ndaheshin në mënyrë të paorganizuar dhe pa planifikim të mirëfilltë.

    “Specializimet, fatmirësisht tani e tutje, do të bëhen sipas nevojave të vetë institucioneve dhe kërkesave të tyre, dhe jo në mënyrë stihike siç ka ndodhur më parë, kur nuk kishte kushte për përgatitje profesionale”, tha Kollçaku.

    Ajo tha se qeveria është përqendruar në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe pajisjeve mjekësore, për të siguruar trajtim dhe diagnostikim më cilësor.

    “Një transformim i dukshëm ka ndodhur në Qendrën Klinike Universitare. Pajisjet e reja dhe infrastruktura e përmirësuar po krijojnë kushte më të mira për trajtim dhe përgatitjen e stafit shëndetësor”, shtoi Kollçaku.

    Deklaratën e plotë të Fatmire Kollçakut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Murati: Ka vendim që veturat zyrtare të mos përdoren në fushatë zgjedhore

    Murati: Ka vendim që veturat zyrtare të mos përdoren në fushatë zgjedhore

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka vendim të shtabit të Lëvizjes Vetëvendosje që ndalon përdorimin e veturave zyrtare nga zyrtarët shtetërorë gjatë fushatës zgjedhore.

    Murati tha se përveç kryeministrit, i cili për arsye sigurie ka mbrojtje të afërt, të gjithë zyrtarët e tjerë të Vetëvendosjes përdorin vetura personale ose të siguruara nga shtabi zgjedhor.

    “Ka një vendim nga shtabi që asnjë ministër ose zyrtar me funksion publik të mos përdorë vetura zyrtare gjatë fushatës. Përjashtim bën vetëm kryeministri, për shkak të mbrojtjes së afërt,” tha Murati.

    Deklaratën e plotë të Hekuran Muratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: